Presidentja Osmani takoi kancelarin Olaf Scholz, në kuadër të Lojërave Olimpike Speciale Botërore Berlin 2023

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar kancelarin Olaf Scholz, në kuadër të Lojërave Olimpike Speciale Botërore Berlin 2023. “Në Berlin, poashtu në kuadër të Lojërave Olimpike Speciale Botërore Berlin 2023, pata mundësinë që të bashkëbisedoj me kancelarin Olaf Scholz ku diskutuam për hapat e nevojshëm për të ecur përpara. Shpreha mirënjohje për mbështetjen dhe qëndrimin e qartë të Gjermanisë për lirimin e menjëhershëm të policëve tanë”, ka shkruar Presidentja.

Presidentja Osmani takoi Presidentin e Gjermanisë Steinmeier, në kuadër të Lojërave Olimpike Speciale Botërore Berlin 2023

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar Presidentin e Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier, në kuadër të Lojërave Olimpike Speciale Botërore Berlin 2023. “Në kuadër të Lojërave Olimpike Speciale Botërore Berlin 2023, pata mundësinë të diskutoj për zhvillimet e fundit në Kosovë me Presidentin e Gjermanisë Steinmeier. Në frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera Kosovë-Gjermani, konfirmuam gatishmërinë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm në dobi të paqes dhe stabilitetit rajonal”, ka shkruar Presidentja Osmani.  

Presidentja reagon pas sulmeve ndaj gazetarëve: Ata që kryejnë këto sulme duhet të përballen me drejtësinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas sulmeve që iu bënë gazetarëve sot nga bandat kriminale. “Në veri të Kosovës, gazëtarët u sulmuan sërish në mënyrë brutale nga bandat kriminale. Ata që kryejnë këto sulme duhet të përballen me drejtësinë. Përpjekjet e tyre për ta destabilizuar Kosovën do të dështojnë. Këto akte të tmerrshme të dhunës së vazhdueshme duhet të dënohen nga të gjithë. Sundimi i ligjit do të mbizotërojë”, ka shkruar Presidentja.

Presidentja Osmani në Berlin në takime me dy dhomat e Parlamentit gjerman dhe përfaqësues të shoqërisë civile

Presidentja Vjosa Osmani po realizon një vizitë pune në Berlin me ç’rast ka pasur takime në dy dhomat e Parlamentit gjerman, Bundesrat dhe Bundestag, si dhe përfaqësues të shumtë të shoqërisë civile dhe të korit diplomatik. Në takime të ndara me Presidentin e Bundesratit, z. Peter Tschentscher, dhe me anëtarët e Komisionit për punë të jashtme të Bundestagut, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për mbështetjen që Gjermania ofroi për ndërtimin e demokracisë dhe mbrojtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë. Ajo po ashtu konfirmoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm në adresimin e sfidave të fundit në fushën e sigurisë. Në diskutim me parlamentarët, por edhe në bashkëbisedat me shoqërinë civile dhe korin diplomatik, Presidentja Osmani vuri theks të veçantë tek fakti se zhvillimet aktuale në Kosovë nuk ndërlidhen vetëm me sigurinë e Kosovës, por se bëhet fjalë për sigurinë e të gjithë kontinentit. Prandaj, duke konfirmuar gatishmërinë e Kosovës për angazhim konstruktiv, ajo potencoi rëndësinë e komunikimit dhe shkëmbimit të rregullt në mes të të gjitha palëve duke siguruar një kuptim të drejtë dhe të qartë të situatës, si dhe burimit të vërtetë të jostabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ndër të tjera, në këto takime u fol edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer në mes të dy vendeve në fusha të ndryshme e në veçanti në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimeve tregtare, me ç’rast u ritheksua se ka përkushtim të plotë për avancim gjithnjë e më të thellë dhe intensifikim të shtuar të bashkëpunimit bilateral.

Presidentja Osmani: Mërgata e Kosovës kontribuese ekonomike dhe urë lidhëse me shumë shtete aleate

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Luksemburg është takuar sot edhe me mërgatën e Kosovës që jeton në këtë vend. Presidentja Osmani tha se mërgata jonë në Luksemburg është imazhi që na bën krenar. Në vijim postimi i plotë i Presidentes Osmani: Mërgata e Kosovës është e lidhur fort me traditën tonë kulturore e historike. Ata janë pjesa jonë nëpër botë, imazhi që na nderon, na bën krenar dhe që gjithnjë e pandalë bën diçka për Kosovën. E lumtur që sonte në Luksemburg takova kosovarë të suksesshëm në shumë sfera të angazhimit të tyre. Përtej kontributit ekonomik, mërgata është urë lidhëse me shumë shtete aleate të Kosovës. Perspektiva e dyfishtë dhe përvojat e larmishme e bëjnë mërgatën tonë me potencial zhvillimor për Kosovën, ndaj dera për ta gjithnjë është e hapur.

Presidentja Osmani u prit në takim nga kryetari i Dhomës së Deputetëve, Fernand Etgen dhe ministri i punëve të jashtme dhe çështje evropiane, Jeane Asselborn

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Luksemburg është pritur në takim nga kryetari i Dhomës së Deputetëve, Fernand Etgen dhe ministri i punëve të jashtme dhe çështje evropiane, Jeane Asselborn. Në të dy takimet, Presidentja Osmani ka falënderuar Luksemburgun për mbështetjen zhvillimore të Kosovës që nga viti 1999, në fusha të ndryshme, por edhe në procesin e integrimit evropian. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka shfaqur besimin për mbështetjen e Luksemburgut edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Në këto takime, Presidentja Osmani ka theksuar se aplikimi për anëtarësim në BE është orientim strategjik i Kosovës, ku shumica e qytetarëve mbështesin integrimin evropian. Presidentja Osmani, ndër të tjera foli për situatën ne vend e rajon, si dhe angazhimin konstruktiv të Kosovës ne procesin e dialogut me Serbinë dhe rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura sivjet në Bruksel dhe Ohër.

Presidentja Osmani dhe Përfaqësuesi i Lartë Borrell kanë shkëmbyer letrat për vazhdimin e mandatit teknik të EULEX-it në përputhje me praktikat paraprake

Presidentja Osmani ka njoftuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell Fontelles, se ka zgjatur mandatin teknik të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) për dy vite. Në përgjigjen e tij, z. Borrell ka konfirmuar vazhdimin e misionit të EULEX-it në Kosovë dhe ka falënderuar institucionet e Kosovës për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me misionin e EULEX-it. Misioni i EULEX-it në Kosovë do të vazhdojë me mandatin teknik, pa pasur fuqi ekzekutive, dhe do të bazohet në letërkëmbimet e vitit 2021 dhe 2022. Veprimtaria e misionit do të përqendrohet në monitorim, mentorim dhe këshillëdhënie.

Presidentja Osmani u prit në takim nga kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Luksemburg është pritur në takim nga kryeministri Xavier Bettel. Temë e diskutimit në këtë takim ishte edhe situata aktuale politike dhe e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në veri të vendit pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policor të Kosovës nga ana e Serbisë. Më tej, Presidentja Osmani tha se Kosova është ë përkushtuar për paqe e stabilitet dhe se sfidat do t`i tejkalojë me partnerë dhe aleatë. Duke u ndërlidhur me zhvillimet e fundit në veri, Presidentja Osmani ka theksuar se është e domosdoshme përballja më drejtësinë e grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia, të cilat e sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët. Presidentja theksoi nevojën e shtimit të angazhimit të ndërmjetësuesit të dialogut, Bashkimit Evropian, drejt zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura sivjet në Bruksel dhe Ohër. Presidentja e falënderoi kryeministrin Bettel për mbështetjen zhvillimore ofruar Kosovës, sikurse për liberalizimin e vizave. Njëkohësisht, Presidentja Osmani shprehu besimin për vazhdimin e mbështetjes në rrugën evropiane të Kosovës.

Presidentja Osmani u prit të takim nga Duka i Madh i Luksemburgut

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Luksemburg është pritur në takim nga Lartmadhëria e tij, Duka i Madh i Luksemburgut Henri. Në takim janë rikonfirmuar marrëdhëniet e mira ndërmjet të dy shteteve dhe janë diskutuar mundësitë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale. Në të njëjtën kohë, Presidentja Osmani ka falënderuar Dukën e Madh për mbështetje e vazhdueshme ndaj Kosovës. U diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë, me ç`rast Presidentja Osmani rikonformoi përkushtimin e Kosovës për sundimin e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e vendit. Në takim, Presidentja Osmani i ka bërë ftesë Dukës së Madh të Luksemburgut Henri për një vizitë në Kosovë në një kohë të përshtatshme për të dy palët.

Presidentja Osmani në takim me Presidenten Metsola: Nën udhëheqjen tuaj, Parlamenti Evropian po dëshmon një lidership të vërtetë derisa kontinenti ynë po përballet me sfida të jashtëzakonshme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është pritur në takim nga Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, me ftesë të së cilës iu drejtua sot Parlamentit Evropian. Presidentja Osmani e falënderoi Presidenten Metsola për ftesën dhe nderin që i ka dhënë për t’iu drejtuar Parlamentit Evropian. Në vijim postimi i plotë i Presidentes Osmani: Faleminderit Presidente Metsola për nderin që më dhatë që t’i adresohem Parlamentit Evropian në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe për përkushtimin tuaj të palëkundur për ta sjellë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian. Nën udhëheqjen tuaj, Parlamenti Evropian po dëshmon një lidership të vërtetë derisa kontinenti ynë po përballet me sfida të jashtëzakonshme. Përgjatë historisë, Parlamenti Evropian ka qenë zëri i popullit të Kosovës dhe mbështetës i angazhimit tonë për liri, pavarësi e drejtësi. Sot, ne qëndrojmë krah për krah në mbrojtje të vlerave të përbashkëta demokratike dhe në angazhimin tonë të vazhdueshëm për një Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe.

This site is registered on wpml.org as a development site.