DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në manifestimin “Ditët e Shqipes”, organizuar për nder të 25 vjetorit të Betejës së Koshares

I nderuar kryeministër Kurti,

Të nderuara zëvendëskryeministre, ministra, deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryetarë të partive politike,

Shkëlqesi ambasadorë, kryetarë komunash, përfaqësues të korit diplomatik,

Të nderuar luftëtarë të Brigadës 138 Agim Ramadani të Betejës së lavdishme të Koshares,

I nderuar komandant i kësaj brigade, zoti Rrustem Berisha,

Të dashura familje të heronjve të Brigadës 138,

Të dashur veteranë e invalidë të luftës dhe të gjithë ju të pranishëm,

 

Sot jemi këtu për të nderuar 25-vjetorin e Betejës së Koshares dhe 114 heronjtë e Ushtrisë sonë Çlirimtare, të cilët në këtë betejë bënë sakrificën më sublime, duke u flijuar për lirinë tonë të çmuar.

Beteja e Koshares është monumentale në historinë tonë të re, prandaj sot ne i bëjmë homazhe trimërisë, guximit dhe sakrificës së atyre që luftuan dhe ranë 25 vjet më parë.

Në këtë ditë të 9 prillit, përulemi para heronjve si Agim Ramadani, Sali Çekaj e shumë e shumë të tjerë, të cilët, të bashkuar në Betejën e Koshares, nga anë të ndryshme të hapësirës shqiptare, por edhe të globit u bënë fli për lirinë tonë. Siç e përmenda, në këtë betejë ranë edhe ushtarë nga shtete të tjera të botës, përfshirë Françesco Bider, Pajllard Arnaut Pjer, Murat Muhamed Ali e shumë të tjerë. Ata i bashkoi kauza e lirisë dhe e drejtësisë kundër tiranisë, gjenocidit dhe shtypjes. Ata nuk luftuan për lavdinë e tyre personale, por e fituan lavdinë e përjetshme, sepse mbrojtën dinjitetin tonë njerëzor dhe përmbushën amanetin e brezave për Kosovën e lirë.

Në këtë vend të shenjtë prehen të qetë heronjtë tanë, të cilët me luftën e tyre deri në vetëmohim ranë për t’i dhënë kuptimin e plotë lirisë të cilën e gëzojmë sot.

Para 25 vjetësh populli i Kosovës kërcënohej nga shfarosja prej regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Ishin pikërisht këta heronj dhe trimat e gjallë të Betejës së Koshares, të cilët e ndezën shkëndijën e shpresës, e rikthyen dinjitetin dhe e shembën kufirin që ndante shqiptarët ndër vete.

Grupi Operativ i udhëhequr nga Rrustem Berisha, Agim Ramadani, Sali Çekaj, Anton Quni e shumë heronj të tjerë në betejën e ashpër frontale përfundimisht triumfuan, eliminuan pengesën shekullore ndërshqiptare. Shkruan historinë tonë më të re, e cila do t’u bartet brezave si një kujtim për rrugën e vështirë nëpër të cilën kemi kaluar si popull për të qenë të lirë ndërmjet popujve të tjerë të lirë.

Pas luftimeve të ashpra dyditore, në krye të betejës ra Agim Ramadani, heroi i Koshares, i cili mbrojti atdheun e tij Kosovën njësoj sikurse komandant Adem Jashari me familjen e tij, që luftën për liri e nisi nga pragu i shtëpisë së tij. Kësaj rezistence të armatosur i parapriu rezistenca paqësore nën udhëheqjen e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, e cila rezistencë sfidoi tiraninë dhe padrejtësitë e regjimit shekullor kriminal serb. Ai me të drejtë edhe u njoh nga heronjtë e Koshares, e gjithandej si Komandant Suprem i forcave tona të armatosura. Kjo rezistencë u shndërrua në frymëzim për botën demokratike e në të njëjtën kohë, u shndërrua në frymëzim me efekt të jashtëzakonshëm në historinë tonë moderne të cilën do t’ua tregojmë fëmijëve tanë, nipave, mbesave tanë e të gjithë të tjerëve që do të vijnë pas tyre.

Rezistenca paqësore e pasuar nga ajo e armatosur, jo vetëm që bashkoi shqiptarët, por luajti rol qenësor edhe në ndërtimin e aleancave të fuqishme me aleatët tanë ndërkombëtarë të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët ndaluan shfarosjen e shqiptarëve, synim ky i regjimit serb.

Falë tyre dhe mijëra dëshmorëve të UÇK-së, Kosova sot është shtet i pavarur, realitet i pakthyeshëm e i përhershëm, së cilës përherë do t’i dalim zot.

Të nderuar të pranishëm, të dashur familjarë,

Në historinë tonë, emri i Brigadës 138 do të mbetet përgjithmonë i skalitur me shkronja të arta. Beteja e Koshares nuk ishte thjesht një arenë lufte, por ishte dëshmi e qëndrueshmërisë së ushtarëve tanë çlirimtarë të cilët luftuan krah për krah me njëri-tjetrin për një kauzë të përbashkët. Ata na kujtojnë edhe sot se vetëm e vetëm të bashkuar mund t’i mbrojmë vlerat e lirisë për të cilën ata dhanë edhe jetën.

E teksa reflektojmë për të kaluarën tonë, në këtë vit jubilar të Betejës së Koshares, rëndësia e aleancave dhe përbashkimit tonë, sa vjen e rritet. Mbetet detyrë e secilit prej nesh ta vazhdojmë angazhimin dhe përkushtimin për ta mbajtur Kosovën të fortë, stabile, të zhvilluar, demokratike, në kufijtë aktual, sovrane, e bashkë me miqtë e aleatët tanë. Trashëgimia e heronjve të Brigadës 138 do të jetojë përherë aq sa do të rrojë edhe Kosova jonë.

Të nderuar ushtarë të kësaj brigade, faleminderit për shërbimin, për sakrificën dhe përkushtimin tuaj të palëkundur për liri. Guximi juaj do të vazhdojë të na frymëzojë dhe të na udhëheqë, ndërkaq së bashku do të ecim përpara, drejt së ardhmes sonë për një Kosovë të tillë, çfarë e deshën heronjtë tanë të tillë, çfarë e duam të gjithë bashkë sot e të tillë për të cilën edhe u luftua!

Dëshmia më e fuqishme e këtij triumfi të përbashkimit tonë është Agim Ramadani i ri e Sali Çekaj i ri e shumë e shumë trima të vegjël që janë dëshmi e ripërtëritjes sonë si komb e si popull, si Kosovë sovrane dhe e lirë.

Zoti i bekoftë heronjtë e Koshares dhe të gjithë heronjtë e Kosovës!

Zoti e bekoftë Republikën tonë!

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.