DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e hapjes së Javës së Krenarisë në Republikën e Kosovës

I nderuar Kryeministër Kurti,
Shumë të nderuar shkëlqesi ambasadorë,
I nderuar zotëri Morina dhe përfaqësues të tjerë të Qendrës për Barazi dhe Liri dhe të organizatave të tjera,
Të nderuara media,
Të nderuar të pranishëm,

Është nder që edhe sivjet, ta hapim bashkërisht Javën e Krenarisë – një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar rëndësinë e mbrojtjes së çdo anëtari të shoqërisë sonë, e të njejtën kohë për t’i adresuar sfidat me të cilat përballen personat LGBTI+, si dhe për punën tonë të përbashkët për fuqizimin e njëri tjetrit për një jetë më të dinjitetshme, më të barabartë dhe më të drejtë.

Përgjatë vitit që lamë pas, kam pasur mundësin që të bashkëbisedoj me shumë nga ju se si mund të punojmë së bashku për t’i adresuar këto sfida, për t’u siguruar që orientimi seksual nuk është faktorë i cili i përçan njerëzit, por një mundësi për ta njohur më mirë njëri tjetrin e për ta respektuar më shumë njëri tjetrin, sepse barazia e diversiteti nuk janë vlera vetëm për disa – por janë vlera për të gjithë, pa dallim.
Përgjatë viteve, Kosova ka bërë përparime në avancimin e të drejtave të personave LGBTI+.

Këto përparime, në fakt, janë të rrënjosura në Kushtetutën tonë, ndër të vetmet në botë që përqafon diversitetin si forcë jo vetëm të shoqërisë por edhe të vet shtetit, ku gjithsecili ka hapësirë që të gëzojë të drejta të barabarta, të zhveshur nga frika dhe diskriminimi. Gjithsesi, në këtë rrugë drejt barazisë së plotë, kemi ende shumë e shumë punë për të bërë. Personat LGBTI+ janë padiskutim ende shënjestër e dhunës, diskriminimit e stigmatizimit, të cilat vazhdojnë të mbesin pengesë për të arritur qëllimin tonë të përbashkët – ndërtimin e një shoqërie më të barabartë dhe më të drejtë për të gjithë.

Fatkeqësisht, kjo problematikë nuk është prezente vetëm në Kosovë, por anekënd botës, prandaj, më shumë se kurrë, përpjekjet tona për të dëshmuar se jemi të palëkundur në përkushtimin tonë për një shoqëri më të barabartë – duhet të jenë të përbashkëta.

Të drejtat e njeriut u takojnë të gjithëve, pa dallim. E në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ne nuk duhet të bëjmë kompromis. Kjo është një betejë për të garantuar një jetë të përmbushur e me dashuri, e jo një jetë në mes të stigmës e paragjykimit, një jetë nën hije e nën drojë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Kosova përgjatë vitit që shkoi, ka qenë në ballë të ndryshimeve pozitive në rajon e më gjerë sa i përket mbrojtjes të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të mëtejmë të demokracisë. Këto rezultate dëshmojnë përkushtimin tonë të vazhdueshëm, për ta forcuar sundimin e ligjit, demokracinë, dhe të drejtat e njeriut, dhe janë dëshmi se këto vlera janë udhërrëfyesi ynë kryesor përpara, në çdo vendim e në çdo përpjekje.
Si shtet, të udhëhequr nga vullneti i popullit tonë, kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për ta vendosur Kosovën në vendin të cilin e meriton, në vendin për të cilin ka kontribuar me shekuj të tërë – në mesin e familjes së shteteve demokratike evropiane. Përparimi ynë në Bashkimin Evropian, por edhe në organizmat e tjerë ndërkombëtarë, shkonë paralelisht me angazhimin tonë të përditshëm për një të ardhme më të mirë për secilin qytetar tonin pa dallim.

Prandaj, le të punojmë së bashku për të ndërtuar një shoqëri ku dashuria triumfon mbi urrejtjen, ku respekti i ndërsjellë është parakusht, dhe ku të gjithë njerëzit, pa dallim, jetojnë një jetë të plotë, të lumtur dhe në harmoni. Të punojmë së bashku për një shoqëri ku gjithsecili nga ne mund të jetojë lirshëm, të zgjedhë lirshëm dhe të dashurojë lirshëm. Sepse vetëm kështu, ne mund të ndërtojmë një shtet më të barabartë dhe më të drejtë për të gjithë.

Faleminderit, e gëzuar Java e Krenarisë!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.