Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim homologen nga Sllovenia, Natasha Pirc Musar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, e cila ka marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë. Postimi i plotë i Presidentes: Mirë se vini në Kosovë, Presidente Pirc Musar! Forcimi i partneritetit në mes të Kosovës dhe Sllovenisë është rezultat i punës dhe përkushtimit tonë të përbashkët! Faleminderit për mbështetjen e palëkundur për Kosovën, popullin tonë, dhe për të ardhmen e vendit tonë në institucionet euroatlantike!
Presidentja Osmani kujtoi masakrën e Sllovisë

25-vjet më parë, respektivisht më 15 e 16 prill 1999, në Sllovi të Lipjanit, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë vranë dhe masakruan 45 shqiptarë dhe plagosën shumë të tjerë. Sikurse në të gjitha masakrat kudo në Kosovë, regjimi kriminal shpërfaqi barbarinë e tij, në përpjekje për shfarosje të shqiptarëve dhe spastrim etnik. Vendosja e drejtësisë dhe sjellja e autorëve të krimit para drejtësisë, janë parakusht për paqe të qëndrueshme. Ndërkaq kujtimi për viktimat është edhe dëshmi e rrugës së vështirë, të cilën e kemi bërë për të qenë të lirë. Qoftë i perhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!
Presidentja: Edhe një shembull i fuqishëm i partneritetit tonë të palëkundur me Shtetet e Bashkuara

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se përzgjedhja e Presidencës së Kosovës si partner implementues për themelimin e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, është edhe një shembull i fuqishëm i partneritetit tonë të palëkundur me Shtetet e Bashkuara. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Thellësisht mirënjohës Zyrës së Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, për përzgjedhjen e Presidencës së Kosovës si partner implementues për themelimin e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë! Edhe një shembull i fuqishëm i partneritetit tonë të palëkundur me Shtetet e Bashkuara!
Presidentja Osmani priti në takim kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka pritur në takim kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla. Sipas Presidentes Osmani, avancimi i interesave të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe rritja e koordinimit në fushën e politikës së jashtme janë në interesin reciprok të të dy shteteve. “Suksesi i Kosovës është edhe i Shqipërisë dhe anasjelltas. Shqipëria për Kosovën është jo vetëm shtet vëllazëror, por edhe një partnere strategjike në rrugëtimin ervopian. Siç e kemi pasur mbështetjen në shumë etapa historike të lirisë dhe shtetndërtimit, jemi të sigurt që shteti shqiptar do të jetë në mbështetje tonën kudo ku kemi nevojë”, ka theksuar Presidentja Osmani. Presidentja Osmani ka falënderuar përfaqësuesit e Shqipërisë në Këshillin e Evropës dhe ka theksuar se pret që nesër ata sërish ta bëjnë të njëjtën gjë nesër në procesin e votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës. Më tej, Presidentja Osmani në takim me kryeparlamentaren Nikolla, theksoi se diplomacia parlamentare ka rol të rëndësishëm në promovimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, prandaj diskutuan dhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet organeve legjislative të të dy shteteve si dhe shkëmbimit të përvojave.
Presidentja Osmani priti në takim ministren për çështje Sociale dhe Familjes të Greqisë, znj. Sofia Zacharaki

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka pritur në takim ministren për çështje Sociale dhe Familjes të Greqisë, znj. Sofia Zacharaki Në takim është diskutuar për axhendën e Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, e cila përkon me kohën kur paqja dhe siguria ndodhen nën sulm në pjesë të ndryshme të botës, teksa gratë dhe vajzat janë në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor. Presidentja Osmani ka theksuar nevojën e rritjes së përpjekjeve për ta luftuar dhunën me bazë gjinore dhe mbështetjen e të mbijetuarve, duke përfshirë forcimin e kuadrit ligjor dhe ofrimin e shërbimeve mbështetëse. Më tej, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e rritjes së përfaqësimit politik dhe pjesëmarrjes së grave në proceset vendimmarrëse në të gjitha nivelet e qeverisjes. “Fuqizimi ekonomik i grave, qasja më e mirë në arsim, kujdes shëndetësor dhe mundësitë ekonomike, luajnë rol përmbajtësor në përmirësimin e pozitës së vajzave dhe grave në shoqëri”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani priti në takim kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z.Talat Xhaferi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka pritur në takim kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z.Talat Xhaferi. Maqedonia e Veriut, sipas Presidentes Osmani është shtet fqinj dhe njëkohësisht mbështetëse e Kosovës. Presidentja Osmani tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut mund t`i shkëmbejnë përvojat në procesin e integrimit evropian dhe në të njëjtën kohë shfaqu bindjen se ky shtet do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën evropiane. Në këtë kontekst, Presidentja tha se Kosova llogaritë në përkrahjen e mëtejme të Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sikurse edhe në NATO, BE dhe organizata ndërkombëtare. Në prag të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, kryeministri Xhaferi, njoftoi Presidenten Osmani se mbështetja e Maqedonisë së Veriut është e plotë. Në këtë takim, ndër të tjera u diskutua edhe për finalizimin e pikave të përbashkëta kufitare përpara fillimit të sezonës verore, sikurse edhe lehtësimin e të bërit biznes.
Fjalimi i plotë i Presidentes Osmani para liderëve, ekspertëve dhe partnerëve nga mbarë bota në hapjen e edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë
Konferenca për media e Presidentes Osmani lidhur me Forumin Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë si dhe me rastin e 14 prillit – Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale

Presidentja Osmani ngushëllon familjen, miqtë dhe komunitetin kulturor për ndarjen nga jeta të aktores Shirine Morina

Teatri dhe kinematografia humbën sot një aktore të shquar e të dashur për publikun. Aktorja Shirine Morina do të mbahet mend për origjinalitetin në lojën e saj skenike në teatër dhe rolet e shumta në serialet televizive. Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes.
Presidentja Osmani kujton masakrën e Studenicës dhe atë të Llashticës

25 vite më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, në një nga ofansivat e tyre për shfarosjen e shqiptarëve dhe spastrimin etnik masakruan 6 të moshuar dhe 4 vajza të mitura të moshës 12-15 vjeçe, të familjeve Lipaj – Zeqiraj në Studenicë të Istogut. Barbaria e regjimit kriminal nuk njohu moshë, prandaj drejtësia është e domosdoshme dhe nuk do të ndalojmë asnjëherë në kërkim të saj. Të njëjtën ditë, më 13 prill 1999 makineria vrastare e Serbisë në Llashticë të Gjilanit, pushkatoi e më pas dogji 13 shqiptarë, ndër të cilët edhe Fisnik Shabanin, 2 vjeçar. Drejtësia për ta është angazhim i pareshtur i yni. Qoftë i perhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!