Presidentja Osmani priti në takim kryetarin e komunës arbëreshe të Strigarit Damiano Baffa

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim kryetarin e komunës arbëreshe të Strigarit Damiano Baffa. Sipas Presidentes Osmani, identiteti kulturor e gjuhësor arbëresh është pjesë e çmueshme e identitetit dhe e kulturës shqiptare. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar për ruajtjen e identitetit arbëresh si dhe përmirësimin e pozitës së tyre në shtetin italian. Me kryetarin Baffa u diskutua edhe mundësia e bashkëpunimit të Strigarit me komunat e Kosovës në funksion të promovimit të kulturës arbëreshe në Kosovë dhe i asaj të Kosovës në komunat arbëreshe, por edhe ruajtjes së trashëgimisë si dhe shkëmbimeve kulturore të dyanshme.
Presidentja Osmani takoi Kryeministrin e Lihtenshtajnit, Daniel Risch

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të samitit të katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ka takuar Kryeministrin e Lihtenshtajnit, Daniel Risch. Presidentja Osmani ka thënë se Kryeministri i Lihtenshtajnit, Daniel Risch, shfaq gjithmonë gatishmëri për të kuptuar më shumë për Kosovën dhe për të parë mundësitë për të bashkëpunuar më mirë. “Në takimin tonë të përbashkët në kuadër të Samitit të EPC-së, i shpreha mirënjohjen për partneritetin dhe mbështetjen, duke ritheksuar rëndësinë strategjike të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me ç’rast potencova në veçanti anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, ka thënë Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani takoi Kryeministrin e Islandës, Bjarni Benediktsson

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të samitit të katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ka takuar Kryeministrin e Islandës, Bjarni Benediktsson. Presidentja Osmani ka thënë se Islanda ishte vendi që i dha hov rrugëtimit dhe përpjekjeve tona për anëtarësimin në Këshillin e Evropës. “Në takimin me Kryeministrin e Islandës, Bjarni Benediktsson, diskutuam rëndësinë strategjike të finalizimit të suksesshëm të këtij rrugëtimi, duke theksuar se me anëtarësimin e Kosovës në KE, triumfon angazhimi ynë për avancim të vazhdueshëm të të drejtave të njeriut”, ka theksuar Presidentja. Presidentja Osmani ka thënë se ka falënderuar Kryeministrin Benediktsson për mbështetjen e vazhdueshme dhe se kanë konfirmuar gatishmërinë për intensifikim të bashkëpunimit në dobi të qytetarëve tanë.
Presidentja Osmani takoi Kryesuesin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Bećirović

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të samitit të katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ka takuar Kryesuesin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Bećirović. Presidentja Osmani ka thënë se Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, dy shtete të Ballkanit Perëndimor, të cilat ndajnë një të kaluar të dhimbshme, por një përkushtim të pashoq për të punuar bashkë për drejtësi për të kaluarën dhe një të ardhme të përbashkët në Bashkimin Evropian dhe në NATO. “Në takimin me Kryesuesin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Bećirović, potencuam se thellimi i bashkëpunimit midis vendeve tona i shërben paqes së qëndrueshme, stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit tonë në përgjithësi”, ka thënë Presidentja.
Presidentja Osmani takoi Kryeministrin e Irlandës, Simon Harris

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të samitit të katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ka takuar Kryeministrin e Irlandës, Simon Harris. Presidentja Osmani ka thënë se rritja e dukshme e takimeve, vizitave zyrtare dhe shkëmbimeve midis Kosovës dhe Irlandës është një shenjë e qartë e marrëdhënieve tona të ngushta dhe të mira. “Në Samitin e EPC-së, në takimin me Kryeministrin Simon Harris, i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të Irlandës për rrugëtimin tonë euroatlantik, ndërsa konfirmuam gatishmërinë për ta intensifikuar bashkëpunimin në një kohë të sfidave të shumta globale”, ka theksuar Presidentja.
Presidentja Osmani takoi Kryeministrin e Luksemburgut, Luc Frieden: Shtetet tona janë plotësisht të përkushtuara për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të samitit të katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ka takuar Kryeministrin e Luksemburgut, Luc Frieden. Presidentja Osmani ka thënë se si aleatë demokratik, shtetet tona janë plotësisht të përkushtuara për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit. “Në takim diskutuam edhe rrugën euroatlantike të Kosovës, me ç’rast i shpreha mirënjohjen e thellë Kryeministrit Frieden për mbështetjen e fortë të Luksemburgut”, ka theksuar Presidentja.
Presidentja Osmani takoi Presidentin e Bullgarisë Rumen Radev

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të samitit të katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ka takuar Presidentin e Bullgarisë Rumen Radev. Presidentja Osmani e ka falënderuar Presidentin Rumen Radev për mbështetjen e palëkundur të Bullgarisë për të ardhmen euroatlantike të Kosovës. “Diskutuam raportet tona të shkëlqyeshme bilaterale, si dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në KiE, BE, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani takoi Presidentin e Lituanisë, Gitanas Nausėda: Republika e Kosovës është thellësisht mirënjohëse për përkrahjen e Lituanisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të samitit të katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ka takuar dje Presidentin e Lituanisë, Gitanas Nausėda. “Si demokraci në vijën e parë, shtetet tona ndajnë përkushtim të thellë për të qëndruar të bashkuar kundër regjimeve autokratike. Republika e Kosovës është thellësisht mirënjohëse për përkrahjen e Lituanisë”, ka thënë Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani takoi Kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të samitit të katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ka takuar dje Kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas. “Paqja dhe siguria në Evropë kërkojnë lidership të fortë dhe të guximshëm, të cilin Kryeministrja Kallas e ka demonstruar në vazhdimësi”, ka theksuar Presidentja.
Presidentja Osmani takoi Kryeministrin e ri të Holandës, Dick Schoof

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të samitit të katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ka takuar dje Kryeministrin e ri të Holandës, Dick Schoof. “Diskutim përmbajtësor me Kryeministrin e ri të Holandës, Dick Schoof, për forcimin e partneritetit midis Kosovës dhe Holandës, si dhe për rëndësinë e avancimit të rrugës së Kosovës drejt institucioneve euroatlantike dhe anëtarësimit në organizata tjera ndërkombëtare”, ka thënë Presidentja Osmani.