Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale të ambasadores së re të Estonisë në Kosovë, Karin Anna Maandi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pranoi sot letrat kredenciale të ambasadores së re të Estonisë në Kosovë, Karin Anna Maandi. Me këtë rast, Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadores Maandi në Kosovë dhe e përgëzoi për emërimin e saj, duke shprehur bindjen se mandati i saj do të kontribuojë në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Estonisë. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme, parimore dhe të zëshme të Estonisë ndaj pavarësisë, sovranitetit dhe fuqizimit të pozitës që Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke potencuar se Kosova në vazhdimësi është linjëzuar me politikat e BE-së. Më tej, Presidentja Osmani dhe ambasadorja Mandi diskutuan për thellimin e bashkëpunimit me Estoninë në fushën e mbrojtjes, digjitalizimit, shërbimeve publike elektronike, sigurisë kibernetike , integrimit euroatlantik dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm. Sa i përket sigurisë dhe stabilitetit rajonal, Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke falënderuar Estoninë për kontributin e saj në sigurinë evropiane. Në këtë linjë, falënderoi Estoninë edhe për avokimin e vazhdueshëm për aspiratat evropiane të Kosovës, në veçanti për statusin e vendit kandidat për BE dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Presidentja Osmani priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, gjatë të cilit u diskutuan zhvillimet e fundit politike në Kosovë, proceset zgjedhore, situate e sigurisë, raportet me Bashkimin Evropian, si dhe e ardhmja e dialogut me Serbinë. Në takim, Presidentja Osmani, theksoi se procesi i dialogut duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe se suksesi i dialogut varet edhe nga trajtimi barabartë i palëve. Ajo potencoi se Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kryer akte agresioni, si dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Presidentja Osmani tha se ky proces duhet të ketë objektiva të qarta dhe rezultate të matshme në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar se interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton procesin. Më tej, Presidentja Osmani e informoi z. Sørensen për zhvillimin e suksesshëm, demokratik dhe gjithëpërfshirës të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Kosovë dhe vlerësoi se zgjedhjet dëshmuan pjekurinë demokratike të shtetit dhe funksionimin e institucioneve në përputhje të plotë me standardet evropiane. Në takim u diskutuan gjithashtu marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Presidentja Osmani përshëndeti vendimin e dhjetorit për heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës, të shpallur në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt rivendosjes së partneritetit të plotë dhe të barabartë ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, Presidentja Osmani theksoi se dhënia e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri strategjike, jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin e rajonit dhe kredibilitetin e vetë BE-së. Presidentja Osmani vuri në pah përputhshmërinë e plotë të Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, bilancin e dëshmuar demokratik dhe vrullin e reformave në vend. Presidentja theksoi se do të vazhdojë të punojë me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për avancimin e statusit kandidat të Kosovës, pa vonesa të mëtejme.
Presidentja Osmani priti themeluesit dhe anëtarët e grupit “Besa Besë”

Sot Presidentja priti themeluesit dhe anëtarët e grupit “Besa Besë”. Ky grup ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme për të ngritur vetëdijesimin mbi rëndësinë e konsumit të produkteve vendore, duke inkurajuar qytetarët të shmangin prodhimet serbe dhe të mbështesin prodhuesit tanë lokalë. Fokusi te produktet vendore nuk është vetëm një çështje identiteti ekonomik, por ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rritjen e punësimit, forcimin e sektorit prodhues dhe sigurinë ushqimore, duke siguruar që qytetarët të konsumojnë produkte më të sigurta dhe më cilësore. E vlerësoj lart përkushtimin e tyre dhe jam e angazhuar të mbështes çdo iniciativë që fuqizon prodhuesit vendorë dhe ekonominë e vendit tonë, ka thënë Presidentja.
Presidentja: Në mes të Ushtrisë më të fuqishme në botë, në West Point, SHBA

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në mes të Ushtrisë më të fuqishme në botë, në West Point, SHBA. “Në mes të Ushtrisë më të fuqishme në botë, në West Point, SHBA. Një moment që flet për aleancë, besim dhe miqësi të pathyeshme”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani priti në takim komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta e NATO-s në Napoli, Admiralin George M. Wikoff

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta e NATO-s në Napoli, Admiralin George M. Wikoff, me rastin e marrjes së detyrës së tij në krye të një prej komandave më të rëndësishme strategjike të Aleancës Veriatlantike. Presidentja Osmani e uroi Admiralin Wikoff për marrjen e detyrës së re, duke i dëshiruar suksese në udhëheqjen e Komanda e Forcave të Përbashkëta e NATO-s në Napoli dhe duke shprehur besimin e saj të plotë në lidershipin e tij dhe në rolin kyç që kjo komandë luan për sigurinë euroatlantike, stabilitetin rajonal dhe paqen ndërkombëtare. Gjatë takimit, Presidentja Osmani ritheksoi mirënjohjen e Republikës së Kosovës ndaj NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin vendimtar dhe të pazëvendësueshëm që kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë në garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë që nga viti 1999. Në këtë kontekst, Presidentja shprehu vlerësim të veçantë për misionin e KFOR-it, si forcë e besueshme parandaluese dhe garantuese e sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa asnjë dallim. Presidentja Osmani konfirmoi përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit me KFOR-in he theksoi se Kosova mbetet një partner i besueshëm, i aftë dhe kontribuues për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, e përkushtuar fuqishëm ndaj vlerave të paqes, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Në këtë frymë, Presidentja potencoi rreziqet nga aktet destabilizuese të Serbisë dhe mungesën e llogaridhënies nga ana e saj për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it, sulmin terrorist, respektivisht agresionin në Banjskë dhe sulmin kinetik në kanalin Ibër-Lepenc.
Presidentja Osmani dekoroi z. Hasan Arat me Medaljen Presidenciale të Meritave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar z. Hasan Arat me Medaljen Presidenciale të Meritave, në shenjë mirënjohjeje institucionale për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe promovimin e sportit, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës. Gjatë ceremonisë solemne, Presidentja Osmani theksoi se z. Arat është një personalitet i shquar i sportit dhe jetës publike ndërkombëtare, i cili me vizion, përkushtim dhe integritet ka dhënë një kontribut të çmuar edhe për shtetin e Kosovës. Ajo veçoi angazhimin e tij të rëndësishëm në mbështetjen e sportit kosovar në arenën ndërkombëtare. Një vlerësim i veçantë iu kushtua rolit vendimtar të z. Arat në procesin e kandidaturës së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, një ngjarje historike për sportin kosovar dhe për afirmimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
Presidentja Osmani: 5 vite pa ndalë në mbrojtje të Kosovës dhe kundër propagandës së Serbisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se 5 vite pa ndalë në mbrojtje të Kosovës dhe kundër propagandës së Serbisë “Drejtësi dhe fakte! 5 vite pa ndalë në mbrojtje të Kosovës dhe kundër propagandës së Serbisë”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani: Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, patriotët që nuk e njohën frikën dhe i dhanë gjithçka lirisë së Kosovës

Ndërmjet 11 e 12 janarit të vitit 1984, në Kodrën e Trimave në Prishtinë, patriotët Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha ranë heroikisht në përballje me forcat e regjimit serb. Dy djem që nuk e njohën frikën dhe i dhanë gjithçka lirisë së Kosovës. Si ideatorë të Komitetit të Studentëve, ata i paraprinë Pranverës Studentore të vitit 1981, duke qenë kumt i hershëm i përpjekjes së madhe për çlirim. Rënia e tyre heroike shënoi fillimin e një kontributi që do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë për lirinë e Kosovës. Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha jetojnë te secili prej nesh që mban në zemër atdheun, në çdo hap që bën Kosova dhe janë dëshmi se guximi dhe flijimi i tyre janë respekt dhe kujtesë e jona e përhershme.
Presidentja Osmani: Enver Maloku besoi te fuqia e fjalës, te dialogu dhe te vizioni rugovian i lirisë, një Kosovë e lirë, demokratike dhe e orientuar drejt Perëndimit

Sot kujtojmë Enver Malokun, intelektualin e qetë, atdhetarin dhe bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ai ishte zëri i urtësisë dhe i dinjitetit në kohët më të rënda për Kosovën, arkitekt i komunikimit politik që e çoi të vërtetën tonë përtej kufijve. Enver Maloku besoi te fuqia e fjalës, te dialogu dhe te vizioni rugovian i lirisë, një Kosovë e lirë, demokratike dhe e orientuar drejt Perëndimit. I shërbeu atdheut me integritet dhe përkushtim, duke lënë gjurmë të thella në rrugën tonë shtetformuese. Vrasja e Enver Malokut është krim që ende kërkon vënien e autorëve para drejtësisë. Është obligim i institucioneve të drejtësisë dhe borxh ndaj zërit të së vërtetës sonë. Lavdi jetës dhe veprës së Enver Malokut!
Presidentja Osmani vizitoi në spital trenjakët e ardhur në jetë në ndërrimin e motmoteve: Një bekim i rrallë dhe një fillim simbolik i vitit të ri, plot shpresë e jetë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me ftesë të nënës së re, Fjolla Ibrahimi Starabaja, dje ka vizituar në spital trenjakët e ardhur në jetë në ndërrimin e motmoteve. Presidentja Osmani ka shkruar: Me ftesë të nënës së re, Fjolla Ibrahimi Starabaja, dje vizituam në spital trenjakët e ardhur në jetë në ndërrimin e motmoteve, një bekim i rrallë dhe një fillim simbolik i vitit të ri, plot shpresë e jetë. Në atë dhomë kishte dashuri, forcë dhe përkushtim. Përveç trenjakëve, aty ndodheshin edhe dy foshnja të tjera, nënat e të cilave kishin lindur për herë të tretë, duke dëshmuar se familja mbetet vlera më e fortë e shoqërisë sonë. Trenjakët po rriten të rrethuar nga dashuria e pakushtëzuar e nënës dhe familjes, si dhe nga përkujdesja maksimale dhe profesionale e personelit mjekësor, të cilët çdo ditë japin më të mirën për jetët më të reja mes nesh. Çdo lindje është një investim për të ardhmen tonë të përbashkët. Prandaj, është me rëndësi që mbështetja për nënat, fëmijët dhe familjet të vazhdojë. Uroj që këta fëmijë të rriten me shëndet, dashuri dhe siguri, e që çdo nënë të ndihet e mbështetur, e respektuar dhe e vlerësuar.