Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e re e Letonisë, Elita Kuzma

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadorja e re e Letonisë në Republikën e Kosovës, Elita Kuzma, të cilën e ka uruar për detyrën. Në takim me ambasadoren Kuzma, Presidentja Osmani shfaqi besimin për thellimin e mëtejmë të raporteve ndërmjet të dy shteteve gjatë mandatit të ambasadores. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi se shtetet baltike i konsiderojmë partnerë strategjik, sidomos në fusha si mbrojtja e siguria, poashtu edhe teknologji informative e digjitalizim. Ajo falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Letonia i ka ofruar Kosovës në BE dhe në NATO.
Presidentja Osmani priti në takim liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku me qëllim të diskutimit për zhvillimet e fundit në vend. Në takim me kreun e LDK-së, Presidentja Osmani e ka njoftuar z.Abdixhiku për zhvillimet në fushën e sigurisë dhe të politikës së jashtme. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka falënderuar të gjitha subjektet opozitare, për mbështetjen ndaj institucioneve të sigurisë në përballje me agresionin e Serbisë. Më tej, Presidentja Osmani me z.Abdixhiku ka diskutuar për Drafstatutin e Asociacionit dhe në këtë kontekst, ka ritheksuar se Gjykata Kushtetuese është institucioni që duhet ta bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit. Z.Abdixhiku e ka njoftuar Presidenten lidhur me shqetësimet e LDK-së sa i përket përmbajtjes së Draftstatutit dhe janë diskutuar mundësitë për trajtimin e këtyre shqetësimeve në mënyrë që mos të lejohen dykuptimësi që mund ta dëmtojnë funksionimin e brendshëm të Republikës së Kosovës. Ftesa për takim u janë dërguar edhe subjekteve të tjera opozitare. Institucioni i Presidencës është vazhdimisht i hapur për koordinim me parti dhe institucione për çështje të rëndësisë nacionale. Në kuadër të konsultimeve të fundvitit, krahas takimeve me krerë të institucioneve dhe të partive politike, Presidentja Osmani do të mbajë takime edhe me përfaqësues të komuniteteve joshumicë në Kuvend, me shoqërinë civile dhe me mediat.
Fjalimi i Presidentes Osmani në hapjen e Kampionatit të Hapur Evropian të Xhudos “Prishtina 2023”

Të nderuar të pranishëm, I nderuar kryetar i Federatës së Xhudos, E nderuar Majlinda, E dashur Nora dhe Distria, Të nderuar përfaqësues nga mbarë Evropa, Të dashur sportistë nga 26 vende të ndryshme të botës, I nderuar Ministër Çeku, Të nderuar ambasadorë, pjesëmarrës nga partitë politike! Jam shumë e lumtur që sonte mund t’ju dëshiroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës në emër të qytetarëve të vendit tonë, shtetit më të ri në Evropë, por i cili kulturën e mikpritjes dhe trashëgiminë e pasur të raporteve me miqtë e ka kultivuar prej shekujsh, duke qenë se popullsia e saj është ndër më të lashtat në Evropë. Jam veçanërisht e lumtur që këtë mirëseardhje mund t’ua shpreh në një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme për sportin e Kosovës, madje një ndër sportet më popullore tek ne, atë të xhudos. Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos “Prishtina 2023”, organizimi i së cilës iu është besuar Kosovës, përveçse përbën një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme sportive, shënon edhe një hap të rëndësishëm për afirmimin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare të sportit. Kampionati sjell mundësi të shkëlqyeshme për të treguar se Kosova tashmë jo vetëm që është fituese e medaljeve olimpike por edhe në mënyrë të shkëlqyeshme organizon ngjarje të nivelit të lartë evropian, duke e vendosur Kosovën në radhën e vendeve me kapacitet të lartë organizativ. Organizimi në vendin tonë është rrjedhojë e mirënjohjes që Federata e Xhudos ka përfituar natyrisht shkaku i sukseseve kulmore të sportistëve tanë dhe të Federatës së udhëhequr nga z. Kuka me trajnerë të jashtëzakonshëm si Driton Kuka e po ashtu dhe me kampionët tanë. Kjo është po ashtu mirënjohje e suksesit historik të kampioneve tona, para së gjithash Majlinda Kelmendit, kampiones së parë olimpike të Kosovës në xhudo, e cila padyshim është kampione e vërtetë dhe frymëzim për brezat e sportistëve tanë e do të mbetet përgjithmonë kampione e zemrave tona. Sukseset e Majlindës në arenën ndërkombëtare, përfshirë medaljen e artë olimpike, janë dëshmi e fuqisë dhe talentit të sportistëve kosovarë. Sukseset e xhudisteve tona tashmë që po vazhdojnë tutje këtë rrugë të trasuar kaq fortë Nora Gjakovës dhe Distria Krasniqit, që tashmë njihet si xhudistja më e mirë në botë kanë arritur pra jo vetëm të fitojnë medalje të arta në Lojërat Olimpike, por po ndihmojnë në krijimin e një imazhi jashtëzakonisht pozitiv për sportin tonë dhe për shtetin tonë. Këto suksese asnjëherë nuk janë vetëm fitore personale, ato janë shembuj frymëzues për brezin e ri dhe dëshmi se sportistët tanë jo vetëm që mund të konkurrojnë, por edhe triumfojnë në skenën ndërkombëtare. Sporti është pjesë thelbësore e kulturës dhe e suksesit të vendit tonë. Prandaj, organizimi i kampionatit këtu, në kryeqendrën e Kosovës, shërben si platformë për ta ndërthurur krenarinë me sukseset e sportistëve tanë, duke bërë që kampionati të jetë një ngjarje e paharrueshme për sportin kosovar. Federata e Xhudos së Kosovës meriton vlerësim të veçantë për punën e jashtëzakonshme ndër vite për arritjen e rezultateve dhe për organizimin e këtij kampionati. Faleminderit shumë për mundin tuaj dhe pikërisht niveli i organizimit tregon se kjo Federatë jo vetëm që është e zonja të organizojë në mënyrë profesionale e suksesshme kampionate të tilla, por edhe të shkëlqejë në organizime të tilla.Ky kampionat ndërkaq mysafirëve nga mbarë Evropa ju ofron mundësi të shkëlqyeshme për ta njohur shtetin më të ri në Evropë. Pjesëmarrësit dhe vizitorët mund ta njohin trashëgiminë, historinë dhe traditat e Kosovës, vend me trashëgimi të pasur kulturore, monumente të shumta historike e ngjarje të shumta që përbëjnë pasurinë dhe diversitetin kulturor të vendit tonë. Kampionati i sivjetmë po mbahet edhe në prag të festave të fundvitit nën atmosferën e ngrohtë të saj pavarësisht temperaturave të ulëta. Gjatë qëndrimit në Prishtinë krahas pasionit sportiv ju do ta ndjeni atmosferën e veçantë të këtyre festave. Prandaj, është një rast i shkëlqyeshëm për ta përjetuar një kombinim të sportit, kulturës por edhe festave duke e bërë këtë ngjarje të paharrueshme për të gjithë ne. Ju dëshiroj të gjithë sportistëve suksese në gara dhe po ashtu ju dëshiroj mysafirëve qëndrim të këndshëm në Kosovë po ashtu më lejoni që të ju uroj festat e fundvitit me dëshirat më të mira për të gjithë ju dhe familjet tuaja! Faleminderit shumë!
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde. Në takim u diskutua për pjesëmarrjen e Kosovës në COP28, konferencën kryesore globale për ndryshimet klimatike, si dhe hapat tutje pas kësaj pjesëmarrjeje historike të Republikës së Kosovës në nivel të kreut të shtetit. Në këtë frymë, ambasadori Rohde shprehu gatishmërinë e Gjermanisë për të vazhduar mbështetjen për Kosovën në arritjen e objektivave që kontribuojnë në adresimin e sfidave klimatike në vend. Ndër të tjera, në takim u fol edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe u diskutuan mundësitë e thellimit tutje të bashkëpunimit Kosovë-Gjermani.
Presidentja Osmani takoi ambasadorin e ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe drejtoreshën për Evropën jugore dhe qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Colleen Hyland

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim në rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ku ishte prezente dhe drejtoresha për Evropën jugore dhe qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Colleen Hyland. Në takim, Presidentja Osmani bisedoi për zhvillimet e fundit në vend, si dhe u fol për format konkrete të avancimit të partneritetit e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Adresimi vjetor i Presidentes Osmani në Kuvendin e Republikës së Kosovës

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca, I nderuar kryeministër Kurti dhe kabinet qeveritar, Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Të nderuar ambasadorë, Mysafirë të nderuar, Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, Ju flas në fund të një viti jo të lehtë për shtetin tonë. Ishte një vit i ballafaqimit me vështirësi, në veçanti në fushën e sigurisë, meqë më 24 shtator, Kosova u përball me situatën më të rrezikshme që nga pavarësia e saj. Një grup terrorist e paramilitar, i financuar, trajnuar dhe i mbështetur nga Serbia, e mbi të gjitha, i urdhëruar nga lidershipi i këtij shteti, kreu akt agresioni me planin e qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe të shkaktohet destabilizim jo vetëm i vendit tonë, por edhe i të gjithë rajonit. Në këtë ditë, Kosova u përball me një agresor, tinëzar në veprim, por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cenimit të themelit të shtetit tonë, Republikës për të cilën ranë shumë dëshmorë ndër breza. Ky sulm, i cili në vazhdën e ideve e planeve shoviniste e hegjemoniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të “Botës serbe”. Në këtë kohë kur është sfiduar drastikisht siguria në gjithë kontinentin tonë, plani famëkeq për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar. Në këtë ballafaqim, terroristët vranë policin Afrim Bunjaku, ndaj ai u bë dëshmori dhe heroi më i ri në historinë e Kosovë dhe njëri nga të shumtët që ra fli në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të shtetit tonë. Ata vranë një, por mobilizuan mijëra djem e vajza nga radhët e Policisë sonë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht. Askush dhe asgjë nuk do ta largojë Republikën tonë nga aspiratat e saj legjitime për ta shtrirë sundimin e ligjit në gjithë territorin tonë. Askush dhe asgjë nuk do ta largojë Republikën tonë nga përpjekja e çdoditshme që këtë vend ta bëjmë të sigurt dhe të dinjitetshëm për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim. Të nderuar deputetë, Të nderuar të pranishëm, Sulmi i 24 shtatorit dëshmoi sërish profesionalizmin e jashtëzakonshëm dhe trimërinë e guximin e institucioneve të sigurisë së Kosovës. Dua sërish të shprehë mirënjohjen e thellë për policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe të gjitha institucionet e angazhuara në ndaljen e këtij agresioni të Serbisë. Por, të nderuar deputetë, sulmi i 24 shtatorit është po ashtu tregues i qartë se Serbia dhe nomenklatura aktuale politike e saj nuk është e interesuar as për paqe të qëndrueshme, as për fqinjësi të mirë, e as për përmbyllje të procesit të dialogut me Kosovën. Fatkeqësisht, politika e sotme e Vuçiqit është politika e djeshme e Millosheviqit. Prandaj, ambiciet hegjemoniste nuk kanë marrë fund. Banjska ishte vetëm një paralajmërim, ndaj Serbia nuk do të heqë dorë nga planet e saj të errëta. Në esencë, Serbia me veprime të tilla po e godet gjithë Evropën, sepse po punon për interesa të faktorëve malinj që kanë për qëllim ta godasin BE-në e NATO-n, nëpërmjet destabilizimit të Ballkanit Perëndimor. Por, pavarësisht nga këto synime të Serbisë, ne jemi këtu, siç kemi qenë në periudha të hershme të historisë, siç kemi qenë këtu më 24 shtator dhe siç do të jemi çdo ditë e përgjithmonë për t`u bërë gardianë të Republikës sonë. Të nderuar deputetë, Pikërisht në kohë të vështira, populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e saj kanë ditur të bashkohen rreth kauzës në mbrojtje të shtetit tonë të ndërtuar me aq shumë sakrifica. Kjo u dëshmua edhe pas 24 shtatorit, kur i gjithë faktori politik në vend u bashkua në mbrojtje të Republikës sonë, duke dëshmuar se në përballje me politikat hegjemoniste të Serbisë, ne jemi një. Ne, bashkërisht duhet të vazhdojmë të qëndrojmë të vendosur e të palëkundur kundër përpjekjeve për ta goditur Republikën tonë. Në situata të tilla nuk duhet të ketë ndarje partiake apo ideologjike, duhet të ketë unitet, pa dallim. Rreshtimi i vetëm që na duhet sot është rreshtimi në anën e shtetit tonë të pavarur e sovran. Mbrojtja dhe ekzistimi i këtij shteti është testament i trashëguar nga brezat para nesh, prandaj e kemi për detyrë ta lëmë më të fortë e më të përparuar për brezat që vijnë pas nesh. Ne jemi pak për të qenë të ndarë dhe me qëndrime të dallueshme për situata si kjo, kur vetëm uniteti është përgjigja e duhur për ta mbrojtur sovranitetin e shtetit tonë. Këtë rrezik nuk e kemi kaluar, ndaj nuk duhet t`i nënshtrohemi ndarjes e dallimeve, por të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë në përballje me Serbinë e të qëndrojmë këmbëngulës dhe të palëkundur kundrejt sfidave të sigurisë. Policia e Kosovës punon pa lodhur, duke u përballur me rrezik të vazhdueshëm, por, siguria nuk është vetëm përgjegjësi e tyre. Është një përgjegjësi e përbashkët që bie mbi secilin prej nesh. Prandaj, duhet të qëndrojmë vigjilentë e të bashkuar kundrejt situatave të tilla. Të nderuar deputetë, Procesi i dialogut me Serbinë sa vjen e po bëhet më i vështirë, kjo nga jokonstruktiviteti, obstruksionet dhe përpjekjet e Serbisë që të shkaktojnë destabilitet jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Mungesa e balancit dhe e qasjes së trajtimit të barabartë në dialog i ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh këtij procesi. Kosova akoma përballet me masa të padrejta e joproporcionale të cilat prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve të saj. Në anën tjetër, duke mos vendosur masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit të 24 shtatorit dhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it e gazetarëve përgjatë majit, për fat të keq ky shtet vetëm po inkurajohet që të vazhdojë të përdorë dhunë. Një trajtim i tillë i pabarabartë i palëve do të jetë një goditje për vet kredibilitetin e procesit të dialogut dhe pengesa kryesore për suksesin e këtij procesi. Siç e dini, të nderuar deputetë, së fundi
Presidentja Osmani u takua me Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u takua me Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, në Bruksel, ku po mbahet samiti i liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në takim me Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, potencova rolin e rëndësishëm të Italisë në përkrahjen e vendit tonë në të gjitha etapat. Llogarisim në lidershipin e Kryeministres Meloni në avancimin e rrugës së shtetit tonë drejt integrimit evropian.
Presidentja: Kosova i ka plotësuar kërkesat e Bashkimit Evropian, të hiqen masat dhe t’i jepet statusi i vendit kandidat

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka marrë pjesë në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, ka thënë se Kosova i ka plotësuar kërkesat e Bashkimit Evropian. “Kosova i ka plotësuar kërkesat e Bashkimit Evropian.Është koha të shohim hapa konkret nga BE: të hiqen masat dhe të jepet statusi i vendit kandidat për Kosovën. Jemi më të vendosur se kurrë drejt të ardhmes sonë evropiane”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani u takua me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Bruksel

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u takua me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Bruksel, ku po mbahet samiti i liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në takim me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Bruksel, ritheksova nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, derisa potencova rëndësinë e dhënies së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, si sinjal i qartë që vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane e kanë vendin në BE. Mirëpresim ‘Planin e Rritjes’, të prezentuar nga Presidentja Von der Leyen, për të cilin Kosova tashmë ka prezentuar planin konkret për reforma.
Deklarata e Presidentes Vjosa Osmani para hyrjes në Samitin BE-Ballkan Perëndimor në Bruksel
