Në manifestimin përkujtimor në 25 vjetorin e Masakrës së Kotlinës, në emër të Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu, mori pjesë këshilltari ushtarak, gjeneralbrigade Sefer Isufi, i cili bëri homazhe dhe vendosi lule tek varrezat e dëshmorëve.
Në fjalën e tij të mbajtur para të pranishmëve në emër të Presidentes Osmani, Gjeneral Isufi tha se më 24 mars të vitit 1999, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë në fshatin Kotlinë, vranë dhe masakruan 14 qytetarë të këtij fshati, ndërsa në mbrojtje të popullatës atë ditë kanë rënë 11 luftëtarë të UÇK-së.
Sipas tij, 25 vjet pas, thirrja për drejtësi është e fuqishme dhe e pandërprerë e institucioneve dhe qytetarëve liridashës e paqedashës të vendit.
“Liria dhe paqja kanë kuptim vetëm kur përgjegjësit dhe ekzekutuesit të vihen para drejtësisë! Masakra e Kotlinës është dhimbje e jona e vazhdueshme, kujtesë historike dhe sakrifica për lirinë e vendit”, ka theksuar Gjeneral Isufi.