Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Minxhozi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi. Në takim u diskutua mbi zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, me ç’rast Presidentja Osmani foli për veprimet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, përfshirë aktin e pastër të agresionit me tre policët e kidnapuar në territorin e Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Shqipërinë dhe aleatët tjerë, me qëllim të ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend dhe rajon.

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier më të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit, me fokus të veçantë në zhvillimet në fushën e sigurisë në veri të vendit. Me këtë rast, Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e lirimit të menjëhershëm dhe pa kushte të policëve të Kosovës të cilët u kidnapuan nga Serbia brenda territorit të Kosovës. Ajo po ashtu shprehi mirënjohje për qëndrimin e qartë të SHBA-ve sa i përket lirimit të policëve. Në takim u diskutua edhe për hapat e mëtejmë për shtensionimin e situatës dhe nevojën e bashkërendimit me partnerët, duke e ditur që si institucionet tona ashtu edhe SHBA ndajnë të njëjtin qëllim për një Kosovë të integruar në strukturat euroatlantike e me sovranitet dhe integritet territorial të pacenueshëm.

Presidentja Osmani ngushëllon familjen Nimani dhe gjithë komunitetit akademik e kulturor për ndarjen nga jeta të dorëshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, profesorit e artistit, Shyqri Nimani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllime familjes Nimani dhe gjithë komunitetit akademik e kulturor për ndarjen nga jeta të dorëshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, profesorit e artistit, Shyqri Nimani. Në vijim gjeni të plotë ngushëllimin e Presidentes Osmani: Me dhimbje të thellë e pranova lajmin për ndarje nga jeta të dorëshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, profesorit e artistit, Shyqri Nimani. Fjalët e skalitura nga ai në pergamenë, janë testament për brezat që do të vijnë dhe kujtim i përhershëm për të. Për një kontribut të tillë, sikurse edhe atë në fushën e arteve, z.Nimani më 17 shkurt të këtij viti është dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave. Ai ishte një intelektual i jashtëzakonshëm, pasioni dhe përkushtimi i të cilit frymëzoi studentë të panumërt. Veprimtaria e tij do të mbetet dëshmi e përkushtimit, pasionit dhe besimit të palëkundur në fuqinë transformuese të artit e të kulturës. Ngushëllime familjes Nimani dhe gjithë komunitetit akademik e kulturor!

Presidentja Osmani takoi një delegacion të ambasadorëve dhe zyrtarëve të lartë finlandez

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, takoi një delegacion të ambasadorëve dhe zyrtarëve të lartë nga Finlanda të cilët po qëndrojnë në Kosovë në një vizitë pune. Duke iu uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për mbështetjen e Finlandës për rrugëtimin evropian të Kosovës. Ajo theksoi se Kosova e vlerëson lartë partneritetin me Finlandën dhe konfirmoi gatishmërinë e plotë për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit. Presidentja Osmani foli edhe për zhvillimet e fundit në vend, me ç’rast e konfirmoi edhe një herë përkushtimin e Kosovës për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon, në koordinim dhe bashkëpunim edhe me aleatët. Ajo foli edhe për tendendcat e vazhdueshme destabilizuese nga ana e Serbisë dhe vuri theks tek rëndësia e ballafaqimit me drejtësinë të grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia e që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët. Me këtë rast, në takim u diskutua edhe për tre policët e kidnapuar thellë në territorin e Republikës së Kosovës, gjë që Presidentja Osmani e vlerësoi si akt të pastërt të agresionit nga ana e Serbisë dhe theksoi rëndësinë e reagimit të unifikuar nga komuniteti ndërkombëtar me qëllim të lirimit të menjëhershëm të policëve që po mbahen padrejtësisht në Serbi.

Presidentja ngushëllon familjen Fehmiu dhe komunitetin sportiv për ndarjen nga jeta të doajenit të sportit të Kosovës, Arsim Fehmiu

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllime familjes Fehmiu dhe gjithë komunitetit sportiv, për ndarjen nga jeta të doajenit të sportit të Kosovës, z.Arsim Fehmiu. Në vijim gjeni të plotë ngushëllimin e Presidentes Osmani: Me dhimbje e pranova lajmin për ndarje nga jeta të doajenit të sportit të Kosovës, z.Arsim Fehmiu. Profesor Arsimi dha kontribut të çmuar në sferën universitare, por edhe në themelimin e institucioneve të pavarura sportive të Republikës së Kosovës. Kontributi i tij në sportin e futbollit, basketbollit, hendbollit dhe volejbollit, do të mbetet referencë për brezat e tashëm dhe të ardhshëm. Ngushëllime familjes Fehmiu dhe gjithë komunitetit sportiv!

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në Ditën Botërore të Refugjatëve

E dashura Feride, E dashura Luidmyla, I nderuar shef i Misionit të UNHCR-së Të nderuar pjesëmarrës nga Ukraina nga Afganistani e nga shtetet e tjera, z. Avokat i Popullit, Përfaqësues të institucioneve, Jam e nderuar që sot jam në mesin tuaj në një ditë që ngjallë kujtesë, por edhe shumë dhimbje për gjithë popullin e Kosovës. Fati i popullit tim na bënë që të përjetojmë të qenit refugjatë, më 1999, kur ekzistenca jonë ishte në pikëpyetje. Sikurse edhe të gjithë të tjerët në Kosovë gati sikur të gjithë të tjerët edhe vetë kam qenë refugjate ndaj në këtë ditë nuk ka si mos të solidarizohem me të gjithë refugjatët anekënd botës por në veçanti me ata që sot e kanë streh Republikën tonë. Populli i Kosovës e ndjen më së miri këtë, ngase 24 vjet më parë, neve na janë hapur dyert në shumë shtete të botës. Kjo ditë na e kujton se sa e rëndësishme është liria dhe të jetuarit e sigurt. Viti 1999 për ne ka shënuar një kapitull lufte me vuajtje, zhvendosje e humbje të mëdha njerëzore. Shërben edhe si një kujtesë e ashpër e mizorive të kryera nga shteti gjenocidal serb në atë kohë gjatë kohës së luftës, ndaj është thelbësore që të reflektojmë dhe ta kujtojmë këtë periudhë të errët në mënyrë që të sigurohemi që tmerre të tilla mos të përsëriten kurrë më. Ndërsa lufta u përshkallëzua, pasoi eksodi masiv i gati 1 milion burra, gra e fëmijë të Kosovës të cilët iu patën nënshtruar vuajtjeve të paimagjinueshme, të cilëve u shkelën të drejtat njerëzore, iu cenua ekzistenca, u dëbuan me dhunë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. U detyruam të largohemi nga shtëpitë, duke lënë pas gjithçka që kishim për zemër. Historitë nga kjo periudhë janë një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe forcës së shpirtit njerëzor, përballë fatkeqësive të paimagjinueshme që sjell lufta. Në ato ditë të errëta për ne, ngadhënjeu shpirti njerëzor. Popuj dhe shtete të ndryshme të botës u bashkuan në dhembshurinë tonë dhe u solidarizuan me ne duke hapur dyert dhe zemrat e tyre. Prandaj është përgjegjësi e jona kolektive që të mbrojmë paqen ta promovojmë tolerancën dhe të sigurohemi që çdo individ pavarësisht përkatësisë apo prejardhjes së tij, të jetojë i lirë nga frika dhe persekutimi. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër padrejtësive, t`i mbrojmë të drejtat e të pambrojturve dhe të përpiqemi për një botë ku askush nuk është i detyruar ta durojë shpërnguljen dhe braktisjen e atdheut. Në Ditën Botërore të Refugjatëve, ne duhet të bashkohemi për ta nderuar qëndrueshmërinë, forcën dhe guximin e refugjatëve anekënd botës. Është një ditë për ta njohur gjendjen e vështirë të atyre që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftërave, persekutimit apo fatkeqësive dhe për ta njohur edhe kontributin e tyre të madh për shoqërinë. Refugjatët nuk janë thjesht numra, por janë individë me ëndrra, aspirata me potencial. Ata mishërojnë shpirtin e paepur të mbijetesës njerëzore dhe shpresën e palëkundur për një të ardhme më të mirë. Ekspozita e sotme nga Luidmyla është pikërisht një dëshmi e kësaj sepse pavarësisht vështirësive me të cilat janë përballur, ata gjithnjë janë shembull i triumfit të shpirtit njerëzor kundër çfarëdo të keqeje. Askush nuk zgjedh të jetë refugjat. Mirëpo cilido mund të bëhet refugjat, cilido njeri në botë mund të përballet me rrethana të tilla. Rrethana që janë përtej kontrollit të tyre e i largojnë nga gjithçka që ata duan. Refugjatët nuk janë vetëm pranues të ndihmës, ata janë edhe agjentë të ndryshimit. Përvojat, aftësitë dhe perspektivat e tyre të ndryshme pasurojnë shoqëritë tona e rrisin diversitetin kulturor. Prandaj në këtë Ditë Botërore të Refugjatëve, le ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj dhembshurisë dhe solidaritetit. Le ta hedhim poshtë frikën dhe ndarjen, dhe në vend të kësaj, ta përqafojmë mirëkuptimin dhe respektin. Duke i shtrirë dorën e ndihmës refugjatëve, ne jo vetëm që u lehtësojmë vuajtjet e tyre, por gjithashtu i forcojmë lidhjet që na bashkojnë mes vete. Në Ditën Botërore të Refugjatëve, le të avokojmë për mbrojtjen e të drejtave të tyre, qasjen në arsim kujdes shëndetësor dhe mundësi të barabarta jetësore. Le t’i fuqizojmë ata në mënyrë që ta rindërtojnë jetën e tyre dhe ta përmbushin potencialin e tyre, sepse duke e bërë këtë, ne krijojmë një botë më të drejtë, më humane dhe më të barabartë për të gjithë. Së bashku, mund të ndërtojmë një të ardhme ku askush nuk detyrohet të ikë, ku çdo individ vlerësohet dhe mbrohet dhe ku dhembshuria nuk njeh kufij. Le të qëndrojmë së bashku me refugjatët, jo vetëm sot, por çdo ditë, derisa çdo person të gjejë paqe, siguri dhe një strehë të sigurt në shtëpinë e vet. Ju faleminderit!

Presidentja: Nekibe Kelmendi është modeli i gruas që aktivizmin politik e profesional e orientoi në dobi të luftës për liri e pavarësi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar Nekibe Kelmendin në dymbëdhjetë vjetorin e përjetësisë së saj. Përkujtimi i plotë e Presidentes Osmani: Ajo ishte një grua e paepur dhe stoike. Qëndroi deri në fund pavarësisht humbjes tragjike të burrit dhe djemve të saj. Nekibe Kelmendi është modeli i gruas që aktivizmin politik e profesional e orientoi në dobi të luftës për liri e pavarësi. Ajo dha kontribut të çmuar edhe në jetën institucionale pas luftës. Një bashkëpunëtore e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, e cila la pas një trashëgimi të bujshme të angazhimit të saj në vitet më të vështira dhe një model i gruas qëndrestare. Në dymbëdhjetë vjetorin e përjetësisë së saj, e kujtojmë me respekt këtë figurë, e cila mbetet model i gruas së angazhuar për liri e pavarësi!

Presidentja Osmani priti në takim Grupin e Miqësisë Austri-Kosovë në Parlamentin e Austrisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të Grupit të Miqësisë Austri-Kosovë në Parlamentin e Austrisë, të përbërë nga deputetë të partive të ndryshme politike në Austri. Në takim me delegacion austriak, Presidentja Osmani ka falënderuar shtetin e Austrisë për mbështetjen ndaj Kosovës përgjatë viteve, ndërsa ka shprehur gatishmërinë që të hapen kapituj të rinj të bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka përmendur edhe rolin jetik të diasporës sonë në Austri si urë ndërlidhëse e bashkëpunimit dypalësh, si dhe në forcimin e mëtejmë të raporteve të shkëlqyera ndërshtetërore. Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë. Presidentja ka përmendur veprimet e vazhdueshme destruktive të Serbisë, të cilat kanë për qëllim të drejtpërdrejt destabilizimin e vendit tonë. Me këtë rast, Presidentja Osmani potencoi se ballafaqimi me drejtësinë i grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët është i domosdoshëm. Në këtë frymë, Presidentja Osmani theksoi se Kosova është e përkushtuar për kontribut për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit, në koordinim me aleatët. Presidentja Osmani shtoi se Kosova vlerëson mbështetjen e rëndësishme të Austrisë për integrimin e Kosovës në BE dhe organizata tjera ndërkombëtare, duke theksuar se avancimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare sjellë më shumë stabilitet e prosperitet për të gjithë qytetarët, pa dallim. Më tej, në takim u diskutua edhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, ndaj në këtë kontekst Presidentja Osmani përmendi potencialin ekonomik që ka Kosova, sikurse edhe mjedisin e favorshëm për investitorët e huaj. Politika e jashtme, arsimi, fuqizimi i grave dhe shkëmbimi tregtar u përmendën në kontekst të thellimit të bashkëpunimit të Kosovës me Austrinë.

Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për humbjen e jetës së tre anëtarëve të familjeve Pacolli e Visoka

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas nxjerrjes nga lumi Lepenc të tre trupave të pajetë, ka ngushëlluar familjet Pacolli e Visoka, të cilat pësuan nga aksidenti tragjik. “Me dhimbje të thellë pranova lajmin për vdekjen tragjike të tre anëtarëve të familjeve tuaja.  Në këto çaste të rënda për familjet tuaja, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë për përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për ta!”, thuhet në mesazhin ngushëllues të Presidentes Osmani. Presidentja Osmani, gjithashtu i ka uruar shërim të shpejtë, Shkëlqimit, të vetmit të mbijetuar nga ky aksident dhe ka falënderuar ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim, si dhe ekipin e kërkim-shpëtimit nga Maqedonia e Veriut  për angazhimin e tyre.

Presidentja Osmani në vizitë pune në Gjermani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka qëndruar në Berlin në një vizitë pune të përqendruar në diskutime thelbësore mbi zhvillimet e fundit në vend, si dhe mbështetjen e fuqizimin e personave me nevoja të veçanta. Presidentja Osmani mori pjesë në Olimpiadën Speciale Berlin 2023, në përkrahje të sportistëve tanë me nevoja të veçanta. Në këtë Olimpiadë, Republika e Kosovës përfaqësohet nga katër sportistë në diciplinën e atletikës. Mbështetja e personave me nevoja të veçanta është një nga kauzat kryesore të Presidentes Osmani dhe me këtë rast, ajo theksoi se këta sportistë janë shembull i fuqisë së diversitetit, gjithëpërfshirjes dhe pjesëmarrjes së barabartë, dhe vendosmërisë së jashtëzakonshme për majat e sukseseve. Në margjina të Olimpiadës Speciale, Presidentja Osmani pati diskutime me Presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, si dhe me Kancelarin Olaf Scholz. Në diskutime të ndara me ta, Presidentja Osmani konfirmoi gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe koordinim me qëllim të ruajtjes dhe paqes në rajon, si dhe falënderoi Gjermaninë për qëndrimin e prerë për lirimin e tre policëve të kidnapuar ditë më parë. Gjatë qëndrimit në Berlin, Presidentja Osmani u prit në takim nga Kryetari i Bundesratit, Peter Tschentscher e që ishte hera e parë që një Presidente e Republikës së Kosovës pritet në Bundesrat. Presidentja Osmani po ashtu realizoi një takim me deputetë të Bundestagut nga partitë më të mëdha e që njëherit janë edhe anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme. Në këto takime, Presidentja Osmani ka folur për zhvillimet e fundit në vend, sfidat e sigurisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit për tejkalimin e tyre, si dhe thellimin e mëtejmë bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona. Ndërlidhur me zhvillimet e fundit dhe hapat përpara, Presidentja Osmani ka mbajtur një takim me gazetarët në kuadër të Korrespondten.cafe Berlin, si dhe ishte folëse kryesore në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Aspen Institute Germany. Në frymën e promovimit dhe mbështetjes së sportit, Presidentja Osmani vizitoi klubin më të vjetër shqiptar të futbollit në Gjermani „FC Liria Berlin”. Ky klub, përveç që ka arritur t’i bëjë bashkë shqiptarët në mërgatë dhe të mbajë gjallë jetën sportive dhe kulturore në Berlin, është edhe klubi i vetëm nga mërgata, i cili që nga shtatori i këtij viti do të bëhet pjesë e Bundesligës në futsall. Presidentja Osmani ka takuar dhe miq e dashamirë të shumtë të Republikës së Kosovës, të cilët i ka falënderuar për mbështetjen e tyre të palëkundur dhe për angazhimin për thellim të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

This site is registered on wpml.org as a development site.