Shumë i nderuar Baca Rifat,
E nderuar Familje Jashari,
I nderuari kryetar i Kuvendit, z. Konjufca,
I nderuar Kryeministër i Republikës z. Kurti,
I nderuar komandant i FSK-së, Gjenerallejtenant Bashkim Jashari,
Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,
Të nderuar oficerë, nënoficerë, ushtarë të FSK-së,
Familjarë të heronjve, dëshmorëve e martirëve të lirisë,
Veteranë e invalidë të Ushtrisë sonë Çlirimtare,
Të nderuar diplomatë e ushtarakë të vendeve mike,
Deputetë e ministra,
Të nderuar të pranishëm,
Sa herë vjen 5, 6 e 7 marsi, kujtesa jonë rikthehet te ditët e krenarisë dhe të lavdisë së para 26 vjetëve, kur në Prekazin heroik u zhvillua beteja heroike dhe e papërsëritshme në historinë e rezistencës së armatosur për liri.
Një armatë e tërë vrastare kundër një familje të vetme.
Komandanti Legjendar Adem Jashari me të vëllain Hamzën, Bacën Shaban dhe mbi 50 anëtarë të tjerë të familjes, fortifikuan kullën e tyre dhe luftuan deri në flijim.
Sepse, kulla e tyre ishte Kosova.
Epopeja e Prekazit dhe flijimi i tyre solli ndryshimin e kursit të rezistencës për liri e pavarësi. Më mijëra djem e vajza iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gatshëm të sakrifikojnë edhe jetën e tyre, vetëm që Kosova një ditë të frymonte e lirë.
Të nderuar të pranishëm,
Si çdo herë, e veçanërisht sot është momenti i veçantë ta shprehim vlerësimin, mirënjohjen, nderimin dhe respektin me përkulje të thellë për Familjen heroike Jashari, për të gjithë heronjtë, dëshmorët e martirët e lirisë.
Nder e respekt edhe për të gjithë veteranët e invalidët e luftës së UÇK-së dhe familjet e të gjithë të rënëve.
Bashkëndjejmë thellë në shpirt, me të gjitha familjet e bashkëqytetarëve tanë të zhdukur me dhunë edhe pas 26 viteve.
Edhe pse secili nga ne, mbi dhimbjen e kemi krenarinë e sakrificës për liri, plagët e Kosovës janë ende të freskëta.
Mungesa e drejtësisë dhe mosndëshkimi i kriminelëve serb të luftës, ka trimëruar edhe trashëgimtarët e tyre, sikurse ishte rasti me agresionin e Serbisë kundër Kosovës me 24 shtator.
Por, në këtë ditë të lavdishme, ua rikujtojmë se Republika e Kosovës është realitet i pakthyeshëm, është shtet i konsoliduar, me sovranitet shtetëror dhe integritet territorial të qartë dhe të njohur ndërkombëtarisht, me kushtetutë e institucione të bazuara në vlerat dhe standardet më të larta dhe me vizion të qartë drejtë integrimeve euroatlantike.
Ua rikujtojmë se politikat e tyre hegjemoniste do të dëshmojnë edhe njëherë se do të dështojnë, dhe ne do ta mbrojmë lirinë e paqen me çdo kusht.
Të dashur ushtarë, nënoficerë e oficerë,
Ju me angazhimin tuaj vetëmohues, shërbimin tuaj të shquar dhe nivelin e lartë të disiplinës dhe profesionalizmit, po dëshmoni në mënyrë konstante se keni mishëruar në personalitetin dhe karakterin tuaj, vlerat më të larta të besnikërisë, respektit e integritetit, me motivin e lartë e mbi të gjitha për “Detyrën, Nderin dhe Atdheun”.
Po dëshmoni çdo ditë se Adem Jashari jeton në secilin prej jush, dhe se amanetin e tij do ta mbroni në çdo kohë e në çdo pëllëmbë të Kosovës.
Nga ky manifestim madhështor, në këtë ditë të veçantë, një përshëndetje me mirënjohje e vlerësim të veçantë për të gjithë ushtarakët tanë që sot janë në shërbim, stërvitje e operacione jashtë vendit, e të cilët po mbajnë lart e krenar flamurin e Republikës së Kosovës, përkrah ushtarakëve të forcave të vendeve aleate.
Falënderim e mirënjohje e përjetshme për të gjitha vendet tona aleate, forcat e tyre të armatosura dhe secilin ushtarak veç e veç për kontributin e tyre të pamatshëm në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e FSK-së në një forcë bashkëkohore, profesionale dhe ndërvepruese me forcat partnere, në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë kudo në botë.
Shërbimin ndaj atdheut e kemi obligim të gjithë, prandaj duhet të punojmë të angazhohemi të gjithë për ta forcuar secilën hallkë dhe element të shtetit tonë.
Nderimi më i madh për heronjtë, dëshmorët e martirët tanë e në veçanti për Familjen heroike Jashari e Komandantin legjendar Adem Jashari është Kosova e fuqishme e demokratike, me sovranitet në çdo cep të saj e me aleatë në çdo cep të botës.
Të nderuar të pranishëm,
Kur dëgjojmë këngën “Mora fjalë” nga më të vegjlit tanë, e mbi të gjitha kur dëgjojmë se si jehonë në mesin e ushtrisë sonë, e kuptojmë se ajo është më shumë se një melodi.
Është një testament i qëndrueshmërisë së shpirtit njerëzor të personifikuar më së miri në Familjen Jashari.
Është një thirrje për të gjithë ata që guxojnë të ëndërrojnë një botë të lirë.
Është një varg që u bën jehonë aspiratave të brezave të tërë dhe mobilizim për triumfin e lirisë mbi tiraninë dhe shtypjen.
Në jehonën e historisë sonë do të dëgjojmë përherë vargun “Mora fjalë”, një refren që kapërcen kohën dhe hapësirën, dhe përmbledhë rrugëtimin tonë historik.
Një sintagmë që flet për historinë e heronjve tanë, të cilët guxuan t’i sfidojnë prangat e shtypjes, u ngritën kundër regjimit gjenocidal të Serbisë dhe me vendosmëri të palëkundur ndezën flakën e lirisë në netët më të errëta.
Adem Jashari dhe Familja Jashari janë flakadani i lirisë që nuk shuhet kurrë.
Lavdi e përjetshme Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe gjithë Familjes Jashari!
I përjetshëm kujtimi dhe nderimi për të gjithë të rënët për liri!