
ALBULENA HAXHIU
U.D. E PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Albulena Haxhiu është Ushtruese e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në këto përgjegjësi, ajo përfaqëson dy nga institucionet më të larta të vendit dhe ushtron detyrat e saj në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Puna e saj fokusohet në funksionimin demokratik të institucioneve, sundimin e ligjit dhe përfaqësimin publik të qytetarëve.
Ajo ka përfunduar studimet themelore në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe ka vazhduar studimet pasuniversitare në Universitetin e Evropës Juglindore, duke ndërtuar një profil profesional të orientuar drejt çështjeve kushtetuese, legjislative dhe të sundimit të ligjit.
Angazhimin politik e ka nisur herët, duke u zgjedhur deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për herë të parë në vitin 2010, në moshën 23-vjeçare. Ajo është zgjedhur shtatë herë deputete, ndërsa mandatin parlamentar e ka ushtruar në katër legjislatura, pasi në tri raste ka marrë përgjegjësi të tjera institucionale. Në disa procese zgjedhore ka qenë ndër gratë më të votuara në vend, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit 2025 u rendit si gruaja më e votuar në Republikën e Kosovës.
Gjatë veprimtarisë së saj parlamentare ka udhëhequr Komisionin për Legjislacion dhe Nënkomisionin për Mandate, Imunitete dhe Rregullore, duke kontribuar në hartimin dhe mbikëqyrjen e legjislacionit, forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e llogaridhënies institucionale dhe avancimin e barazisë gjinore.
Në vitin 2020 u emërua Ministre e Drejtësisë në Qeverinë Kurti I dhe e ushtroi këtë detyrë edhe në Qeverinë Kurti II deri më 25 gusht 2025. Gjatë mandatit të saj në ekzekutiv, ajo udhëhoqi reforma të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, përfshirë paketën ligjore kundër korrupsionit, avancimin e mekanizmave për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, forcimin e mbrojtjes së vajzave dhe grave, si dhe finalizimin e amendamenteve kushtetuese për procesin e vetingut në nivelet e larta të sistemit të drejtësisë.
Më 26 gusht 2025 u zgjodh Nënkryetare e Parë e Kuvendit, ndërsa më 11 shkurt 2026 mori detyrën e Kryetares së Kuvendit për mandatin katërvjeçar të legjislaturës së dhjetë.
Nga 4 prilli 2026, në përputhje me Kushtetutën, ajo ushtron edhe detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Albulena Haxhiu ka lindur më 11 maj 1987 në Prishtinë. Është e martuar dhe nënë e tre fëmijëve Malit, Tomorrit dhe Andrrës. Ajo, bashkë me familjen e saj, jeton në Prishtinë.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR FR