Presidentja Osmani dhe Zotëria i parë Prindon Sadriu mirëpriten nga Presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë, Brigitte Macron në Pallatin Élysée

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Zotërinë e parë, Prindon Sadriu janë mirëpritur nga Presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë, Brigitte Macron, në Pallatin Élysée, në nder të hapjes zyrtare të Lojërave Olimpike Paris 2024. “Në Pallatin Élysée, bashkë me Prindonin u mirëpritëm nga Presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë, Brigitte Macron, në nder të hapjes zyrtare të Lojërave Olimpike Paris 2024. Fryma olimpike i kapërcen kufijtë, përbashkon njerëzit dhe kombet dhe tregon fuqinë e sportit”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani kujtoi heroin Enver Zymeri dhe të gjithë policët e rënë në detyrë

Trembëdhjetë vjet më parë polici Enver Zymeri ra në krye të detyrës në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës, për të cilën gjë i përkulemi sot e përjetësisht. Guximi, përkushtimi dhe profesionalizmi i tij dhe kolegëve të rënë në detyrë janë shembulli i shërbimit dhe sakrificës për atdhe. Trashëgimia e tyre është testament i ndershmërisë, qëndrueshmërisë dhe patriotizmit. Në këtë ditë, i kujtojmë edhe të gjithë policët e rënë në krye të detyrës që nga themelimi i Policisë së Kosovës. Ata janë nderi, krenaria dhe përpjekja për ndërtimin e një Kosove të sigurt për të gjithë.

Presidentja Osmani mori pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e shoqëruar nga Zotëria i parë Prindon Sadriu, sonte kanë qenë të ftuar në darkën e shtruar nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar. “Sonte, në Louvre historik, së bashku me Prindonin ishim të ftuar në darkën e shtruar nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar. Miqësi, partneritet e diskutime për të ardhmen, siç është edhe fryma e Lojërave Olimpike”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani me ftesë të Presidentit Macron në Samitin e liderëve botërorë për sportin dhe zhvillimin e qëndrueshëm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e shoqëruar nga Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, me ftesë të Presidentit Macron ka marrë pjesë në Samitin e liderëve botërorë për sportin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Postimi i plotë i Presidentes: Në prag të hapjes së lojërave olimpike #Paris2024, u ftuam nga Presidenti Macron në Samitin e liderëve botërorë për sportin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Kosova beson në fuqinë transformuese të sportit dhe do të jetë përherë në mbështetje të atyre që promovojnë vlerat, të cilat i mishëron sporti. Prandaj jemi të gjithë bashkë në përkrahje të ekipit të artë të sportistëve tanë me besimin e plotë në përfaqësimin e dinjitetshëm të shtetit tonë. #GoldenEuropeans #Paris2024 #TeamKosova #s4sd

Presidentja Osmani krahas liderëve botërorë në Lojërat Olimpike Paris 2024

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Republikës Emmanuel Macron dhe të Presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, ka udhëtuar për në Paris për të marrë pjesë krahas liderëve të shumtë botërorë, në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Paris 2024, dhe për t’i mbështetur 9 sportistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në këto Lojëra. Me këtë rast, Presidentja Osmani ka potencuar se për Kosovën, pjesëmarrja në Lojëra Olimpike paraqet kulmin e punës së palodhur, përkushtimit dhe vendosmërisë së sportistëve tanë. “Është një dëshmi e qëndrueshmërisë së shtetit tonë dhe aftësisë për t’u ngritur mbi sfidat dhe për të shkëlqyer në skenën botërore”, ka theksuar Presidentja Osmani. Në kuadër të vizitës në Paris, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në Samitin “Sporti për zhvillim të qëndrueshëm”, i cili organizohet nga Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron. Gjatë qëndrimit në Paris, Presidentja Osmani e shoqëruar nga Zotëria i parë, Prindon Sadriu, janë  të ftuar në pritjen e organizuar nga Presidenti i Francës në Pallatin Elize dhe në të njëjtën kohë do ta ndjekin paraqitjen e sportistëve të Republikës së Kosovës në Trokadero. Ata gjithashtu janë të ftuar edhe në darkën e organizuar nga Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Kosova në Lojërat Olimpike Paris 2024, do të përfaqësohet me 9 sportistë në disa diciplina sportive. Presidentja Osmani ka uruar garuesit e Kosovës dhe ka shfaqur bindjen se ata do ta përfaqësojnë denjësisht Republikën e Kosovës si dhe do të kthehen faqebardhë nga Parisi.

Presidentja Osmani ia dorëzoi medaljen Presidenciale të Meritave rock grupit Oda

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një ceremoni të mbajtur në Presidencë ia ka dorëzuar Medaljen Presidenciale të Meritave Rock Grupit Oda për promovimin e vlerave muzikore si pjesë e gjeneratës së artë të rockut në Kosovë. Në emër të grupit, Medaljen e ka pranuar z. Dukagjin Lipa, i cili e ka falënderuar Presidenten Osmani për dekoratën. Presidentja Osmani ka theksuar se Oda, sikurse edhe grupe të tjera të viteve të 80-ta, ishin jo vetëm interpretues, por edhe katalizatorë të ndryshimeve shoqërore. “Muzika e Odës është emblemë e identitetit kulturor dhe krenarisë për Kosovën. Krijimtaria muzikore e tyre vazhdon të jetë dëshmi e fuqisë transformuese të artit në kohë dhe periudha të ndryshme duke u shndërruar po ashtu në një mjet rezistence”, ka theksuar Presidentja Osmani. Ndryshe, Medalja Presidenciale grupit Oda i është ndarë një vit më parë në një ceremoni në të cilën janë nderuar edhe rock grupe të tjera të asaj periudhe, sikurse edhe institucione e personalitete të tjera, të cilat kanë kontribuar ndër vite. Vlenë të theksohet se kjo ceremoni u mbajt në prag të fillimit të Sunny Hill Festival. Në pamundësi për të qenë prezente për shkak të agjendës ndërkombëtare, Presidentja Osmani e përgëzoi z. Lipa, Dua Lipën dhe Sunny Hill Foundation për punën e shkëlqyer duke i uruar që ky edicion të jetë një tjetër sukseses i jashtëzakonshëm.

Presidentja Osmani ka pritur dje në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur dje në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier. Në takim është diskutuar për pjesëmarrjen e Presidentes në aktivitetet në kuadër të Samitit të NATO-s, me ftesë të Presidentit Joe Biden dhe Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, respektivisht . Duke e vlerësuar ftesën e SHBA-ve dhe prezencën e Kosovës në këto aktivitete kyçe të Samitit si një zhvillim strategjik në dobi të avancimit dhe ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajon dhe përtej, Presidentja Osmani potencoi impaktin pozitiv që do të kishte anëtarësimi i Kosovës në NATO për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme dhe afatgjate. Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për takimet e fundit të Presidentes me zyrtarë të lartë amerikanë, si dhe hapat konkret që duhet të ndërmerren në vijim sa i përket koordinimit të veprimeve në dobi të interesave të Kosovës dhe të partneritetit me SHBA-të. Duke folur për zhvillimet e fundit në vend, Presidentja shprehu shqetësimin për vendimin e djeshëm të Këshillit të Bashkimit Evropian për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta ilegale serbe, duke theksuar se ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën si dhe atakon përpjekjet për integrimin e komunitetit serb në Kosovë. Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për një sërë nismash ligjore që po trajtohen nga institucionet kohëve të fundit, me ç’rast konfirmuan rëndësinë që të garantohet respektimi i parimeve demokratike dhe standardeve më të larta për të drejtat e njeriut.

Presidentja Osmani takoi ambasadorin francez Olivier Guérot

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës franceze, Olivier Guérot. Në takim është biseduar për rezultatet e samitit të katërt të liderëve të Komunitetit Politik Evropian, i mbajtur javën e kaluar në Mbretërinë e Bashkuar, në të cilin ndër takimet e shumta me liderë të tjerë evropianë, Presidentja ka takuar edhe Presidentin francez Emmanuel Macron. Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, zhvillimet në fushën e sigurisë, si dhe dialogun Kosovë-Serbi. Presidentja Osmani dhe ambasadori Guérot diskutuan edhe për samitin e Frankofonisë në tetor, ku Presidentja Osmani do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës.

Presidentja Osmani kujtoi veprimtarin Shaban Manaj, në 24-vjetorin e rrëmbimit dhe vrasjes

Në historinë e Kosovës, emri i  Shaban Manajt mbetet simbol i përkushtimit, qëndrueshmërisë dhe angazhimit të palëkundur. Një veprimtar politik, avokat dhe bashkëpunëtor i presidentit historik dr. Ibrahim Rugovës, i cili mishëroi qëndresën, shpresën, drejtësinë dhe barazinë u rrëmbye dhe u vra. Kontributi i Shaban Manajt për kauzën e lirisë dhe demokracisë do të kujtohet përgjithmonë dhe do të jetë frymëzim për brezat, ndërkaq vendosja e drejtësisë do të jetë angazhim i yni i vazhdueshëm!

This site is registered on wpml.org as a development site.