Fjalimi i Presidentes Osmani në diplomimin e gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës

I nderuar Kryeministër Kurti, Zëvendëskryeministre Gërvalla e Rexhepi, I nderuar ministër Sveçla, Drejtor Hoxha, I nderuar staf drejtues i Policisë së Kosovës dhe staf akademik i Akademisë së Sigurisë Publike, Të dashur zyrtarë e zyrtare të Policisë së Kosovës, Të dashur kadetë të Gjeneratës së 59-të, Të nderuar familjarë krenarë me kadetët tanë, Shumë të nderuar të pranishëm,   Jam e lumtur që sot ndodhem në këtë ceremoni diplomimi të gjeneratës së 59-të të policëve të rinj, e cila është tejet e rëndësishme jo vetëm për ta, por për të gjithë ne, dhe në të njëjtën kohë shënon kurorëzimin e një pune të jashtëzakonshme dhe një mundi të madh për t`u bërë gardianë të Republikës sonë. Teksa ju kadetë të nderuar, sot bëni betimin solemn për të mbrojtur dhe për të shërbyer, ne kemi një ndjenjë të jashtëzakonshme krenarie dhe admirimi për secilin prej jush. Qindra kadetë, në mesin e të cilëve edhe shumë vajza e gra dhe shumë pjesëtarë të komuniteteve pakicë, prej sot veshin uniformën e Policisë së Republikës sonë. Ky diversitet që përfshin të gjitha komunitetet në Republikën tonë, është vlerë e Policisë së Kosovës,  e cila është e të gjithëve dhe për të gjithë, dhe këtë e ka dëshmuar vazhdimisht. Nga sot, të gjithë ju jeni policë të Republikës së Kosovës. Ju deri tani keni demonstruar përkushtimin e palëkundur, disiplinën dhe punën e madhe për të mbështetur sigurinë, drejtësinë dhe integritetin. Tani e tutje, jeni në mbrojtje të secilit qytetarë të Republikës sonë, pa dallim. Prandaj, në këtë punë e në këtë mision të rëndësishëm, le të jenë heronjtë e Kosovës, përfshi heroin Afrim Bunjaku, udhërrëfyes i juaji i përhershëm se si mbrohet shteti e si i dilet zot atdheut. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është udhërrëfyese e juaja, ndaj do t’u bashkoheni radhëve të Policisë për ta realizuar me vendosmëri përgjegjësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës sonë si dhe përgjegjësinë për ruajtjen e kufirit tonë në bashkëpunim me të gjithë aleatët tanë, të cilët gjithnjë na qëndruan pranë. Kërcënimet dhe rreziqet janë përditshmëri e jona, ndaj është domosdoshmëri që Republika e Kosovës me institucionet e saj të jetë anëtare fuqiplotë e Interpolit dhe Europolit. Të jesh polic nuk është thjesht një profesion, është një mision e një kauzë për një mjedis ku të gjithë ndihen të sigurt e të lirë. Kjo punë kërkon guxim përballë vështirësive, dhembshuri e përkrahje në momente të caktuara dhe përkushtim të palëkundur ndaj betimit të cilin do ta bëni të gjithë sot. Ju jeni me uniformë, por jeni pjesë e qytetarëve, sepse do t`u shërbeni atyre, do të na shërbeni të gjithë neve, e mbi të gjitha do t’i shërbeni Republikës sonë, duke na bërë të gjithëve të ndihemi të sigurt. Po e filloni një rrugë përplot sfida, por dijeni se ju jeni shpresa e atyre që u shërbeni! Shpresa e gjithë qytetarëve tanë! Përderisa vazhdimisht përballemi me sfida të sigurisë, mos të harrojmë edhe në këto momente 5 policë të Republikës sonë po mbahen peng nga një shtet shovinist, nga Serbia. Prandaj, i bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë që ta ngrisin zërin dhe t’i rrisin përpjekjet, që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve tanë dhe kundër policisë sonë. Por, jam e bindur se betimi i sotëm dhe të gjithë këta kadetë, dhe ky grup multietnik është përgjigjja më e fuqishme kundër përpjekjeve të tilla. Në duart tuaja të dashur kadetë, në duart tuaja polic të Republikës sonë, qëndron e ardhmja e qytetarëve tanë, ndaj ju takon që ta formësoni atë me guxim, përkushtim e vendosmëri të palëkundur, për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim etnie.   Zoti ju bekoftë në rrugëtimin tuaj të shenjtë! Të nderuar familjarë, jini krenarë me bijtë e bijat tona, bijtë e bijat tuaj, me gardianët e Republikës sonë! Zoti ju bekoftë! Ju faleminderit! 

Presidentja Osmani për bllokimin e qytetarëve në pikat kufitare: Vuçiq është përgjegjës për këtë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas bllokimit të shumë qytetarëve në pikat kufitare. “Serbia po hakmerret ndaj qytetarëve të Kosovës një ditë pas votimit në APKE të Këshillit të Evropës , duke mbajtur peng shumë prej tyre në pikat kufitare, duke i frikësuar, duke ju konfiskuar dokumentet dhe duke i privuar nga ushqimi. Një njeri është përgjegjës për këtë: Vuçiq. Ashtu siç bëra gjatë gjithë ditës, u bëj thirrje partnerëve tanë për veprim të shpejtë”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani takoi institucionet e drejtësisë lidhur me çështjen e vrasjeve në bazë gjinore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur sot takim me Kryesuesin e KGjK-së, Albert Zogaj, zëvendësin e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, dhe Koordinatoren Nacionale për rastet e dhunës në familje nga Zyra e Kryeprokurorit të shtetit, Sevdije Morina. Në takim, Presidentja Osmani ripërsëriti shqetësimin e thellë lidhur me fenomenin alarmues të vrasjes së grave, si dhe nevojën urgjente që të zbatohen me përpikëri dispozitat ndëshkuese të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, Presidentja Osmani shtroi nevojën që të zbatohet edhe udhëzuesi për politikën ndëshkimore në rastet e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore, si dhe të punohet në drejtim të ashpërsimit të kësaj politike. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që urgjentisht t’i ndërmarrin të gjitha masat sipas legjislacionit në fuqi për prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët shqiptojnë dënime dhe shpallin aktgjykime të cilat nuk janë në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe udhëzuesin për politikat ndëshkimore. Gjithashtu, në përvjetorin e 25- të masakrës së Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër, Presidentja Osmani i bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që urgjentisht të merren në pyetje të mbijetuarit e këtyre masakrave në mënyrë që të vendoset drejtësia për viktimat.

Presidentja bëri homazhe në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër: Në këtë përvjetor dhe në çdo përvjetor tjetër, thirrja jonë është për drejtësi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe me kryetarin e komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci kanë bërë homazhe sot në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër të Drenasit. Presidentja Osmani ka thënë se prilli është muaj i përvjetorëve të rëndë për Republikën e Kosovës, për shkak se përkujtojmë shumë masakra të kryera ndaj civilëve. “E këtu në Poklek është ndër masakrat më të tmerrshme, më mizore, një Holokaust për nga ngjashmëria dhe mizoria që është kryer ndaj fëmijëve, ndaj pleqve, ndaj grave, ndaj njerëzve të pambrojtur, ndaj foshnjave edhe gjashtë muajshe”, ka thënë Presidentja Osmani. Presidentja Osmani ka thënë se në Poklek, në shtëpinë të cilën e vizitoi pas homazheve, janë djegur disa herë radhazi civilë, të cilët nuk u kursyen pavarësisht moshës. “Janë ekzekutuar foshnje siç e thashë dhe fëmijë, të cilët e tëra çfarë donin, e tëra çfarë prisnin, ishin të jetojnë të sigurt, të jetojnë me prindërit e tyre dhe të jetojnë të lirë. Viktima më e vogël e kësaj masakre kishte emrin Liri, gjashtë muajshe, si simbolikë për sakrificën që edhe Liria por edhe e gjithë familja e saj do ta bënin, në mënyrë që ne sot të jetojmë të lirë”, ka theksuar Presidentja. Presidentja Osmani ka thënë se në këtë përvjetor dhe në çdo përvjetor tjetër, thirrja jonë është për drejtësi, duke shtuar se ata që kanë urdhëruar këtë Masakër dihen me emër dhe mbiemër. “Qendra për të Drejtën Humanitare ka mbledhur provat për personin që atë ditë ishte në krye të forcave policore që kanë djegur këto familje, që kanë ekzekutuar këto familje, por për fat të keq ata që kanë urdhëruar lëre që nuk janë prapa grilave, por kanë marrë medalje dhe promovime nga Aleksandër Vuçiq, i cili sot është në krye të Serbisë”, ka thënë Presidentja. Presidentja ka falënderuar zotin Muqolli dhe gjithë familjarët, si dhe  Teuta Elshanin dhe  të tjerët që kurrë nuk rreshtën së treguari të vërtetën për këtë masakër dhe kurrë nuk reshtën së kërkuari drejtësi. “Së bashku me ta do të sigurohemi që storia e Masakrës së Poklekut dhe e vërteta mbi këtë masakër do të dëgjohet në çdo vend të botës”, ka thënë Presidentja. Më pas, presidentja Osmani ka bërë homazhe edhe në Çikatovë të Vjetër, ku po ashtu ka ndodhur me 17 prill të ’99-ës një prej masakrave më të rënda gjatë luftës në Kosovë. Presidentja Osmani ka thënë se edhe këtu Serbia gjenocidale e Millosheviqit ka vrarë fëmijë, gra e pleq, njerëz të pafajshëm, njerëz të cilët thjesht dëshironin të jetojnë në liri. “Edhe këtu sikurse edhe në Masakrën e Poklekut ka të mbijetuar të kësaj masakre, ka dëshmitarë të kësaj masakre. Prandaj, i bëjmë thirrje sërish nga këtu, në 25 vjetorin e këtyre masakrave të tmerrshme, gjitha institucioneve të drejtësisë që t’i marrin në pyetje dëshmitarët, t’i marrin deklaratat e tyre, t’i mbledhin provat. Sepse, ka kaluar kohë shumë e gjatë dhe është e domosdoshme që të ketë drejtësi, dhe pas mbledhjes së provave të fillojnë të gjitha proceset gjyqësore për ata që kanë kryer këto krime të tmerrshme”, ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja: Sot Kosova shënoi një moment historik në rrugëtimin e saj evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se sot Kosova shënoi një moment historik në rrugëtimin e saj evropian. Postimi i plotë i Presidentes: Sot Kosova shënoi një moment historik në rrugëtimin e saj evropian. Votimi i sotëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është një dëshmi e përkushtimit tonë për drejtësi, barazi dhe për parimet themelore të demokracisë. Falënderim nga zemra të gjithë atyre që nëpërmjet votës PËR mbështetën të gjithë qytetarët e Kosovës dhe kauzën tonë për të drejta të njeriut. Urime Kosovës dhe të gjithëve që kanë kontribuar në këtë arritje historike! Edhe një hap drejt anëtarësimit të plotë!

Presidentja Osmani takoi ministrin Sveçla, ministren Haxhiu dhe drejtorin Hoxha lidhur me vrasjet e fundit të grave në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas rasteve të fundit të vrasjes së grave, ka mbajtur sot një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha. Në takim, Presidentja Osmani shprehu shqetësimin e thellë në lidhje me trendin alarmues të vrasjes së grave dhe nevojën urgjente që të fuqizohen të gjitha hallkat brenda institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, të cilat kanë detyrim kushtetues që ta mbrojnë jetën e qytetarëve tanë. Përgjatë takimit u diskutua edhe nevoja e rritjes së ndëshkimeve e poashtu për ndryshimet e nevojshme në Kodin Penal. Presidentja Osmani, ditëve në vijim do të zhvillojë takime me institucione të tjera relevante, me kërkesën për rritjen e masave parandaluese, reaguese dhe ndëshkuese në raport me kryesit e këtyre veprave.        

Presidentja Osmani e shpallë të mërkurën ditë zie shtetërore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e mërkurë, 17 prill 2024, të shpallet ditë zie, në kujtim të të gjitha grave dhe vajzave të vrara në Kosovë si rezultat i dhunës në baza gjinore. Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Presidentja Osmani reagon pas vrasjes së një gruaje në Pejë: Ky femicid duhet të ndalet me çdo kusht, nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ka reaguar pas lajmit të tmerrshëm për vrasjen e një gruaje në Pejë. Presidentja Osmani ka thënë se fatkeqësisht sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. “Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht dhe mënyra e vetme për ta ndalur atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet e si komb. Rizgjohemi të gjithë në këmbë kundër këtij fenomeni, sepse nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur”, ka thënë Presidentja Osmani. Presidentja ju ka bërë thirrje të gjithëve, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë dhe të drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë, që të bashkohen kundër dhunës mbi bazë gjinore. “E kemi detyrë gjithsecili prej nesh, që ta luftojmë këtë fenomen dhe t’i mbrojmë vajzat e gratë, dhe t’i mbrojmë gjithë qytetarët e shtetit tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ka marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: E fortë dhe e pathyeshme është lidhja në mes të Kosovës dhe Shqipërisë! Faleminderit për vizitën, President Begaj! Gjithnjë kënaqësi të diskutojmë se si ta fuqizojmë tutje bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve tona simotra!

This site is registered on wpml.org as a development site.