DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Seanca solemne për nder të 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës

Faleminderit shumë!

Shumë i nderuar President i Republikës së Shqipërisë z. Bajram Begaj,

Kryetar i Kuvendit, z. Konjufca

Kryeministër i Republikës, z. Kurti

E nderuar zonja kryetare e Kuvendit, zonja Nikolla,

E nderuar ish-Presidente e Zvicrës, zonja Micheline Calmy-Rey

Ish-president i Kroacisë, zoti Stipe Mesiq,

Shumë i nderuar baca Rifat Jashari, familje Jashari, emblemë e lirisë sonë

I nderuar Lord Robertson,

I nderuar ambasador Walker,

I nderuar ish-ministër kroat,

Deputetë e ministra të Republikës së Kosovës,

Familje të dëshmorëve, veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Të nderuar familje të dëshmorëve dhe të atyre që dhanë shumë për lirinë tonë

Ambasadorë të shteteve mike,

Mysafirë të nderuar,

 

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, urime, gëzuar të gjithëve 25 vite liri!

 

Më 12 qershor 1999, kur forcat e NATO-s shkelën në tokën tonë, ata nuk ishin vetëm ushtarë, ata ishin shpëtimtarë. Ata sollën me vete premtimin e lirisë, sigurinë se bota nuk kishte harruar për popullin e Kosovës dhe vendosmërinë për t’i dhënë fund mizorive të kryera kundër popullit tonë.

Hyrja e NATO-s në Kosovë në qershor të ‘99-s ishte një dëshmi e fuqisë së solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit të palëkundur në të drejtën universale të një populli për të qenë i lirë.

Liria është më shumë sesa fjalë, liria është vetë thelbi i qenies sonë. Është ajri që e thithim, është ëndrra që guxuam ta ëndërrojmë, është e ardhmja që aspiruam dhe për të cilën luftuan, e dhanë jetë çlirimtarët tanë.

Çlirimi i Kosovës në vitin ‘99 nuk ishte thjesht një fitore ushtarake dhe një kapitullim i Serbisë millosheviqiane, ishte mbi të gjitha triumf i shpirtit njerëzor mbi tiraninë, ishte triumf i të mirës ndaj të keqes dhe triumf i drejtësisë mbi shtypjen.

Kur paqeruajtësit e KFOR-it shkelën në tokën e Kosovës së përgjakur, të dërmuar, të shkatërruar, atëherë lotët, britmat dhe lulet u shndërruan në  përqafime që i pritën ushtarët e NATO-s. Ato krijuan simfoninë e emocioneve të lirisë.

Kolonat e makinerisë ushtarake, zhurma e helikopterëve të NATO-s, uniformat me  flamuj të shumtë, flamuj që simbolizonin lirinë e jo urrejtjen e dhunën. Të gjitha këto u shndërruan në simbol të shpëtimit të popullit të Kosovës nga shfarosja që synonte regjimi gjenocidal i Serbisë, duke e larguar njëherë e përgjithmonë makinerinë gjenocidale të Millosheviqit, të turpëruar e të kapitulluar. E tillë ajo mbetet edhe sot.

NATO-ja në Kosovë ishte një dritë shprese – ishte një shans për drejtësi, një shans për liri!

Thirrjet e popullit tonë, persekutimi i pamëshirshëm dhe jetët e panumërta të humbura nga masakrat e tmerrshme, dëbimi me dhunë dhe spastrimi etnik ishin thirrje për drejtësi që nuk mund të shpërfilleshin më nga ndërgjegjja ndërkombëtare. Prandaj, në qershor ’99 muret e tiranisë u shembën, duke hapur rrugën jo vetëm për një Kosovë të lirë, por edhe të pavarur e demokratike.

Atë ditë afër 38 mijë ushtarë nga 36 vende, komunikuan me gjuhën universale të lirisë.

Atë ditë, siç thoshte filozofi dhe shkrimtari francez, Glucksman “Evropa lindi në një Prishtinë të lirë”.  E sot mund të themi,  Evropa lindi në një Kosovë të lirë.

Ndaj në këtë ditë, do ta kujtojmë përherë rezistencën këmbëngulëse të  presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova për liri, pavarësi dhe demokraci si dhe aleancat e fuqishme që ai ndërtoi së bashku me shumë e shumë veprimtarë të tjerë e të cilat i gëzojmë dhe sot.

Do ta kujtojmë çdo ditë të jetës sonë, por edhe për brezat që vijnë pas nesh heroizmin e papërsëritshëm të komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë familjes Jashari, të cilët u shndërruan në gurthemelin e lirisë që e gëzojmë sot.

Do të jetojmë përherë me kujtimin e të gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  dhe mbi 13 mijë të vrarë gjatë luftës, në mesin e të cilëve 1133 fëmijë të vrarë vetëm në luftën e fundit në Kosovë.

Nuk do të harrojmë kurrë dhimbjen e shkaktuar nëpërmjet një prej krimeve më të llahtarshme që njeh cilado luftë, krimit të dhunimit si dhe dhimbjen që ende vazhdon për mijëra familje në Kosovë që akoma nuk kanë ku të vendosin lule, sepse varret janë të zbrazëta, në kërkim të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.

 

Të nderuar të pranishëm,

Sot qëndrojmë së bashku në tokën tonë,  në tokën tonë të lirë, duke jetuar me historinë tonë të lavdishme, teksa kujtimet e dhimbshme të luftës, por edhe ndjenja e triumfit të lirisë janë në zemrën e secilit qytetar të Kosovës.

Prania e aleatëve dhe e paqeruajtësve ishte një dëshmi e përkushtimit të botës ndaj drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Secili nga ta rrezikoi jetën, duke lënë pas familjen dhe shtëpinë, për të qëndruar me ne dhe me çlirimtarët tanë e  me çdo qytetar të Kosovës në luftën tonë kundër shfarosjes.

Në Kosovë, kërkimi për liri ka qenë një rrugëtim i gjatë dhe i mundimshëm, në fakt ishte shekullor. Jemi përballur me shumë vështirësi e vuajtje, por gjatë gjithë kësaj kohe, ne kemi qëndruar të palëkundur në besimin se liria ia vlen me çdo sakrificë. Mbështetja e aleatëve ishte një pohim i fuqishëm i këtij besimi. Ajo na kujtoi neve dhe botës se liria është e drejtë që edhe pasi të jetë arritur, duhet mbrojtur dhe ruajtur me çdo kusht e me çdo çmim.

Kjo na kujton se aleancat dhe partneriteti me shtetet janë po aq determinuese për ta garantuar e mirëmbajtur lirinë e fituar, duke mos e marrë asnjëherë si të mirëqenë.

Prandaj sot, teksa nderojmë ushtarët e NATO-s që kontribuuan për lirinë tonë në këto 25 vite, nderojmë mbi të gjitha, mbi të gjitha stoicizmin e popullit tonë dhe Ushtrinë tonë Çlirimtare, me bindjen e plotë  se liria nuk është dhuratë, por për të u pagua çmimi më i lartë që mund ta paguajë një popull. E liria edhe sot është një përgjegjësi, është një trashëgimi që duhet ta mbrojmë dhe një premtim që duhet ta përmbushim për këtë gjeneratë dhe çdo gjeneratë që do të vijë pas nesh.

NATO në vitin ‘99 na dha mbështetjen përfundimtare për lirinë tonë, ndaj sot ne synojmë dhe e meritojmë anëtarësimin në këtë organizatë ushtarake me ushtrinë tonë e cila me profesionalizimin e saj është e gatshme që të bëhet kontribuuese për paqe kudo në glob.

I nderuar President Begaj, e dashur Lindita, shumë të nderuar miq, dashamirë, përkrahës nga e gjithë bota, e mbi të gjitha nga të gjitha trojet shqiptare.

Në këtë përvjetor të 25-të të çlirimit të Kosovës, ditë që e ëndërruan shqiptarët kudo që jetojnë dhe jo vetëm që e ëndërruan, por për të cilën kontribuuan e luftuan shqiptarë nga Kosova, por edhe nga vise të tjera përreth Kosovës.

Dua ta përfundoj me një citat të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, me fjalët që ai i tha para pak muajsh kur i ndava medaljen presidenciale. Citoj: “Vetë mbledhja jonë në këtë sallë nga shqiptarë e miq të të gjitha zonave e tregon këtë triumf të kombit shqiptar. Nga ky triumf, asnjë popull nuk heq dorë. Ky është një triumf për gëzimin dhe për të ardhmen e një populli’’.

Prandaj, Zonja e zotërinj: Populli i Kosovës asnjëherë, asnjëherë dhe me asnjë çmim nuk do të heqë dorë nga triumfi i lirisë.

 

 Zoti i bekoftë heronjtë e martirët tanë!

Zoti i bekoftë miqtë e aleatët Kosovës!

Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj!

Ju faleminderit shumë!

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.