Presidentja Osmani priti në takim kryesuesin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi. Në takim u diskutua lidhur me përgatitjet dhe konsultimet që po bëhen për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta parlamentare. Kryesuesi i KQZ-së, e njoftoi Presidenten Osmani lidhur me çështjet që sipas KQZ-së është me rëndësi të merren parasysh gjatë vlerësimeve rreth caktimit të datës së zgjedhjeve. Poashtu, në këtë takim u diskutua edhe për votimin nga mërgata dhe hapat që duhet të ndërmerren në mënyrë që kjo e drejtë të realizohet siç është përcaktuar në ligjin e ri. Poashtu Presidentja potencoi rëndësinë që në ditën e zgjedhjeve të bëhen organizimet e nevojshme për qasje të lehtë edhe për personat me nevoja të veçanta. Presidentja Osmani, ndërkaq shprehu besimin se KQZ-ja, si institucion përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura dhe brenda afateve që procesi zgjedhor të realizohet duke respektuar të drejtat e qytetarëve si dhe standardet më të larta demokratike.

Presidentja: E ardhmja është më ndritur kur çdo vajzë mund të shkëlqejë jo vetëm në fushën e futbollit, por në çdo arenë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë ka takuar vajzat e jashtëzakonshme të klubeve të futbollit nga Prishtina, Malisheva e Vitomirica e Pejës. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, së bashku me vajzat e jashtëzakonshme të klubeve të futbollit nga Prishtina, Malisheva e Vitomirica e Pejës. E ardhmja është më ndritur kur çdo vajzë mund të shkëlqejë jo vetëm në fushën e futbollit, por në çdo arenë, duke e ditur se vlerësohet dhe duke e ditur se mund të arrijë gjithçka

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier. Në takim, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier kanë diskutuar zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë në fushën e sigurisë si dhe angazhimin e vazhdueshëm për konsolidim të mëtutjeshëm të pozitës ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës. Po ashtu, në takim është diskutuar edhe për mbarëvajtjen e procesit të konsultimeve për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta parlamentare dhe për përkushtimin e plotë për garantimin e një procesi zgjedhor demokratik dhe të suksesshëm. Thellimi i vazhdueshëm i raporteve bilaterale dhe koordinimi i rregullt për tema të interesit nacional ishin po ashtu pjesë e diskutimeve në takimin e sotëm.

Presidentja Osmani uron Ditën Ndërkombëtare të Rinisë: Të rinjtë tanë janë imazhi më briliant i Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Ditën Ndërkombëtare të Rinisë. “Rinia – potenciali më i madh i vendit tonë, burim i kreativitetit, energjisë së pashtershme e i dashurisë për vendin. Nga podiumet olimpike e deri te garat botërorë në shkencë, të rinjtë tanë janë imazhi më briliant i Kosovës. Urime Dita Ndërkombëtare e Rinisë!”, ka shkruar Presidentja Osmani.  

Presidentja Osmani: Ngritja e statusit të Kosovës në Frankofoni, triumf për vlerat frankofone

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përfaqësuesin e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (ONF) për Evropën Qëndrore dhe Lindore, Eric Pope, i cili viziton Kosovën pas aplikimit të Republikës sonë në këtë organizatë. Presidentja Osmani ka riafirmuar përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave frankofone, duke theksuar rëndësinë e ngritjes së statusit të Kosovës në ONF nga statusi i vëzhguesit në anëtar me të drejta të plota. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është shembull i mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve pa dallim, forcimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit. “Rinia është potenciali më i madh i Kosovës dhe me talentin e dëshmuar në ndërmarrësi dhe inovacion, është shembull për rajon e më gjerë”, theksoi Presidentja Osmani, duke e njoftuar z. Pope edhe për avancimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku Kosova është shndërruar në shembull pozitiv në nivel global. Në këtë frymë, Presidentja Osmani ka theksuar se përmes ngritjes së statusit të Kosovës në ONF, do të thellohet bashkëpunimi me shtete tjera anëtare në zhvillim të qëndrueshëm, promovimin e diversitetit kulturor e gjuhësor, arsim e hulumtime shkencore, si dhe në fusha tjera të interesit të ndërsjellë. Presidentja Osmani dhe z. Pope diskutuan edhe për samitin e Frankofonisë në tetor, ku Presidentja Osmani do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës.

Delegacioni presidencial vazhdon vizitën në Tokio me takime të shumta

Delegacioni i Presidencës së Kosovës, i deleguar nga Presidentja Osmani, gjatë qëndrimit në Tokio të Japonisë, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar disa takime. Këshilltarët e Presidentes Osmani, Dora Musa dhe Bekim Kupina janë takuar me drejtorin për barazi gjinore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Japonisë, Tatsuhiko Furumoto me të cilin u diskutua për Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, respektivisht mbi Forumin në këtë temë që mbahet për çdo vjet nën patronatin e Presidentes Osmani dhe mundësive për bashkëpunim për avancimin e kësaj agjende nëpërmjet Qendrës Rajonale të Ekselencës në Kosovë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si dhe mundësitë për bashkëpunim bilateral në këtë fushë dhe jo vetëm. Delegacioni presidencial ka takuar edhe drejtorin gjeneral të departamentit për Lindje të Mesme dhe Evropë në organizatën ndërkombëtare për bashkëpunim JICA, Kei Toyama, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e deritashme me projektet në komunën e Drenasit dhe atë të Istogut, por edhe shumë institucioneve të tjera në vend, teksa janë diskutuar edhe mundësitë për realizimin e projekteve të tjera që synojnë përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe mbrojtjen e mjedisit. Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe ai i Istogut, Ilir Ferati, të shoqëruar edhe nga ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari kanë zhvilluar një takim edhe me kryetaren e Minatos, Seike Ai, me të cilën kanë shkëmbyer mendime për qeverisjen lokale dhe kanë diskutuar mundësitë e shkëmbimit të përvojave në fushën e qeverisjes lokale.

Një delegacion nga Presidenca e Kosovës, i deleguar nga Presidentja Osmani mori pjesë në ceremoninë e Ditës Përkujtimore të Paqes në Hiroshimë

Një delegacion nga Presidenca e Kosovës, i deleguar nga Presidentja Osmani, i udhëhequr nga këshilltarët e saj, Dora Musa dhe Bekim Kupina, bashkë me Kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, Kryetarin e Istogut, Ilir Ferati, si dhe ambasadorin e Republikës së Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari po qëndrojnë prej dy ditësh në Hiroshimë të Japonisë, në ceremoninë e Ditës Përkujtimore të Paqes të organizuar nga Kryetari i Hiroshimës. Në ceremoninë e 79-vjetorit të hedhjes së bombës atomike në Hiroshimë morën pjesë mbi 100 përfaqësues të shteteve nga gjithë bota dhe nga aty u riafishua rëndësia e ruajtjes së paqes dhe sigurisë anembanë botës. Krahas ceremonisë zyrtare, delegacioni pati rastin të takohet dhe me nxënës të shkollave të mesme nga Hiroshima, të cilët kishin përpiluar mesazhet e tyre të paqes. Delegacioni nga Presidenca pati mundësinë të dëgjojë edhe rrëfime të të mbijetuarve të Hiroshimës dhe ta vizitojë vendin në të cilin ishte hedhur bomba atomike. Nga aty, krahas përfaqësuesve të shumë shteteve, delegacioni nga Kosova dërgoi mesazhe paqeje për qytetarët e Hiroshimës, duke uruar që bota të mos përjetojë kurrë më ngjarje sikurse kjo. Gjatë ditës së sotme, Kryetari i Hiroshimës, Kazumi Matsui ka pritur në një takim zyrtar delegacionin e Presidencës. Këshilltarët e Presidentes Osmani, ndër të tjera, e kanë njoftuar Kryetarin Matsui mbi iniciativat e Kosovës për ruajtjen dhe kultivimin e paqes, me theks të veçantë në angazhimin e Presidentes Osmani në avancimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Në takim, ndër të tjera është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit me komunat kosovare, teksa Kryetari Matsui ka ftuar kryetarët e Drenasit dhe Istogut që t’i bashkohen Rrjetit global të paqes Mayors for Peace.

Reagim i Presidencës së Republikës së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës ASNJËHERË nuk ka kërkuar tejkalim apo shkelje të procedurave, por respektim të rregullave ndërkombëtare, siç bëhet në të gjithë botën. Lista e shteteve të cilat i ka vizituar Presidentja Osmani gjatë mandatit të saj si Presidente përfshinë SHBA-të, Shqipërinë, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Italinë, Austrinë, Belgjikën, Bullgarinë, Çekinë, Finlandën, Kanadanë, Kosta Rikën, Kroacinë, Danimarkën, El Salvadorin, Estoninë, Francën, Greqinë, Islandën, Japoninë, Lituaninë, Luksemburgun, Maltën, Moldavinë, Malin e Zi, Panamanë, Portugalinë, Katarin, Singaporin, Slloveninë, Spanjën, Zvicrën, Tajlandën, Tunizinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Vatikanin, etj. Të gjitha këto shtete, shumicën prej të cilave i ka vizituar disa herë gjatë mandatit, pa përjashtim, i kanë respektuar në plotni rregullat ndërkombëtare sa i përket trajtimit të kreut të shtetit, rrjedhimisht edhe të vet shtetit. Sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidentja e vendit përfaqëson shtetin brenda dhe jashtë. Pavarësisht rregullave jashtëzakonisht strikte të sigurisë në aeroportet e shumicës dërrmuese të shteteve të lartpërmendura, ata e pranojnë Presidentin e një shteti si përfaqësuesin më të lartë të shtetit dhe kurrë nuk kërkojnë skanimin as të çantës personale e lëre më të telefonit, e aq më pak të kërkohet ‘full body scan’, sepse kjo, në mes tjerash, do të nënkuptonte se janë duke e trajtuar shefin e shtetit – rrjedhimisht shtetin – si rrezik potencial për terrorizëm. Në çdo vend ku udhëtojmë, nuk është Presidentja që e kërkon një trajtim të tillë. Ky trajtim ofrohet automatikisht nga shtetet pritëse bazuar në njoftimin që bëhet nga ambasadat tona për udhëtimin e Presidentes dhe bazuar në të drejtën ndërkombëtare zakonore (e detyrueshme për të gjitha shtetet). Siç shihet nga lista e lartpërmendur, kjo është respektuar në tërësi edhe nga shtete që akoma nuk e kanë njohur Kosovën. Se kjo procedurë respektohet çdoherë e çdokund, Presidentja Osmani e ka konfirmuar edhe me homologë të saj me të cilët ka biseduar këto ditë. Presidentja e Republikës së Kosovës kërkon respekt për shtetin që përfaqëson, pra Republikën e Kosovës dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë me ngulm në përputhje me rregullat e parimet ndërkombëtare që rregullojnë raportet ndërmjet shteteve. Raportet për incidentin e paprecedentë në Aeroportin e Shkupit të përgatitura nga Presidenca dhe Policia e Kosovës janë tashmë të finalizuara dhe të qasshme, dhe kanë qenë tash e sa ditë. Nga këto raporte kuptohet qartë se nuk ka kërkesë për devijim ose anashkalim të rregullave, por përkundrazi, respektim dhe aplikim të konventave dhe të së drejtës ndërkombëtare zakonore, e mbi të gjitha, respekt për Republikën e Kosovës. Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës. Përderisa e vlerësojmë shprehjen e keqardhjes nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, për fat të keq deri tani në asnjë moment institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare zakonore në raport me Republikën e Kosovës, por perkundrazi, hapur e pa asnjë hezitim e kanë pranuar një shkelje të tillë. Për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik te institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare. Presidenca e Republikës e ka trajtuar këtë incident vetëm në mënyrë ndërinstitucionale e pa e bërë publike, me qëllim të ruajtjes së raporteve ndërmjet dy shteteve, deri në momentin kur një propagandë e përmasave të papara ka filluar kundër Presidentes, me ç’rast Presidenca është detyruar t’i përgjigjet interesimit të shumtë të mediave. Siç është thënë edhe në reagimet e mëparshme, Presidentja Osmani përgjatë tërë karrierës së saj politike, e në veçanti përgjatë mandatit të saj si Presidente e vendit, ka kontribuuar në zhvillimin dhe thellimin e raporteve pozitive me Maqedoninë e Veriut. Mirëpo ajo nuk mund ta pranojë, në asnjë mënyrë, baltosjen e Republikës së Kosovës. Kjo situatë është lehtë e tejkalueshme nëse ekziston vullnet politik nga Shkupi zyrtar.

Presidentja: Faleminderit Presidentit Zoran Milanović për ftesën për t’iu bashkuar miqve tanë kroatë në Sinjska Alka këtë vit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e shoqëruar nga Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, me ftesë të Presidentit Zoran Milanović, i janë bashkuar mijëra qytetarëve kroatë dhe liderëve shtetëror të Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës në Sinjska Alka këtë vit. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Faleminderit Presidentit Zoran Milanović për ftesën për t’iu bashkuar miqve tanë kroatë në Sinjska Alka këtë vit! Në prani të mijëra qytetarëve kroatë dhe bashkë me liderë shtetëror të Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës, shënuam Sinjska Alka, një nga ngjarjet më të rëndësishme për popullin kroat, që nderon rezistencën heroike të ushtarëve kroatë, nëpërmjet një sërë aktivitetesh kulturore.

Presidentja Osmani në Kroaci, me ftesë të Presidentit kroat, Zoran Milanović

Me ftesë të Presidentit të Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović dhe Zonjës së Parë Sanja Musić Milanović, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu po qëndrojnë në një vizitë pune në Kroaci, me ç’rast do të marrin pjesë në manifestimin tradicional Sinjska Alka, i cili organizohet nën patronatin e Presidentit kroat. Në prani të mijëra qytetarëve kroatë, Sinjska Alka organizohet në nderim të sakrificës dhe trimërisë së ushtarëve kroatë në mbrojtje të atdheut. Këto manifestime përfshijnë një sërë ngjarjesh kulturore dhe artistike, në të cilat Presidentja Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, do t’i bashkohen Presidentit Milanović dhe Zonjës së Parë Musić Milanović. Presidentja i ka falënderuar për ftesën, duke potencuar mbështetjen e madhe që Kroacia i jep Kosovës ndër vite.

This site is registered on wpml.org as a development site.