presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në Ditën Botërore të Refugjatëve

E dashura Feride,
E dashura Luidmyla,
I nderuar shef i Misionit të UNHCR-së
Të nderuar pjesëmarrës nga Ukraina nga Afganistani e nga shtetet e tjera,
z. Avokat i Popullit,
Përfaqësues të institucioneve,

Jam e nderuar që sot jam në mesin tuaj në një ditë që ngjallë kujtesë, por edhe shumë dhimbje për gjithë popullin e Kosovës.
Fati i popullit tim na bënë që të përjetojmë të qenit refugjatë, më 1999, kur ekzistenca jonë ishte në pikëpyetje. Sikurse edhe të gjithë të tjerët në Kosovë gati sikur të gjithë të tjerët edhe vetë kam qenë refugjate ndaj në këtë ditë nuk ka si mos të solidarizohem me të gjithë refugjatët anekënd botës por në veçanti me ata që sot e kanë streh Republikën tonë.

Populli i Kosovës e ndjen më së miri këtë, ngase 24 vjet më parë, neve na janë hapur dyert në shumë shtete të botës. Kjo ditë na e kujton se sa e rëndësishme është liria dhe të jetuarit e sigurt.

Viti 1999 për ne ka shënuar një kapitull lufte me vuajtje, zhvendosje e humbje të mëdha njerëzore. Shërben edhe si një kujtesë e ashpër e mizorive të kryera nga shteti gjenocidal serb në atë kohë gjatë kohës së luftës, ndaj është thelbësore që të reflektojmë dhe ta kujtojmë këtë periudhë të errët në mënyrë që të sigurohemi që tmerre të tilla mos të përsëriten kurrë më.

Ndërsa lufta u përshkallëzua, pasoi eksodi masiv i gati 1 milion burra, gra e fëmijë të Kosovës të cilët iu patën nënshtruar vuajtjeve të paimagjinueshme, të cilëve u shkelën të drejtat njerëzore, iu cenua ekzistenca, u dëbuan me dhunë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit.
U detyruam të largohemi nga shtëpitë, duke lënë pas gjithçka që kishim për zemër.

Historitë nga kjo periudhë janë një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe forcës së shpirtit njerëzor, përballë fatkeqësive të paimagjinueshme që sjell lufta.

Në ato ditë të errëta për ne, ngadhënjeu shpirti njerëzor. Popuj dhe shtete të ndryshme të botës u bashkuan në dhembshurinë tonë dhe u solidarizuan me ne duke hapur dyert dhe zemrat e tyre.

Prandaj është përgjegjësi e jona kolektive që të mbrojmë paqen ta promovojmë tolerancën dhe të sigurohemi që çdo individ pavarësisht përkatësisë apo prejardhjes së tij, të jetojë i lirë nga frika dhe persekutimi.

Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër padrejtësive, t`i mbrojmë të drejtat e të pambrojturve dhe të përpiqemi për një botë ku askush nuk është i detyruar ta durojë shpërnguljen dhe braktisjen e atdheut.

Në Ditën Botërore të Refugjatëve, ne duhet të bashkohemi për ta nderuar qëndrueshmërinë, forcën dhe guximin e refugjatëve anekënd botës.
Është një ditë për ta njohur gjendjen e vështirë të atyre që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftërave, persekutimit apo fatkeqësive dhe për ta njohur edhe kontributin e tyre të madh për shoqërinë.

Refugjatët nuk janë thjesht numra, por janë individë me ëndrra, aspirata me potencial.

Ata mishërojnë shpirtin e paepur të mbijetesës njerëzore dhe shpresën e palëkundur për një të ardhme më të mirë.
Ekspozita e sotme nga Luidmyla është pikërisht një dëshmi e kësaj sepse pavarësisht vështirësive me të cilat janë përballur, ata gjithnjë janë shembull i triumfit të shpirtit njerëzor kundër çfarëdo të keqeje.

Askush nuk zgjedh të jetë refugjat. Mirëpo cilido mund të bëhet refugjat, cilido njeri në botë mund të përballet me rrethana të tilla. Rrethana që janë përtej kontrollit të tyre e i largojnë nga gjithçka që ata duan.

Refugjatët nuk janë vetëm pranues të ndihmës, ata janë edhe agjentë të ndryshimit. Përvojat, aftësitë dhe perspektivat e tyre të ndryshme pasurojnë shoqëritë tona e rrisin diversitetin kulturor.

Prandaj në këtë Ditë Botërore të Refugjatëve, le ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj dhembshurisë dhe solidaritetit.
Le ta hedhim poshtë frikën dhe ndarjen, dhe në vend të kësaj, ta përqafojmë mirëkuptimin dhe respektin.

Duke i shtrirë dorën e ndihmës refugjatëve, ne jo vetëm që u lehtësojmë vuajtjet e tyre, por gjithashtu i forcojmë lidhjet që na bashkojnë mes vete.

Në Ditën Botërore të Refugjatëve, le të avokojmë për mbrojtjen e të drejtave të tyre, qasjen në arsim kujdes shëndetësor dhe mundësi të barabarta jetësore.

Le t’i fuqizojmë ata në mënyrë që ta rindërtojnë jetën e tyre dhe ta përmbushin potencialin e tyre, sepse duke e bërë këtë, ne krijojmë një botë më të drejtë, më humane dhe më të barabartë për të gjithë.

Së bashku, mund të ndërtojmë një të ardhme ku askush nuk detyrohet të ikë, ku çdo individ vlerësohet dhe mbrohet dhe ku dhembshuria nuk njeh kufij.

Le të qëndrojmë së bashku me refugjatët, jo vetëm sot, por çdo ditë, derisa çdo person të gjejë paqe, siguri dhe një strehë të sigurt në shtëpinë e vet.

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.