Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani për nder të 1 qershorit, Ditës së Fëmijëve, ka pritur një grup të baletit të fëmijëve, me performancë artistike nga koreografja Rreze Qerreti, si dhe Ilda Nuhiu e Arta Haiziri, të shoqëruar nga përfaqësuesi i kompanisë vendore Flori Diamonds, Trim Gjota.
Kjo ditë iu dedikua 1133 fëmijëve të pafajshëm që u vranë në mënyrën më makabre nga regjimi gjenocidal serb gjatë luftës së viteve 1998-1999, ndërkaq numri i fëmijëve të vrarë përgjatë gjithë viteve të 90-ta është edhe më i madh. Kujtesa për ta do të jetë e gdhendur përjetësisht në një brosh të kuruar me shumë kujdes nga Flori Diamonds, i cili është i stolisur me 109 gurë të çmueshëm në kujtim të 109 fëmijëve ende të zhdukur.
Presidentja Osmani ka thënë se ky brosh do të mbetet në Presidencë si rikujtim i çdoditshëm për sakrificën e më të dashurve tanë dhe përmes tij do të jehojë anembanë botës në mënyrën e vet të heshtur, por kumbuese, historia e secilit nga fëmijët.