presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani reagon pas vrasjes së një gruaje në Pejë: Ky femicid duhet të ndalet me çdo kusht, nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ka reaguar pas lajmit të tmerrshëm për vrasjen e një gruaje në Pejë.

Presidentja Osmani ka thënë se fatkeqësisht sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj.

“Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht dhe mënyra e vetme për ta ndalur atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet e si komb. Rizgjohemi të gjithë në këmbë kundër këtij fenomeni, sepse nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur”, ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja ju ka bërë thirrje të gjithëve, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë dhe të drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë, që të bashkohen kundër dhunës mbi bazë gjinore.

“E kemi detyrë gjithsecili prej nesh, që ta luftojmë këtë fenomen dhe t’i mbrojmë vajzat e gratë, dhe t’i mbrojmë gjithë qytetarët e shtetit tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.