Presidentja Osmani kujtoi masakrën e Lybeniqit

25- vjet më parë, regjimi gjenocidal i Serbisë, sikurse në shumë anë të Kosovës, dëshmoi barbarinë e tij, duke vrarë 79 civilë të fshatit Lybeniq. Tendenca për shfarosje të popullit shqiptar nuk kurseu as Muhametin 18 muajsh dhe Leonardin, 7 vjeçar. Është obligim i yni institucional që asnjëherë të mos i ndalim përpjekjet tona për vendosjen e drejtësisë për viktimat, duke i dhënë kuptim lirisë sonë dhe duke e mbrojtur të vërtetën. Qoftë i perhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!
Presidentja Osmani kujtoi 25-vjetorin e Masakrës së Pastaselës së Rahovecit dhe atë të Burimit të Malishevës

25-vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë në Pastaselë të Rahovecit, vranë dhe masakruan 106 banorë të këtij fshati dhe fshatrave përreth. Në të njëjtën ditë, barbarinë e tij, regjimi kriminal e vazhdoi në Burim të Malishevës, ku u vranë dhe u masakruan 42 civil. Sot, nëpërmjet kujtesës, ne refuzojmë që me kalimin e kohës të zbehet historia e të rënëve. Përkundrazi, me vendosmëri dhe përkushtim do të punojmë çdo ditë për ta mbrojtur të vërtetën, për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi për mizoritë e kryera kundër popullit tonë. Qoftë i perhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!
Presidentja Osmani uron festën e Pashkëve

Festa e Pashkëve personifikon dashurinë dhe sakrificën për njerëzimin. Pashkët ringjallin shpresën për ditë më të mira, drejt një të ardhmeje me besim e shpresë, ndaj uroj që secila familje të rrethohet nga dashuria, paqja dhe gëzimi! Festa e Pashkëve shpërfaqë dashurinë, tolerancën dhe zemërgjerësinë, të cilat populli ynë i kultivon në vazhdimësi. Le të na sjellin Pashkët shpresë, mirësi e begati për mbarë kombin shqiptar! Gëzuar për shumë mot Pashkët!
Presidentja Osmani kujton masakrën e Belegut

Të rrethuar në oborrin e një shtëpie në Beleg të Deçanit, 25-vjet më parë forcat policore, ushtarake dhe paramilitare të regjimit gjenocidal të Serbisë, pasi që iu ndanë burrat dhe të miturit nga gratë, vranë dhe masakruan 46 shqiptarë. Fati i një pjesë të të zhdukurve me dhunë, mbetet ende i pazbardhur, ndaj krahas kujtimit për martirët, zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë mbetet përkushtim i çdoditshëm. Në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën mënyrë u vranë shqiptarë edhe në lagjen Bair të Mitrovicës, në Dumnicë të Vushtrrisë dhe në Poterq të Klinës. Qoftë i përhershëm kujtimi për gjithë të rënët për liri!
Presidentja Osmani ka takuar Delegatin Apostolik të Selisë së Shenjtë për Kosovën, Jean Marie Speich

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot Delegatin Apostolik të Selisë së Shenjtë për Kosovën, nuncin Jean Marie Speich, me të cilin ka biseduar për raportet mes të dyja vendeve. Presidentja ia shprehu nuncit Speich mirënjohjen e popullit dhe të institucioneve të Kosovës për kujdesin që Selia e Shenjtë dhe Ati i Shenjtë, Papë Françesku kanë treguar në vazhdimësi ndaj Kosovës. Ajo u shpreh e lumtur për gatishmërinë e Selisë së Shenjtë që t’i ofrojë Kosovës prani të përhershme në Vatikan, nëpërmjet themelimit të Misionit të Posaçëm të Kosovës në Selinë e Shenjtë. “Themelimi i misionit është rezultat i angazhimit tonë të përbashkët për afrimin e vendeve tona dhe thellimin e bashkëpunimit të përbashkët për paqe”, tha Presidentja Osmani. Në mënyrë të veçantë Presidentja e falënderoi nuncin Speich për angazhimin e tij për përparimin e vazhdueshëm të raporteve mes Selisë së Shenjtë dhe Kosovës. Presidentja dhe nunci Speich diskutuan edhe për mundësitë e bashkëpunimit të ardhshëm mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë. “Kosova ka traditë të gjatë të bashkëpunimit më Selinë e Shenjtë dhe ne jemi të përkushtuar që këtë traditë të mirë të bashkëpunimit ta thellojmë edhe më tej”, tha presidentja Osmani. Nunci Speich, ndërkaq, e falënderoi Presidenten Osmani për pritjen dhe u shpreh i lumtur që raportet e Selisë së Shenjtë me Kosovën janë thelluar ndjeshëm. Sipas tij, themelimi i Misionit të Kosovës në Vatikan është hap i rëndësishëm për raportet mes dy vendeve.
Presidentja Osmani kujton Masakrën ndaj familjeve Bogujevci e Duriqi

Strategjia e regjimit gjenocidal të Serbisë kundrejt shqiptarëve pa dallim moshe ishte shfarosja dhe spastrimi etnik. 25-vjet më parë, forcat kriminale vranë në mënyrë mizore 14 anëtarë të familjeve Bogujevci e Duriqi, në mesin e të cilëve 7-fëmijë të moshës 2 deri 15 vjeç dhe 7 gra. Saranda, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genc Bogujevci janë dëshmitarë të aktit makabër, ndaj këto dëshmi janë në funksion të kujtesës dhe të sjelljes se autorëve para drejtësisë. Liria dhe paqja kanë kuptim vetëm kur drejtësia të vihet në vend! Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët e familjeve Bogujevci dhe Duriqi!
Presidentja Osmani kujtoi 25-vjetorin e masakrës së Izbicës

Kujtesa historike është në funksion të respektimit të të kaluarës sonë, dokumentimit, sikurse edhe ndërtimit të së ardhmes. Ndaj sot kujtojmë 25 vjetorin e masakrës së Izbicës, kur forcat gjenocidale të Serbisë masakruan 147 civilë, në mesin e të cilëve edhe vajzën 6-muajshe, Dafina Qelaj. Ajo dhe të tjerët u vranë në shtëpitë e tyre vetëm pse ishin shqiptarë. Mizoria në Izbicë, mbetet e skalitur në kujtesën tonë, duke na sjell në vëmendje çmimin e lirisë. Në tentim për t`i fshehur gjurmët e krimit, viktimat civile regjimi gjenocidal i Serbisë i varrosi në varrezë masive në Petrovo Sello në Beograd, në Novolan dhe në Bistricë. Kujtimin për Izbicën dhe të gjitha masakrat gjithandej Kosovës do ta mbajmë gjallë gjithnjë si një dëshmi për rrugën e vështirë nëpër të cilën kaluam dhe si kërkesë të përhershme për drejtësi. Qoftë i paharrueshëm kujtimi për 147 të vrarët në Izbicë!
Presidentja Osmani priti në takim ambasadoren e Emirateve të Bashkuara Arabe, Nabila Abdulaziz Al Shamsi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadoren jorezidente të Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë, Nabila Abdulaziz Al Shamsi, me ç’rast diskutuan për zhvillimet e fundit si dhe për raportet bilaterale Kosovë-Emirate të Bashkuara Arabe. Në takim me ambasadoren Al Shamsi, Presidentja Osmani theksoi se Emiratet e Bashkuara Arabe mbeten partnere e Kosovës dhe mbështetëse e vazhdueshme. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e procesit tashmë të përfunduar të heqjes së vizave për qytetarët e të dy shteteve, si hap përpara drejt thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërshtetëror. Me ambasadoren Al Shamsi, Presidentja Osmani diskutoi edhe për një sërë çështjesh në fushën e bashkëpunimit bilateral, edicionin e sivjetëm të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe çështje tjera me rëndësi të interesit të përbashkët. Në këtë frymë, Presidentja Osmani i falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për përkrahjen në shumë fusha, me theks të veçantë në shëndetësi.
Presidentja Osmani priti në takim deputetin e Bundestagut gjerman, z. Florian Hahn

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim deputetin dhe zëdhënësin e Politikës së Mbrojtjes së Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Bundestagun gjerman, z. Florian Hahn, të shoqëruar nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Në takim u diskutua për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në vend. Me këtë rast, Presidentja Osmani shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e lartë për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit mik të Gjermanisë në të gjitha proceset në të cilat ka kaluar vendi dhe populli ynë si dhe përkrahjen e madhe ne synimet tona drejtë integrimeve euroatlantike. Mëtej, Presidentja theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit me Gjermaninë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe qëndrimin unik kundrejt tendencave destabilizuese ndaj Kosovës, por edhe në rajon e më gjerë. Sipas Presidentes, Kosova është fuqimisht e përkushtuar në rrugën e integrimit euroatlantik me synim të qartë për anëtarësim në BE dhe në NATO. Ndërkaq në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës Presidentja Osmani theksoi se anëtarësimi është në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe se kjo çështje ka të bëj me të drejtat dhe liritë e njeriut.
Presidentja: Do të vazhdojmë të punojmë me aleatët për anëtarësim të plotë në Këshillin e Evropës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas miratimit të Raportit në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe Demokraci, për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. “Edhe një hap përpara. Pas miratimit të Raportit në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe Demokraci, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës tani do të vazhdojë në Asamblenë Parlamentare. Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të kenë qasje të drejtpërdrejt në instrumentet e Këshillit të Evropës përmes anëtarësimit të plotë të Kosovës”, ka shkruar Presidentja Osmani.