Presidentja Osmani takoi kryetaren e Provincës së Kozencës dhe kryetarët e komunave arbëreshe

Në Kozencë gjenden thesare shumë të rëndësishme, siç janë dorëshkrimet e rilindësit Jeronim De Rada, të cilat ndodhen në Bibliotekën e Qytetit të Kozencës dhe gjetiu në Kalabri. “Digjitalizimi i dorëshkrimeve letrare shqipe të shekullit XIX është pasuri e cila duhet t’u ofrohet studiuesve dhe gjeneratave të reja”, tha Presidentja Osmani. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim edhe me kryetarët e komunave arbëreshe të Provincës së Kozencës. Presidentja i falënderoi ata për përkushtimin e pashoq për kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditave arbëreshe, si pjesë e të rëndësishme e kulturës dhe identitetit shqiptar. “Ne duam të punojmë së bashku me ju për identifikimin e mundësive për realizimin e projekteve të përbashkëta për ruajtjen, kultivimin dhe përparimin e mëtejmë të traditave tuaja kulturore e gjuhësore”, tha Presidentja. Presidentja rikujtoi rolin e jashtëzakonshëm, të cilin arbëreshët e kanë luajtur përgjatë historisë në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor e politik të shqiptarëve. Më tej, Presidentja çmoi mënyrën se si arbëreshët kanë krijuar model të vyer për gjithë mërgimtarët se si, duke u integruar në jetën e vendit mikpritës, i kanë kultivuar e ruajtur traditat e veta, duke u shndërruar në qytetarë të suksesshëm të vendit, por edhe kontribuues për kulturën e të parëve. “Ju i keni dhënë kulturës e trungut etnik, por edhe vendit mikpritës, Italisë, ngjyrat e një kulture të veçantë, e cila është pasuri e vendit dhe e kulturës prej nga vini, por edhe e vendit i cili ju mirëpriti”, tha Presidentja Osmani. Më tej, Presidentja e shtroi mundësinë e hartimit dhe të realizimit të projekteve për ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore e traditave kulturore, nëpërmjet regjistrimit e botimit të kujtesës gojore. “Rënia e ngadaltë e përdorimit te gjuhës shqipe te brezat e rinj dhe zvogëlimi i popullatës, për shkak migrimit, është sfidë me të cilën ballafaqohen shumë vende, përfshirë edhe rajonet në të cilat jetojnë arbëreshët. Prandaj duhen politika të qarta promovuese”, tha Presidentja. Ajo nënvizoi domosdoshmërinë e shtrirjes së bashkëpunimit, hartimin e itinerareve turistike dhe shkëmbimeve kulturore, për ta ruajtur lidhjen me tokën e të parëve. Ajo e çmoi bashkëpunimin e komunave arbëreshe, të cilat tashmë janë binjakëzuar me disa komuna të Kosovës.
Presidentja Osmani, u prit në takim nga kryetari i Rajonit të Kalabrisë, Occhiutto

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës në Kalabri, u takua me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, Roberto Occhiuto, me të cilin bisedoi mbi shtrirjen e mëtejme të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Rajonit të Kalabrisë. Presidentja theksoi se lidhjet mes vendit tonë dhe Rajonit të Kalabrisë janë të hershme dhe janë të mbështetura në trashëgiminë historike e kulturore. Komuniteti i arbëreshëve, i cili prej shekujsh jeton në disa rajone të Italisë, përfshirë Kalabrinë, përbën pjesë të rëndësishme të diversitetit etnik, gjuhësor e kulturor të Italisë dhe pjesë të rëndësishme të saj. Presidentja theksoi se kujdesi ndaj të drejtave të bashkësive etnike kontribuon në mënyrë aktive edhe në zhvillimin ekonomik të Italisë. Ajo e falënderoi kryetarin Occhiuto për kujdesin ndaj ruajtjes së identitetit kombëtar të arbëreshëve dhe theksoi se integrimi i plotë dhe kontributi i tyre në jetën socio-ekonomike, u japin marrëdhënieve një dimension tjetër dhe të veçantë. Ajo shpalosi shembullin e Kosovës për mbrojtjen e pakicave dhe theksoi se sa më shumë që përkrahet komuniteti arbëresh në ruajtjen e identitetit kulturor e gjuhësor, aq më shumë do të kontribuojë ky komunitet edhe në zhvillimet e raporteve ndërmjet Italisë dhe hapësirave shqiptare. “Jemi të bindur se mund të ndiqen politika aktive për respektimin e gjuhëve të pakicave, për të mbrojtur dhe përmirësuar gjuhën dhe trashëgimin kulturore të pakicave gjuhësore dhe historike të Kalabrisë, përfshirë bashkësinë arbëreshe. Përmirësimi i mëtejmë i politikave për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës e të traditave është e ndërlidhur me politikat e shkollimit në gjuhën e pakicave”, tha Presidentja Osmani. Presidentja theksoi se në Rajonin e Kalabrisë është kultivuar tradicionalisht një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore, përfshirë atë letrare, që gjendet në dokumente e revista shumë të rëndësishme për popullin shqiptar, të cilat duhen ruajtur dhe digjitalizuar, në mënyrë që të shpërndahen më lehtë tek të rinjtë dhe brezat e ardhshëm. Presidentja dhe kryetari Occhiuto diskutuan edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Italisë, përfshirë rajonin e Kalabrisë. Presidentja i ftoi ndërmarrjet, bizneset dhe investitorët italianë që të investojnë në sektorët strategjikë të ekonomisë së vendit. “Ne duhet t’i afrojmë edhe më tej operatorët tanë ekonomikë e turistikë, në mënyrë që të krijohen itinerare të përbashkëta turistike nga Kalabria për në Kosovë dhe anasjelltas”, tha Presidentja Osmani. Hapja e linjave të drejtpërdrejta të fluturimit mes aeroporteve tona e ndihmon turizmin e ndërsjellë dhe thellimit të lidhjeve me Kalabrinë dhe qytetarët e rajonit. Po ashtu, në takim u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit në bujqësi, duke qenë se të dyja vendet kanë potencial të madh zhvillimi në këtë fushë. Presidentja Osmani dhe kryetari Okiuto diskutuan edhe për përafrimin e mëtejmë i të të rinjve me kulturën e njëri-tjetrit dhe rritjen e komunikimit ndërmjet dy vendeve tona, sidomos të të rinjve tanë. “Intensifikimi i bashkëpunimit të të rinjve tanë mund të arrihet më së miri nëpërmjet rritjes së shkëmbimeve akademike, bursave të studimit dhe bashkëpunimit ndëruniversitar”, tha Presidentja Osmani.
Me propozim të Presidentes Osmani, 14 prilli caktohet Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë

Me propozim të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbledhjen e 138-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, 14 prilli është caktuar Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Presidentja Osmani ka theksuar se ky vendim do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive, ndërsa ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale. “Rikujtojmë se gjatë luftës së fundit në Kosovë, rreth 20.000 persona kanë qenë viktima të luftës seksuale. Jetët e të gjithë këtyre personave ndryshuan përgjithmonë. Pikërisht më 14 prill ndryshoi gjithmonë edhe jeta e Vasfije Krasniqit, e cila u rrëmbye me forcë dhe u dhunua nga forcat serbe. Ajo mori guximin që ta ndajë të vërtetën me tërë botën. Përmes rrëfimit të saj, ajo u shndërrua në zërin e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera Presidentja Osmani në propozimin drejtuar Qeverisës së Republikës së Kosovës.
Presidentja: Identiteti kulturor e gjuhësor arbëresh është pjesë e çmueshme e identitetit dhe e kulturës shqiptare

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron për vizitë në Kalabri të Italisë, me ftesë të arbëreshëve të këtij rajoni. Presidentja Osmani ka thënë se identiteti kulturor e gjuhësor arbëresh është pjesë e çmueshme e identitetit dhe e kulturës shqiptare. “Identiteti kulturor e gjuhësor arbëresh është pjesë e çmueshme e identitetit dhe e kulturës shqiptare. Prandaj, ruajtja e tij është jetike për gjithë kombin tonë. ‘Festa e Valleve’ sot në komunat arbëreshe Çift dhe Frasnitë, është dëshmi e ruajtjes së këtyre traditave shekullore”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani e pranoi çmimin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” dhe mori pjesë në inaugurimin e sheshit “Kosova”

Në një ceremoni të veçantë, të organizuar sot në komunën arbëreshe të Italisë, Frasnitë, Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit, iu nda çmimi “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”. Ky çmim i është ndarë Presidentes nga kryetari i kësaj komune, z. Angelo Catapano. Presidentja Osmani ia shprehu mirënjohjen e saj kryetarit Catapano dhe komunës së Frasnitës për çmimin dhe kujdesin e vazhdueshëm për ruajtjen dhe kultivimin e lidhjeve kulturore me hapësirat shqiptare. Ajo e vlerësoi atë si çmim që u ndahet përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar. Presidentja theksoi se Frasnita është e njohur në kulturën shqiptare si vend në të cilin, krahas Makit e vendeve të tjera arbëreshe, është mbrojtur ideja e rilindjes kombëtare dhe historia e heroit tonë nacional, Gjergj Kastriotit. “Frasnita”, tha presidentja Osmani, “i ka dhënë letërsisë e kulturës shqiptare personalitete e vepra të shquara, të cilat qëndrojnë në themele të vlerave tona kulturore e letrare”. Vincenco Dorsa, Bernard Bilota, Vora Ujko e shumë personalitete të tjera janë pjesë e rëndësishme e thesarit tonë kulturor e letrar”. Më tej, Presidentja Osmani tha se vizita në Kalabri bart më vete mirënjohjen e thellë të cilën ne e kemi për gjithë çfarë i kanë dhënë arbëreshët kulturës e trungut të tyre etnik, por edhe vendit mikpritës, Italisë. Identiteti kulturor e gjuhësor arbëresh është pjesë e identitetit dhe e kulturës shqiptare. Prandaj, ruajtja e saj arbëreshe është jetike për kulturën tonë. “Ne i kemi inkurajuar institucionet e Kosovës dhe dëshiroj ta diskutoj me komunat arbëreshe mundësinë që të hartojmë projekte për ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore e traditave kulturore, nëpërmjet regjistrimit e botimit të asaj që në shkencën bashkëkohore njihet si kujtesë gojore”, tha Presidentja Osmani. Po sot, Presidentja Osmani, së bashku me kryetarin e komunës së Frasnitës, z. Katapano inauguruan sheshin “Kosova”, në qytetin e Frasnitës. Presidentja theksoi se inaugurimi i sheshit me emrin e Kosovës është dëshmi e ruajtjes së raporteve të thella të cilat ne i kemi kultivuar tradicionalisht me komunat arbëreshe. Ne do të vazhdojmë t’u qëndrojmë afër arbëreshëve tanë, në mënyrë që ata t’i ruajnë e t’i kultivojnë më tej gjuhën, traditat dhe kulturën arbëreshe”, theksoi Presidentja.
Presidentja: Liria jonë mbanë vulën e Agim Ramadanit dhe heronjve të tjerë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar heroin Agim Ramadani, në 24 vjetorin e rënies. Deklarata e plotë e Presidentes Osmani: 24-vjet më parë Agim Ramadani u përjetësua në hero, u bë lajmëtar i lirisë bashkë me luftëtarët e UÇK-së, vullneti dhe guximi i të cilëve theu kufirin ndërmjet Kosovës e Shqipërisë. Njeriu i penës, brushës e pushkës, është personifikim i lirisë, rrugës deri te ajo, por edhe lavdisë së përhershme. Liria jonë mbanë vulën e Agim Ramadanit dhe heronjve të tjerë, të cilët e përmbushën idealin e brezave, mbrojtën dinjitetin, kthyen shpresën dhe përcaktuan rrugëtimin e shtetit të Kosovës. Përkulemi me respekt para heroizmit të Agimit me bashkëluftëtarë, do t`i kujtojmë përherë dhe do ta përmbushim çdo ditë testamentin e tyre për Republikën!
Presidentja Osmani viziton Kalabrinë, me ftesë të komunitetit arbëresh

Presidentja e Republikë së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Kalabri të Italisë, me ftesë të komunitetit të arbëreshëve të këtij rajoni. Në një ceremoni të veçantë, e cila do të organizohet në komunën e Frasnitës, Presidentes do t’i ndahet çmimi “Gjergj Kastrioti”. Gjatë qëndrimit në Kalabri, Presidentja Osmani do të ketë takime të ndara me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, në Katanzaro, me kryetaren e Provincës së Kozencës, si dhe me kryetarët e komunave arbëreshë të këtij rajoni, me të cilët do të diskutojë mbi mundësitë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit të vendit tonë me komunat arbëreshe të këtij rajonit. Presidentja Osmani do ta ketë edhe një bashkëbisedim me studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit të Kalabrisë. Në të gjitha këto takime, Presidentja do ta shtrojë mundësinë e bashkëpunimit të Kosovës me komunat e Kalabrisë, në të cilat jetojnë arbëreshët, si dhe mundësitë që institucionet e Kosovës t’i ndihmojë ata për ruajtjen e identitetit gjuhësor e kulturor. Mbledhja e traditës gojore arbëreshe, si dhe regjistrimi i pasurisë gjuhësore, si pjesë e ruajtjes së identitetit të tyre, do të jenë në qendër të vëmendjes së vizitës së Presidentes Osmani. Presidentja do të marrë pjesë në aktivitete të shumta të cilat e kanë në fokus traditën, ritet e kulturën arbëreshe.
Presidentja Osmani: Beteja e zhvilluar në Lagjen e Re dhe në Retkoc vulosën vendosmërinë e qytetarëve të Kaçanikut për ta fituar lirinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka përkujtuar 24-vjetorin e betejës së zhvilluar në Lagjen e Re dhe në Ratkoc të Kaçanikut. Deklarata e plotë: Sot përkujtojmë 24-vjetorin e betejës së zhvilluar në Lagjen e Re dhe në Ratkoc të Kaçanikut, kundër ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë, me ç’rast 28 dëshmorë të UÇK-së u flijuan për lirinë e atdheut. Kjo betejë njihet si njëra ndër betejat më të rëndësishme në rajonin e Kaçanikut. Ajo e dëshmoi shpirtin liridashës të të rinjve e të rejave të kësaj treve dhe e vulosën përfundimisht vendosmërinë e tyre e të qytetarëve të Kaçanikut për ta fituar lirinë. Çmimi, fatkeqësisht, qe i lartë, por ideali i të rënëve u realizua. Lavdi përjetë!
Presidentja Osmani: Beteja e Koshares dëshmoi fuqishëm se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria nuk ka çmim

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka përkujtuar përvjetorin e Betejës së Koshares, njërës ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deklarata e plotë e Presidentes: Sot shënojmë përvjetorin e Betejës së Koshares, njërës ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Manifestimet “Ditët e Shqipes”, që i kushtohen kësaj beteje të lavdishme, organizohen nën përkujdesin e Presidentes së Republikës së Kosovës. Në këtë ditë, kujtojmë me respekt heronjtë e Betejës së Koshares dhe të luftës çlirimtare të UÇK-së. Beteja e Koshares dëshmoi fuqishëm se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria nuk ka çmim. Rënia heroike e komandantëve Salih Çekaj, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi dhe komandantëve e luftëtareve të tjerë, dëshmoi se Beteja e Koshares ruan vend nderi në kujtesën tonë kolektive. Përulemi para trimërisë dhe sakrificës së luftëtarëve të lirisë nga Poroji i Tetovës, Tirana e Tropoja, Tuzi e Presheva dhe vullnetarëve nga vende të tjera, të cilët iu bashkuan luftës së popullit të Kosovës për liri dhe dinjitet. I përjetshëm qoftë kujtimi dhe e pavdekshme lavdia për heronjtë e Koshares dhe luftën e popullit të Kosovës për liri.
Presidentja: Sot festojmë miratimin e Kushtetutës së Republikës Kosovës- Aktit themeltar të shtetit tonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në 15 vjetorin e miratimit të Kushtetutës ka thënë se sot festojmë miratimin e Kushtetutës së Republikës Kosovës- Aktit themeltar të shtetit tonë. Në vijim gjeni të plotë deklaratën e Presidentes Osmani: Sot festojmë miratimin e Kushtetutës së Republikës Kosovës- Aktit themeltar të shtetit tonë. Kushtetuta jonë është frymëzim për liritë dhe të drejtat qytetare, për barazi para ligjit dhe vlera të tjera, përmes të cilave, kjo kushtetutë na mban brenda familjes së madhe evropiane. Është detyrë e përbashkët, që nëpërmjet ruajtjes së sovranitetit, integritetit territorial, respektimit të vullnetit të popullit, garantimit të lirive qytetare pa dallim, t’i mbrojmë dhe avancojmë këto vlera, duke u bazuar gjithnjë në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës. Mbetet detyrë dhe prioritet i yni i përbashkët që me punë e përkushtim, t’i respektojmë dhe zbatojmë këto vlera kushtetuese, të cilat ndër të tjera janë edhe shpërfaqje e identitetit tonë.