Sekretarja e Përgjithshme e Frankofonisë, Louise Mushikiwabo, uron Presidenten Osmani për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Në mesazhin e saj të urimit me rastin e 17 Shkurtit, Sekretarja e Përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, Louise Mushikiwabo, u ka përcjellë urime të përzemërta institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, në emër të komunitetit frankofon. Ajo ka vlerësuar rrugëtimin e Kosovës si pjesë e Frankofonisë që nga anëtarësimi në vitin 2014, duke theksuar se kontributi i saj vazhdon të pasurojë diversitetin kulturor dhe gjuhësor të këtij komuniteti. Sekretarja e Përgjithshme ka shprehur mirënjohje për pjesëmarrjen aktive të Kosovës në Konferencën e 46-të Ministrore të Frankofonisë, duke e cilësuar përmbylljen e saj të suksesshme si dëshmi të bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet shteteve anëtare. Në këtë kontekst, znj. Mushikiwabo ka shprehur bindjen se Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj aktiv për suksesin e samitit dhe për avancimin e misionit ndërkombëtar të Frankofonisë.
Presidenti i Panamasë ka uruar Presidenten Osmani me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Presidenti i Republikës së Panamasë, José Raúl Mulino, i ka dërguar letër urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në letrën e tij, Presidenti Mulino, në emër të popullit dhe Qeverisë së Republikës së Panamasë, ka shprehur urimet më të sinqerta për Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke theksuar se kjo ngjarje shënon afirmimin e sovranitetit të saj kombëtar. Ai ka vlerësuar lidhjet e miqësisë që bashkojnë Republikën e Panamasë me Republikën e Kosovës dhe ka rikonfirmuar gatishmërinë për të vazhduar promovimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Presidenti Mulino gjithashtu ka uruar mirëqenie, përparim dhe prosperitet për Presidenten Osmani, Qeverinë dhe popullin e Kosovës.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një letër urimi nga Gjeneral Majori Stephen Osborn i Gardës Kombëtare të Iowa-s, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Në mesazhin e tij, Gjeneral Majori Osborn ka përcjellë urimet më të përzemërta për Presidenten dhe qytetarët e vendit, duke vlerësuar rrugëtimin shtetformues të Kosovës dhe përparimin e arritur ndër vite. Ai ka shprehur vlerësim të veçantë për partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë në fushën e sigurisë, me theks të posaçëm në avancimin dhe modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Sipas tij, zhvillimi profesional dhe rritja e kapaciteteve ndërvepruese në kuadër të planit të tranzicionit përbëjnë një kontribut të rëndësishëm për të ardhmen e sigurt të Kosovës dhe stabilitetin rajonal. Gjeneral Majori Osborn ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Gardës Kombëtare të Iowa-s për zhvillimin e mëtejmë të Kosovës, duke i përcjellë Presidentes dhe qytetarëve urimet më të mira me rastin e kësaj dite të shënuar shtetërore. 🇽🇰 🇺🇸
Presidentja e Maltës ka uruar Presidenten Osmani me rastin e Ditës së Pavarësisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një letër urimi nga Presidentja e Republikës së Maltës, Myriam Spiteri Debono, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Në mesazhin e saj, Presidentja e Maltës përcjell urime të përzemërta për Presidenten, institucionet dhe qytetarët e Kosovës, duke theksuar marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve, të ndërtuara mbi vlerat e përbashkëta evropiane. Po ashtu, në mesazh rikonfirmohet përkushtimi i Maltës për të mbështetur Kosovën në avancimin e reformave dhe në forcimin e institucioneve demokratike, në përputhje me parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian, duke dëshmuar mbështetjen e vazhdueshme për rrugën evropiane të vendit tonë. Në përmbyllje, Presidentja e Maltës përcjell urimet e saj më të mira për progres të mëtejshëm të Republikës së Kosovës.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Republikës Federale të Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Në letrën e urimit, Presidenti Mohamud ka vlerësuar këtë përvjetor si një moment me domethënie të veçantë për vendin, duke e ndërlidhur me qëndrueshmërinë e treguar ndër vite dhe orientimin e palëkundur drejt forcimit të sovranitetit, rendit demokratik dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Ai ka vlerësuar progresin e arritur nga Kosova nën udhëheqjen e Presidentes Osmani, duke shprehur njëkohësisht besimin se vendi do të vazhdojë të forcohet dhe zhvillohet. Presidenti somalez gjithashtu nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kosovës dhe Somalisë dhe gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, në shërbim të qytetarëve të të dy vendeve. 🇽🇰 🇸🇴
Presidenti Faye uron Presidenten Osmani për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës së Senegalit, Bassirou Diomaye Faye, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Në mesazhin e tij, Presidenti Faye ka përcjellë urimet më të përzemërta për Presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës. Po ashtu, ka shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona. 🇽🇰 🇸🇳
Madhëria e Tij, Sulltani Haji Hassanal Bolkiah, Sulltan dhe Yang di-Pertuan i Bruneit Darussalam uron Presidenten Osmani për Ditën e Pavarësisë

Presidentja Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi nga Madhëria e Tij, Sulltani Haji Hassanal Bolkiah, Sulltan dhe Yang di-Pertuan i Bruneit Darussalam, me rastin e 18-vjetorit të Ditës së Pavarsisë së Republikës së Kosovës. Në letrën e tij, Madhëria e Tij shprehu urimet më të përzemërta për Presidenten Vjosa Osmani, Qeverinë dhe popullin e Kosovës. Ai vuri në pah progresin e dukshëm në marrëdhëniet dypalëshe, të forcuara edhe nga vizita historike shtetërore të Presidentes Osmani në Brunei Darussalam në maj 2025. Sipas Madhërisë së Tij, ky moment reflekton miqësinë e ngushtë dhe në zhvillim ndërmjet dy vendeve, ndërsa ai vlerësoi kontributin personal të Presidentes Osmani në avancimin e këtyre marrëdhënieve strategjike. Duke parë me optimizëm drejt të ardhmes, Madhëria e Tij ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe forcimit të partneritetit ndërmjet dy vendeve në frymën e miqësisë dhe koordinimit reciprok. Me afrimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, ai i përcolli Presidentes Osmani urimet më të mira për shëndet dhe mirëqenie, duke u lutur që lutjet dhe veprat e mira të pranohen dhe që populli i Republikës së Kosovës të vazhdojë të gëzojë paqe dhe prosperitet të qëndrueshëm.
Presidenti i Bangladeshit uron Presidenten Osmani me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Republikës Popullore të Bangladeshit, Mohammed Shahabuddin, i ka përcjellë urime Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe qytetarëve të vendit me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke shprehur përgëzimet për këtë përvjetor të rëndësishëm shtetëror. Në mesazhin e tij, ai ka vënë në pah se raportet ndërmjet dy vendeve mbështeten në parime të përbashkëta demokratike dhe në respekt të ndërsjellë, duke shprehur gatishmërinë që kjo bazë politike të përkthehet në bashkëpunim më konkret dhe më të zgjeruar. Në këtë kuadër, është theksuar interesi për thellimin e partneritetit në sektorë me potencial zhvillimor, përfshirë ekonominë, arsimin, inovacionin dhe shkëmbimet ndërmjet qytetarëve, si fusha që mund t’i afrojnë më tej dy shtetet. অনেক ধন্যবাদ 🇽🇰 🇧🇩
Lartmadhëria e Tij, Mbreti i Tajlandës, uron Presidenten Osmani për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një letër urimi nga Mbreti i Tajlandës, Lartmadhëria e Tij Maha Vajiralongkorn Phra Vajiraklaochaoyuhua, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Në mesazhin e tij, Mbreti i Tajlandës ka vlerësuar marrëdhëniet e ngrohta dhe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve që nga themelimi i marrëdhënieve diplomatike dhe ka theksuar rëndësinë e mirëkuptimit, respektit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë. Lartmadhëria e Tij ka shprehur besimin se bashkëpunimi do të vazhdojë të zhvillohet dhe të zgjerohet në fusha me potencial të veçantë, duke përfshirë tregtinë, investimet, turizmin, arsimin dhe projekte të tjera teknike, në dobi të qytetarëve të të dy vendeve dhe për forcimin e partneritetit ndërmjet shteteve. ขอขอบคุณอย่างจริงใจ 🇹🇭 🇽🇰
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, uron Presidenten Osmani për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Republikës së Finlandës, Alexander Stubb, i ka përcjellë urime Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe qytetarëve të saj me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke shprehur urimet për prosperitet dhe mirëqenie të vazhdueshme për Republikën e Kosovës. Në mesazhin e tij, Presidenti Stubb ka shprehur vlerësimin për vizitën e Presidentes Osmani në Helsinki gjatë vitit të kaluar, si dhe ka rikonfirmuar përkushtimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Finlandës dhe Kosovës. Kiitos, herra presidentti!