DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani: Epopeja e UÇK-së, simbolizon lirinë që e gëzojmë ne sot

Prekaz, 6 mars 2024: Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe me kryeministrin, Albin Kurti kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, me rastin e 26 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Pas homazheve, Presidentja Osmani, kryetari Konjufca dhe kryeministri Kurti vizituan kullën e familjes Jashari, e që u pritën nga Baca Rifat Jashari.

“Sot, jemi këtu së bashku me Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin e vendit që sërish në emër të popullit të Kosovës, të shprehim mirënjohjen tonë të thellë dhe përkujtimin tonë të përjetshëm për Kryekomandantin Adem Jashari dhe gjithë familjen Jashari, të cilët personifikojnë sakrificën më të lartë njerëzore që ka njohur historia jonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani, Epopeja e UÇK-së është Epope e krenarisë së popullit tonë.

“Epopeja e UÇK-së është Epope e krenarisë së popullit tonë, është Epope që ka rikthyer dinjitetin e shtetit tonë, e mbi të gjitha është Epope që simbolizon lirinë që e gëzojmë ne sot”, ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja ka thënë se familja Jashari do të mbesin përjetë udhërrëfyes për brezat e tanishëm, por edhe për brezat që do të vijnë pas nesh.

“Siç shihni, jo vetëm tani përgjatë Epopesë, por në periudha të ndryshme të vitit kemi fëmijë nga shkolla anekënd Kosovës që vijnë këtu, jo vetëm për të mësuar për historinë e Kosovës, por mbi të gjitha për t’u frymëzuar me shembullin e familjes Jashari, me trimërinë dhe guximin e tyre dhe me vet faktin që ata ishin të gatshëm të japin gjithçka në mënyrë që sot Kosova të frymojë e lirë. Lavdi përjetë Komandantit Adem Jashari dhe të gjithë anëtarëve të familjes Jashari si dhe të rënëve e të gjithë dëshmorëve të tjerë të UÇK-së!”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.