Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, z. Prindon Sadriu takoi homolgen shqiptare znj. Armanda Begaj

Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, takoi të martën në Tiranë homologen e tij nga Shqipëria, znj. Armanda Begaj. Në cilësinë e diplomatit, Zotëria i Parë ndodhet në Tiranë për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës në takimin e radhës të Kartës së Adriatikut (A5). Në të njëjtën kohë z. Sadriu, po i udhëheqë konsultat e sigurisë në nivel të ministrive të jashtme dhe të mbrojtjes. Të dy homologët kanë diskutuar çështje të interesit reciprok, si dhe për forcimin e mëtutjeshëm të raporteve ndërshtetërore dhe vëllazërore. Gjatë takimit, diskutimet u fokusuan në marrëdhëniet dypalëshe. Fokus i veçantë iu kushtua bashkëpunimit dhe sinergjisë në fusha të ndryshme, si dhe mbështetjes që ata japin në ushtrimin e funksioneve kushtetuese nga krerët e të dy shteteve. Zotëri Sadriu e njoftoi znj. Begaj rreth punës dhe angazhimeve lidhur me organizimin e edicionit të dytë të samitit mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS). Të dy bashkëbiseduesit, gjithashtu diskutuan lidhur me agjendat e tyre ndërkombëtare, qofshin ato të veçanta apo në kuadër të vizitave zyrtare nga krerët e shteteve. Për më tepër, vëmendje iu kushtua sfidave rajonale dhe globale, me theks në rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit në adresimin e kërcënimeve të përbashkëta për paqen dhe sigurinë rajonale. Zotëria i Parë shprehu gatishmërinë për takimin e radhës në Prishtinë, gjatë punimeve të WPS-it, duke pohuar angazhimin e palëkundur të tij për vazhdimin e bashkëpunimit me Zonjën e Parë të Shqipërisë dhe ekipin e saj. Z.Sadriu ka theksuar se pret me padurim avancimin e mëtejshëm të objektivave të përbashkëta.
Presidentja Osmani vizitoi komunën e Lipjanit

Lipjan, 18 mars 2024-Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së sotme ka vizituar komunën e Lipjanit, me ç’rast ka pasur një sërë aktivitetesh. Fillimisht, Presidentja Osmani është pritur në takim nga kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti. Presidentja Osmani dhe kryetari Ahmeti kanë takuar edhe fëmijët në kopsht, të rinjtë e të rejat e kësaj komune, bizneset si dhe komunitetet jo shumicë që jetojnë komunën e Lipjanit. Ndërkaq, në deklarimin për media Presidentja Osmani ka thënë se me Lipjanin po i vazhdon vizitat nëpër komunat e Kosovës. “Kam kënaqësinë që sot të pritem nga kryetari Imri Ahmeti, një prej kryetarëve prej të cilëve njihemi për mëse 20 vite dhe kemi bashkëpunuar edhe në cilësi të ndryshme. Kështu që, nga puna e tij e deritanishme jam e bindur që qytetarët e Lipjanit kanë me çka të krenohen, dhe se edhe projektet e tjera, për të cilat më informoi sot kryetari Ahmeti do të vazhdojnë dhe do të përmbyllen me sukses”, ka thënë Presidentja Osmani. Presidentja Osmani dhe kryetari Ahmeti kanë diskutuar për fusha të ndryshme, të cilat janë në interes të qytetarëve të Lipjanit. “Ka fusha të ndryshme, të cilat janë natyrisht të interesit të qytetarëve të kësaj komune, për të cilat diskutuam, nga fusha e arsimit tek fusha e zhvillimit ekonomik, diskutuam për rëndësinë e krijimit të mundësive të reja, sidomos për rininë, në mënyrë që ata të rrinë në Kosovë, ta zhvillojnë potencialin e tyre në Kosovë, t’i realizojnë ëndrrat e tyre në profesionet e tyre brenda Kosovës dhe mos ta shohin si mundësi vetëm si të largohen nga këtu. Kjo, natyrshëm se lidhet me zhvillimin ekonomik të kësaj komune, e cila siç e kam përmendur edhe më herët është komunë që ka ofruar një mundësi të jashtëzakonshme për bizneset, janë mbi dy mijë biznese që operojnë këtu, disa prej të cilave do t’i vizitojmë sot gjatë ditës”, ka theksuar Presidentja Osmani. Presidentja Osmani dhe kryetari Ahmeti, gjithashtu kanë diskutuar edhe për mundësitë për tërheqjen e investitorëve të huaj në komunën e Lipjanit. “Diskutuam edhe për mundësitë se si investitorë të jashtëm do të mund të investonin, qofshin ata shtetëror, qofshin investime të huaja direkte në komunën e Lipjanit, dhe natyrisht për shkak se në shumicën dërmuese të udhëtimeve të mia jashtë vendit kam komunikim me këto shtete që janë të interesuara të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre tregtar-ekonomik me Kosovën, disa prej projekteve të komunës së Lipjanit do t’i shtyjmë përpara, natyrisht në përputhje të plotë siç e thash me interesat e qytetarëve”, ka pohuar Presidentja.
Presidentja Osmani kujtoi 25-vjetorin e masakrës në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar përvjetorin e Masakrës në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë. 25 vjet më parë, më 13 mars 1999, nga granatat e forcave të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë u vranë mizorisht 7 civilë të pafajshëm, nga mosha 5-65 vjeçe. Në këtë akt makabër, u plagosën 128 persona në mesin e të cilëve fëmijë, gra, pleq e të rinj. Kjo masakër është një nga dëshmitë më autentike të brutalitetit të një regjimi kriminal, i cili synonte shfarosjen e shqiptarëve. Sot, nderojmë kujtimin për të vrarët e asaj dite, ndërkohë që angazhimi ynë për vendosjen e drejtësisë mbetet i vazhdueshëm. Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët në masakrën në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë!
Deklarata për media e Presidentes Vjosa Osmani me përfaqësuesin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar
Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Bangladeshit, Mosharraf Hossain Bhuiyan

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Bangladeshit, Mosharraf Hossain Bhuiyan, të cilin e ka falënderuar për angazhimin gjatë mandatit të tij. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e përzemërt për angazhimin e palëkundur të Bangladeshit për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe me Kosovën dhe mbështetjen e vazhdueshme ndër vite. Në këtë linjë, Presidentja Osmani shtroi nevojën e mbështetjes nga Bangladeshit për forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në takim u diskutua edhe për mundësitë e shkëlqyera për nxitjen e mëtejme të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, me theks të veçantë në industrinë e tekstilit, e cila është e zhvilluar në Bangladesh. Në këtë kontekst, u diskutua edhe për mundësinë e organizimit të një forumi të përbashkët ekonomik si një mundësi e shkëlqyer për bizneset nga të dyja vendet për t`i eksploruar perspektivat e bashkëpunimit në të ardhmen. Presidentja Osmani, në këtë takim, e ka njoftuar ambasadorin Bhuiyan edhe për edicionin e dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet më 15-16 prill të këtij viti dhe i cili është një mundësi e mirë për bashkëpunim dhe dialog të mëtejshëm.
Betohet para Presidentes Osmani, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Jeton Bytyqi

Sot u mbajt ceremonia e betimit të gjyqtarit Jeton Bytyqi para Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe në prezencë të kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Gresa Cakaj. Presidentja Osmani e ka uruar z. Bytyqi për rolin e ri si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe ka theksuar rëndësinë e integritetit dhe paanshmërisë së gjyqtarëve të këtij institucioni. Gjyqtari Bytyqi është betuar se do t’i qëndrojë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe se do t’i respektojë rregullat e etikës profesionale.
Presidentja Osmani ka kujtuar demonstratat e vitit ’81: Guximi i studentëve i dha formë kauzës për Kosovën Republikë e përmbushur më 17 shkurt 2008

43 vjet më parë, guximi i studentëve i manifestuar me demonstrata bëri që kauza jonë për Kosovën Republikë të marrë formë dhe vazhdojë tutje deri në përmbushjen e saj, më 17 shkurt të vitit 2008. “Revolta e bukës”, në mensën e Universitetit të Prishtinës ishte në fakt revoltë kundrejt një regjimi shtypës , e cila shënoi fillimin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Këto demonstrata ndryshuan rrjedhën e historisë me kauzën e qartë për mbrojtje të dinjitetit, identitetit kombëtar dhe të drejtës për shtet. Pranvera 81` është një pikë kthese në historinë e Kosovës, një përpjekje e guximshme kundër shtypjes dhe një pohim i fuqishëm i të drejtës së popullit të Kosovës për liri dhe Republikë. Trashëgimia e demonstratave të vitit 1981 është në funksion të kujtesës së fuqisë transformuese të studentëve për të bërë ndryshime rrënjësore. Guximi, qëndrueshmëria dhe rezistenca e studentëve të atij brezi mbajti në supe luftën për liri dhe sovranitet, duke çuar përfundimisht në realizimin e ëndrrës për Kosovën Republikë, të cilën çdo ditë e më tepër duhet ta ruajmë dhe ta fuqizojmë.
Presidentja Osmani priti një delegacion nga Zyra për Koordinimin e Këshillave Kombëtare Boshnjake

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani Sadriu ka pritur sot një delegacion nga Zyra për Koordinimin e Këshillave Kombëtare Boshnjake, të cilët po qëndrojnë në Kosovë me ftesë të përfaqësuesve boshnjakë në Këshillin Konsultativ për Komunitete, në Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës. Presidentja bëri thirrje për bashkëpunim edhe më të ngushtë, në radhë të parë të natyrës institucionale, ndërmjet Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, e pastaj ndërmjet mes popullit shqiptar dhe atij boshnjak, për projekte të përbashkëta dhe shkëmbime në fushën e arsimit dhe kulturës. Presidentja poashtu theksoi se është e nevojshme të zbatohen të gjitha parimet e nënshkruara në marrëveshjet e Procesit të Berlinit, duke filluar nga liria e lëvizjes.
Presidentja me rastin e 8 marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas: Sot, nesër dhe çdo ditë, me ju dhe për ju!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në Ditën Ndërkombëtare të Gruas shënojmë arritjet e grave dhe vajzave dhe përpjekjet e jashtëzakonshme të tyre në Kosovë dhe kudo në botë për të drejta të barabarta. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas shënojmë arritjet e grave dhe vajzave dhe përpjekjet e jashtëzakonshme të tyre në Kosovë dhe kudo në botë për të drejta të barabarta. Sot kujtojmë dhe të gjitha ato gra e vajza që nuk janë më në mesin tonë, e të cilat u shndërruan në simbol rezistence, lufte dhe angazhimi për liri e barazi. Forca, qëndrueshmëria dhe zelli juaj i pashoq për emancipim të vazhdueshëm, zhvillim e barazi qëndron fort në themelet e Republikës sonë. Sot, nesër dhe çdo ditë, me ju dhe për ju!
Presidentja Vjosa Osmani uron 7 Marsin: Mësuesit janë garancia për cilësinë dhe formimin e brezave të ardhshëm

137 vite më parë me ndërtimin e mësonjtores së parë shqipe u vu guri themeltar i arsimit shqip. Investimi në arsim është jetik për mirëqenien shoqërore dhe shtetërore. Shkolla dhe mësuesit luajnë një rol vendimtar për një shoqëri të përparuar dhe shtet të zhvilluar. Sa më shumë investime në arsim, më shumë do ta nderojmë përkushtimin e palodhur të mësuesve tanë Mësuesit janë garancia për cilësinë dhe formimin e brezave të ardhshëm. Të dashura mësuese, të dashur mësues, urime 7 Marsi!