Presidentja në përvjetorin e masakrave në Poklek dhe në Çikatovë të Vjetër: Ajo çka kërkojmë edhe sot në këtë përvjetor është drejtësia për të gjitha viktimat

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me Zotërinë e Parë Prindon Sadriu, me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti, kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në Poklek. Presidentja Osmani ka thënë se sot është një prej ditëve më të trishta të përkujtimit të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. “Këtu në Poklek ka ngjarë një Holokaust i vërtet. Siç edhe e dini diku 54 anëtarë të familjeve Muqolli, Elshani dhe të tjerë, kryesisht gra dhe fëmijë, në fakt shumica dërrmuese prej tyre fëmijë, fillimisht janë ekzekutuar, pastaj janë djegur dy herë në mënyrë që edhe të eliminohen gjurmët e këtij krimi të llahtarshëm të forcave serbe në Kosovë”, ka theksuar Presidentja Osmani. Presidentja më tej ka thënë se kjo është një ndër dëshmitë më të fuqishme se regjimi serb kishte për qëllim shfarosjen e popullit tonë dhe kishte për qëllim që asnjë shqiptar të mos mbetet në tokën e Kosovës. “Po ashtu edhe kjo masakër, ashtu sikurse edhe ajo në Çikatovë që do të shkojmë pas pak, dëshmojnë egërsinë e këtij regjimi dhe njëkohësisht janë edhe dëshmi e dhimbshme se si akoma nuk ka drejtësi për të gjitha këto viktima të popullit tonë. Personat që e kanë urdhëruar masakrën në Poklek dihen me emër dhe mbiemër, për ta janë mbledhur prova por për fat të keq regjimi i sotëm në Serbi nuk po vendos drejtësi dhe ata që urdhëruan këto masakra në fakt po shpërblehen me pozicione edhe më të larta në policinë e Serbisë. Kjo tregon që ajo mendësi që ka ekzistuar në vitet e 90-ta në Serbi akoma vazhdon edhe sot. Pra mendësia e mohimit të gjenocidit, mendësia që eliminon çdo mundësi për vënien para drejtësisë së kriminelëve që kanë kryer këto masakra dhe mendësia shkatërrimtare e cila ka quar drejt luftërave në ish-Jugosllavi. Ne i përkujtojmë të gjitha këto viktima, në veçanti fëmijët e vegjël, përfshirë edhe foshnjën 6 muajshe Lirie Muqolli, emri i së cilës edhe e dëshmon më së miri sakrificën e jashtëzakonshme që ka bërë populli i Kosovës për liri”, ka theksuar Presidentja. Më pas krerët shtetëror kanë vizituar edhe shtëpinë e familjes Muqolli. Ndërkaq, më pas Presidentja Osmani, kryetari Konjufca dhe kryeministri Kurti kanë bërë homazhe edhe në Çikatovë të Vjetër. Presidentja Osmani tha se 17 prilli është një prej ditëve më të trishta për popullin shqiptar, është një ditë kur kemi humbur shumë njerëz tanë anekënd Kosovës, dhe edhe Çikatova e Vjetër është një dëshmi më shumë e krimeve të llahtarshme që Serbia ka kryer kundër nesh. “Edhe për këtë masakër të 17 prillit në Çikatovë, sepse në fakt nuk ka qenë kjo e vetmja, në Çikatovë ka edhe shumë të vrarë në ditë të tjera përgjatë viteve 98-të e 99-të, por edhe kjo masakër tregon që egërsia e pushtetit serb ka qenë ndaj të gjithëve, pra nuk është kursyer askush, as pleqtë, as fëmijët, as gratë dhe janë pushkatuar në raste të caktuara dhe këtu janë djegur pa asnjë mëshirë”, ka theksuar Presidentja. Ajo çka kërkojmë edhe sot në këtë përvjetor është drejtësia për të gjitha viktimat, ka shtuar Presidentja Osmani.
Urimi i Presidentes Osmani për Pashkët Ortodokse

Sot besimtarët ortodoksë kremtojnë Pashkët. Në këtë ditë, uroj që paqja dhe respekti të mbretërojë në secilën familje! Pashkët janë festë e ringjalljes, ringritjes dhe shpresës dhe mundësi për ta ndarë gëzimin e shpresën me të gjithë. Festat si kjo janë manifestim i vlerave të përbashkëta njerëzore, humanizmit e solidaritetit, të cilat ngjallin shpresë për të ardhmen! Le të dëshmohet në këtë festë shpirti ynë solidar dhe ta vazhdojmë traditën e çmuar të kremtimit të festave në frymën e mirëkuptimit, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë! Për shumë mote, gëzuar Pashkët ortodoksë!
Presidentja përkujton Masakrën e Sllovisë

Më 15 e 16 prill 1999, në fshatin Sllovi të Lipjanit, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë vranë dhe masakruan 45 civilë të pafajashëm shqiptarë dhe plagosën shumë të tjerë. Lufta jonë ishte për liri dhe kundër shfarosjes, teksa Serbia ishte agresore, ndaj kreu krime në gjithë Kosovën. Kjo masakër, sikurse të gjitha të tjerat gjithandej Kosovës janë kujtim i dhimbshëm i përpjekjes sonë për liri dhe dëshmi e egërsisë së regjimit kriminal serb. Kjo është e vërteta jonë të cilën do ta mbrojmë krahas përpjekjes së vazhdueshme që autorët e krimeve të vihen para drejtësisë.
Presidentja Osmani priti në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë vlerësuar të shkëlqyeshme, teksa të dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për thellimin e tyre. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përshëndetur marrëveshjen për shërbime ajrore të Kosovës dhe Malit të Zi, të nënshkruar dje. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova me Malin e Zi ndajnë pikëpamjet e njëjta mbi rëndësinë e integrimit euroatlantik të shteteve të rajonit si garancë për paqe e prosperitet në rajon. Sipas Presidentes Osmani, Mali i Zi është shtet mik dhe partner i Kosovës, ndaj ka shfaqur besimin se do ta mbështesë Kosovën edhe më tej në përpjekjen për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar duke përfshirë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, për të cilën gjë ka marrë mbështetjen e kryeministrit Abazoviq. Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon dhe dialogun me Serbinë. Presidentja Osmani ka potencuar se Marrëveshja e Brukselit, e trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore, megjithëse ka theksuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur. Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të koordinohet me aleatët ndërkombëtar rreth zbatimit të Marrëveshjes dhe se është e përkushtuar për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm. Ndër të tjera, në takim, nga të dy palët u tha se komuniteti shqiptar në Mal të Zi dhe ai malazez në Kosovë janë urë e fuqishme lidhëse ndërmjet të dy shteteve. Presidentja Osmani dhe kryeministri Abazoviq diskutuan edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.
Presidentja Osmani ka përmbyllur vizitën në Kalabri të Italisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përmbyllur vizitën në Kalabri të Italisë, ku ka qëndruar me ftesë të komunitetit të arbëreshëve të këtij rajoni. Në vizitat të cilat i zhvilloi në komunat arbëreshe, Ungër, Frasnitë, Çift, Shën Sofi e Epirit, Maki, Shën Mitër, Vakarici dhe Mbuzat, Presidentja, gjeti mikrpritjen dhe bujarinë e jashtëzakonshme arbëreshe. Ajo ua shprehu atyre mirënjohjen e saj për mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës e të traditave shqiptare. “Kultura arbëreshe është shtyllë e rëndësishme e kulturës sonë”, tha Presidentja. Në takimet me kryetarët e këtyre komunave Presidentja Osmani bisedoi për hartimin e projekteve të përbashkëta për kultivimin e mëtejmë të kësaj kulture. Gjatë qëndrimit në Kalabri, në një ceremoni të veçantë në komunën e Frasnitës, Presidentes Osmani, iu nda çmimi “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, nga kryetari i kësaj komune, z. Angelo Catapano. Po në Frasnitë, Presidentja inauguroi sheshin “Kosova”, i cili është emërtuar kështu nga Bashkësia e Frasnitës, në shenjë nderimi për përkushtimin e popullit të Kosovës për liri e vlera qytetëruese. Gjatë vizitës, Presidentja Osmani mbajti edhe një fjalim në Universitetin e Kalabrisë. Po kështu, Presidentja Osmani u takua me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, Roberto Occhiuto, me të cilin bisedoi për shtrirjen e mëtejme të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Rajonit të Kalabrisë, si dhe me kryetaren e Provincës së Kozencës, znj. Rosaria Succurro, me të cilën bisedoi për raportet ekonomike, politike e kulturore mes komunave të ndryshme të Kosovës dhe Provincës së Kozencës. Kjo ishte vizita e parë e Presidentes në viset e banuara me arbëreshë në Republikën Italiane.
Grupi Punues për Barazi Gjinore ka mbajtur sot punëtori me fokus në identifikimin e ndryshimeve të nevojshme ligjore konform Ligjit për Barazi Gjinore

Grupi Punues për Barazi Gjinore, i themeluar në kuadër të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, ka mbajtur sot punëtori një-ditore në të cilën u prezantua analiza për harmonizimin e ligjeve relevante me Ligjin për Barazi Gjinore, me qëllim të fuqizimit të grave dhe aktivizimin e tyre në jetën publike. Anëtarët e grupit patën mundësi të njoftohen dhe të komentojnë përmbajtjen e kësaj analize, e cila do të shërbejë si bazë për punën në muajt në vijim. Ndryshimet e nevojshme ligjore u identifikuan në sektorë të ndryshëm të pjesëmarrjes së grave në jetën publike, duke përfshirë politikën, shëndetësinë, arsimin. Tutje, Grupi Punues pas finalizimit të kësaj analize do të propozojë hapa konkret dhe do të bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse. Grupi për Barazi Gjinore funksionon në kuadër të Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës dhe garanton koordinim ndërinstitucional dhe përfaqësim gjithëpërfshirës me qëllim të mbarëvajtjes së këtij procesi të rëndësishëm për avancimin e barazisë gjinore në institucione, sektorë ekonomik dhe procese të rëndësishme publike e politike. Kjo punëtori u mbështet nga Agjencia për Barazi Gjinore/Zyra e Kryeministrit.
Presidentja Osmani u takua me zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm Italian, Antonio Tajani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u takua sot në Romë me zv. Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Italian, Antonio Tajani. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, marrëdhëniet bilaterale, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit për kultivimin dhe ruajtjen e kulturës dhe identitetit të arbëreshëve në Itali. Presidentja Osmani dhe zv. Kryeministri Tajani diskutuan për rëndësinë e marrëveshjes dhe aneksit të dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë së fundi në Bruksel dhe në Ohër, si dhe për rëndësinë e kontribuimit të vazhdueshëm për paqe e stabilitet në rajon. Presidentja Osmani potencoi se Republika e Kosovës ka dëshmuar sërish konstruktivitetin e saj në proces dhe poashtu zotimin për të zbatuar atë për të cilën është dakorduar, duke qenë palë serioze dhe plotësisht e përkushtuar për dialog. Në anën tjetër, Presidentja shtoi se pritjet e qytetarëve të Republikës së Kosovës janë që do të përmbushen edhe zotimet e partnerëve tanë, me theks të veçantë në integrimin e Kosovës në strukturat eurotlantike. Presidentja e shtroi çështjen e votimit në Këshillin e Europës duke theksuar urgjencën e një vendimi të tillë si dhe rëndësinë e anëtarësimit në këtë organizatë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, religjioni apo përkatësie tjetër. Presidentja Osmani dhe zv. Kryeminstri Tajani u pajtuan për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke e zgjeruar nivelin e marrëveshjeve të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë atë për njohjen e patentëshoferëve të Kosovës, nxitjen e bashkëpunimit ekonomik nëpërmjet forumit të bizneseve që do të organizohet së shpejti në mes të Kosovës e Italisë, thellimit të bashkëpunimit kulturor, arsimor, etj. Presidentja Osmani diskutoi me z. Tajani edhe për angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës për avancimin e mëtejmë të demokracisë dhe të sundimit të ligjit, me ç’rast i përmendi vlerësimet pozitive të raporteve kredibile ndërkombëtare. Presidentja e njoftoi zv. Kryeministrin Tajani për vizitën e zhvilluar në Kalabri në mesin e komunitetit arbëresh. Ajo foli për rëndësinë e promovimit të mëtejmë dhe kultivimit e ruajtjes së kulturës dhe identitetit të arbëreshëve në Itali, si dhe për projekte të përbashkëta që mund të shtyhen përpara me këtë qëllim ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Italisë.
Fjalimi i këshilltares së Presidentes Osmani, znj. Donika Kadaj Bujupi në marshin e mbajtur sot me rastin e 14 prillit- Ditës të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë

Të nderuar të pranishëm, E nderuara ministre Haxhiu, Të nderuar ambasadorë, Deputetë, Përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, Përfaqësues të shoqërisë civile, Të nderuar media, Shumë të nderuara znj. Vasfije, znj. Shyhrete, Të gjitha ato zonja të cilat sot fizikisht nuk janë me ne, po që na përcjellin, i përgëzoj për guximin dhe i uroj që sot më në fund kjo ditë është institucionalizuar. Të nderuar kolegë nga Presidenca, po ashtu, Më lejoni që në fillim të përcjell urimet e përzemërta të Presidentes Osmani e cila fatkeqësisht sot fizikisht nuk është me, sepse gjendet në një vizitë në Kalabri. Te dashur te pranishëm, Dhunimi i më shumë se 20 mijë personave në Kosovë, dhunimi sistematik i grave në Bosnje e Hercegovinë, sikurse edhe dhunimet masive që sot po ndodhin në Ukrainë dëshmojnë se njerëzimi vazhdon të përballet me dhunën seksuale, një ndër krimet më çnjerëzore të shndërruar në armë lufte kundër civilëve, gra e burra, shpesh edhe fëmijë. Këto krime që po vazhdojnë të ndodhin edhe në këtë shekull, shtrojnë domosdoshmërinë që të angazhohemi fillimisht t’i njohim viktimat si të tilla, t’i çmojmë për kurajën e t’i mbështesim të gjitha ato dhe ata për fuqinë e tyre, sepse njohja dhe drejtësia janë parakushte të paqes. Të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës duhet të jenë në qendër të procesit të shërimit të shoqërisë sonë. Duke kujtuar viktimat, duke njohur e përkrahur të mbijetuarit dhe duke mbajtur përgjegjës kriminelët, sigurohemi që e kaluara të mos përsëritet dhe e ardhmja të jetë më e sigurt për secilin nga ne. Miratimi i propozimit të Presidentes Osmani për ta shpallë 14 prillin- Ditë të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, dëshmon angazhimin dhe vullnetin e saj të vazhdueshëm për të qenë afër të mbijetuarve, në mënyrë që zërat e tyre të dëgjohen, historitë e tyre të njihen dhe drejtësia për ta të vendoset. Le të jetë kjo ditë në shërbim të kujtesës sonë kolektive, le t`i dëgjojmë rrëfimet e tyre të zhveshur nga stigma, ngase ata dhe ato dëshmuan se pavarësisht përpjekjeve çnjerëzore kundrejt tyre, nuk arriti askush t`i thyejë. Të mbijetuarit e dhunës janë kujtesa jonë kolektive, janë dëshmi e kohës, janë e vërteta jonë të cilën e mbrojmë sot dhe do ta mbrojmë kurdo e kudo! Sot Vasfija, Shyhretja, por edhe të gjithë ata burra e gra, janë zëri ynë. Siç e ka thënë Presidentja Osmani, në propozimin e saj për caktimin e kësaj dite, shënimi i 14 prillit do të jetë vulosje e përhershme e një kapitulli të dhimbshëm e tragjik të historisë sonë, do të jetë bashkim i zërave tonë për të dënuar dhunën seksuale si armë të luftës në Kosovë dhe kudo në botë. Faleminderit!
Presidentja Osmani kujton 24-vjetorin e Masakrës në lagjen e Kovaçëve në Mitrovicë

24-vjet më parë, Lagjja e Kovaçëve në Mitrovicë ka përjetuar ditën e tmerrshme, kur forcat paramilitare serbe masakruan 31 banorë të kësaj lagjeje. Ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë, u masakruan në lagjen e tyre, ndaj do të kujtohen përherë. Bashkë me kujtimin për ta nuk do të ndalojë asnjëherë as përpjekja për vënien e autorëve para drejtësisë. Qoftë i paharrueshëm kujtimi për 31 të masakruarit në lagjen e Kovaçëve!
Fjalimi i Presidentes në Universitetin e Kalabrisë në Itali

Gjate vizitës në Kalabri, Presidentja Osmani ka mbajtur fjalim në Universitetin e Kalabrisë. Në linkun e mëposhtëm gjeni fjalimin e Presidentes Osmani: https://www.facebook.com/VjosaOsmaniMP/videos/773563964231459