I nderuari z. Ismail Kadare, mirë se keni ardhur në Presidencën e Republikës së Kosovës, mirë se keni ardhur në Kosovën tuaj të dashur!
E nderuara znj. Helena,
E nderuara Kristina,
Shumë të dashur të pranishëm,
I nderuar kryetar i Kuvendit,
E nderuar ish-presidente Jahjaga,
Kryetar i Komunës së Prishtinës,
Kryetar i Akademisë së Shkencave,
I nderuar ambasador Minxhozi,
Rektor i Universitetit të Prishtinës,
Të nderuar botues, këtu nga Prishtina,
Miq të letërsisë, gjuhës e kulturës shqiptare,
Të nderuar pjesëmarrës!
Ju falënderoj shumë për pjesëmarrjen tuaj në këtë ditë, ku të gjithë së bashku si mirënjohje – në emër të popullit të Kosovës – nderojmë shkrimtarin tonë të shquar, z. Ismail Kadare, vepra e të cilit është një enciklopedi artistike e jetës së rëndomtë të shqiptarëve, e historisë së tyre dhe e dokeve e traditave, e mbi të gjitha, të gjuhës shqipe.
I nderuar z. Kadare!
Jam shumë e lumtur për praninë tuaj këtu, aq më tepër që ndodheni këtu në kohën kur Prishtina jonë e dashur për herë të 23-të është veshur me petkun e festës së librit, si nikoqire tashmë e dëshmuar e autorëve, botuesve dhe lexuesve të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare. Prania juaj në hapjen e panairit të Librit në Prishtinë është edhe një mesazh i fuqishëm për letërsinë shqipe dhe kulturën tonë përgjithësisht.
Jam po kaq e lumtur që sot mund t’ua shpreh mirënjohjen e thellë të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të institucioneve të saj për kryeveprat letrare të cilat ju i keni shkruar, e të cilat përbëjnë një ndër thesaret më të rëndësishme kulturore tonat. Por, krahas veprimtarisë letrare, ju keni qenë vazhdimisht një pikë e rëndësishme referimi për shqiptarët kudo në botë. Krijimtaria juaj letrare, e zhvilluar kryesisht brenda rrethit të hekurt ideologjik, ka dëshmuar se liria e krijimit dhe liria e mendimit nuk mund të kontrollohen nga pushtetet, dhe se liria, pavarësisht se mund të shtypet në publik, jeton e paprekur në gjakimin e njerëzve për ta parë vendin e popullin e tyre të lirë.
Nëpërmjet krijimtarisë suaj, ju i nderuar z. Kadare keni dhënë shembullin e vyer për të gjithë qytetarët shqiptar – pavarësisht a jetojnë në Shqipëri, në Kosovë, apo gjetiu – liria e të cilëve ishte e ndrydhur, por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës në veçanti, të cilëve u ishin mohuar të drejtat e tyre kombëtare, politike e civile. Duke e trajtuar artistikisht jetën e shqiptarit, pathyeshmërinë e tij dhe dëshirën e thellë të tyre për liri, si dhe duke u vënë në mbrojtje të kësaj lirie në forume të rëndësishme intelektuale kudo në botë, ju e keni nxitur shpirtin liridashës ndër ne dhe e keni artikuluar atë gjithandej ku ju është dhënë rasti. E për këtë, u jemi shumë mirënjohës.
Gjenerata ime, sikurse edhe përplot gjenerata të tjera para e pas nesh, janë rritur e formësuar duke lexuar Kronikë në gur, Gjeneralin e ushtrisë së vdekur, Urën me tri harqe, Prillin e thyer e përplot kryevepra të letërsisë suaj, të cilat janë njëherësh kryevepra të letërsisë shqipe e të asaj të përbotshme.
Ju e keni shpalosur artistikisht si rrallëkush tjetër jetën, kulturën e traditat e shqiptarëve, zakonet e tyre, historinë e tyre. Ju e keni kultivuar gjuhën shqipe e i keni shërbyer asaj me përkushtim të paepur, duke rimarrë e ripërdorur ato që patriarku i kulturës sonë, Pjetër Bogdani, i quante “fjalë plaka” e duke e zgjeruar fjalësin e gjuhës shqipe e mundësitë e saj shprehëse. Ju e keni mbrojtur e promovuar kulturën tonë të lashtë, vjetërsinë e popullit shqiptar e të kulturës së saj, duke marrë pjesë edhe në debate mbi rolin e kësaj kulture të lashtë në krijimin e kulturës së përbashkët europiane e perëndimore, si dhe keni qenë një gardian i së drejtës së popullit shqiptar për të jetuar i lirë e i mosvarmë.
Prandaj, duke dashur t’ju falënderoj për kurajon me të cilën ju e keni prezantuar çështjen shqiptare në përgjithësi, por atë të Kosovës në veçanti, në qarqe të rëndësishme intelektuale e politike gjithandej Europës e botës, për pasurinë e pafund letrare të cilën ju na e keni dhuruar dhe për dashurinë e pamasë me të cilën ju e keni përfaqësuar kombin gjithandej globit, më lejoni t’ju ftoj z. Kadare dhe të i ftoj të gjithë mysafirët që të ngriten në këmbë për ceremoninë e dekorimit tuaj me urdhrin më të lartë të cilin Republika e Kosovës, dhe në këtë rast unë si Presidente e ndaj në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, urdhrin “Hasan Prishtina”.
Edhe një herë, kam nderin e jashtëzakonshëm që në përputhje me kompetencat kushtetuese të Presidentes së Republikës së Kosovës, që në emër te popullit të Kosovës, t’i ndaj z. Ismail Kadare urdhrin “Hasan Prishtina” me këtë motivacion:
Për mjeshtërinë e jashtëzakonshme në artin e fjalës, të shprehur gjithandej veprave të tij, për përkushtimin me të cilin e ka mbrojtur të drejtën e Kosovës për liri e pavarësi, si dhe për vlerat letrare e intelektuale me të cilat është paraqitur nëpër botë dhe me të cilat e ka lartësuar gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe si dhe vetë popullin shqiptar.
Z. Kadare, jam e nderuar që t’ju ndaj urdhrin!