DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në Seancën Solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së

Shumë i dashur baca Rifat,

E nderuar familje emblemë, familje Jashari,

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca,

I nderuar kryeministër i Republikës, z. Kurti,

Ministra e deputetë,

Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në vendin tonë,

Familje të dëshmorëve,

Shoqata të dala nga lufta,

Kryetar të komunave,

Përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale,

Të nderuar pjesëmarrës,

 

Sa herë vjen marsi, kujtimet tona natyrshëm rikthejnë në vëmendje periudhën më të lavdishme të historisë së popullit tonë që lidhet me përpjekjet tona për liri dhe për shtet.

Marsi është muaj i skalitur në analet e luftës së kombit tonë për liri, një muaj kur shpirti i paepur i Adem Jasharit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i dha hov luftës kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit.

Prandaj, sërish vjen marsi nuk është më vetëm një refren kënge, është moto e kujtesës dhe nderimit të luftës sonë për liri e pavarësi, e cila padyshim identifikohet me kryepersonazhin e luftës sonë, komandantin legjendar Adem Jasharin, familjen e tij dhe gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Në 16 vjetorin e pavarësisë së shtetit tonë, Epopeja e UÇK-së, shënon 26-vjetorin e saj.

Më, 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, Shaban Jashari, Ademi, Hamza dhe të gjithë anëtarët e familjes Jashari, treguan heroizëm e sakrificë të pashoq, duke mbrojtur pragun e shtëpisë së tyre. Pragu i shtëpisë së Jasharajve, në fakt, simbolizonte vetë Kosovën.

Përballë tiranisë dhe padrejtësisë, gjiganti Adem Jashari, personifikon guximin dhe përkushtimin e palëkundur për liri.  Ai dhe e gjithë familja e tij refuzuan të përkulen, ndaj luftuan për dinjitetin dhe lirinë e gjithë Kosovës.

Kryengritësi ynë, Adem Jashari ra në altarin e lirisë bashkërisht me anëtarët e familjes së tij, duke u shndërruar kështu në gardian të përhershëm të Kosovës, në gardian të përhershëm të lirisë sonë të larë me gjak.

Ata e udhëhoqën betejën për liri, prandaj për stoicizmin, përkushtimin dhe heroizmin e dëshmuar, ne u detyrohemi komandantit legjendar me familje dhe secilit luftëtarë, secilit veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me mirënjohje të përhershme!

Heronjtë janë udhërrëfyes të rrugëtimit të shtetit tonë, prandaj do ta nderojmë kujtimin për ta duke ruajtur e kultivuar vlerat për të cilat ata  luftuan dhe ranë.

Rrugëtimi ynë ka qenë i mundimshëm, rruga jonë përplot sfida, por përmes gjithë kësaj, ne kemi dalë fitimtarë falë sakrificës së luftëtarëve tanë. Liria dhe pavarësia jonë janë gjëja më e shtrenjtë që kemi trashëguar nga ta dhe të shenjta poaq sa heronjtë tanë, gjaku i të cilëve qëndron në themelet e Republikës sonë.

Epopeja e UÇK-së, përcaktoi fatin tonë si popull dhe si shtet. Ajo ishte epope e dinjitetit, e krenarisë dhe e lirisë sonë, me të cilën me këmbëngulje dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, u dëshmua se liria nuk ka çmim, të cilin nuk jemi të gatshëm ta paguajmë.

Prandaj sot, shteti i Kosovës qëndron pikërisht mbi supet e heronjve tanë, guximi dhe sakrifica e të cilëve e ka formësuar fatin e Republikës sonë, Republikës sonë të shenjtë.  Kësaj Republike ne do t`i shërbejmë me devotshmëri, ashtu siç i shërbyen të gjithë ata dëshmorë të rënë.

Vepra e Adem Jasharit dhe e gjithë familjes Jashari është një testament për fuqinë e shpirtit njerëzor, një kujtesë se edhe në orët tona më të errëta, ne gjejmë forcë si popull për t’u ngritur mbi rrethanat e rënda dhe për të luftuar për atë që besojmë. Ai e bëri, Komandanti Legjendar e bëri, prandaj u shndërrua në heroin tonë të përjetshëm së bashku me gjithë familjen e tij. Ai ishte më shumë se një komandant- ishte një vizionar, guximi i të cilit nuk njohu kufi.

Sot shteti ynë ec përpara krahas gjeneratës së re të Jasharajve. Me Ademin e ri, Hamzën e ri, gjithë të rinjtë e të rejat, të cilat në çdo cep të Kosovës këndojnë “Mora fjalë”.  Shtëpitë e Jasharajve sot pulsojnë jetë. Ndërkaq ne bashkërisht vazhdojmë trajektoren e nisur që atëherë, duke forcuar shtetin dhe duke mbrojtur jetën dhe të drejtat e çdo qytetari tanë.

Por, përpjekja jonë e përbashkët në këtë proces nuk ka përfunduar. Tani, më shumë se kurrë, uniteti për çështje të interesit kombëtar është i domosdoshëm, sepse ai është mjeti i vetëm për ta forcuar shtetin tonë, integritetin e tij dhe për ta nderuar kujtimin e atyre që u sakrifikuan për Republikën tonë.

Na takon neve ta shkruajmë kapitullin e ri të historisë së shtetit tonë, atë të zhvillimit dhe afirmimit ndërkombëtar të Republikës.

Kosova është atdheu ynë që e meriton çdo ditë përkushtimin tonë të palëkundur!

 

Zoti e bekoftë familjen Jashari!

Zoti i bekoftë gjithë dëshmorët e UÇK-së!

Zoti e bekoftë Republikën tonë!

Faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.