...

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në 146 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca,

I nderuar kryeministër, z. Kurti,

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra,

Përfaqësues të Komunës së Prizrenit,

Përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale,

Deputetë të nderuar,

Të dashur qytetarë të Prizrenit, të Republikës së Kosovës, të Shqipërisë dhe të gjithë hapësirës shqiptare,

Sot jemi sërish në Prizren për të reflektuar mbi dy momente kryesore në historinë e popullit shqiptar dhe të Kosovës, ngjarje të zhvilluara në distancë kohore prej më shumë se një shekulli, por të ndërlidhura thellësisht në rëndësinë e tyre: Lidhja e Prizrenit e vitit 1878 dhe çlirimi i Kosovës më 12 qershor 1999.

Këto dy data simbolizojnë shpirtin e qëndrueshëm të popullit tonë, përkushtimin tonë për liri dhe vendosmërinë e palëkundur në luftën për liri dhe pavarësi.

Sa herë vjen 10 qershori, rikthejmë kujtimin te ky vend ku 146 vjet më parë ideologët Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Iljaz Pashë-Dibra, Sylejman Vokshi e shumë të tjerë u mblodhën në Kuvend me kauzën e rizgjimit kombëtar kundrejt rrezikut që i kanosej kombit tonë.

Duke i kombinuar organizmin gjithëkombëtar politik dhe luftarak, Lidhja e Prizrenit paraqet organizimin kulmor për çlirimin e trojeve shqiptare dhe mbrojtjen e tyre nga çdo kërcënim dhe pretendim i vendeve të tjera.

Prizreni u përzgjodh si një vend i duhur, në përputhje me kontekstin gjeostrategjik e gjeopolitik të kohës, me të cilin paria e Lidhjes synonte misionin e shenjtë për rilindjen dhe rizgjimin kombëtar dhe realizimin e të drejtës së natyrshme për liri e pavarësi, sikurse edhe popujt e tjerë në Evropë.

Kërkesat dhe qëndrimet e Lidhjes së Prizrenit u shndërruan në gurthemel dhe busull orientuese të fatit tonë si komb, krahas kombeve të tjera të Evropës.

Pavarësisht se qëndrimet dhe kërkesat e Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nuk u shqyrtuan nga fuqitë e mëdha në Kongresin e Berlinit, krerët e saj i dolën në ballë organizimit dhe realizimit të rezistencës titanike për t`i jetësuar idealet e ndërlidhura me vendimet e Lidhjes së Lezhës, të prirë nga heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.

Vazhdimësia e kryengritjeve të shumta çlirimtare, në veçanti asaj më 1910 në Kosovë, pastaj asaj të vitit 1911 të udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor më 1912 në Vlorë dhe së fundi edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, e kanë burimin ndër të tjera, edhe tek historiku i Lidhjes së Prizrenit.

Prandaj, Lidhja e Prizrenit mbetet e gravuar përgjithmonë në mendjet dhe zemrat e secilit shqiptar si testament i natyrshëm i shpirtit të kombit tonë.

Është pikërisht ky synim  bashkë me atë të Lidhjes që ndërthuren natyrshëm me qershorin e vitit ‘99, me fitoren historike të rezistencës së popullit tonë, të prirë nëpërmjet rezistencës paqësore fillimisht nga Presidenti historik Ibrahim Rugova dhe  në luftën çlirimtare të UÇK-së, të prirë nga Komandanti legjendar, Adem Jashari, e padyshim edhe me mbështetjen e fuqishme të botës demokratike, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e gjithë Aleanca Veri-Atlantike (NATO).

Në vitet ’98, ’99, sikurse, sikurse edhe më 1878, shqiptarët nga të gjitha hapësirat ku jetojnë u bënë bashkë për ta mbështetur luftën çlirimtare, duke e bërë Kosovën, të lirë e të pavarur, ashtu siç ëndërruan dhe u sakrifikuan breza të tërë.

Ashtu siç e tha edhe zoti Tony Blair sot në Kuvendin e Kosovës: Kosova u çlirua nga forca pushtuese, sepse pushtuese ishin, por nuk do të kthehen më kurrë.

Megjithatë, siç përsëritet historia, përsëriten edhe tendencat. Në këtë kohë të trazuar për kontinentin tonë, ambiciet shoviniste serbe sërish janë në skenë me apetite që nuk i kemi parë këto 25 vite.

Prandaj, përballë rreziqeve të mëdha të sigurisë, uniteti ynë do të shërbejë si forcë për të mbrojtur shtetin tonë nga tendencat shoviniste të Serbisë fqinje.

 

Duhet të ngrihemi mbi dallimet tona, duke reflektuar ndaj ngjarjeve të historisë sonë për ta gjetur forcën njësoj si dikur, që në funksion të mbrojtjes së kombit dhe atdheut, të gjithë të jemi një!

 

Urime 146-vjetori i Lidhjes së Prizrenit!

Urime 25-vjetori i çlirimit të Kosovës

Ju faleminderit!

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.