DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani në vizitë pune në Gjermani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka qëndruar në Berlin në një vizitë pune të përqendruar në diskutime thelbësore mbi zhvillimet e fundit në vend, si dhe mbështetjen e fuqizimin e personave me nevoja të veçanta.

Presidentja Osmani mori pjesë në Olimpiadën Speciale Berlin 2023, në përkrahje të sportistëve tanë me nevoja të veçanta. Në këtë Olimpiadë, Republika e Kosovës përfaqësohet nga katër sportistë në diciplinën e atletikës. Mbështetja e personave me nevoja të veçanta është një nga kauzat kryesore të Presidentes Osmani dhe me këtë rast, ajo theksoi se këta sportistë janë shembull i fuqisë së diversitetit, gjithëpërfshirjes dhe pjesëmarrjes së barabartë, dhe vendosmërisë së jashtëzakonshme për majat e sukseseve.

Në margjina të Olimpiadës Speciale, Presidentja Osmani pati diskutime me Presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, si dhe me Kancelarin Olaf Scholz.

Në diskutime të ndara me ta, Presidentja Osmani konfirmoi gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe koordinim me qëllim të ruajtjes dhe paqes në rajon, si dhe falënderoi Gjermaninë për qëndrimin e prerë për lirimin e tre policëve të kidnapuar ditë më parë.

Gjatë qëndrimit në Berlin, Presidentja Osmani u prit në takim nga Kryetari i Bundesratit, Peter Tschentscher e që ishte hera e parë që një Presidente e Republikës së Kosovës pritet në Bundesrat.

Presidentja Osmani po ashtu realizoi një takim me deputetë të Bundestagut nga partitë më të mëdha e që njëherit janë edhe anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme. Në këto takime, Presidentja Osmani ka folur për zhvillimet e fundit në vend, sfidat e sigurisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit për tejkalimin e tyre, si dhe thellimin e mëtejmë bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona. Ndërlidhur me zhvillimet e fundit dhe hapat përpara, Presidentja Osmani ka mbajtur një takim me gazetarët në kuadër të Korrespondten.cafe Berlin, si dhe ishte folëse kryesore në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Aspen Institute Germany.

Në frymën e promovimit dhe mbështetjes së sportit, Presidentja Osmani vizitoi klubin më të vjetër shqiptar të futbollit në Gjermani „FC Liria Berlin”. Ky klub, përveç që ka arritur t’i bëjë bashkë shqiptarët në mërgatë dhe të mbajë gjallë jetën sportive dhe kulturore në Berlin, është edhe klubi i vetëm nga mërgata, i cili që nga shtatori i këtij viti do të bëhet pjesë e Bundesligës në futsall.

Presidentja Osmani ka takuar dhe miq e dashamirë të shumtë të Republikës së Kosovës, të cilët i ka falënderuar për mbështetjen e tyre të palëkundur dhe për angazhimin për thellim të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.