presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në manifestimin qendror për shënimin e 145 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit

I nderuar President i Shqipërisë, z. Bajram Begaj, ju falënderoj sot që na u bashkuat në këtë ditë të madhe të Kombit Shqiptar!
I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca!
I nderuar kryeministër, z. Kurti!
Të nderuar Zëvendëskryeministra, Ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës!
Përfaqësues të Komunës së Prizrenit!
Përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale!
Përfaqësues të medieve!
Të dashur qytetarë të Prizrenit, të Republikës së Kosovës, të Shqipërisë e të trojeve shqiptare!

Jam e nderuar që sot mund t’ua uroj të gjithëve, të gjithë qytetarëve të Republikës, dhe të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen përvjetorin e 145-të të Lidhjes së Prizrenit, pikërisht nga vendi i cili në kujtesën e çdo shqiptari simbolizon vendin e lidhjes sonë të përhershme me njëri-tjetrin, vendin e përafrimit e të përbashkimit të shqiptarëve drejt një qëllimi madhor: atë të lirisë kombëtare.

Lidhja e Prizrenit i bashkoi shqiptarët e të katër vilajeteve të atëhershme shqiptare dhe i artikuloi kumbueshëm qëndrimet politike të kombit shqiptar në një moment të rëndë të historisë sonë, ndërkohë që tokat shqiptare rrezikonin të copëtoheshin mes fqinjësh ballkanikë, si rrjedhojë e vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit dhe atij të Berlinit.

Pikërisht si përpjekje për t’i zmbrapsur këto qëllime, patriotët shqiptarë, të ardhur nga të katër anët dhe të mbledhur në Prizren, më 10 qershor 1878 dëshmuan vetëdije të lartë kombëtare: ata nuk pranuan që trojet shqiptare të mbeteshin nën okupim, por as që të bëheshin pre e fqinjëve gllabërues. Ata kërkuan të jetësonin shtetin e shqiptarëve, si instrument themelor të jetesës kombëtare. Kësisoj, ata po i vënin në jetë mësimet e lëna nga shumë shqiptarë, De Rada para së gjithash, për rilindjen e kombit e për organizimin e tyre në njësi të pavarur shtetërore.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte po kështu thirrje për rizgjim e bashkim kombëtar në kohën kur po rrezikohej ekzistenca e këtij kombi të lashtë. Ajo e shprehu qartë jo vetëm përcaktimin e shqiptarëve për shtet të pavarur, si instrument të rëndësishëm politik për realizimin e aspiratave të tyre, por edhe orientimin e tyre drejt familjes e vlerave më të larta qytetëruese perëndimore. Lidhja, megjithëse ishte thirrur brenda kornizës politike të paracaktuar nga Perandoria Osmane tregoi vetëdije të lartë politike e shtetërore dhe u shndërrua në platformë të fuqishme nacionale. Kësisoj, ajo e shtroi platformën politike për shtet të mëvetësishëm të shqiptarëve, bënë thirrje për kryengritje të përgjithshme dhe e motivuan përlindjen e një lëvizjeje e cila do ta përmbyllte procesin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Këmbëngulja e patriotëve si Abdyl Frashëri e Imer Prizreni, vizioni i tyre i qartë për të ardhmen e popullit shqiptar dhe vendosmëria e tyre për realizimin e ideve të tyre ndikoi që shqiptarët ta fitonin lirinë.

I nderuar zoti President!
Të nderuar të pranishëm!

Lidhja e Prizrenit, përvjetorin e së cilës po e shënojmë sot, ka shërbyer si model i përhershëm, nga i cili janë frymëzuar breza të tërë intelektualësh, dijetarësh, shkrimtarësh e politikanësh dhe nga i cili kanë buruar projekte të tjera përbashkuese, të tipit nacional-kulturor, sikurse ai i viteve ’90 për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, i cili shënoi projektin më të madh modern të shqiptarëve, modeli i si cilës gjendet pikërisht në veprat e patriotëve tanë, të mbledhur në këtë vend 145 vjet më parë. Vetëdija të cilën e kishte krijuar Lidhja e Prizrenit dhe përcaktimi për vlerat qytetëruese perëndimore janë shndërruar në premisa të përhershme, së cilave ne u kthehemi vazhdimisht dhe të cilat na shërbejnë si brumë frymëzimi.

Të dashur qytetarë!

Në frymën e Lidhjes së Prizrenit, vetëm pas dy ditësh ne do ta shënojmë një tjetër të arritur të madhe të popullit shqiptar, e cila është rezultat edhe i frymës së Lidhjes së Prizrenit, e vetëdijes së saj, e cila u rimor si model dhe u shndërrua në platformë të veprimit politik: do ta shënojmë ditën e çlirimit të Kosovës dhe korrigjimin e një padrejtësie të madhe, e cila u qe bërë shqiptarëve të Kosovës, duke i vënë ata përdhunshëm nën një sajesë artificiale.

Po në frymën e Lidhjes së Prizrenit, dijetarët e atëhershëm, të prirë nga ati themeltar i shtetit të pavarur të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, e artikuluan qartë vizionin politik për shtet të pavarur, e udhëhoqën popullin shqiptar drejt saj, duke e çliruar atë fillimisht së brendshmi e pastaj, me formimin e UÇK-së dhe luftën e saj të vendosur për çlirim, si dhe me ndihmën e NATO-s e të shteteve aleate, fillimisht të udhëhequra e edhe pastaj të fuqizuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritëm edhe lirinë e plotë fizike të shtetit tonë. Pra, liria e Kosovës erdhi nëpërmjet luftës çlirimtare të shtetit të Kosovës, të popullit të Kosovës, por edhe me përkrahjen e pakusht të shteteve aleate të cilat edhe sot i kemi pranë nesh e për të cilat do të jemi gjithmonë falënderues. Por edhe si rezultat i një solidariteti të skajshëm ndërmjet shqiptarëve modelin e së cilës ne e kemi gjetur pikërisht në vlerat që i trashëguam nga Lidhja e Prizrenit. Ngjashëm me kohen e Lidhjes ne u solidarizuam më njëri-tjetrin dhe dëshmuam se liria është e pandalshme kur është përcaktim i qytetarëve të një vendi e kur është përcaktim i vullnetit të një populli.

Urime përvjetori i Lidhjes së Prizrenit!
Zoti e bekoftë Lidhjen e Prizrenit!
Zoti i bekoftë patriotët tanë!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.