Presidentja Osmani ka udhëtuar në ShBA, për ta përfaqësuar Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në SHBA për ta përfaqësuar Kosovën në Këshillin e Sigurimit, në seancën, e cila do të mbahet të hënën. Në seancën e KSKB-së, Presidentja Osmani pritet të flasë për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën. Presidentja poashtu do të flasë për domosdoshmërinë për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë. Përgjatë qëndrimit në New York, Presidentja Osmani pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e përhershëm të shteteve mike në Kombe të Bashkuara. Takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën do të mbahet të hënën në ora 16:00, sipas kohës lokale të Kosovës, respektivisht në ora 10:00, sipas kohës së New York-ut.

Presidentja Omani kujtoi përvjetorin e masakrave në rajonin e Gollakut

Gjatë periudhës 19-23 prill 1999, forcat ushtarake dhe paramilitare serbe vranë barbarisht shumë civilë të pafajshëm prej 7 e deri në 98 vjeç në rajonin e Gollakut. Më 21 prill 1999 në fshatin Makoc të Gollakut, u torturuan dhe u vranë në mënyrë makabre 115 civil të moshave të ndryshme. Ende sot, pas 25 vjetësh, drejtësia për jetët e pafajshme nuk është vënë në vend dhe autorët nuk e kanë marrë dënimin e merituar. Krimi nuk vjetrohet, ndaj drejtësia duhet të vendoset patjetër. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!

Presidentja Vjosa Osmani kujton përvjetorin e rënies së heroit Sali Çekaj

Sali Çekaj, përveç lider ushtarak, ishte edhe politikan vizionar e jurist i shkëlqyer, i cili për realizimin e idealit të tij ishte i vendosur deri në fund, ndaj ra heroikisht në Betejën e lavdishme të UÇK-së, në Koshare. Shembja e kufirit në mes shqiptarëve ishte përmbushja e idealit, të cilin konkretisht e kishte filluar që nga viti 1991 kur kishte realizuar përgatitjet stërvitore ushtarake në Shqipëri së bashku me komandantin e UÇK-së, Adem Jashari dhe bashkëluftëtarin Zahir Pajaziti. Veprimtaria e bujshme politike e ushtarake, cilësitë e tij të jashtëzakonshme prej organizatori e lideri të vërtetë, si dhe rënia e tij heroike në Betejën e lavdishme të Koshares, e bëjnë atë ndër figurat e shquara të historisë së re të Kosovës. Qoftë i përhershëm kujtimi për heroin Sali Çekaj!

Presidentja Osmani priti në takim përfaqësues diplomatik të disa shteteve anëtare në Këshillin e Evropës

Në vazhdën e takimeve lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorë e të ngarkuar me punë nga ambasadat e Suedisë, Austrisë, Holandës, Finlandës, Zvicrës, Luksemburgut dhe Belgjikës. Përfaqësuesit e këtyre shteteve përgëzuan Presidenten Osmani për suksesin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërkaq Presidentja i falënderoi për mbështetjen e madhe në votimin në këtë Asamble. Më tej, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një hap vendimtar drejt rritjes së efektivitetit të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, duke u dhënë atyre qasje në mekanizmat për të drejta të njeriut që i ofron kjo organizatë. Në takim u shkëmbyen mendime për rrjedhën e mëtejme të procesit të anëtarësimit të Kosovës në KiE, sikurse edhe sfidave dhe mundësive. Presidentja Osmani theksoi se mbështetja e këtyre shteteve për Kosovën është e rëndësishme edhe në fazën e fundit, në votimin që mund të mbahet në muajin maj, në Komitetin e Ministrave. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani përsëriti përkushtimin e palëkundur të Kosovës për ruajtjen e vlerave dhe standardeve evropiane, duke theksuar progresin e bërë në forcimin e institucioneve demokratike, promovimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Përgjatë ditëve në vijim, Presidentja do të takojë edhe përfaqësues të shteteve të tjera anëtare në Këshillin e Evropës.

Presidentja Vjosa Osmani kujtoi 25-vjetorin e Masakrës së Dyzit të Podujevës

Më 18 prill të vitit 1999-s, në fshatin Dyz të Podujevës ndodhi masakra më e madhe në rajonin e Llapit. 25 vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, kryen njërën ndër krimet më makabre, në fshatin Dyz të Podujevës ku torturuan mizorisht dhe ekzekutuan 70 burra, gra dhe fëmijë. Duke kujtuar e nderuar me përulësi të gjithë viktimat e masakrës së Dyzit dhe të gjitha viktimave të ekzekutuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë, nuk do të ndalemi kurrë duke kërkuar drejtësinë, sepse krimet nuk vjetrohen kurrë dhe kriminelët patjetër duhet të marrin dënimin e merituar. Qoftë i përhershëm kujtimi dhe nderimi për të gjithë të rënët për liri!

Presidentja Osmani në Ditën e Dëshmorëve kujton dëshmorët e komunës së Prishtinës

Dita e Dëshmorëve të Prishtinës është dita për ta nderuar sakrificën e të gjithë dëshmorëve të UÇK-së, të cilët ranë për lirinë tonë. Guximi, trimëria dhe përkushtimi i tyre i palëkundur për kauzën e lirisë janë frymëzim për brezat. Kjo ditë është jo vetëm kujtim për ta, por shpresë për ne dhe për të ardhmen. Kujtimin për ta do ta nderojmë jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, duke e bërë shtetin tonë gjithnjë e më të fuqishëm. Republika e Kosovës është ideali i brezave të tërë dhe kontribut i dëshmorëve të UÇK-së, të cilët e përmbushën ëndrrën tonë për liri e shtet! Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë dëshmorët e UÇK-së!    

Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin e Francës

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot. Pas votimit pro anëtarësimit të Kosovës me më shumë se dy të tretat e deputetëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në takim u diskutua për zhvillimet dhe pritshmëritë përpara mbledhjes së Komitetit të Ministrave. Në mes tjerash, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Guérot diskutuan edhe për mbajtjen peng të qytetarëve, si dhe arrestimin e policëve të Kosovës nga ana e Serbisë në zonat kufitare. Presidentja Osmani potencoi se dihet qartë se kush qëndron pas kësaj dhe se ku duhet kërkuar përgjegjësi. Për më tepër, ajo potencoi se trajtimi johuman dhe bllokimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve, përbën shkelje serioze të të drejtave të njeriut. Ajo ka cekur po ashtu, se këto zhvillime krijojnë atmosferë të rënduar dhe frike në mesin e qytetarëve. Me këtë rast, Ambasadori Guérot e përgëzoi Presidenten Osmani për organizimin e suksesshëm dhe mbarëvajtjen e edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier. Me këtë rast, Ambasadori Hovenier e ka përgëzuar Presidenten Osmani për një edicion të suksesshëm të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke vlerësuar përkushtimin e saj dhe të Kosovës për ta avancuar këtë agjendë në vend, si dhe në rrafshin ndërkombëtar. Në takim u diskutua po ashtu për zhvillimet e fundit në vend, ku Presidentja potencoi shkeljen serioze të të drejtave të njeriut dhe marrëveshjes për lirinë e lëvizjes nga ana e Serbisë, përmes ndalimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës në zonat kufitare dhe trajtimit të papranueshëm të tyre, si dhe arrestimet e paligjshme të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Në takim gjithashtu u diskutua lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe për përgatitjet që po bëhen për mbarëvajtjen e procesit të votimit që do të mbahet këtë fundjavë në veri të vendit. Temë e diskutimit ishin edhe përgatitjet që po bëhen si dhe koordinimi me aleatët në prag të mbledhjes së radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Kosova do të përfaqësohet nga Presidentja Osmani.

Presidentja Vjosa Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar nga Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi me Çmimin e Evropës për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët euroatlantikë, si dhe përkushtimin ndaj orientimit pro-evropian, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Në njoftimin e publikuar nga Fondacioni, Presidentja Osmani është vlerësuar për qëndrimin politik dhe orientimin e saj të qartë evropian, duke e mbrojtur atë me përkushtim, pavarësisht situatës delikate të sigurisë në rajon dhe kërcënimit të vazhdueshëm nga Serbia. Mëtej, në njoftimin e publikuar nga Fondacioni Pan-Evropian, Presidentja Osmani është vlerësuar edhe për punën dhe përkushtimin e saj për demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Tutje, në njoftim, Presidentja vlerësohet për qëndrimin e saj politik të ndjekur me bindje të plotë ndaj rëndësisë së marrëdhënieve transatlantike, e cila në angazhimin e saj mbështet filozofinë e arkitektit të pavarësisë së Kosovës, presidentit dr. Ibrahim Rugova, i cili u nderua me po këtë çmim, 20 vjet më parë. Laureatët e këtij çmimi përfshijnë personalitete të ndryshme botërore, përfshirë edhe: ish-Kancelaren Angela Merkel,  ish-Presidentin amerikan Ronald Reagan dhe Presidentin historik të Kosovës Dr.Ibrahim Rugova. Më poshtë gjeni të bashkëngjitur njoftimin nga Fondacioni për ndarjen e çmimit. https://www.ots.at/presseaussendung/OTS_20240418_OTS0034/europapreis-coudenhove-kalergi-2024

This site is registered on wpml.org as a development site.