Urimi i Presidentes Osmani për Fitër Bajram

Uroj që Fitër Bajrami të kalojë në atmosferë dashurie, shprese, solidariteti e humanizmi. Kjo festë që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, karakterizohet me solidaritet ndërnjerëzor, një trashëgimi e jona e bartur ndër breza. Le të shërbejë kjo ditë feste për t`u ofruar me njëri-tjetrin, sikurse edhe për t`i mbështetur njerëzit e tjerë në nevojë. U pranofshin lutjet tuaja dhe sakrifica përgjatë muajit të Ramazanit dhe ju përcjelltë gjithnjë shëndeti, mbarësia dhe begatia në familjet tuaja! Me fat Fitër Bajramin!
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier. Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në vend, si dhe procesin e anëtarësimit të Kosovës ne strukturat euroatlantike. Në takim u konfirmua gatishmëria për bashkëpunim dhe koordinimin të vazhdueshëm në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket procesit të dialogut. Po ashtu, theks i veçantë është vënë në rëndësinë e avancimit tutje të raporteve bilaterale.
Presidentja Osmani pas takimit me ministrin Billström: Kosova dhe Suedia partnere në mbrojtje të vlerave evropiane

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ministrin për Punë të Jashtme të Suedisë, Tobias Billström, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e shtetit suedez ndaj Kosovës që nga vitet e 90-ta, në procesin e shtetformimit, shtetëndërtimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Në takim u diskutua për situatën aktuale politike në vend e rajon, procesin e dialogut me Serbinë si dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Presidentja Osmani ka theksuar se me liberalizimin e vizave për Kosovën, mori fund padrejtësia ndaj qytetarëve të Kosovës. Por, sipas Presidentes Osmani, synimi i Kosovës është që të bëhet edhe anëtare e familjes së madhe evropiane. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani kërkoi mbështetje nga ministri Billström që Suedia si kryesuese e Këshillit të BE-së, ta mbështes aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, i cili është orientim strategjik. Mbështetja e Suedisë në këtë drejtim, sipas Presidentes Osmani është thelbësore për të ecur përpara me procesin e anëtarësimit në BE, duke ia dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat. Ndërkaq në raport me procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani theksoi se Marrëveshja e Brukselit, e trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore. Megjithatë, Presidentja Osmani ka potencuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur. Sipas Presidentes Osmani, Kosova do të vazhdojë të koordinohet me aleatët ndërkombëtar rreth zbatimit të Marrëveshjes dhe se është e përkushtuar për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm. Presidentja Osmani në takim me ministrin Billström ka falënderuar Suedinë, e cila ka mbështetur Kosovën në procesin e reformave, zhvillimin ekonomik, promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, mbrojtjen e biodiversitetit dhe qëndrueshmërisë mjedisore sikurse edhe në shkëmbimet kulturore.
Kosova anëtarësohet në Justice Action Coalition

Me iniciativë të Presidencës së Republikës së Kosovës, si pjesë e zotimeve të Samitit për Demokraci, Kosova është anëtarësuar në Justice Action Coalition, duke iu bashkuar kështu Shteteve të Bashkuara dhe një grupi të shteteve tjera demokratike që synojnë ta promovojnë kolektivisht drejtësinë e përqendruar tek qytetarët në të gjitha nivelet. “Përmes këtij koalicioni, Republika e Kosovës do të kontribuojë në zhvillimin e strategjive dhe prioriteteve ndërkombëtare të cilat kanë për qëllim qasjen e barabartë në drejtësi për të gjithë”, ka thënë Presidentja Osmani, duke rikonfirmuar edhe një herë përkushtimin e palëkundur për forcimin e sundimit të ligjit dhe demokracisë në Kosovë dhe jashtë saj. Republika e Kosovës, përgjatë vitit të kaluar ka arritur suksese të rëndësishme në të tri zotimet e Samitit për Demokraci, të cilat kishin për qëllim fuqizimin e sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, luftimin e autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Për shkak të këtij suksesi, nga më shumë se 100 shtete pjesëmarrëse, Presidenca e Republikës së Kosovës, si institucion udhëheqës në Kosovë përgjatë “Vitit të Veprimit”, në kuadër të Samitit për Demokraci, është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë që të bashkudhëheqë me grupin tematik për sundim të ligjit. Presidentja Osmani në Samitin e Dytë për Demokraci ishte folëse në seancë plenare me presidentin Macron, kryeministrin britanik, Sunak dhe kancelarin gjerman Scholz, ku ndër të tjera, riafirmoi se përkushtimi i Republikës së Kosovës për demokraci ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i pathyeshëm.
Presidentja: Komandant Sali Çekaj ishte njëri ndër strategët më të shquar të luftës, por veprimtar i paepur në përpjekjet e popullit të Kosovës për liri

Deklarata e plotë e Presidentes Osmani: 24 vjet më parë ra heroikisht njëri ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroi i kombit, Sali Çekaj. Ai ra në fushëbetejën e Koshares, njërën ndër betejat vendimtare jo vetëm për ta thyer kufirin e egër që i ndante shqiptarët, por edhe mitin e rremë për pathyeshmërinë e forcave serbe. Komandant Çekaj ishte njëri ndër strategët më të shquar të luftës, por veprimtar i paepur në përpjekjet e popullit të Kosovës për liri. Veprimtarinë atdhetare e nisi herët, për të mos iu ndarë deri në rënien e tij heroike, më 19 prill 1999. Njëherë në Kosovë e më pas në mërgim, ai dëshmoi se si punohet e vdiset për atdhe. Së bashku me Agim Ramadanin e bashkëluftëtarë të tjerë, Saliu iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u shqua si strateg ushtarak. Si komandant i Brigadës 134, la gjurmë të pashlyera në organizimin e UÇK-së dhe të betejave të saj për liri. I përjetshëm kujtimi për të!
Fjalimi i Presidentes Osmani në programin përmbyllës të fushatës “Art për Shpresë”

I nderuar ambasador Angılı, Të nderuar Ministra, Deputetë të Kuvendit të Kosovës, Kryetar të komunave, Të nderuar përfaqësues të institutit “Yunus Emre”, Përfaqësues të komunitetit turk, Përfaqësues të KFOR-it, Anëtarë të Ekipit të Kërkim Shpëtimit nga FSK dhe anëtarë të Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit, Vërtetë jam e nderuar që të jem sonte në mesin tuaj në këtë iftar të përbashkët. Ku të gjithë i mbledhim forcat bashkë rreth një kauze kaq të rëndësishme e humanitare. E këtë po e bëjmë në muajin e shenjët të Ramazanit, që është muaj i mirësisë e solidaritetit ndërnjerëzor. Populli ynë, populli i Kosovës e ka traditë që gjithnjë t’i qëndrojë pranë njëri-tjetrit. Solidaritetin e kemi kultivuar në vazhdimësi, ashtu siç i jemi gjetur pranë edhe shtetit turk në muajin shkurt pas tërmetit shkatërrues, e sërish jemi edhe sonte këtu për ta demonstruar shpirtin human për qytetarët turq që kanë nevojë edhe më tej për ndihmën dhe përkrahjen tonë. Ky aktivitet që mbanë emrin “Art dhe shpresë”, është një përpjekje që sadopak t`u dalim ndihmë miqve tanë në Turqi, dhe të gjithë atyre që pësuan nga tërmeti i shkurtit të këtij viti, i cili mori mijëra jetë dhe la shumë njerëz pa strehë. Secili nga ne mund të bëj diçka pak që për ta do të thotë shumë. Ata që më së shumti e treguan shpirtin solidar të Kosovës ishin ushtarët tanë të FSK-së dhe Shoqata e Kërkim-Shpëtimit. Ata shpëtuan jetë dhe njëkohësisht u shndërruan në krenarinë e vendit tonë. Natyrisht që pasojat e kësaj tragjedie janë tepër të mëdha, për fat të keq jetërat nuk kthehen më, por janë lidhjet ndërmjet popujve, lidhjet e fuqishme që janë krijuar gjatë kësaj periudhe që sadopak do t’ju ndihmojnë që ta zbusin këtë dhimbje. Prandaj ne jemi këtu për të dërguar edhe një herë mesazh për popullin turk se ata nuk janë vetëm. Secili qytetarë i Kosovës e ndanë dhimbjen me ta dhe do të bëjmë çfarëdo që mundemi që t`u dalim në ndihmë për t`ua lehtësuar sadopak dhimbjen. Por, përtej fjalëve tona, qytetarët e Turqisë kanë nevojë për ndihmë konkrete. Prandaj një mobilizim sikur ky sonte është në funksion të së mirës, ndaj sonte i ftoj të gjithë vullnetmirët që të bëjnë gjithçka që munden në mënyrë që t’i ndihmojnë këta qytetarë. Që sadopak të ndihmojmë që këtyre qytetarëve të Turqisë, t`ju kthejnë shpresën dhe motivin për jetë Çfarëdo ndihme për ta do të thotë shumë. Prandaj, shpresa dhe arti sonte janë një. Që të dyja janë në funksion të ndihmës e solidaritetit për të goditurit nga tërmeti. Prandaj jam e bindur që secili do ta tregojë shpirtin solidar, duke hapur zemrën me ndihma konkrete për ata që pësuan nga tërmeti. Në vitet më të errëta për ne, Turqia hapi dyert për shumë refugjatë nga Kosova dhe Turqia qëndroi me ne në çdo hapë në procesin e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës. Ne do të jemi falënderues përherë, e tani është koha që t’ia kthejmë këtë të mirë duke ndihmuar si mundemi e me çfarë mundemi për të gjithë qytetarët e goditur nga tërmeti. Ky do të ishte një falënderim, por edhe një urim që njëri- tjetrit t’i dalim në krah si në ditë të mira, ashtu edhe në ditë të vështira! Turqia nuk është vetëm! Kosova gjithmonë do të jetë pranë jush!
Presidentja: Vendimi i sotëm final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është fitore, jo vetëm për vendin tonë, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përshëndetur vendimin e sotëm për liberalizimin e vizave. Presidentja Osmani ka thënë se ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme. Në vijim gjeni të plotë deklaratën e Presidentes Osmani: Vendimi i sotëm final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është fitore, jo vetëm për vendin tonë, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë. Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme. Më 1 janar 2024, qytetarët tanë më në fund do të ndihen të barabartë me popujt tjerë evropian, për të lëvizur lirshëm në kontinentin që ata i përkasin, e për të cilin kanë kontribuar ndër shekuj. Tanimë, lëvizja në shtetet evropiane është më e lehtë, familjet tona janë më afër dhe mundësitë për avancim e bashkëpunim më të mëdha.
Fjalimi i Presidentes Osmani në hapje të konferencës rajonale “15 Vjet të Mbikëqyrjes së Sektorit Publik të Sigurisë”, organizuar nga QKSS

I nderuar z. Vrajolli, Të nderuar panelistë, Të nderuar shkëlqësi ambasadorë, Të nderuar të pranishëm, Ekspertë të fushë së sigurisë, Zonja dhe zotërinj, Edhe mua më vjen keq që po fillojmë me vonesë, për fat të keq nganjëherë janë rrethana jashtë duarve tona, por megjithatë besoj që do të keni diskutime të frytshme përgjatë shënimit të këtij 15 vjetori. Kam kënaqësinë e veçantë që të jem sot në mesin tuaj për të shënuar 15 vjetorin e fillimit të punës suaj kërkimore në fushën e politikave të sigurisë. Zhvillimi i sektorit të sigurisë dhe institucioneve të sundimit të ligjit të Republikës sonë, dhe më e rëndësishmja, bashkëpunimi ynë me qëllimin e përbashkët paqen dhe sigurinë afatgjate në rajon është diçka për të cilën QKSS ka dhënë dhe vazhdon të japë kontribut shumë të rëndësishëm. Ju përgëzoj po ashtu për faktin se në këtë jubile keni vendosur që ta kremtoni me një konferencë edhe të karakterit rajonal, e cila dëshmon përkushtimin tuaj të fuqishëm për zhvillimin dhe reformën e sektorit të sigurisë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Hulumtimet tuaja profesionale me qasje proaktive e me metodologji bashkëkohore kanë rezultuar me indikatorë shumë kredibil të cilat kanë kontribuar në forcimin e parimit të qeverisjes së mirë, integritetit profesional dhe qëndrueshmërisë së institucioneve të sigurisë në vendin tonë. Puna me ekspertizën tuaj në fushën e studimeve të sigurisë ka komplementuar edhe punën e institucioneve tjera, përfshirë edhe institucionet akademike në fushën e sigurisë në vend, si dhe ka ndihmuar që shoqëria civile të shihet si promotor i komunikimit, i llogaridhënies dhe ndryshimit pozitiv në demokracinë tonë. Si rezultat i kësaj, ju po vazhdoni të luani rol vendimtar në ndërtimin dhe konsolidimin e demokracisë funksionale të Kosovës. Raportet, analizat dhe përmbledhjet lidhur me politikat e sigurisë duke përfshirë edhe rolin e grave, por edhe komuniteteve jo shumicë në hartimin dhe zbatimin e këtyre politikave, kanë ndikuar që të rritet akoma më shumë niveli i përgjegjshmërisë dhe i performancës së institucioneve tona dhe i atyre në rajon. Prandaj, ju falënderoj për këtë punë, për profesionalizmin tuaj dhe uroj që të vazhdoni tutje punën tuaj në këtë frymë e më këtë zell! Të nderuar të pranishëm, Mjedisi i sigurisë në vendin tonë pashmangshëm ndikohet nga mjedisi global i sigurisë në përgjithësi dhe ai rajonal në veçanti. Paqja reale dhe e qëndrueshme kërkon partnerë të përkushtuar dhe qëllime të përbashkëta. Kosova është dhe do të mbetet partnere e të gjithë atyre që i ofrojnë shoqërisë zgjidhje që garantojnë paqen dhe sigurinë në vendin tonë, në rajon dhe në mbarë botën. Sot jemi dëshmitarë që mjedisi global dhe rajonal vazhdon të mbetet i pasigurt dhe jashtëzakonisht kompleks. Jemi poashtu dëshmitarë të çdoditshëm të aspiratave për pushtime territoriale nga ana e vendeve hegjemoniste. Agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka rritur rrezikun që edhe vende të tjera me aspirata të njëjta si Rusia të ndërmarrin veprime territoriale ndaj vendeve të pavarura e sovrane. Lufta e padrejtë dhe e paligjshme e Rusisë kundër Ukrainës duhet të shërbejë si ilustrim për të gjithë se vakuumi gjithnjë keqpërdoret nga shtetet që kanë qëllime malinje, si Rusia, të cilat shfrytëzojë situatën e krijuar në dëm të të gjithëve. E krahas kësaj sfide jashtëzakonisht serioze, ne sot po jetojmë në një botë po kaq komplekse dhe të pasigurt me kërcënime dhe rreziqe të shumta që sa vijnë e shtohen. Duke vlerësuar këtë realitet, si Presidente e Republikës, në cilësi të Komandantes Supreme të Forcës së Sigurisë e poashtu në cilësinë e Kryesueses së Këshillit të Sigurisë por vetëm në gjendje të jashtëzakonshme, së bashku me institucionet dhe autoritetet e tjera politikëbërëse dhe vendimmarrëse të vendit, në veçanti ato që merren me sektorin e sigurisë, kemi hartuar fillimisht dhe pastaj edhe miratuar Strategjinë e Sigurisë, ku vendi ynë ka përcaktuar politikat e sigurisë dhe interesat shtetërore të Republikës së Kosovës në funksion të sigurisë së përgjithshme, në funksion të mbrojtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror, si dhe të jetës dhe pronës së qytetarëve të vendit pa dallim. Ky angazhim i yni i përbashkët shpërfaq konsolidimin e vazhdueshëm të arkitekturës së Sigurisë së Republikës sonë. Si demokracia më e re në Evropë, jemi shumë të vetëdijshëm se kemi shumë punë përpara nesh dhe se puna në këtë drejtim është në fakt në progres e sipër. Kjo punë mbështetet jo vetëm në institucionet tona, por edhe në shoqërinë tonë civile. Jemi kujdesur maksimalisht që koncepti ynë i sigurisë dhe i mbrojtjes së vendit të jetë i bazuar plotësisht në konceptin e bashkëpunimit me aleatët tanë strategjik dhe ndërtimin e aftësive dhe kapaciteteve tona shtetërore ku, ndër të tjera, jo vetëm burrat por edhe gratë dhe vajzat, e të gjithë qytetarët tanë pa dallim të jenë pjesë e çdo institucioni, çdo veprimi dhe çdo vendimi. Kjo nënkupton edhe mbulimin e plotë të gamës së çështjeve, nisur nga lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtja e kufijve, mbrojtja e sistemeve dhe infrastrukturës vitale nga armiqtë, e deri tek luftimi i dhunës dhe garantimi i barazisë gjinore në shoqërinë tonë. Kërcënimet dhe rreziqet jokonvencionale si ato të luftës hibride dhe asimetrike, pashmangshëm kërkojnë reagim dhe mbrojtje kolektive, prandaj edhe vendi ynë dhe i gjithë spektri i institucioneve që përbëjnë arkitekturën e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit, janë në bashkëpunim dhe në koordinim të plotë me strukturat homologe të vendeve tona aleate. Fokusi ynë është qëllimi i bashkëpunimit bilateral dhe multilateral, zgjerimi i spektrit të partneriteteve të reja dhe integrimi sa më i shpejtë në strukturat evropiane dhe euroatlantike, respektivisht anëtarësimi në BE dhe në NATO. Besojmë se ky bashkëpunim përveç në nivele bilaterale, së shpejti do të kurorëzohet edhe me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Kartën e Adriatikut dhe poashtu edhe në Partneritetin për Paqe si parakusht për anëtarësim në NATO. Ndërtimi, zhvillimi dhe forcimi i institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit përgjatë 15 viteve të pavarësisë, me përkrahjen e madhe të partnerëve tanë, ka ndikuar që gradualisht të shndërrohemi në eksportues të sigurisë, dhe promovues e mbrojtës të denjë të
Presidentja Osmani bën homazhe në Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës: Dëshmorët e UÇK-së janë kujtimi dhe motivi i përhershëm për Republikën e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën e Dëshmorëve të komunës së Prishtinës, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve. Republika e Kosovës, sipas Presidentes Osmani është ideali i shumë brezave dhe kontribut i dëshmorëve të UÇK-së, të cilët e përmbushën ëndrrën tonë për liri dhe shtet. “Sot përkulemi para veprës së të gjithë dëshmorëve të UÇK-së nga komuna e Prishtinës, të cilët mbrojtën dinjitetin tonë, na bën krenarë me heroizmin e tyre duke dhënë jetën për lirinë tonë, për shtetin tonë. Ata do të jenë përherë udhërrëfyes për brezat dhe kujtesa jonë për rrugën nëpër të cilën kemi kaluar deri te liria. Dëshmorët e UÇK-së, janë kujtimi dhe motivi i përhershëm për Republikën e Kosovës”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani mori pjesë në iftarin e shtruar nga kryekuvendari Glauk Konjufca për krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në iftarin e shtruar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca për drejtues të Bashkësisë Islame të Kosovës. “Bashkë me krerët e BIK-ut mora pjesë në iftarin e shtruar nga kryetari i Kuvendit, z.Konjufca. U mblodhëm bashkë, siç e do fryma e këtij muaji, esenca e të cilit është forcimi i lidhjeve familjare dhe shoqërore. Solidariteti mirëkuptimi, dashuria dhe mëshira qofshin përherë prezentë në familjet tona”, ka theksuar Presidentja Osmani.