Presidentja Osmani takoi strukturat drejtuese të Odës Ekonomike Amerikane

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar këtë javë një takim me drejtues të Odës Ekonomike Amerikane, në të cilin kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe USAID-it. Në takim është diskutuar për koordinim në promovimin e potencialeve ekonomike të Kosovës dhe fuqizimin e dialogut publiko-privat. Para anëtarëve të Bordit të Guvernatorëve dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues të Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e dialogut publiko-privat si proces në të mirë të Kosovës e në shërbim të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se Zyra e Presidentes është vazhdimisht e hapur për koordinim të veprimeve për promovim të potencialit ekonomik të Kosovës dhe shprehu mirënjohje për bashkëpunimin me Odën Ekonomike Amerikane. Në këtë takim, Presidentja Osmani, foli edhe për kontributin e SHBA-së në fuqizimin ekonomik dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përfshirë edhe anëtarësimin në organizata të rëndësishme e konventa ndërkombëtare.
Presidentja: Të gjithë duhet të jemi një, derisa asnjë grua të mos ketë frikë për jetën e saj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me vrasjen brutale të gruas M.Zh. nga duart e bashkëshortit të saj në Gushtericë të Poshtme në komunën e Graçanicës. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Një grua më pak, një vrasës më shumë! E tmerruar dhe e indinjuar nga vrasja brutale e gruas M.Zh. nga duart e bashkëshortit të saj në Gushtericë të Poshtme në komunën e Graçanicës. Mizori të tilla që po vazhdojnë të atakojnë shoqërinë tonë nuk duhet të tolerohen. Ky akt mizor nuk është një incident i izoluar, por një veprim shqetësues i dhunës ndaj grave që kërkon veprim të menjëhershëm dhe vendimtar. Institucionet e drejtësisë duhet të sigurohen që nëpërmjet zbatimit të saktë të ligjeve dhe udhëzuesve të denimeve t`i japin fund femicidit. Fatkeqësisht, shohim tepër shpesh raste kur dhunuesit lirohen me denime shumë më të ulëta sesa ato që parashihen me ligj. I shpreh ngushëllime të thella familjes së viktimës dhe jemi përkrah të gjithë atyre që kanë humbur familjaret e tyre për shkak të femicidit. Të gjithë duhet të jemi një, derisa asnjë grua të mos ketë frikë për jetën e saj!
Reagim i Presidencës së Republikës së Kosovës

Presidenca e Republikës së Kosovës shprehë indinjatën për deklarimet e papranueshme të MPB të Maqedonisë së Veriut si dhe për propagandën që po zhvillohet kundër Republikës së Kosovës në disa media të Maqedonisë së Veriut sa i përket incidentit të paprecedentë kundër Presidentes Osmani dje në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit. Në vend të kërkimfaljes, dje dhe sot MPB e Maqedonisë së Veriut ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të Presidentes së Republikës së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale. Presidentja me të drejtë ka refuzuar një gjë të tillë, bazuar edhe në këshillat që për vite me radhë i merr nga vet institucionet e sigurisë. Në fakt sot edhe Aeroporti i Shkupit, por edhe vet MPB e Maqedonisë pranuan se urdhëri ishte dhënë nga MPB e Maqedonisë së Veriut për një kontroll të tillë, i cili bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike. Po e sqarojmë edhe njëherë situatën në tërësi: 1. Sipas praktikës ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje dhe imunitete diplomatike. Kjo është e ditur botërisht dhe deri më tani është respektuar nga çdo shtet ku ka udhëtuar Presidentja, përfshirë edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Pala maqedonase ka qenë paraprakisht e njoftuar zyrtarisht për udhëtimin e Presidentes në përputhje me praktikat diplomatike. 2. Nuk është e vërtetë se Presidentja nuk ka pranuar ta skanojë çantën e saj të dorës. E para, Presidentja nuk ka pasur bagazh siç propagandohet në reagime të shumta në media, në Maqedoninë e Veriut. Pra, është gënjeshtër se ajo ka refuzuar t’i kontrollohet bagazhi. Ajo ka pasur një çantë të dorës personale të cilën menjëherë e ka vendosur në skaner, edhe pse sigurimi, sipas praktikave e konventave ndërkombëtare, nuk kishte të drejtë të kërkonte një gjë të tillë. E vetmja gjë që Presidentja nuk ka pranuar ta dorëzojë ka qenë telefoni i saj. 3. Është skandaloze të pretendohet nga kushdoqoftë se gjoja Presidentja kishte diçka të dyshimtë në çantën e saj. Jo vetëm se është një e pavërtëtë e madhe, por kjo njëkohësisht është akuza më e rëndë dhe propaganda më e rëndë e bërë ndonjëherë nga media në Maqedoni të Veriut në drejtim të Republikës së Kosovës. Edhe më skandaloze është deklarata e sotme e MPB-së, se kinse ministri i brendshëm i Maqedonisë së Veriut paska pasur disa informata, të cilat kanë shpier tek kërkesa për kontroll të çantës personale dhe telefonit të Presidentes. Kjo është tendencë e paprecedentë për denigrim jo vetëm të Presidentes, por edhe të shtetit të Kosovës. Maqedonia e Veriut duhet ta ketë parasysh që një propagandë të tillë është duke e bërë kundër një Presidenteje, e cila gjatë gjithë mandatit të saj ka kontribuar vetëm e vetëm në thellimin e raporteve pozitive ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. 4. Nuk është e vërtetë se kompania private apo koncesionarët e aeroportit janë mbi shtetin dhe mbi konventat ndërkombëtare të cilat përcaktojnë rregulla të qarta për trajtimin e kreut të shtetit. Edhe Aeroporti i Prishtinës është i koncesionuar dhe menaxhohet nga kompani private, por ne nuk lejojmë asnjëherë që një president i një shteti tjetër të trajtohet në mënyrë të tillë jodinjitoze e arrogante dhe të kërkohet t’i merret telefoni personal për vendosje në skanerë. 5. Një gjë e tillë është jashtë çdo praktike dhe bie ndesh me protokollet e sigurisë dhe praktikat ndërkombëtare, duke qenë se telefoni i Kreut të Shtetit dihet qartë se përdoret për komunikim zyrtar, përfshirë edhe për çështje të sigurisë. Në kundërshtim me këto standarde ishte edhe kontrolli i çantës së dorës së Presidentes, por ajo përkundër kësaj menjeherë e ka vendosur çantën në skaner. 6. Edhe pse Policia e Kosovës ia ka komunikuar paraprakisht zyrtarëve të aeroportit të Shkupit rregullat e aplikueshme në situata të tilla, ata kanë tentuar ta pengojnë fizikisht Presidenten, me ç’rast në përputhje të plotë me protokollet e sigurisë, ka reaguar profesionalisht Policia e Kosovës. 7. Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident. 8. Në vend të arsyetimeve dhe lejimit të propagandës kundër Republikës së Kosovës, kërkojmë nga autoritetet zyrtare në Shkup që me urgjencë ta trajtojnë rastin me seriozitet të lartë dhe të merren masat përkatëse ndaj zyrtarëve që kanë bërë këtë sulm ndaj Republikës së Kosovës. 9. Nga SHBA-të e deri te shtetet e tjera të rajonit, në çdo udhëtim të Presidentes respektohen në plotëni rregullat e trajtimit të kreut të shtetit dhe ASNJËHERË nuk kërkohet të preket, e lëre më të dorëzohet në skaner as telefoni i Presidentes, as çanta e dorës e as valixhja e saj (carry on). 10. Këto janë rregulla që i respekton çdo shtet e i kanë respektuar edhe shtetet jonjohese, sepse kreu i shtetit përfaqëson vet shtetin. Pra Kosova në këtë rast nuk po kërkon asgjë tjetër pos normave që respektohen çdokund në botë. Çdo shkelje e këtyre normave konsiderohet shkelje e mosrespekt ndaj vet shtetit.
Presidentja: Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj deklaratës së sotme të BE-së se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë. Reagimi i plotë i Presidentes Osmani: Reagim ndaj deklaratës së sotme të BE-së se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë.
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin italian, Antonello De Riu

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadorin italian në Kosovë, Antonello De Riu. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në çështjet e sigurisë dhe rëndësinë e koordinimit të rregullt me partnerët ndërkombëtarë me qëllim të adresimit sa më të suksesshëm të zhvillimeve në këtë fushë, gjithnje duke pasur parasysh interesin e vendit. Ndërlidhur me zhvillimet në Dialog, Presidentja Osmani ritheksoi se mbajtja në fuqi e masave të BE-së është një prej padrejtësive të mëdha e cila mbi të gjitha dëmton drejtpërdrejt mirëqenien e të gjithë qytetarëve në vend. Presidentja Osmani dhe Ambasadori De Riu diskutuan edhe për raportet e mira bilaterale ne mes të dy vendeve dhe rikonfirmuan përkushtimin për avancim të mëtutjeshëm të tyre në vazhidmësi. Në këtë drejtim, u potencua edhe rëndësia e vizitave bilaterale, si dhe shkëmbimeve të rregullta në mes të institucioneve të të dy vendeve në fusha të interesit të përbashkët.
Konferenca për media e Presidentes Vjosa Osmani pas takimit konsultativ me kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta në Republikën e Kosovës

Gjatë qëndrimit në Paris, Presidentja Osmani u prit në takim nga presidenti i FIFA-a, Gianni Infantino

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Paris, është pritur në takim nga presidenti i FIFA-a, Gianni Infantino, me të cilin diskutoi për prezantimin e deritashëm të garuesve të Kosovës në Lojërat Olimpike, por edhe për mundësitë për mbështetjen nga kjo organizatë për zhvillimin e infrastrukturës sportive të shtetit tonë. Theks i veçantë në takim iu kushtua mbështetjes së futbollit të vajzave si dhe bashkëpunimit në projekte konkrete. Në këtë kontekst Presidentja shtroi nevojën për ndërtimin e fushave të reja sportive në funksion të zhvillimit të sportit dhe zhvillimit të talentëve të rinj. Presidenti i FIFA-s, Infantino, ndërkaq tha se kjo organizatë sportive është e gatshme që për çdo fushë sportive që ndërtohet në Kosovë, FIFA ta ofrojë ndërtimin e një fushe të re. Poashtu u diskutua për bashkëpunim në programe të sportit në shkolla si dhe fusha të tjera.
Presidentja: Medalja e dytë olimpike për Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur krenari të jashtëzakonshme fitoren e xhudistes Laura Fazliu. “Medalja e dytë olimpike për Kosovën. Krenari e jashtëzakonshme që na sollën xhudistja Laura Fazliu, trajnerja e saj Majlinda Kelmendi dhe maestro Toni Kuka. Faleminderit pafundësisht!”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier. Në takim, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier kanë diskutuar për koordinim për takimet dhe aktivitetet gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (UNGA), ku Presidentja Osmani do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në cilësinë e saj si kreu i shtetit. Tutje, në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend me fokus të veçantë në çështjet e sigurisë, si dhe tema të tjera të interesit nacional. Presidentja e ka njoftuar ambasadorin amerikan lidhur me nisjen e fazës së konsultimeve me krerët e partive politike sa i përket zgjedhjeve të rregullta, ndërkaq në këtë takim, Presidentja Osmani u njoftua edhe me Zv. Ambasadoren e re të SHBA-së, znj. Anu Prattipati.
Presidentja: Një e argjendtë dhe duele të tjera jashtëzakonisht sfiduese janë dëshmi e vendosjes së shtetit tonë në majat e sportit botëror

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në paraqitjet e deritashme në Lojërat Olimpike në Paris, Kosova demonstroi shpirt luftarak, profesionalizëm dhe këmbëngulje. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në paraqitjet e deritashme në Lojërat Olimpike në Paris, Kosova demonstroi shpirt luftarak, profesionalizëm dhe këmbëngulje. Një e argjendtë dhe duele të tjera jashtëzakonisht sfiduese janë dëshmi e vendosjes së shtetit tonë në majat e sportit botëror. Dje, fati nuk ishte në anën tonë as në garat e xhudos e as në ato të boksit, pavarësisht punës së pareshtur e paraqitjes së jashtëzakonshme të sportistëve tanë. Teksa paraqitjet e tjera po i përcjellim nga Kosova, shpresoj që të gjithë garuesit tanë ta dijnë se pavarësisht se a fitojnë medalje apo jo, Kosova është me ta në çdo hap e në çdo sfidë. #TeamKosova #Paris2024 #KosovaKrenare