...

Parakalimi i njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës

 

Shumë të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, urime Dita e Çlirimit, urime 25 vite liri!

I nderuar President Begaj,

I nderuar Kryetar Konjufca, 

I nderuar Kryeministër Kurti,

I nderuar komandant i FSK-së, Bashkim Jashari,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,

Mysafirë nga mbarë bota,

Të nderuar pjesëtarë të FSK-së dhe të Policisë së Kosovës,

Familje të dëshmorëve,

Veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Veteranë të forcave aleate që keni shërbyer për 25 vite në misionin e KFOR-it në Kosovë,

                                                                                                                                      Edhe një herë të dashur qytetarë që jeni sot këtu prezentë apo që po na përcillni nëpërmjet ekraneve, përfshirë mërgata jonë e jashtëzakonshme

 

Sot jemi bashkë sikurse në çdo përvjetor  për ta përkujtuar, por edhe për të festuar një nga ditët më domethënëse në historinë e shtetit tonë – 12 qershorin, Ditën e Çlirimit.

Në këtë ditë nderojmë trimërinë, sakrificën dhe shpirtin e palëkundur të popullit të Kosovës, popull i cili luftoi trimërisht për lirinë që e gëzojmë sot.

Kjo është një ditë për ta kujtuar të kaluarën tonë të dhimbshme, por po ashtu për të festuar të tashmen tonë dhe për të synuar një të ardhme të mbushur me shpresë e prosperitet.

 

Lufta jonë nuk ishte vetëm e jona. Në Kosovë më 1999 u mbrojt e drejta e popujve për të qenë i lirë.

 

Në këtë luftë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte shtylla jonë më e fuqishme e rezistencës dhe e shpresës.

Gratë  dhe burrat trima, morën armët për ta mbrojtur të drejtën tonë për të ekzistuar. Lufta e tyre nuk ishte vetëm për tokën, por për vetë shpirtin e Kosovës. Çdo betejë që ata bënë, çdo jetë që ata rrezikuan, na solli një hap më afër lirisë.

Guximi i Ushtrisë Çlirimtare është një histori heroizmi që do të tregohet brez pas brezi. Ata ishin mbrojtësit e ëndrrave tona për liri, rojet e së ardhmes sonë të përbashkët.

Sakrifica e tyre ishte e pafundme, shpirti i tyre ishte i pathyeshëm.

Ne u detyrohemi atyre me mirënjohje që nuk mund të shlyhet kurrë, por duhet të kujtohet dhe nderohet përgjithmonë.

 

Ata vazhduan rrugën e nisur më herët nga rezistenca paqësore, e prirë nga Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova dhe e pasuar pastaj nga lufta e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe gjithë familjen Jashari.

 

Nderim i përjetshëm për familjen Jashari dhe gjithë trimat që luftuan për liri!

 

Siç dihet, udhëtimi ynë drejt lirisë nuk ishte i vetëm. Ne u mbështetëm nga aleatë të palëkundur që e kuptuan rëndësinë e kauzës sonë dhe na qëndruan pranë në orët më të errëta të historisë sonë.

Prandaj, faleminderit të gjitha shteteve aleate, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Faleminderit që na dolën në ndihmë më 1999 për të na mbrojtur nga shfarosja prej regjimit gjenocidal të Serbisë!

Faleminderit Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë dhe shteteve të tjera që i hapën dyert dhe zemrat për mijëra të larguar me dhunë nga Kosova.

 

Më 12 qershor 1999,  luftëtarët e UÇK-së dhe ushtarët e NATO-s, frikën, tmerrin, dhimbjet dhe lotët na i kthyen në shpresë, duke e bërë lirinë realitet. Sot, ne festojmë jo vetëm çlirimin tonë, por edhe lidhjet e miqësisë dhe solidaritetin që u krijua përgjatë luftës sonë.

 

25 vite më pas, ne po ndërtojmë arkitekturën tonë të Sigurisë Kombëtare në partneritet me aleatët strategjikë – dhe po e bëjmë këtë në mënyrë që të zëmë vendin tonë të merituar si partner i besueshëm në aleancën e NATO-s dhe të gjitha strukturat euroatlantike.

Kosova është atdheu ynë i përhershëm, ndaj asaj i detyrohemi gjithnjë, ashtu siç bënë heronjtë tanë dhe siç na la amanet kryetrimi ynë, Adem Jashari.

Kosova është e pavarur, është trashëgimi e heronjve e martirëve tanë, e mishëruar më së miri në trimat dhe trimëreshat që sot do të parakalojnë në këtë paradë të FSK-së dhe të Policisë dhe që janë betuar se do ta mbrojnë atdheun me çdo çmim.

 

Të nderuar aleatë,

 

Këto forca që do të parakalojnë sot janë forca të paqes, janë në mbrojtje të paqes, por do të jenë sot e përjetë në mbrojtje të lirisë së larë me gjak, do të jenë sot e përjetë dhe me çdo kusht e çdo çmim në mbrojtje të Kosovës në çdo cep të saj

 

Zoti e bekoftë Kosovën dhe gjithë popullin e saj,


Zoti i bekoftë të gjithë aleatët tanë!


Zoti e bekoftë ushtrinë dhe Policinë e Kosovës!


Lavdi e përjetshme për të gjithë të rënët për lirinë e Atdheut tonë!


Urime qytetarë të dashur 12 Qershori, festofshim së bashku brez pas brezi!


Urime!

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.