Presidentja Osmani dekoron post mortem pjesëtarin e UÇK-së, Francesco Bider, me Urdhrin “Hero i Kosovës”

Në kuadër të aktiviteteve të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes’2024”, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar dje me Urdhërin “Hero i Kosovës”, pjesëtarin e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Francesco Guiseppe Bider, me motivacion për trimërinë dhe sakrificën për lirinë e Kosovës. Presidentja Osmani, Urdhërin ia dorëzoi, vëllait të heroit, z. Alfredo Bider, i shoqëruar nga familjarë dhe ish-udhëheqësit e Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe Betejës së Koshares. Presidentja Osmani theksoi se heroi Francesco Bider besoi në lirinë e popullit tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. “Ishin pamjet e vrasjeve, djegieve, vuajtjeve të zhvendosurve, pamjet e kampeve të refugjatëve dhe gjithë realitetit të tmerrshëm që kalonte populli ynë nga regjimi gjenocidal të Millosheviqit që e shtyen Francescon t’i bashkohej UÇK-së në luftën për çlirimin e Kosovës, ku edhe ra dëshmor”, ka thënë Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani, të gjithë pjesëtarët e UÇK-së i bashkoi kauza e lirisë dhe e drejtësisë kundër tiranisë, gjenocidit dhe shtypjes.
Presidentja Osmani priti në takim përfaqësuesit e ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim drejtorin në largim të ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein, si dhe drejtorin e ardhshëm të NALT-it, gjeneral brigade Christian Nawrat, të shoqëruar nga Shefja e sektorit të Operacioneve Aktuale nga Selia e NATO-s, znj. Ariella Viehe. Gjatë takimit, Presidentja Osmani falënderoi dhe shprehu mirënjohjen e thellë për bashkëpunimin dhe shërbimin njëvjeçar të Gjeneral Hammerstein duke i dëshiruar suksese në përgjegjësinë e ardhshme dhe karrierën e mëtejme ushtarake. Gjithashtu, drejtorit në ardhje, gjeneralit Nawrat, i dëshiroi suksese duke besuar se në mandatin e tij sipas traditës së deritashme, niveli i bashkëpunimit të ndërsjellë do të vazhdojë në kuadër të mandateve respektive. Presidentja Osmani në këtë takim ritheksoi përkushtimin për maksimizimin e mundësive të bashkëpunimit Kosovë-NATO për zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të FSK-së me standardet më të larta të NATO-s, të gatshme dhe të ndërveprueshme me forcat aleate dhe partnere të NATO-s në misione të përbashkëta, krahas synimit tonë strategjik shtetëror drejtë anëtarësimit të plotë në NATO. Në takim u diskutua edhe për situatën aktuale të sigurisë në vend, ku Presidentja Osmani ndër të tjera theksoi se, NATO dhe KFOR-i kanë besueshmëri të lartë nga qytetarët e Kosovës në misionin për paqe dhe siguri në vendin tonë.
Presidentja Osmani priti në takim ministrin e Jashtëm të Maltës, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së, Ian Borg

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin për Punët e Jashtme, Evropë dhe për Tregtinë të Maltës, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së, Ian Borg. Në takim, Presidentja Osmani dhe ministri Borg kanë diskutuar për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me OSBE-në, përfshirë mbështetjen e OSBE-së në të kaluarën dhe bashkëpunimin aktual me institucionet vendore. Presidentja Osmani u informua mbi prioritetet e ministrit Borg dhe Maltës si kryesues i sivjetëm i OSBE-së. Në takim është diskutuar edhe për raportet bilaterale midis Kosovës dhe Maltës, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për zhvillimet e fundit politike në rajon. Në diskutim me ministrin Borg, Presidentja ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë si dhe promovimit të të drejtave të njeriut. Në këtë frymë, Presidentja Osmani potencoi se anëtarësimi i Kosovës në institucionet euroatlantike do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Maltës në këtë drejtim, sikurse në çdo proces tjetër të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Presidentja Osmani kujton 25-vjetorin e rënies së heroit Agim Ramadani

Agim Ramadani nuk ishte thjesht vetëm ushtarak, por një gërshetim i luftëtarit, poetit e piktorit, respektivisht një personalitet poliedrik i shndërruar në hero. Ai është njeriu i mërgatës, patrioti e guximtari që ëndrrën për lirinë e bëri realitet duke iu bashkuar UÇK-së dhe duke u përjetësuar në heroin emblematik të shembjes së kufirit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë. Ai dhe bashkëluftëtarët i dhanë jetë ëndrrave dhe aspiratave të popullit tonë për të qenë i lirë. Heroizmi dhe trashëgimia e Agimit do të vazhdojnë t`i frymëzojë brezat që do të vijnë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Agim Ramadanin!
Urimi i Presidentes Osmani për Fitër Bajram

Solidariteti ndërnjerëzor, i cili e shoqëron muajin e bekuar të Ramazanit është trashëgimi e jona e çmuar. Festa e Fitër Bajramit është përkushtim ndaj besimit, sakrificës dhe vetëmohimit. Lutjet dhe sakrifica juaj përgjatë muajit të Ramazanit u pranofshin. Ju përcjelltë shëndeti, mbarësia dhe begatia në familjet tuaja! Në këtë ditë feste, të gjithë duhet ta hapin zemrën, ta shtrijnë dorën e mirësisë dhe bujarisë për ata që kanë nevojë. Qoftë kjo ditë e mbushur me gëzim të pakufishëm, paqe, tolerancë dhe respekt të ndërsjellë! Urime dhe me fat Fitër Bajramin!
Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në manifestimin “Ditët e Shqipes”, organizuar për nder të 25 vjetorit të Betejës së Koshares

I nderuar kryeministër Kurti, Të nderuara zëvendëskryeministre, ministra, deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryetarë të partive politike, Shkëlqesi ambasadorë, kryetarë komunash, përfaqësues të korit diplomatik, Të nderuar luftëtarë të Brigadës 138 Agim Ramadani të Betejës së lavdishme të Koshares, I nderuar komandant i kësaj brigade, zoti Rrustem Berisha, Të dashura familje të heronjve të Brigadës 138, Të dashur veteranë e invalidë të luftës dhe të gjithë ju të pranishëm, Sot jemi këtu për të nderuar 25-vjetorin e Betejës së Koshares dhe 114 heronjtë e Ushtrisë sonë Çlirimtare, të cilët në këtë betejë bënë sakrificën më sublime, duke u flijuar për lirinë tonë të çmuar. Beteja e Koshares është monumentale në historinë tonë të re, prandaj sot ne i bëjmë homazhe trimërisë, guximit dhe sakrificës së atyre që luftuan dhe ranë 25 vjet më parë. Në këtë ditë të 9 prillit, përulemi para heronjve si Agim Ramadani, Sali Çekaj e shumë e shumë të tjerë, të cilët, të bashkuar në Betejën e Koshares, nga anë të ndryshme të hapësirës shqiptare, por edhe të globit u bënë fli për lirinë tonë. Siç e përmenda, në këtë betejë ranë edhe ushtarë nga shtete të tjera të botës, përfshirë Françesco Bider, Pajllard Arnaut Pjer, Murat Muhamed Ali e shumë të tjerë. Ata i bashkoi kauza e lirisë dhe e drejtësisë kundër tiranisë, gjenocidit dhe shtypjes. Ata nuk luftuan për lavdinë e tyre personale, por e fituan lavdinë e përjetshme, sepse mbrojtën dinjitetin tonë njerëzor dhe përmbushën amanetin e brezave për Kosovën e lirë. Në këtë vend të shenjtë prehen të qetë heronjtë tanë, të cilët me luftën e tyre deri në vetëmohim ranë për t’i dhënë kuptimin e plotë lirisë të cilën e gëzojmë sot. Para 25 vjetësh populli i Kosovës kërcënohej nga shfarosja prej regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Ishin pikërisht këta heronj dhe trimat e gjallë të Betejës së Koshares, të cilët e ndezën shkëndijën e shpresës, e rikthyen dinjitetin dhe e shembën kufirin që ndante shqiptarët ndër vete. Grupi Operativ i udhëhequr nga Rrustem Berisha, Agim Ramadani, Sali Çekaj, Anton Quni e shumë heronj të tjerë në betejën e ashpër frontale përfundimisht triumfuan, eliminuan pengesën shekullore ndërshqiptare. Shkruan historinë tonë më të re, e cila do t’u bartet brezave si një kujtim për rrugën e vështirë nëpër të cilën kemi kaluar si popull për të qenë të lirë ndërmjet popujve të tjerë të lirë. Pas luftimeve të ashpra dyditore, në krye të betejës ra Agim Ramadani, heroi i Koshares, i cili mbrojti atdheun e tij Kosovën njësoj sikurse komandant Adem Jashari me familjen e tij, që luftën për liri e nisi nga pragu i shtëpisë së tij. Kësaj rezistence të armatosur i parapriu rezistenca paqësore nën udhëheqjen e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, e cila rezistencë sfidoi tiraninë dhe padrejtësitë e regjimit shekullor kriminal serb. Ai me të drejtë edhe u njoh nga heronjtë e Koshares, e gjithandej si Komandant Suprem i forcave tona të armatosura. Kjo rezistencë u shndërrua në frymëzim për botën demokratike e në të njëjtën kohë, u shndërrua në frymëzim me efekt të jashtëzakonshëm në historinë tonë moderne të cilën do t’ua tregojmë fëmijëve tanë, nipave, mbesave tanë e të gjithë të tjerëve që do të vijnë pas tyre. Rezistenca paqësore e pasuar nga ajo e armatosur, jo vetëm që bashkoi shqiptarët, por luajti rol qenësor edhe në ndërtimin e aleancave të fuqishme me aleatët tanë ndërkombëtarë të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët ndaluan shfarosjen e shqiptarëve, synim ky i regjimit serb. Falë tyre dhe mijëra dëshmorëve të UÇK-së, Kosova sot është shtet i pavarur, realitet i pakthyeshëm e i përhershëm, së cilës përherë do t’i dalim zot. Të nderuar të pranishëm, të dashur familjarë, Në historinë tonë, emri i Brigadës 138 do të mbetet përgjithmonë i skalitur me shkronja të arta. Beteja e Koshares nuk ishte thjesht një arenë lufte, por ishte dëshmi e qëndrueshmërisë së ushtarëve tanë çlirimtarë të cilët luftuan krah për krah me njëri-tjetrin për një kauzë të përbashkët. Ata na kujtojnë edhe sot se vetëm e vetëm të bashkuar mund t’i mbrojmë vlerat e lirisë për të cilën ata dhanë edhe jetën. E teksa reflektojmë për të kaluarën tonë, në këtë vit jubilar të Betejës së Koshares, rëndësia e aleancave dhe përbashkimit tonë, sa vjen e rritet. Mbetet detyrë e secilit prej nesh ta vazhdojmë angazhimin dhe përkushtimin për ta mbajtur Kosovën të fortë, stabile, të zhvilluar, demokratike, në kufijtë aktual, sovrane, e bashkë me miqtë e aleatët tanë. Trashëgimia e heronjve të Brigadës 138 do të jetojë përherë aq sa do të rrojë edhe Kosova jonë. Të nderuar ushtarë të kësaj brigade, faleminderit për shërbimin, për sakrificën dhe përkushtimin tuaj të palëkundur për liri. Guximi juaj do të vazhdojë të na frymëzojë dhe të na udhëheqë, ndërkaq së bashku do të ecim përpara, drejt së ardhmes sonë për një Kosovë të tillë, çfarë e deshën heronjtë tanë të tillë, çfarë e duam të gjithë bashkë sot e të tillë për të cilën edhe u luftua! Dëshmia më e fuqishme e këtij triumfi të përbashkimit tonë është Agim Ramadani i ri e Sali Çekaj i ri e shumë e shumë trima të vegjël që janë dëshmi e ripërtëritjes sonë si komb e si popull, si Kosovë sovrane dhe e lirë. Zoti i bekoftë heronjtë e Koshares dhe të gjithë heronjtë e Kosovës! Zoti e bekoftë Republikën tonë! Ju faleminderit!
Presidentja Osmani përkujtoi 25-vjetorin e Masakrës në Lagje të Re dhe në Rakoc të Kaçanikut

Më 9 prill të vitit 1999, në Lagjen e Re dhe në Rakoc të Kaçanikut, ranë 28 dëshmorë të kombit të UÇK-së, në mbrojtje të të popullsisë civile nga barbaria e regjimit gjenocidal të Serbisë. Rrethimi dhe granatimi i vazhdueshëm i Kaçanikut shkaktoi vrasjen e 32 martirëve. Ata që ranë heroikisht dhe ata që u martirizuan do të kujtohen përherë, ndërkaq drejtësia do të jetë synim i yni i vazhdueshëm për ta mbrojtur të vërtetën. Qoftë i perhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!
Presidentja Osmani kujton masakrën e Polacit dhe të Abrisë së Poshtme

Polaci dhe Kosova sot kujtojnë prillin e vitit 1999, kur regjimi gjenocidal i Serbisë në një ofansivë njëjavore, vrau 78 martirë të këtij fshati dhe atyre përreth. Sot i kujtojmë dhe përulemi me respekt edhe për 8 dëshmorët e UÇK-së, të cilët ranë në altarin e lirisë. Makineria e regjimit gjenocidal të Serbisë afro dy muaj para kapitullimit të saj, intensifikoi përpjekjet për shfarosjen e popullit shqiptar dhe spastrimin etnik anembanë Kosovës. Më 7 prill makineria vrastare njësoj veproi edhe në Abri të Poshtme, ku u vranë 10 civilë nga Qabiqi. Duke përkujtuar martirët dhe dëshmorët e UÇK-së, ne nderojmë të kaluarën tonë, mbajmë gjallë të vërtetën dhe se ndalim përkushtimin për sjelljen e autorëve para drejtësisë. Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!
Presidentja Vjosa Osmani takoi Komisionin për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për falje

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryesuesin e Komisionit për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për falje, prof. Haki Demolli, si dhe anëtarët e Komisionit. Duke theksuar rëndësinë e Komisionit, Presidentja u ka uruar sukses në përmbushjen e detyrave të tyre, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.
Presidentja Osmani emëron znj. Learta Hollaj, Shefe të Stafit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka emëruar Shefe të Stafit, znj. Learta Hollajn, e cila deri tashti ka mbajtur postin e zv. Shefes së Stafit të Presidentes. Learta Hollaj i është bashkuar ekipit të Presidentes Osmani katër vjet më parë, fillimisht si këshilltare e kryetares së Kuvendit të Kosovës, e pastaj si zëvendës shefe e stafit të Presidentes. Përgjatë kësaj periudhe, angazhimi i znj. Hollaj ka qenë i fokusuar në politikën e jashtme, politikat në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, sektorin e energjisë, si dhe në avancimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Znj. Hollaj ka një përvojë disavjeçare në shoqërinë civile në Kosovë, me ekspertizë në qeverisjen demokratike, sektorin e energjisë, mbrojtjes së mjedisit dhe hulumtimit e avokimit në fushën e politikave publike. Studimet bachelor, znj. Hollaj, i ka mbaruar në RIT Kosova në Prishtinë, ndërsa ato master në Universitetin e Evropës Qendrore në Budapest. Presidentja Osmani e ka falënderuar znj. Hollaj për angazhimin e deritashëm në pozitën e zv. Shefes së Stafit dhe i ka uruar sukses në përmbushjen e objektivave të Presidentes dhe Kabinetit të saj nga pozita e sapoemëruar.