Shumë të dashura familje të Krushës së Madhe,
I nderuar kryetar Latifi,
Të nderuar ambasadorë,
Ambasador i Shteteve të Bashkuara,
Ambasador i Gjermanisë,
Ambasador i Shqipërisë,
I nderuar president Sejdiu,
E nderuar ministre Haxhiu,
I nderuar kryetar i fshatit, z.Hoti,
Të nderuar përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së,
Të nderuar kryetarë të partive politike,
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Përfaqësues të Forcës së Sigurisë dhe të institucioneve të tjera,
Përfaqësues të klerit fetar,
Të dashur familjarë,
Të nderuar pjesëmarrës,
Sot jemi këtu të gjithë së bashku, për ta kujtuar një mizori që ka ndodhur këtu e 25 vjet më parë, kur regjimi gjenocidal i Serbisë erdhi në Krushë të Madhe dhe në fshatrat përreth dhe ekzekutoi brutalisht qindra burra e djem, shumë fëmijë e gra, në mesin e të cilave edhe gra shtatzënë.
Sot, jemi këtu që sërish ta ngrejmë zërin tonë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, në mesin e të cilëve edhe mbi 60 banorë të Krushës së Madhe, të cilët ende janë në mesin e të zhdukurve, e gjinden në varrezat masive të Serbisë.
Sot, jemi këtu për të kujtuar edhe intelektualin e veprimtarin e jashtëzakonshëm Ukshin Hotin, i cili gjithashtu ndodhet në mesin e të zhdukurve me dhunë.
Mbi të gjitha, sot jemi këtu për ta institucionalizuar kujtesën tonë kolektive, për njërën nga masakrat më të tmerrshme të luftës së vitit ‘99.
Muzeu i mizorive është një testament i njërit ndër kapitujt më të errët të historisë sonë nga lufta e fundit. Ky Muze është në funksion të formësimit të kujtesës sonë kolektive, nderimit të viktimave, e mbi të gjitha në funksion të thirrjes sonë të përbashkët për drejtësi, e cila akoma mungon.
Rëndësia e një Muzeu të tillë është e jashtëzakonshme. Duke hedhur dritë mbi ngjarjet e errëta të së kaluarës sonë, sigurohemi që zërat e viktimave të mos heshten kurrë, e të mos harrohen asnjëherë në historinë tonë.
Ne nuk duhet të harrojmë për rrugën nëpër të cilën kemi kaluar, por duhet të mësojmë nga e kaluara në funksion të një të ardhmeje më të ndritshme dhe paqes së qëndrueshme.
E pikërisht në krye të këtij misioni, kanë qenë krushianët.
Kur i dëgjojmë zërat e fëmijëve përreth, kur shohim gruan ikonë, të personifikuar në Fahrije Hotin dhe të gjitha gratë e Krushës, kur shohim se si u rilind ky fshat, e shohim që ata nuk ia dolën në misionin e shfarosjes së popullit shqiptar.
Prandaj, brenda hapësirës së këtij Muzeu, ruhen historitë e secilit nga viktimat, jo vetëm për brezin tonë, por edhe për të gjithë brezat që do të vijnë pas nesh.
Duke kujtuar viktimat e mizorive, ne nderojmë jetën e tyre, nderojmë dinjitetin e tyre, e mbi të gjitha sakrificën e tyre.
Familjet e këtyre viktimave kanë nevojë për drejtësi. Kosova ka nevojë për drejtësi. Sepse, ky është parim themelor mbi të cilin duhet të funksionojë secila shoqëri, e pa të cilin paqja asnjëherë nuk është e drejtë.
Ky Muze personifikon vendosmërinë tonë të palëkundur, qëndrueshmërinë e shpirtit njerëzor përballë tragjedive të tilla të paimagjinueshme.
Zërat e viktimave akoma kumbojnë. Kërkojnë njohjen e vuajtjeve, nderimin dhe kujtimin.
Me këtë Muze ne po e bëjmë këtë, jo vetëm në përvjetorë, por në secilën ditë. Prej sot ky Muze do të jetë në funksion të përditshëm, të të gjithë atyre që duan të mësojnë për krimet e llahtarshme, të cilat Serbia i kreu kundër qytetarëve të Kosovës, e mbi të gjitha ta njohin të vërtetën.
Ky Muze, sikurse edhe liria jonë, janë rezultat i sakrificës së popullit tonë për liri, por edhe rezultat i mbështetjes nga aleatët tanë të çmuar. Siç u tha edhe nga kryetari Latifi, përveç punës së institucioneve të Republikës së Kosovës për ta ndërtuar këtë Muze, na kanë mbështetur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, faleminderit që po na mbështesni në ruajtjen e kujtesës sonë kolektive.
Të nderuar pjesëmarrës,
Muzeu i mizorive e i masakrës së Krushës së Madhe, duhet të shërbejë si një kujtesë jo vetëm për familjet e viktimave, jo vetëm për Kosovën, por si një kujtesë për gjithë njerëzimin. Ky Muze është është historia jonë e dhimbshme, por uroj që mos të jetë historia e nesërme e askujt, në asnjë vend të botës.
Sot ne po e inaugurojmë Muzeun që nuk është vetëm kujtim për viktimat, por është edhe gardiane e së vërtetës për brezat që do të vijnë pas nesh.
Kjo, ngase Muzeu është dëshmi e vendosmërisë sonë kolektive për ta mbrojtur të vërtetën e luftës sonë çlirimtare me çdo kusht, për ta mbrojtur dinjitetin tonë, e për ta mbrojtur shtetin tonë.
Krimet e luftës dhe gjenocidi me të cilin synohej shfarosja e popullit shqiptar të Kosovës nga regjimi i Millosheviqit, asnjëherë nuk vjetrohen, ndaj asnjëherë nuk ndalojmë se kërkuari që autorët të vihen para drejtësisë.
Ne përulemi para sakrificës së të gjitha viktimave, para vetëmohimit dhe guximit të të gjithë djemve e vajzave të UÇK-së, të cilët mbështetur nga Aleanca Veri-Atlantike, në krye me SHBA-të, e bën të mundshme realizimin e ëndrrës së shumë brezave për liri.
Në Krushën e përtërirë, rrëfimin për të vërtetën duhet ta mbajmë gjallë përherë.
Muzeu i këtyre mizorive ndaj krushianëve duhet të na frymëzojë, që të përpiqemi për një botë ku mizori të tilla nuk lejohen më të ndodhin kurrë!
Siç do t`i shërbejë Muzeu memories sonë kolektive, ne do t`i shërbejmë kujtesës së përhershme për të gjitha viktimat, për të gjithë heronjtë e UÇK-së dhe mirëmbajtjes së lirisë së shtetit dhe aleancave që na qëndruan gjithnjë pranë!
Ju faleminderit!
Lavdi të gjithë heronjve, të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të lirisë!