Presidentja Osmani kujtoi 25 vjetorin e Masakrës në lagjen “Dardania” në Pejë

Brutaliteti i regjimit gjenocidal serb përgjatë muajit mars të vitit 1999 përfshiu pjesë të ndryshme të Kosovës. Më 27 mars të atij viti, në lagjen “Dardania”, në Pejë, ekzekutuan barbarisht 40 burra, gra e fëmijë. Shfarosja e popullit shqiptar të Kosovës dhe spastrimi etnik ishin synimet e regjimit kriminal serb në të gjitha vendet ku u kryen masakrat në tërë territorin e Kosovës. Në këtë përvjetor, bashkëndjejmë me familjet e tyre dhe riafirmojmë angazhimin tonë për drejtësinë dhe të vërtetën. Qoftë i përhershëm kujtimi për 40 të vrarët në lagjen “Dardania”!

Presidentja: Historia e Nënë Ferdonijes duhet të shërbejë si kujtesë e historisë sonë të trishtë, por edhe e përgjegjësisë që të mos reshtim në kërkesën për drejtësi dhe në mbrojtje të së vërtetës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se 25 vjet më parë, Nëna Ferdonije Çerkezi, pati takimin e fundit me katër djemtë dhe bashkëshortin, të cilët forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, i rrëmbyen dhunshëm. Eshtrat e dy djemve janë gjetur, teksa pritja për zbardhjen e fatit të 2 djemve dhe bashkëshortit, ende nuk ka marrë fund. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Shtëpia e saj tashmë është muze. Pjatat në tavolinë janë bërë personifikim i pritjes për djemtë dhe bashkëshortin e Nënës Ferdonije Çerkezi, e cila prej 25 vjetësh, dhimbjen e ka bashkuar me pritjen. Në ora 11:00, 25 vjet më parë ajo pati takimin e fundit me katër djemtë dhe bashkëshortin, të cilët forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, i rrëmbyen dhunshëm. Eshtrat e dy djemve janë gjetur, teksa pritja për zbardhjen e fatit të 2 djemve dhe bashkëshortit, ende nuk ka marrë fund. Nga atëherë, pritja e ka rënduar, por Nëna stoike nuk ka hequr dorë nga shpresa. Historia e Nënë Ferdonijes duhet të shërbejë si kujtesë e historisë sonë të trishtë, por edhe e përgjegjësisë që të mos reshtim në kërkesën për drejtësi dhe në mbrojtje të së vërtetës. Fotot: Artan Korenica & Arban Osmani

Presidentja Osmani takoi të dërguarin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës franceze për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz. Në takim u diskutua për bashkëpunimin midis Kosovës dhe Francës, zhvillimet e fundit si dhe anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike. Gjatë takimit Presidentja Osmani përshëndeti hapjen e Institutit francez në Prishtinë, duke theksuar rëndësinë vitale të këtij instituti në forcimin e lidhjeve midis dy vendeve, përmes promovimit të vlerave të përbashkëta dhe thellimit të mirëkuptimit të ndërsjellë nëpërmjet gjuhës dhe kulturës. Më tej, u diskutua për zhvillimet në fushën e sigurisë, ku Presidentja shprehu përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të vazhdueshëm me Francën. Presidentja Osmani dhe z. Troccaz biseduan edhe për përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në institucionet euroatlantike, ku theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Francës.

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në ceremoninë përkujtimore të 25-vjetorit të Masakrës së Krushës së Madhe

 Shumë të dashura familje të Krushës së Madhe,  I nderuar kryetar Latifi, Të nderuar ambasadorë, Ambasador i Shteteve të Bashkuara, Ambasador i Gjermanisë, Ambasador i Shqipërisë, I nderuar president Sejdiu, E nderuar ministre Haxhiu, I nderuar kryetar i fshatit, z.Hoti, Të nderuar përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, Të nderuar kryetarë të partive politike, Deputetë të Kuvendit të Kosovës, Përfaqësues të Forcës së Sigurisë dhe të institucioneve të tjera, Përfaqësues të klerit fetar, Të dashur familjarë, Të nderuar pjesëmarrës,   Sot jemi këtu të gjithë së bashku, për ta kujtuar një mizori që ka ndodhur këtu e 25 vjet më parë, kur regjimi gjenocidal i Serbisë erdhi në Krushë të Madhe dhe në fshatrat përreth dhe ekzekutoi brutalisht qindra burra e djem, shumë fëmijë e gra, në mesin e të cilave edhe gra shtatzënë.   Sot, jemi këtu që sërish ta ngrejmë zërin tonë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, në mesin e të cilëve edhe mbi 60 banorë të Krushës së Madhe, të cilët ende janë në mesin e të zhdukurve, e gjinden në varrezat masive të Serbisë.   Sot, jemi këtu për të kujtuar edhe intelektualin e veprimtarin e jashtëzakonshëm Ukshin Hotin, i cili gjithashtu ndodhet në mesin e të zhdukurve me dhunë.   Mbi të gjitha, sot jemi këtu për ta institucionalizuar kujtesën tonë kolektive, për njërën nga masakrat më të tmerrshme të luftës së vitit ‘99.   Muzeu i mizorive është një testament i njërit ndër kapitujt më të errët të historisë sonë nga lufta e fundit. Ky Muze është në funksion të formësimit të kujtesës sonë kolektive, nderimit të viktimave, e mbi të gjitha në funksion të thirrjes sonë të përbashkët për drejtësi, e cila akoma mungon.   Rëndësia e një Muzeu të tillë është e jashtëzakonshme. Duke hedhur dritë mbi ngjarjet e errëta të së kaluarës sonë, sigurohemi që zërat e viktimave të mos heshten kurrë, e të mos harrohen asnjëherë në historinë tonë.   Ne nuk duhet të harrojmë për rrugën nëpër të cilën kemi kaluar, por duhet të mësojmë nga e kaluara në funksion të një të ardhmeje më të ndritshme dhe paqes së qëndrueshme.   E pikërisht në krye të këtij misioni, kanë qenë krushianët.   Kur i dëgjojmë zërat e fëmijëve përreth, kur shohim gruan ikonë, të personifikuar në Fahrije Hotin dhe të gjitha gratë e Krushës, kur shohim se si u rilind ky fshat, e shohim që ata nuk ia dolën në misionin e shfarosjes së popullit shqiptar.   Prandaj, brenda hapësirës së këtij Muzeu, ruhen historitë e secilit nga viktimat, jo vetëm për brezin tonë, por edhe për të gjithë brezat që do të vijnë pas nesh.   Duke kujtuar viktimat e mizorive, ne nderojmë jetën e tyre, nderojmë dinjitetin e tyre, e mbi të gjitha sakrificën e tyre.   Familjet e këtyre viktimave kanë nevojë për drejtësi. Kosova ka nevojë për drejtësi. Sepse, ky është parim themelor mbi të cilin duhet të funksionojë secila shoqëri, e pa të cilin paqja asnjëherë nuk është e drejtë.   Ky Muze personifikon vendosmërinë tonë të palëkundur, qëndrueshmërinë e shpirtit njerëzor përballë tragjedive të tilla të paimagjinueshme.   Zërat e viktimave akoma kumbojnë. Kërkojnë njohjen e vuajtjeve, nderimin dhe kujtimin.   Me këtë Muze ne po e bëjmë këtë, jo vetëm në përvjetorë, por në secilën ditë. Prej sot ky Muze do të jetë në funksion të përditshëm, të të gjithë atyre që duan të mësojnë për krimet e llahtarshme, të cilat Serbia i kreu kundër qytetarëve të Kosovës, e mbi të gjitha ta njohin të vërtetën.   Ky Muze, sikurse edhe liria jonë, janë rezultat i sakrificës së popullit tonë për liri, por edhe rezultat i mbështetjes nga aleatët tanë të çmuar. Siç u tha edhe nga kryetari Latifi, përveç punës së institucioneve të Republikës së Kosovës për ta ndërtuar këtë Muze, na kanë mbështetur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, faleminderit që po na mbështesni në ruajtjen e kujtesës sonë kolektive.   Të nderuar pjesëmarrës, Muzeu i mizorive e i masakrës së Krushës së Madhe, duhet të shërbejë si një kujtesë jo vetëm për familjet e viktimave, jo vetëm për Kosovën, por si një kujtesë për gjithë njerëzimin. Ky Muze është është historia jonë e dhimbshme, por uroj që mos të jetë historia e nesërme e askujt, në asnjë vend të botës.   Sot ne po e inaugurojmë Muzeun që nuk është vetëm kujtim për viktimat, por është edhe gardiane e së vërtetës për brezat që do të vijnë pas nesh.   Kjo, ngase Muzeu është dëshmi e vendosmërisë sonë kolektive për ta mbrojtur të vërtetën e luftës sonë çlirimtare me çdo kusht, për ta mbrojtur dinjitetin tonë, e për ta mbrojtur shtetin tonë.   Krimet e luftës dhe gjenocidi me të cilin synohej shfarosja e popullit shqiptar të Kosovës nga regjimi i Millosheviqit, asnjëherë nuk vjetrohen,  ndaj asnjëherë nuk ndalojmë se kërkuari që autorët të vihen para drejtësisë.   Ne përulemi para sakrificës së të gjitha viktimave, para vetëmohimit dhe guximit të të gjithë djemve e vajzave të UÇK-së, të cilët mbështetur nga Aleanca Veri-Atlantike, në krye me SHBA-të, e bën të mundshme realizimin e ëndrrës së shumë brezave për liri.   Në Krushën e përtërirë, rrëfimin për të vërtetën duhet ta mbajmë gjallë përherë.   Muzeu i këtyre mizorive ndaj krushianëve duhet të na frymëzojë, që të përpiqemi për një botë ku mizori të tilla nuk lejohen më të ndodhin kurrë!   Siç do t`i shërbejë Muzeu memories sonë kolektive, ne do t`i shërbejmë kujtesës së përhershme për të gjitha viktimat, për të gjithë heronjtë e UÇK-së dhe mirëmbajtjes së lirisë së shtetit dhe aleancave që na qëndruan gjithnjë pranë!   Ju faleminderit! Lavdi të gjithë heronjve, të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të lirisë! 

Presidentja: Krusha e Madhe – simbol i dhimbjes e i së vërtetës së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor në 25 vjetorin e Masakrës në Krushë të Madhe. Postimi i plotë i Presidentes: Krusha e Madhe – simbol i dhimbjes e i së vërtetës së Kosovës. Nga sot, kjo dhimbje dhe e vërtetë do të portretizohet në Muze, me rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës dhe të familjarëve të viktimave e të të zhdukurve me dhunë. Lavdi të gjithë të rënëve për liri!

Presidentja: 25 vjet më parë, 46 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë u masakruan në pragun e shtëpisë së tyre

25 vjet më parë, 46 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë u masakruan në pragun e shtëpisë së tyre nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë. Edhe më e rëndë është dhimbja nga fati i pazbardhur i një pjese të anëtarëve të familjes Berisha. Nga kjo masakër e tmerrshme, Vjollca me të birin Gramozin dhe Shyhretja, shpëtuan dhe janë dëshmi e brutalitetit të regjimit kriminal serb. Në kërkim të drejtësisë, respektit ndaj viktimave dhe familjeve nuk do të heshtim asnjëherë. Drejtësia për viktima dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë janë synim i vazhdueshëm!

Presidentja Osmani kujtoi masakrat në Celinë, Fortesë dhe Brestoc të Rahovecit 

25 vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë në një ofansivë që synonte spastrimin etnik  në fshatrat e Rahovecit, vranë 75 civilë në Celinë, 68 në Fortesë dhe 49 në Brestoc. Në këtë ditë, në Brestoc, në mbrojtje të popullsisë civile, ranë edhe pesë luftëtarë të UÇK-së, teksa 6 banorë ende janë të zhdukur me dhunë. Sot i kujtojmë me respekt të gjithë të martirët e këtyre masakrave, sikurse edhe ata që ranë në altarin e lirisë. Drejtësia për viktimat dhe kujtimi për heronjtë janë obligim i yni i vazhdueshëm!

Përkujtohet 25 vjetori i Masakrës së Kotlinës

Në manifestimin përkujtimor në 25 vjetorin e Masakrës së Kotlinës, në emër të Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu, mori pjesë këshilltari ushtarak, gjeneralbrigade Sefer Isufi, i cili bëri homazhe dhe vendosi lule tek varrezat e dëshmorëve. Në fjalën e tij të mbajtur para të pranishmëve në emër të  Presidentes Osmani, Gjeneral Isufi tha se më 24 mars të vitit 1999, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë në fshatin Kotlinë, vranë dhe masakruan 14 qytetarë të këtij fshati, ndërsa në mbrojtje të popullatës atë ditë kanë rënë  11 luftëtarë të UÇK-së. Sipas tij, 25 vjet pas, thirrja për drejtësi është e fuqishme dhe e pandërprerë e institucioneve dhe qytetarëve liridashës e paqedashës të vendit. “Liria dhe paqja kanë kuptim vetëm kur përgjegjësit dhe ekzekutuesit të vihen para drejtësisë! Masakra e Kotlinës është dhimbje e jona e vazhdueshme, kujtesë historike dhe sakrifica për lirinë e vendit”, ka theksuar Gjeneral Isufi.

Presidentja: Për avokatin Bajram Kelmendi dhe djemtë e tij duhet të vendoset drejtësia

Njëzet e pesë vjet më parë, Kosova humbi luftëtarin për të drejta të njeriut, avokatin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin. Një ditë pasi që u rrëmbyen nga shtëpia e tyre nga forca të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, u ekzekutuan mizorisht. Në këtë përvjetor, riafirmojmë përkushtimin tonë për vënien e autorëve të krimit para drejtësisë për vrasjen e avokatit Kelmendi dhe djemve të tij. Ai bëri një jetë të tërë në mbrojtje dhe kërkim të drejtësisë, ndaj i detyrohemi vendosjes së drejtësisë. Veprimtaria e avokatit Kelmendi mbetet trashëgimi e çmuar për ne dhe për brezat. Qoftë i përhershëm kujtimi për Bajram Kelmendin dhe dy djemtë e tij!

Me rastin e vdekjes së parakohshme të Triumf Feratit, Presidentja Osmani ka ngushëlluar familjen Ferati

Humbja e parakohshme e Triumf Feratit, djalit të të ndjerit Fadil Ferati, ish-kryetar i komunës së Istogut, si dhe vëlla i kryetarit aktual Ilir Feratit, na ka tronditur të gjithëve. Ju shpreh ngushëllimet më të thella familjes së Triumfit, të afërmve dhe shoqërisë! Në këto çaste tmerrësisht të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe shpresoj të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes duke  kujtuar momentet e paharrueshme që krijuat bashkë me Triumfin. Shpirti i tij pushoftë në paqe!  I përhershëm qoftë kujtimi për Triumfin!

This site is registered on wpml.org as a development site.