Presidentja Osmani: Kidnapimi i tre zyrtarëve policorë është agresion nga ana e Serbisë, të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht

Presidentja e Republikë së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas kidnapimit të zyrtarëve policorë të Kosovës brenda territorit të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë. Deklarata e plotë e Presidentes Osmani: Kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës është agresion nga ana e Serbisë. Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit. Akti i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima. Policia e Kosovës ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin për të gjithë qytetarët pa dallim, ndaj një akt i tillë kërkon një reagim të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit. Zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht! Institucionet e Kosovës nuk do të heqin dorë nga angazhimi për sundimin e ligjit, sikurse edhe nga përkushtimi për paqe e stabilitet afatgjatë!

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në seancën plenare të Parlamentit Evropian

Liri, Pavarësi, Demokraci Freedom, Independence, Democracy Liberté, Indépendance, Démocratie E nderuar Presidente Metsola, Të nderuar deputetë të Parlamentit Evropian, Këto tri fjalë të fuqishme, nuk ishin vetëm fjalë të shqiptuara me pasion dhe në vazhdimësi nga Ati themeltar i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Këto në fakt kanë qenë vizion i popullit të Kosovës. Sot ai vizion i Rugovës, heronjve tanë dhe popullit tonë është realitet. Kosova sot është e lirë. Kosova sot është e pavarur. Dhe Kosova sot është një fener i demokracisë. 25 vjet më parë, këtu në Strasburg, lideri ynë vizionar, Presidenti Rugova u nderua me çmimin Saharov nga Parlamenti Evropian. Atë ditë ai u prezantua nga Presidenti i atëhershëm i Parlamentit si “një njeri që është zëri i popullit të tij, një popull zëri i të cilit rrallë mund të dëgjohet”. Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t’u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky Union (Bashkimi Evropian) i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur. Në mes të luftës, teksa tanket hynin në vendlindjen time në Mitrovicë, unë isha vetëm 15 vjeçe në atë kohë dhe mbaj mend se si ai moment, ai fjalim, na dha aq shumë shpresë. Më në fund po dëgjoheshim. Evropa jo vetëm që ia kishte hapur dyert Presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht. Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem Presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që do të flas para Parlamentit Evropian, për t’ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë tonë dhe pavarësinë. Ndërsa Presidenti Rugova po e përmbyllte fjalimin e tij, ai përmendi fjalën e urtë të vjetër shqiptare, duke thënë: “Shtëpia nuk mbahet pa miq”. Kjo ishte e vërtetë për ne gjatë viteve ’90, por është po aq e vërtetë edhe sot, ndërsa ne kërkojmë të forcojmë aleancat tona dhe një ditë t’ju bashkohemi këtu në këtë familje kombesh. Sot jam këtu për të shprehur mirënjohjen më të thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen tuaj të palëkundur dhe në këtë moment kritik, t’ju bëj thirrje që të qëndroni të palëkundur pranë nesh. Jo vetëm se jemi pjesë e familjes së kombeve që formojnë kontinentin tonë, por sepse vlerat që përfaqëson ky Union janë pjesë themelore e historisë sonë. Vlerat evropiane janë thurur thellë brenda indeve të shoqërisë sonë. Ne, populli i Kosovës, kemi ecur krah për krah me institucionet evropiane, të lidhur nga një trashëgimi e pasur. Ne vazhdojmë të ecim krah për krah ndërsa luftojmë për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta. Dhe ne do të qëndrojmë krah për krah gjersa e udhëheqim kontinentin tonë drejt arritjes së një Evrope të bashkuar, të lirë dhe në paqe. Sot, unë qëndroj para jush jo vetëm si Presidente e një populli të përbetuar evropian dhe e një vendi të orientuar kah BE-ja, por edhe si Presidentja e evropianëve më të rinj. Vendi ynë është vatër e energjisë së pashterrur, talentit të jashtëzakonshëm dhe entuziazmit të zjarrtë evropian. Kosova është Evropë, dhe të jesh kosovar do të thotë të jesh evropian. Republika jonë e re lindi nën ritmin dhe tingujt e Evropës. Kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, në mungesë të himnit shtetëor, himni evropian jehoi në institucionet, sheshet dhe rrugët e vendit tim. Ashtu si shpirti i patrembur i një Republike të sapolindur, himni “Ode of Joy” rezononte me ndjenjat që mbartnim në zemrat dhe shpirtrat tanë, duke adhuruar dhe përqafuar idealet e lirisë, paqes dhe solidaritetit. Të vendosur për t’iu bashkuar familjes evropiane të kombeve dhe të frymëzuar nga Bashkimi Evropian, gjetëm prehë dhe unitet në gjuhën universale të muzikës. Ky akt shkoi përtej simbolizmit; ishte deklarata jonë për botën se Bashkimi Evropian ishte destinacioni ynë i drejtë dhe një thirrje për institucionet evropiane që të përqafojnë aspiratat tona të palëkundura. Në moshën 15 vjeçare, Republika e Kosovës mbetet vendi më pro BE-së në rajon dhe më gjerë. Mbi 90% e njerëzve tanë shprehin dëshirën e tyre të pakompromis për t’iu bashkuar këtyre institucioneve, që përmbledhë orientimin tonë strategjik historik. I gdhendur edhe në kushtetutën tonë, integrimi euroatlantik mbetet destinacioni ynë i parë dhe i vetëm. Integrimi euroatlantik nuk është vetëm ambicie e jona; jam e bindur se së shpejti do të jetë e ardhmja jonë. Vlerat evropiane dhe fryma e BE-së janë të ngulitura thellë në ADN-në tonë. Janë këto vlera që formësuan të kaluarën tonë, që e frymëzojnë të tashmen dhe na udhëheqin drejt një të ardhmeje ku Kosova lulëzon si fener i idealeve evropiane. Zonja dhe zoterinj, Të nderuar anëtarë të Parlamentit Evropian, Republika e Kosovës qëndron si testament i qëndrueshmërisë, vendosmërisë dhe shpirtit të palëkundur të qytetarëve të saj, të luftës sonë çlirimtare, si dhe mbështetjes së aleatëve dhe partnerëve, siç është ky institucion i rëndësishëm. Vetë ekzistenca e vendit tonë dëshmon se çfarë mund të arrijnë demokracitë kur qëndrojnë në krah të të shtypurve; kur qëndrojnë pranë atyre që luftojnë për drejtësi dhe barazi dhe kur të gjithë së bashku qëndrojmë kundër tiranisë, diktaturës dhe gjenocidit. Kur qëndrojmë së bashku si evropianë, liria triumfon, demokracitë forcohen, barazia vihet në jetë, prosperiteti rritet dhe aleanca të pathyeshme krijohen. Jam e bindur se i njëjti unitet dhe vendosmëria për të ardhmen euroatlantike do të vazhdojë ta udhëheqë Ukrainën deri në fitore. Në kohë pasigurishë dhe trazirash të mëdha në Evropë, veprimet që ne ndërmarrim tani – së bashku – do ta përcaktojnë të ardhmen tonë në mënyra thelbësore. Mbase më e rëndësishme do të jetë mënyra se si ne përgjigjemi sesa vetë sfida. Sfidat morale si ajo me të cilën përballemi sot në tokën evropiane, me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, nuk duhet të kenë nevojë për debate të gjata filozofike apo politike, sepse përgjigja duhet

Presidentja Osmani takoi Përfaqësuesit e Përhershëm të Këshillit të Evropës në Strasburg

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Strasburg ka takuar Përfaqësuesit e Përhershëm të Këshillit të Evropës. Gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani i njoftoi Përfaqësuesit e Përhershëm për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. “Në Strasburg i informova Përfaqësuesit e Përhershëm të Këshillit të Evropës të vendeve aleate nëpër Evropë për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës. Ne jemi të bashkuar përmes vlerave tona dhe në këtë kohë sfiduese për Evropën, ne jemi edhe më të fortë kur jemi të bashkuar për mbrojtjen e tyre”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani në takim me Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejčinović Burić: Kosova është mishërim i vlerave që përfaqëson Këshilli i Evropës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Strasburg ka takuar Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejčinović Burić. Presidentja Osmani ka theksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për demokraci, sundim të ligjit dhe të drejta të njeriut, si tri shtyllat themelore mbi të cilat qëndron Këshilli i Evropës. Presidentja Osmani potencoi se Kosova është mishërim i vlerave që përfaqëson Këshilli i Evropës. Presidentja Osmani theksoi rolin e rëndësishëm që luan kjo organizatë në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, ndërsa shprehu domosdoshmërinë për anëtarësimin e Kosovës, duke nënvizuar progresin që ka shënuar Kosova në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, duke përfshirë kornizën kushtetuese dhe ligjore, e cila është shumë e avancuar dhe plotësisht e harmonizuar me konventa ndërkombëtare. Presidentja ka thënë, më tutje, se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut nëpërmjet mekanizmave që i ofron Këshilli e të cilat do të shërbenin si mekanizëm shtesë për mbrojtjen e garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës. “Qasja në institucionet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është mbi të gjitha në interes të qytetarëve të Kosovës, pa dallim”, ka thënë Presidentja Osmani. Presidentja Osmani ka shfaqur besim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të vlerësohet pozitivisht nga deputetët e shteteve anëtare në Asamblenë Parlamentare, si dhe ka shprehur përkushtimin e plotë që të vazhdohet puna e përbashkët me shtete mike për ta avancuar tutje këtë proces.

Presidentja Osmani do t’i adresohet këtë të mërkurë Parlamentit Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, do t’i adresohet Parlamentit Evropian këtë të mërkurë. Kjo është hera e parë që një President i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të Parlamentit Evropian. Presidentja Osmani do t’i adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian lidhur me arritjet e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo do të shprehë mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për përkrahjen që Parlamenti Evropian ka ofruar për Kosovën që nga vitet e 90-ta. Gjatë qëndrimit në Strasburg, ku po mbahet seanca e Parlamentit Evropian, Presidentja Osmani do të pritet fillimisht nga Presidentja e Parlamentit Evropian, znj.Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian. Përveç takimeve me përfaqësues të Parlamentit Evropian, gjatë qëndrimit në Strasburg, Presidentja Osmani do të takojë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës.

Presidentja Osmani zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanović

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi sot një bisedë telefonike me Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanović. “Kënaqësi të bisedoj me Presidentin Milanović. E informova për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe falënderova Kroacinë për mbështetjen e vazhdueshme si një kontribuues i rëndësishëm në stabilitetin rajonal dhe për mbështetjen e fuqishme për Kosovën në skenën ndërkombëtare”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani takoi Ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim Ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit në vend dhe hapat që po ndërmerren në koordinim me partnerët ndërkombëtarë. Presidentja Osmani shprehu falënderimin për mbështetjen e gjithanshme të Norvegjisë ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duke përfshirë ndihmën në ngritjen e kapaciteteve për politikbërje efikase. Ajo vlerësoi veçanërisht mbështetjen e Ambasadës së Norvegjisë, që i ofron Zyrës së Presidentes ekspertizë në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe fusha të tjera. Gjatë takimit, Presidentja Osmani dhe Ambasadori i Norvegjisë, Grøndahl, diskutuan për modalitetet e vazhdimit të bashkëpunimit bilateral pas vendimit të autoriteteve norvegjeze për të mbyllur ambasadën në Kosovë.

Presidentja Osmani takoi Ambasadorin gjerman, Jorn Rohde

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një takim pune me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ku u diskutua për zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe hapat që po ndërmerren në koordinim me partnerët ndërkombëtarë. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për shërbimin dhe profesionalizmin e demonstruar nga ushtarët e KFOR-it në ballafaqim me grupet kriminale të dhunshme në veri të vendit. Në këtë rast, Presidentja Osmani theksoi se ballafaqimi me drejtësinë për grupet kriminale të mbështetura nga Serbia, që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët, është i domosdoshëm si garanci për të parandaluar përsëritjen e veprimeve të tilla të dhunshme. Ajo vlerësoi lartë bashkëpunimin me Gjermaninë dhe konfirmoi partneritetin e palëkundur dhe gatishmërinë për një koordinim të ngushtë në të ardhmen, me qëllim e ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend dhe rajon.

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin italian, Antonello De Riu

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadorin italian në Kosovë, Antonello De Riu. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend. Në emër të qytetarëve të Kosovës, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për shërbimin, si dhe profesionalizmin e dëshmuar të trupave italiane të KFOR-it në ballafaqim me zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në veri të vendit dhe u dëshiroi shërim të shpejtë ushtarëve të lënduar. Me këtë rast, Presidentja Osmani potencoi se ballafaqimi me drejtësinë i grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët duhet të jetë përgjigja e vetme dhe se këto sulme duhet të dënohen nga të gjithë. Ajo theksoi se qytetarët në veri po dëmtohen më së shumti nga kjo situatë, andaj kërkoi për bashkëpunim më intensiv në drejtim të garantimit të një ambienti më të sigurt për qytetarët dhe për lirinë e shprehjes. Ajo ka vlerësuar lartë bashkëpunimin me Italinë, me ç’rast ka konfirmuar partneritetin e palëkundur dhe gatishmërinë për vazhdim të ngushtë të koordinimit me qëllim të garantimit dhe ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend e rajon.

This site is registered on wpml.org as a development site.