Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka pritur në takim ministren për çështje Sociale dhe Familjes të Greqisë, znj. Sofia Zacharaki
Në takim është diskutuar për axhendën e Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, e cila përkon me kohën kur paqja dhe siguria ndodhen nën sulm në pjesë të ndryshme të botës, teksa gratë dhe vajzat janë në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor.
Presidentja Osmani ka theksuar nevojën e rritjes së përpjekjeve për ta luftuar dhunën me bazë gjinore dhe mbështetjen e të mbijetuarve, duke përfshirë forcimin e kuadrit ligjor dhe ofrimin e shërbimeve mbështetëse.
Më tej, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e rritjes së përfaqësimit politik dhe pjesëmarrjes së grave në proceset vendimmarrëse në të gjitha nivelet e qeverisjes.
“Fuqizimi ekonomik i grave, qasja më e mirë në arsim, kujdes shëndetësor dhe mundësitë ekonomike, luajnë rol përmbajtësor në përmirësimin e pozitës së vajzave dhe grave në shoqëri”, ka theksuar Presidentja Osmani.