Të nderuar të pranishëm,
I nderuar kryeministër,
I nderuar president i Komitetit Olimpik,
Ministër, zëvendësministre,
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar kampionë, trajnerë, sportistë dhe përfaqësues të Federatave,
Ndërsa jemi në prag të Lojërave Olimpike “Paris 2024”, jemi bërë të gjithë bashkë, ashtu siç është edhe sentimenti i popullit tonë në raport me kampionët tanë, për t`ia dorëzuar garuesve tanë flamurin e Republikës së Kosovës, si bekim për sukses në Paris.
Lojërat Olimpike i kapërcejnë kufijtë e sportit. Ato mishërojnë parimet e unitetit, të paqes dhe respektit të ndërsjellë. Në një botë sikur kjo e sotmja, e cila shpesh ndahet nga dallimet, Lojërat Olimpike nxjerrin në pah të përbashkëtat tona, respektivisht aftësinë tonë për t’u bashkuar nëpërmjet konkurrencës miqësore dhe respektit të ndërsjellë.
Për Kosovën, pjesëmarrja jonë në Lojëra Olimpike paraqet kulmin e një pune të palodhur shumëvjeçare, përkushtimin dhe vendosmërinë e pashoq, nganjëherë edhe në rrethana të jashtëzakonshme të sportistëve tanë dhe trajnerëve të tyre. Është një dëshmi e qëndrueshmërisë së popullit tonë dhe aftësisë për t’u ngritur mbi sfidat e për të shkëlqyer në skenën botërore.
Lojërat Olimpike gjithnjë kanë qenë festë për Kosovën, qëkur e arta jonë, Majlinda Kelmendi, na dha një ndjenjë krenarie që vështirë se mund të përshkruhet me fjalë, dhe jam e bindur që edhe Parisi do të jetë i tillë, ku do të përfaqësohemi nga Distria, Nora, Loriana, Laura, Akili, Donjeta, Gresa, Hana dhe Adelli.
Në zemër të Francës, pra në Paris, atletë nga e gjithë bota do të mblidhen për të garuar në një nivel të lartë, duke përfaqësuar vendet e tyre me krenari e duke shfaqur talentin e tyre para botës.
Natyrisht që garuesit tanë vazhdojnë të jenë mishërim i shpresave dhe i ëndrrave tona.
Përkushtimi, disiplina dhe pasioni juaj na frymëzojnë të gjithëve.
Prandaj, ju mbani me vete përderisa niseni për Paris në ditët që vijnë, mbështetjen dhe admirimin e secilit qytetar të Republikës së Kosovës.
E ndërsa dilni në skenën globale, mbani në mend se në asnjë moment nuk do të jeni vetëm. Siç e kam thënë edhe herën e kaluar, zemra e secilit qytetar do të rrahë bashkë me tuajën. Një shtet i tërë qëndron me ju, duke ju brohoritur me krenari dhe me besim të plotë në aftësinë dhe punët tuaja.
Ndërsa sot ndërsa ju dorëzoj flamurin e Republikës së Kosovës, jam e mbushur me krenari dhe shpresëplotë! Dhe, shumë e lumtur që këtë vit, po ashtu për herë të parë, Kosova do të përfaqësohet edhe në Lojërat Paraolimpike. Do të jemi dëshmitarë të një ngjarjeje që ndër të tjera nënvizon përparimin e jashtëzakonshëm që kemi bërë si shtet në promovimin e gjithëpërfshirjes së sportistëve tanë.
Garuesit të cilët na përfaqësojnë në Lojërat Olimpike 2024 e nderojnë shtetin e tyre.
Guximi, vendosmëria dhe pasioni i tyre na kujton potencialin e pakufishëm që ekziston brenda secilit.
Prandaj, ju uroj suksese në gara, duke e ditur tashmë se ju veçse keni lënë gjurmë të pashlyeshme për sportin, për shtetin dhe për historinë e vendit tonë!
Suksesi juaj në Lojëra Olimpike nuk do të jetë vetëm një arritje personale, por një fitore për mbarë Kosovën. Do t’i tregojë botës mbarë forcën, qëndrueshmërinë dhe talentin, të cilin e posedon rinia jonë e jashtëzakonshme.
Përpjekjet tuaja po ashtu, do të hapin rrugën për brezat e ardhshëm të atletëve, duke frymëzuar ata të projektojnë ëndrra të mëdha dhe t`i ndjekin qëllimet e tyre me vendosmëri.
Mos harroni, flamuri i Kosovës simbolizon shpirtin, forcën dhe unitetin e shtetit tonë të ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve.
Prandaj, garoni me nder, jepni më të mirën tuaj dhe mbani mend se çdo hap që hidhni në skenën globale është dëshmi e përkushtimit dhe e këmbënguljes së një populli të tërë.
Qoftë pjesëmarrja e Kosovës në Lojërat Olimpike të Parisit një dëshmi e këtij shpirti të qëndrueshëm të shtetit tonë dhe një shpresë për një të ardhme edhe më të ndritur!
Të nderuar sportistë, garoni me zemër e më nder dhe vazhdoni të na bëni krenarë!
Suksese, e u kthefshi faqebardhë nga Parisi!
Faleminderit!