Presidentja Osmani kujton 25-vjetorin e Masakrës në qytetin e Vushtrrisë

Më 22 maj 1999, regjimi gjenocidal i Serbisë tentoi t`i shfarosë banorët shqiptarë në rrugën “Abdullah Shabani”, në Vushtrri. Pasi që dëboi banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, 68 prej tyre, në mesin e të cilëve fëmijë e të moshuar, i mbajti peng në shtëpinë e Kahriman Pasomës dhe pas torturave mizore i vranë. Banorë të tjerë, regjimi kriminal serb i tuboi në sallën e sportit dhe në burgun e Smrekonicës, ku pas torturave dhe plaçkitjes i dëboi dhunshëm për në Shqipëri. Gjurmët e krimit u përpoqën t`i fshehin, teksa trupat e shumicës së të vrarëve u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë. Drejtësia për viktimat e masakrës së Vushtrrisë, sikurse edhe për të gjitha viktimat e masakrave të tjera në gjithë Kosovën, është e domosdoshme dhe përkushtim i vazhdueshëm. Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët e Vushtrrisë dhe të gjithë të rënët për liri!
Presidentja Osmani kujtoi Masakrën e burgut të Dubravës

25-vjet më parë, prej 19-24 maj 1999, pushteti gjenocidal i Serbisë i vrau brenda burgut të Dubravës 120 të burgosur shqiptarë të luftës dhe të burgosur politik dhe i plagosi 300 të tjerë. Kjo masakër shpërfaqi sikur edhe në shumë masakra të tjera gjithandej Kosovës, egërsinë e pushtetit kriminal kundrejt të burgosurve shqiptarë të luftës dhe të burgosurve politik, të cilët padrejtësisht mbaheshin në burg. Sot, bashkëndjejmë me të gjitha familjet që humbën anëtarët e tyre në këtë masakër, ndërkaq të mbijetuarit i inkurajojmë të vazhdojnë ta mbrojnë të vërtetën dhe të luftojnë për drejtësi. Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to!
Presidentja Osmani takoi ambasadorë të shteteve evropiane

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorë të disa shteteve evropiane si dhe atë të EULEX-it, në krye me Ambasadorin e BE-së Thomas Szunyog, për të diskutuar koordinimin e agjendës ndërkombëtare, si dhe bashkërendimin me politikat e BE-së dhe me shtetet e tjera aleate për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë. Presidentja Osmani theksoi se Kosova vazhdon të jetë plotësisht e linjëzuar me politikat e BE-së në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme, përfshirë miratimin e sanksioneve ndaj Rusisë si dhe shteteve apo grupeve të tjera të cilat rrezikojnë sigurine dhe paqen globale. Tutje, Presidentja Osmani diskutoi edhe për nevojën e heqjes së masave ndaj Kosovës, të cilat më së shumti po godasin mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, pa dallim, duke potencuar se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kushtet. Në takim Ambasadorët prezent e njoftuan Presidenten edhe për përgatitjet që po bëhen për Samitin e Paqes për Ukrainën që do të mbahet në Zvicër.
Presidentja Osmani kujton 25-vjetorin e Masakrës së Stagovës

25-vjet më parë forcat paramilitare të regjimit gjenocidal të Serbisë, në fshatin Stagovë të Kaçanikut vranë 13 banorë të fshatit. Në këtë ofensivë barbare, forcat kriminale shkatërruan 90 shtëpi nga 180 sa kishte fshati atëkohë. Ende askush nuk është dënuar për këtë krim makabër, ndaj nuk do të ndalemi në angazhimin për vendosjen e drejtësisë dhe për të pasur kuptim liria jonë. Qoftë i përhershëm kujtimi dhe nderimi për të gjithë të rënët për liri!
Presidentja Osmani priti në takim Nicole Chulick, Zëvendës Ndihmës Sekretare e Departamentit të Shtetit nga Byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Nicole Chulick, Zëvendës Ndihmës Sekretare e Departamentit të Shtetit nga Byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë. Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit, thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit Kosovë-SHBA, si dhe të arriturat e vazhdueshme të Kosovës në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut. Në temën e të drejtave të njeriut, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova ka kornizën ligjore më të avancuar në Evropë, e cila buron nga Kushtetuta e Republikës. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka theksuar përkushtimin e Kosovës për ruajtjen e multietnicitetit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim. Me këtë rast, ajo ka potencuar rëndësinë që të përfundohet suksesshëm anëtarësimi në Këshillin e Evropës, si garancë shtesë për ruajtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimin e ligjit në vend. Presidentja Osmani ka përsëritur se çdo sukses i Kosovës mban edhe vulën e SHBA-ve dhe ka konfirmuar përkushtimin për vazhdimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në këtë frymë.
Presidentja Osmani priti në takim ministren për Zhvillim Social dhe Familje të Katarit, Maryam bint Ali bin Nasser Al-Misnad

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministren për Zhvillim Social dhe Familje të Katarit, Maryam bint Ali bin Nasser Al-Misnad. Katari ka qenë një mbështetës i vazhdueshëm i Kosovës, ndaj Presidentja Osmani e ka falënderuar ministren Al- Misnad, si dhe lidershipin e Katarit në krye me Emirin Tamim bin Hamad bin Khalifa Al Thani. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vlerëson thellësisht mbështetjen e vazhdueshme të Katarit, veçanërisht në ndihmën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por edhe për ofrimin e ndihmave humanitare gjatë dhe pas luftës. Më tej, Presidentja Osmani ka nënvizuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të raporteve me Katarin dhe në këtë kontekst ka përmendur fushën e mirëqenies sociale, mbështetjen për invalidët e luftës, sektorin e shëndetësisë, turizmin si dhe projekte të tjera investuese. Në takim, ndër të tjera u diskutua edhe për zhvillimin dhe përmirësimin e shërbimeve mbështetëse të familjes, duke përfshirë programet e fokusuara në mirëqenien e fëmijëve dhe grave. Të dy bashkëbisedueset shtruan nevojën për thellimin e bashkëpunimit dhe eksplorimit të nismave të përbashkëta nga të cilat do të përfitojnë të dy shtetet.
Presidentja Osmani pas takimit me Nënsekretaren amerikane, Liz Allen: Partneriteti ynë me SHBA-të, është dhe do të mbetet ekzistencial për çdo sukses dhe çdo arritje të Republikës sonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Nënsekretaren amerikane të Shtetit për diplomaci dhe çështje publike, Liz Allen. Pas takimit, Presidentja Osmani dhe Nënsekretarja Allen kanë nënshkruar Marrëveshjen kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Partneriteti ynë me SHBA-të, është dhe do të mbetet ekzistencial për çdo sukses dhe çdo arritje të Republikës sonë. Bashkë me Nënsekretaren amerikane të Shtetit për diplomaci dhe çështje publike, Liz Allen, nënshkruam sot Marrëveshjen kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja – një dëshmi se jemi bashkë në luftimin e sfidave të reja globale.
Presidentja Osmani takoi Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot në Sofje, Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Falënderova Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, për mbështetjen e fortë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Në takimin e sotëm në Sofje, më shumë se 1 vit nga vizita ime zyrtare në Bullgari dhe disa muaj pas vizitës së tij zyrtare në Kosovë, diskutuam rezultatet e punës sonë të përbashkët, si dhe vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit Kosovë-Bullgari.
Diskutimi i plotë i Presidentes Osmani me ish-sekretaren e Shtetit të SHBA-ve, Hillary Clinton, mbi rëndësinë e fuqizimit të grave për shoqëri e ekonomi më të zhvilluara
Zotëria i parë i Kosovës krahas Presidentes Osmani merr pjesë në aktivitetin e Clinton Global Initiative në Sofje

Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, ka shoqëruar Shkëlqesinë e Saj, Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu në Clinton Global Initiative (CGI) në Sofje të Bullgarisë, ku mori pjesë si e ftuar speciale nga Sekretarja Hillary Clinton. Kjo ngjarje e rëndësishme ofroi një platformë për shkëmbime dhe diskutime të frytshme mbi çështjet kyçe globale, duke përfshirë përparimin e Kosovës dhe fuqizimin e grave. Gjatë pjesëmarrjes në disa aktivitete të CGI-së, Zotëria i Parë Sadriu pati nderin të takojë dhe bashkëbisedojë me zyrtarë të lartë pjesëmarrës në CGI, përfshi avokaten dhe publicisten e njohur Cherie Blair, njëherit bashkëshorte e ish-kryeministrit britanik Tony Blair, me homologen nga Islanda, Zonjën e Parë, znj. Eliza Jean Reid, me drejtues të CGI-së, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë. Diskutimet u fokusuan në disa tema, me theks të veçantë në zhvillimet e fundit në Kosovë dhe iniciativat që synojnë avancimin e fuqizimit të grave. Zotëria i Parë Sadriu theksoi hapat pozitiv të Kosovës në fusha të ndryshme dhe nënvizoi rëndësinë e nxitjes së një mjedisi të favorshëm për fuqizimin e grave, si në Kosovë ashtu edhe në nivel global. Pjesëmarrja e Zotërisë së Parë krahas Presidentes Osmani në Clinton Global Initiative ripohon përkushtimin e Kosovës për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në skenën ndërkombëtare dhe për të kontribuar në diskutime kuptimplote për çështjet urgjente globale. Prania e Presidentes Osmani dhe Zotërisë së Parë në CGI ilustron përkushtimin e Kosovës për zhvillim, përfshirje dhe bashkëpunim në adresimin e sfidave të kohës sonë.