Presidentja Osmani vizitoi mbrëmë garuesit tanë në fshatin olimpik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar mbrëmë garuesit tanë në fshatin olimpik për t’i uruar suksese të mëtejme. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Para kthimit në Kosovë, vizitova mbrëmë garuesit tanë në fshatin olimpik për t’i uruar suksese të mëtejme ekipit të jashtëzakonshëm të sportistëve dhe trajnerëve tanë. Medalja olimpike e Distrias është prijetare për garuesit tanë të tjerë dhe ogur i mirë për garat në vazhdim. Kosova është krenare!

Presidentja: Shkëlqimi i Distria Krasniqit lartësoi flamurin e shtetit tonë në majat më të larta

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se shkëlqimi i Distria Krasniqit lartësoi flamurin e shtetit tonë në majat më të larta. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Stoike e luftarake! Shkëlqimi i Distria Krasniqit lartësoi flamurin e shtetit tonë në majat më të larta. Kosova është pafundësisht krenare. E argjendta e saj, vërtetë, është me shije ari, sepse Distria do të mbetet përherë kampione që frymëzon një shtet të tërë. Faleminderit Distria, faleminderit Toni!

Presidentja Osmani në pritjen nga Presidenti Macron në Pallatin Élysée, takoi liderë dhe delegacione nga mbarë bota

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Zotërinë e parë, Prindon Sadriu janë mirëpritur nga Presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë, Brigitte Macron, në Pallatin Élysée, në nder të hapjes zyrtare të Lojërave Olimpike Paris 2024. Me këtë rast, Presidentja Osmani ka takuar liderë dhe delegacione nga mbarë bota. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në pritjen nga Presidenti Macron në Pallatin Élysée, takuam liderë dhe delegacione nga mbarë bota dhe diskutuam për raportet ndërmjet shteteve tona. Fuqizimi i miqësive dhe partneriteteve me shtetet anekënd botës është në interes të vendit dhe qytetarëve tanë. Përveç Presidentit francez dhe Zonjës së Parë franceze, gjatë ngjarjeve zyrtare takuam gjithashtu Zonjën e Parë të SHBA-ve, Dr. Jill Biden; Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar; Mbretin e Holandës; Mbretin dhe Mbretëreshën e Danimarkës; Mbretin dhe Mbretëreshën e Belgjikës; Emirin e Katarit; Mbretin e Butanit; Dukën dhe Dukeshën e Luksemburgut; Presidentin e Paraguajit; Kryeministrin e Holandës; Presidentin e Madagaskarit; Presidentin e Polonisë; Presidentin e Portugalisë; Kryeministrin e Belgjikës; Presidenten e Sllovenisë; Presidentin e Singaporit; Presidentin e Bullgarisë; Presidenten e Gjeorgjisë; Kryeministrin e Sao Tome dhe Principes; Presidentin e Xhibutit; Presidenten e Etiopisë; Presidentin e Guinea-Bissau; Presidentin e Letonisë; Presidentin e Sierra Leones; Zv.Presidentin e Zimbabvesë; Kryeministrin e Sllovenisë; Kryeministrin e Shqipërisë; Presidentin e Kirgizistanit; Presidentin e Bosnje dhe Hercegovinës; Presidentin e Malit të Zi; Kryeministrin e Irlandës; Kryeministrin e Libanit; Kryeministrin e Austrisë; Kryeministrin e Lihtenshtajnit; Kryeministrin e Malit të Zi; Zonjën e Parë të Brazilit, si dhe përfaqësues të tjerë shtetërorë të pranishëm në këto aktivitete.

Presidentja: Forca Donjetë, e gjithë Kosova është me ty

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka dhënë mbështetje Donjeta Sadikut, e cila fillon sonte garat në lojërat olimpike në Paris. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në çdo goditje ajo i tregoi botës fuqinë e qëndresës dhe guximit. Jam e bindur se kështu do të vazhdojë edhe sonte, teksa Donjeta Sadiku fillon garat në lojërat olimpike në Paris. Forca Donjetë! E gjithë Kosova është me ty!

Presidentja Osmani në takim me Dukën dhe Dukeshën e Luksemburgut: Bashkimi i forcave dhe zërave tanë për të fuqizuar zërin e të mbijetuarve, do të fuqizojë edhe kauzën tonë të përbashkët për drejtësi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Paris u takua me Dukën e Madh të Luksemburgut Henri dhe Dukeshën e Madhe Maria Teresa. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Fuqizimi dhe mbështetja e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës ishte në fokus të diskutimeve tona në një mëngjes të përzemërt sot në Paris me Dukën e Madh të Luksemburgut Henri dhe Dukeshën e Madhe Maria Teresa. Bashkimi i forcave dhe zërave tanë për të fuqizuar zërin e të mbijetuarve, do të fuqizojë edhe kauzën tonë të përbashkët për drejtësi.

This site is registered on wpml.org as a development site.