Presidentja Osmani përkujtoi veprimtarët Latif Berisha dhe Agim Hajrizi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar dy humanistët e shquar Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, në 25 vjetorin e vrasjes. Përkujtimi i plotë i Presidentes: 25-vjet më parë, forca të regjimit gjenocidal të Serbisë, vranë mizorisht dy humanistët e shquar, shkrimtarin dhe intelektualin Latif Berisha dhe aktivistin e palodhur sindikalist, Agim Hajrizi, së bashku me nënën dhe djalin e tij. Angazhimi dhe sakrifica e palëkundur e tyre, mishëroi idealet më fisnike të kauzës dhe aspiratës sonë për liri e pavarësi. Vepra e tyre do të kujtohet përherë dhe do të jetë udhëzuese e frymëzim për brezat që do të vijnë. I përhershëm qoftë kujtimi për të gjithë të rënët për liri!

Presidentja: Epopeja e Dukagjinit është një nga kapitujt më heroik të luftës për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 26 vjetorin e Epopesë së Dukagjinit. Përkujtimi i plotë i Presidentes: Epopeja e Dukagjinit është një nga kapitujt më heroik të luftës për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 26-vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë sulmuan Gllogjanin, teksa u përballën me rezistencë të pashoqe të familjes Haradinaj. Dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend dhe Agron Mehmetaj në këtë ditë e fituan përjetësinë, duke u bërë heronjtë tanë të përhershëm. Kjo Epope përkon me fillimin e bombardimeve të NATO-s, kundrejt caqeve të regjimit gjenocidal të Serbisë dhe është dëshmi se për lirinë tonë dhanë kontribut të madh edhe aleatët tanë. Nderim përjetë për të gjithë heronjtë e UÇK-së, sikurse edhe për aleatët tanë të palëkundur që na qëndruan përkrah në përmbushjen e ëndrrës sonë për liri e shtet.

Presidentja Vjosa Osmani: Do ta kujtojmë përgjithmonë kontributin e përhershëm të ish–sekretares Albright për lirinë dhe demokracinë tonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vendosur lule tek busti i ish – sekretares Madeleine Albright, në nderim të jetës dhe veprës së saj në dy vjetorin e ndarjes nga jeta. “Trashëgimia e saj është skalitur jo vetëm në faqet e historisë sonë, por edhe në të gjitha poret e shtetit tonë. Ne do ta kujtojmë përgjithmonë kontributin e saj të përhershëm për lirinë dhe demokracinë tonë”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja: Mbështetja e palëkundur e Shteteve të Bashkuara ka qenë thelbësore për sukseset e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Ndihmës Sekretarin për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA, Todd D. Robinson Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Mbështetja e palëkundur e Shteteve të Bashkuara ka qenë thelbësore për sukseset e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit. Në takimin e sotëm me Ndihmës Sekretarin Todd Robinson, u dakorduam ta vazhdojmë punën drejt arritjes së qëllimit tonë të përbashkët: luftimin e krimit të organizuar transnacional me qëllim të garantimit të sigurisë për të gjithë qytetarët tanë. 

Fjalimi i Presidentes Osmani në edicionin e njëmbëdhjetë të Javës së Gruas

Faleminderit shumë Pranvera, Të dashura pjesëmarrëse të Javës së Gruas, Të nderuar të pranishëm, Zonja zëvendëskryeministre Rexhepi, E nderuar zonja Niedoba, Shumë e dashur Nancy, Ambasadore Soderberg, Zonja dhe zotërinj, Rikthimi në Javën e Gruas gjithnjë është sikur të kthehesh në shtëpi. Ka qenë që nga ditët e para, përpjekje e përbashkët e grave të Kosovës dhe e partnerëve tanë ndërkombëtar, në veçanti NDI. Faleminderit nga zemra për gjithçka që bëni drejt fuqizimit të vajzave dhe grave në Kosovë, e rrjedhimisht fuqizimit të vetë Kosovës dhe faleminderit për kthimin e Javës së Gruas në një platformë që na bashkon të gjithave në ambicien tonë të përbashkët, për të integruar pjesëmarrjen e barabartë gjinore dhe gjithëpërfshirjen në vetë thelbin e secilës ndërmarrjeje, secilit veprim dhe gjithë politikbërjes sonë, qoftë në nivel qendror, po ashtu edhe në nivel lokal. Përgjatë historisë së njerëzimit, shoqëritë kanë bërë përparim vetëm atëherë kur kanë përqafuar plotësisht diversitetin dhe kanë fuqizuar gjithsecilin zë. Pra, kanë fuqizuar të gjithë zërat për të kontribuar për të mirën e përbashkët. Udhëheqja gjithëpërfshirëse është një burim force. Është një mjet që mundëson transformimin pozitiv të shoqërive tona. Kudo që ka udhëheqje gjithëpërfshirëse, aty ka përparim, ka mirëqenie dhe demokracia lulëzon në mënyrën më të mirë. Të gjithë e dimë se sfidat pra nesh janë të mëdha dhe komplekse. Ne jetojmë në një kohë të jashtëzakonshme, në një periudhë të transformimit global dhe periudhë po ashtu të sfidave të paprecedenta. Nga ndryshimet klimatike tek inteligjenca artificiale, nga konfliktet e armatosura tek luftërat hibride, e po ashtu nga pabarazitë ekonomike tek pandemitë globale. Problemet me të cilat përballemi secili shtet, sado i vogël apo i madh, kërkojnë zgjidhje të guximshme dhe kërkojnë qasje ndryshe nga ajo se si është paramenduar në të kaluarën. Përballja me sfidat e shekullit XXI kërkon një ndryshim të botëkuptimit, se si i organizojmë shoqëritë tona. Nuk mund të vazhdojmë më të mbështetemi në modele të vjetra të mendimit dhe të veprimit, të cilat kanë prodhuar vazhdimisht pabarazi. Në vend të kësaj, duhet të angazhohemi për ndërtimin e shoqërive dhe të një bote e cila vlerëson dhe e cila shfrytëzon plotësisht kontributin e secilit individ, dhe kjo është e pamundur, e pamundur pa përfshirë në tërësi kontributin e vajzave dhe grave. Dita e ditës kuptojmë gjithnjë e më shumë, se ne do të mund të kemi sukses të garantuar, qoftë në udhëheqjen e shtetit, qoftë në udhëheqjen e një kompanie, apo në organizime në komunitet, atëherë kur vajzat dhe gratë janë prezente. Atëherë kur ato përfshihen, atëherë kur ato kanë rol aktiv, atëherë kur atyre u dëgjohet zëri dhe atëherë kur edhe ato marrin vendime në një platformë të barabartë. Kur i përjashtojmë vajzat dhe gratë, komunitete të tëra dështojnë. Kur i përjashtojmë ato nga procesi i vendimmarrjes, kur margjinalizojmë grupe të caktuara duke u bazuar në racë, gjini, fe ose karakteristika të tjera, ne e kufizojmë aftësinë tonë kolektive, e kufizojmë shoqërinë tonë në tërësi, i vendosim kufij edhe vet shtetit tonë dhe potencialit të tij. Pra, kufizojmë aftësitë tona të përbashkëta për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme, të cilat i reflektojnë nevojat e vërteta të shoqërisë sonë dhe të cilat i zgjidhin problemet e nevojat tona më urgjente. Kjo është edhe arsyeja pse promovimi dhe përfaqësimi i udhëheqjes gjithëpërfshirëse, duhet të jetë në krye të përpjekjeve tona për adresimin e sfidave të shekullit XXI. Nuk mjafton t’i kushtojmë fjalë diversitetit dhe gjithëpërfshirjes. Ne duhet të punojmë pa reshtur e çdo ditë, për të larguar barrierat që i pengojnë të gjithë individët që të marrin pjesë plotësisht në demokracinë dhe në ekonominë tonë. Përtej fjalëve, dua të flas edhe për barrën e përgjegjësisë. Ndryshimi fillon nga ne, nga gjithsecili prej nesh. Ndryshimin e fillojmë me një vepër, me një kauzë, me një projekt, e me raste qoftë edhe me një fjalim. Është e jashtëzakonshme se çfarë mund të arrimë e të bëjmë me të ashtuquajturat vepra të vogla. Realisht unë nuk besoj që ka vepra të vogla. Ka vepra të vogla me impakt të madh, sepse çdo vepër sado që në fillim mund të duket e vogël, na ofron më afër gjithëpërfshirjes si synim. Ajo që duhet të kuptojmë është se për të ndryshuar pozitivisht, ne duhet të veprojmë së pari, andaj ju them mos hezitoni. Mos hezitoni sado që mund të duket vështirë në fillim, mos ngurroni ta ngrisni zërin, mos ngurroni të reagoni, mos ngurroni të kundërshtoni dhe vazhdimisht të kërkoni të drejtat tuaja. Në rrugëtimin tuaj mos pranoni kurë të ju ulin, të ju dekurajojnë, të ju bëjnë të ndryshoni kahun. Nuk e di askush më mirë se sa vet ju, aftësinë dhe potencialin tuaj për të kontribuar drejt ndryshimit pozitiv. Në secilin dhe secilën nga ju, ka diçka që nuk mund të ketë tek tjetri. Andaj, ashtu siç jemi unik në atë që përfaqësojmë, po aq unike janë edhe kontributet tona në drejtim të zgjidhjes së sfidave të shekullit tonë. Në këtë rrugëtim, edukimi dhe ndërgjegjësimi janë çelësi. Andaj, lidershipi gjithëpërfshirës nuk ka të bëj vetëm me politikat dhe programet. Ka të bëjë me një mentalitet të tërë, ka të bëjë me një mënyrë së edukuari dhe mirë informuari se si t’iqasemi botës. Ne duhet përfundimisht të kuptojmë, se të gjithë jemi të ndërlidhur me njëri tjetrin, se sfidat me të cilat përballemi janë të përbashkëta dhe se duhet të punojmë bashkë, sepse vetëm ashtu mund t’i kapërcejmë ato. Andaj, në këtë rrugëtim mos harroni t’ia zgjatni dorën atyre që sot nuk janë këtu në mesin tonë, që nuk e kanë pasur këtë mundësi sot. Mos harroni se kjo mundësi që ju keni sot, ju duket ende një realitet i largët një vajze apo një djali diku në një cep të Kosovës sonë. Pra, zgjatni duart atyre, u ndihmoni sikurse u ka ndihmuar edhe juve dikush dhe sa më shumë që të bëhemi, aq më të fuqishëm do të jemi dhe aq më lehtë do t’i zgjedhim sfidat me të cilat përballemi. Mos harroni po ashtu kurrë, se sa e rëndësishme është

Presidentja Osmani përfaqëson Kosovën në Samitin e Demokracisë: Në çdo hap, Kosova reflekton forcën dhe frymën e demokracisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në Samitin për Demokraci, i cili është organizuar sot virtualisht nga Republika e Koresë, nën udhëheqjen e Presidentit Yoon Suk Yeol. Samiti për Demokraci është nismë e Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, në kuadër të së cilit Kosova ndër vite është shquar në mesin e vendeve kampione për sa i përket reformave dhe nismave të ndërmarra në drejtim të fuqizimit të vazhdueshëm të demokracisë. Në deklaratën e saj, Presidentja Osmani solli në vëmendje rëndësinë jetike për forcim dhe zhvillim të mëtejshëm të demokracisë, duke theksuar domosdoshmërinë e unitetit nga shtetet demokratike përballë autokracive në rritje. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka thënë se zotimet që kemi ndërmarrë në kuadër të Samitit për Demokraci i kanë prirë rrugëtimit tonë, si në politikë ashtu edhe në vendimmarrje. Në deklaratën e saj, Presidentja Osmani theksoi se që nga takimi i fundit i liderëve, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e sundimit të ligjit në përputhje me strategjinë e miratuar gjithëpërfshirëse kombëtare, një nga rezultatet më të rëndësishme në kuadër të zotimeve tona në Samitin për Demokraci. “Ne kemi dëshmuar gjithashtu edhe përkushtimin tonë ndaj standardeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit, duke miratuar Deklaratën kundër ndalimit arbitrar në marrëdhëniet ndërshtetërore; duke u bërë pjesë e Deklaratës së Parimeve për ta luftuar represionin transnacional së bashku me gjashtë vende të tjera demokratike, në tetorin e kaluar; si dhe duke punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara drejt avancimit të përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar manipulimin e informacioneve nga ndonjë shtet i huaj”, ka thënë tutje Presidentja Osmani. Presidentja Osmani ka folur edhe mbi përpjekjet e vazhdueshme për ta luftuar dhunën me bazë gjinore, për t’i fuqizuar gratë ekonomikisht dhe për ta forcuar rolin e tyre në institucionet publike dhe politike, duke theksuar se barazia gjinore dhe fuqizimi i grave kanë qenë në themel të të gjitha zotimeve tona. Në prag të edicionit të dytë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në muajin prill në Prishtinë, Presidentja Osmani ka theksuar se një ndër të arriturat më të mëdha këtë vit është themelimi i Qendrës së parë Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Ballkanin Perëndimor, në partneritet me Zyrën e Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, në përputhje me Strategjinë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2023 të SHBA-ve, si dhe Planin Kombëtar të Veprimit.

Turqia është ndër shtetet me kontributin më të madh në kuadër të KFOR-it

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në një iftar të përbashkët, i ka falënderuar të gjithë ushtarakët që shërbejnë larg vendit. Postimi i Presidentes Osmani: Me qindra ushtarë në Kosovë, Turqia është ndër shtetet me kontributin më të madh në kuadër të KFOR-it. Prandaj, mbrëmë, në një iftar të përbashkët, i falënderova të gjithë ushtarakët që shërbejnë larg vendit e familjeve të tyre në mënyrë që të ketë paqe e siguri në Kosovë.

Deklarata shtetërore e Presidentes Vjosa Osmani në emër të Republikës së Kosovës në Samitin e tretë për Demokraci, i mbajtur në Republikën e Koresë

Të nderuar kolegë, të nderuar përfaqësues të institucioneve të Koresë së Jugut! Demokracia nuk mund të merret si e mirëqenë. Demokracia, gjithashtu nuk është një e drejtë e dhuruar. Mbi të gjitha, demokracia është përgjegjësi: përgjegjësi për të mbrojtur, për të fuqizuar, për të ruajtur, për të mbështetur, por më e rëndësishmja, është një përgjegjësi për të vepruar. Tre vjet më parë, me iniciativën e Presidentit Biden, ne iu bashkuam botës demokratike për ta përcjellë një mesazh uniteti. Por, mbi të gjitha një mesazh për domosdoshmërinë e bashkimit të demokracive përballë autokracive në rritje. Që atëherë, zotimet që kemi marrë përsipër në kuadër të Samitit për Demokraci i kanë prirë rrugëtimit tonë si në politikë ashtu edhe në vendimmarrje. Në çdo epokë, demokracia është sfiduar nga forcat e tiranisë dhe shtypjes, sikurse edhe nga ata që kërkojnë ta minojnë fuqinë e saj transformuese. Megjithatë, demokracia mbijeton. Ajo bëhet më e qëndrueshme dhe më e fortë, sepse në thelbin e saj, demokracia ka të bëjë me shpirtin e njeriut. Me ëndrrat dhe me aspiratat tona. Që nga takimi ynë i fundit, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e sundimit të ligjit në përputhje me strategjinë e miratuar gjithëpërfshirëse kombëtare, një nga rezultatet më të rëndësishme në kuadër të zotimeve tona në Samitin për Demokraci. Ne kemi dëshmuar gjithashtu edhe përkushtimin tonë ndaj standardeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit, duke miratuar Deklaratën kundër ndalimit arbitrar në marrëdhëniet ndërshtetërore; duke u bërë pjesë e Deklaratës së Parimeve për ta luftuar represionin transnacional së bashku me gjashtë vende të tjera demokratike, në tetorin e kaluar; si dhe duke punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara drejt avancimit të përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar manipulimin e informacioneve nga ndonjë shtet i huaj. Me barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në themel të të gjitha zotimeve tona, ne kemi punuar me të gjitha institucionet dhe me shoqërinë civile për ta luftuar dhunën me bazë gjinore, për t`i fuqizuar gratë ekonomikisht dhe për ta forcuar rolin e tyre në institucionet publike dhe politike. Teksa po flas para jush, ne jemi duke i bërë përgatitjet për ta mbajtur edicionin e dytë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në muajin prill në Prishtinë. Në këtë edicion, ne do të fokusohemi jo vetëm në partneritetet dhe dialogun për ta ndërtuar paqen e qëndrueshme përmes sigurimit të përfaqësimit më të madh të grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes. Jam e lumtur ta ndajë me ju lajmin për themelimin e Qendrës së parë Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Ballkanin Perëndimor, në partneritet me Zyrën e Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, në përputhje me Strategjinë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2023 të SHBA-ve, si dhe Planin Kombëtar të Veprimit. Këto masa përfaqësojnë në tërësi një qasje të fuqishme drejtë forcimit të sundimit të ligjit, duke shfaqur përkushtimin e Kosovës ndaj reformës ligjore, transparencës si dhe mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të njeriut. Në këtë rrugëtim, angazhimi i brezit të ardhshëm në proceset demokratike është jetik. Jam e bindur se nëpërmjet njohurive të tyre dixhitale gjithnjë në zhvillim, ne kemi mundësi të jashtëzakonshme për ta zhvilluar tutje demokracinë. Veprimet e të rinjve tanë, pasioni i tyre dhe përkushtimi ndaj demokracisë mund ta nxisin një epokë të re prosperiteti. Kjo, ngase, ku ka qëndrueshmëri, këmbëngulje, unitet dhe ambicie, demokracia gjithmonë fiton! Faleminderit! 

Presidentja Osmani vizitoi kompaninë “Numarics”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot kompaninë “Numarics”. Postimi i plotë i Presidentes: Nga Zvicra në Prishtinë, një tregim fantastik i Krisit dhe kompanisë së tij “Numarics”. Kjo kompani ka rreth 3,500 klientë në Zvicër dhe është radhitur në  top 10-shen e kompanive fintech në këtë shtet. “Numarics”, është mundësi për kursim buxheti dhe dinamizëm në punë. Kompanitë sikurse kjo janë motivim për rininë tonë dhe inkurajim që Kosovën ta shohin si vend ku mund ta realizojnë potencialin dhe ta shpërfaqin kreativitetin e tyre.

Presidentja Osmani priti në takim presidentin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim presidentin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andreew Parsons, të shoqëruar nga presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini. Kosova do të përfaqësohet për herë të parë në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”, ndaj Presidentja Osmani e ka cilësuar këtë moment historik, duke shpresuar në përfaqësim të denjë të sportistëve tanë në këto gara ndërkombëtare. Presidentja Osmani ka falënderuar për mbështetjen e deritashme presidentin Parsons dhe ka shtuar nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit në funksion të krijimit të kushteve sa më të mira për parasportistët. Kurse presidenti Parsons e ka ftuar zyrtarisht Presidenten Osmani që të jetë prezente në ceremoninë hapëse të Lojërave Paralimpike “Paris 2024”, më 28 gusht.

This site is registered on wpml.org as a development site.