presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Lituanisë, Eduardas Borisovas

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani,  sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Lituanisë, Eduardas Borisovas.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova me Lituaninë ka marrëdhënie miqësore, të krijuara nga sfidat historike dhe aspiratat e përbashkëta për demokraci dhe liri.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përmendur vizitën e fundit zyrtare në Lituani, e cila  ishte një dëshmi e bashkëpunimit në rritje ndërmjet dy shteteve.

Në takim me ambasadorin Borisovas, Presidentja Osmani ka shprehur falënderim për angazhimin e vazhdueshëm të Lituanisë në Kosovë nëpërmjet pjesëmarrjes së saj në KFOR që nga periudha e pasluftës.

Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është shumë e interesuar t`i forcojë marrëdhëniet dypalëshe me Lituaninë, por edhe të përfitojë nga përvoja e këtij shteti nga tranzicioni i suksesshëm politik dhe ekonomik, veçanërisht në fusha të tilla si integrimi në BE, sundimi i ligjit, mbrojtja, siguria, inovacioni, teknologji informative, arsimi dhe fusha të tjera.

Presidentja Osmani e njoftoi ambasadorin Borisovas edhe për gjendjen aktuale politike dhe të sigurisë në vend dhe theksoi se Serbia, duke përdorur modelin e Rusisë po tenton ta destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin.

Presidentja Osmani tha se BE-ja duhet t`i heqë masat e ndaj Kosovës.

Duke qenë se Kosova mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për integrimin euroatlantik dhe konsolidimin e pozitës së saj ndërkombëtare, Presidentja Osmani shtroi nevojën e mbështetjes së Lituanisë për aspiratat tona për anëtarësim në Këshillin e Evropës, BE, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Një pjesë e takimit iu kushtua edhe Forumit Ndërkombëtar për Gratë,  Paqen dhe Sigurinë, edicioni i dytë i të cilit mbahet më 15-16 prill, dhe i cili dëshmon përkushtimin e Kosovës për ta promovuar barazinë gjinore dhe përpjekjet për ndërtimin e paqes.

Presidentja Osmani dhe ambasadori Borisovas diskutuan edhe për thellimin e bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm përfshirë arsimin, kulturën, shëndetësinë dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.