Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës drejtoreshën e UNICEF-it, Nona Zicherman

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim lamtumirës, drejtoreshën e UNICEF-it, për Kosovë, Nona Zicherman, të cilën e ka falënderuar për angazhimin e deritashëm të saj. Në takim u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimit me UNICEF-in, në sferën e të drejtave të fëmijëve, siç është edukimi i hershëm i fëmijëve, sigurimi i infrastrukturës së nevojshme për qasje në institucionet parashkollore, ngritja e cilësisë në arsim, si dhe sigurimi i barazisë gjinore. Presidentja Osmani theksoi domosdoshmërinë e qasjes së fëmijëve në arsim cilësor dhe fuqizimin e mirëqenies së tyre. Ndërkaq znj. Zicherman, falënderoi Presidenten Osmani për mbështetjen, duke uruar që bashkëpunimi i mirë të vazhdojë edhe nga pasardhësi i saj në këtë pozitë.
Presidentja Osmani kujtoi 25-vjetorin e Masakrës së Rezallës

Forca të regjimit gjenocidal të Serbisë, më 5 prill të vitit 1999 rrethuan shtëpitë e fshatit Rezallë dhe në mënyrë mizore vranë 98 djem e burra. Eshtrat e 44 të vrarëve janë gjetur disa vite më pas në Rudnicë të Rashkës. Regjimi kriminal serb kreu krime të tilla makabër kudo nëpër Kosovë, ndaj sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është e nevojshme dhe e domosdoshme. Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to! Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!
Presidentja Osmani kujtoi 25-vjetorin e Masakrës së Kralanit dhe asaj të Qupevës së Epërme

25-vjet më parë, forca të regjimit gjenocidal të Serbisë, në Kralan të Gjakovës, pasi që i rrëmbyen nga kolona e të zhvendosurve, vranë dhe dogjën 87 civilë nga komunat: Klinë, Malishevë dhe Gjakovë, në mesin e të cilëve pleq, gra, burra e fëmijë. Egërsinë e vet, regjimi kriminal e vazhdoi edhe në fshatrat Qupevë e Epërme dhe e Poshtme, Gllarevë, Përçevë, Sverkë, Gremnik, ku vrau mizorisht 45 civil shqiptarë. Këto masakra janë dëshmi e përpjekjes së regjimit kriminal serb për shfarosje dhe spastrim etnik ndaj shqiptarëve. Sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është e nevojshme për paqen e qëndrueshme dhe për mbrojtjen e të vërtetës. Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!
Presidentja Osmani priti në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim të rregullt Ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend me fokus të veçantë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Tutje, Presidentja Osmani dhe Ambasdaori Hovenier diskutuan edhe për përgatitjet që po bëhen për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, si dhe aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral.
Presidentja Osmani priti në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach. Në takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, si dhe mbi sfidat e sigurisë në rajon dhe përtej. Në temën e Këshillit të Evropës, Presidentja Osmani theksoi se anëtarësimi i Kosovës do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën. Tutje, Presidentja Osmani ritheksoi se përmes mekanizmave të ndryshëm që i ofron Këshilli do të mundësohej mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në këtë drejtim, sikurse në çdo proces tjetër të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë, me theks të veçantë në veriun e vendit.
Presidentja Osmani në Ditën Botërore të Autizmit vizitoi Qendrën “Autizmi flet”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën Botërore të Autizmit, vizitoi Qendrën “Autizmi flet”, ku u njoftua nga afër për sfidat me të cilat përballen personat me autizëm dhe familjet e tyre. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në Ditën Botërore të Autizmit, vizitova Qendrën “Autizmi flet”, ku u njoftova nga afër për sfidat me të cilat përballen personat me autizëm dhe familjet e tyre. Përtej thyerjes së stereotipeve dhe barrierave për gjithpërfshirje, kjo kategori ka nevojë për mbështetje të çdoditshme, në mënyrë që secili ta realizojë potencialin e plotë. Presidenca vazhdimisht ka mbështetur këto shoqata në tri vitet e fundit por duhet të ndërtohet një sistem i tërë i mbështetjes institucionale, që përfshinë edhe qendrën rezidenciale për të rriturit me autizëm që tashmë nuk kanë kujdes prindëror. Suksesi i vërtetë i një shteti matet me përkrahjen që i jep personave që kanë më së shumti nevojë.
Presidentja Osmani priti në takim z. Bertrand Bouyx, kryetar i Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim z. Bertrand Bouyx, kryetar i Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, njëkohësisht deputet në Kuvendin Kombëtar të Francës. Në takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, me ç’rast falënderoi z. Bouyx për lidershipin dhe mbështetjen e tij për Kosovën në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, i cili me shumicë dërmuese, votoi për të çuar përpara anëtarësimin e Kosovës për votim në Asamblenë Parlamentare. Presidentja Osmani theksoi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut nëpërmjet mekanizmave që i ofron Këshilli e të cilat do të shërbenin si mekanizëm shtesë për mbrojtjen e garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Në këtë frymë, Presidentja Osmani tha se qasja në institucionet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është mbi të gjitha në interes të qytetarëve të Kosovës, pa dallim. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Francës në këtë drejtim, ndërsa ka shfaqur besim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të vlerësohet pozitivisht nga deputetët e shteteve anëtare në Asamblenë Parlamentare. Tutje, Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e plotë që të vazhdohet puna e përbashkët me shtete mike e aleate për ta avancuar tutje këtë proces drejt finalizimit të suksesshëm të tij.
Presidentja Osmani ndau Mirënjohje Presidenciale për ekipin e Fakultetit Juridik që dolën të tretët në garën më prestigjioze të drejtësisë në botë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në një ceremoni të veçantë ekipin e Fakultetit Juridik që dolën të tretët në garën më prestigjioze të drejtësisë në botë. Me këtë rast, Presidentja Osmani ndau Mirënjohje Presidenciale për ekipin e Fakultetit Juridik që dolën të tretët në garën më prestigjioze të drejtësisë në botë. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Mirënjohje Presidenciale për ekipin e Fakultetit Juridik që dolën të tretët në garën më prestigjioze të drejtësisë në botë. Ata janë personifikimi më i mirë i rinisë sonë–të talentuar, të motivuar e të përkushtuar për të arritur çdo sukses e për ta ngritur lartë e më lartë shtetin tonë. Prandaj sot, në prezencë të disa prej ish- pjesëmarrësve të garës VIS moot, shumë prej të cilëve edhe kisha nderin t’i trajnoja për rreth 15 vite, si dhe të ekipeve më të reja të Universitetit tonë, e mbi të gjitha në prezencë të prindërve të studentëve, shprehëm sërish mbështetjen dhe krenarinë tonë për studentët tanë.
Presidentja Osmani përkujton 25- vjetorin e Masakrës në shtëpinë e familjes Vejsa

Emrat e fëmijëve dhe grave martire të familjeve: Vejsa, Caka, Haxhiavdija, Nuqi, Hoxha dhe Gashi nga Gjakova, janë kujtim i përhershëm dhe dëshmojnë rrugën e vështirë të aspiratave tona për liri e shtet. 25-vjet më parë, regjimi gjenocidal serb, egërsinë e manifestoi kur vrau e pastaj dogji në bodrumin e shtëpisë së familjes Vejsa anëtarët e këtyre familjeve nga mosha 2 e deri në atë 75 vjeçe. Djegia e fëmijëve të Kosovës për së gjalli është e vërteta e Serbisë, e cila edhe sot vazhdon t’i mbrojë kriminelët që kryen këto krime makabre me qëllim të qartë gjenocidal. Duke mbajtur gjallë kujtimin për ta, do ta vazhdojmë betejën për drejtësi. Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!
Presidentja Osmani ngushëllon familjen, të afërmit, kolegët dhe komunitetin sportiv për ndarjen nga jeta të profesoreshës Shqipe Bajçinca – Brestovci

Me dhimbje të thellë e pranuam lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të profesoreshës së Fakultetit të Edukatës Fizike të Universitetit të Prishtinës, Shqipe Bajçinca – Brestovci, e cila njëherësh ka bartur disa pozita në periudha të ndryshme, në organizata sportive brenda e jashtë Kosovës. Kontributi i saj në edukimin e brezave të rinj , por edhe në zhvillimin e sportit kosovar është i jashtëzakonshëm, ndaj do të kujtohet përherë si pjesë e kësaj historie. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe komunitetit sportiv. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes.