Faleminderit shumë Pranvera,
Të dashura pjesëmarrëse të Javës së Gruas,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja zëvendëskryeministre Rexhepi,
E nderuar zonja Niedoba,
Shumë e dashur Nancy,
Ambasadore Soderberg,
Zonja dhe zotërinj,
Rikthimi në Javën e Gruas gjithnjë është sikur të kthehesh në shtëpi.
Ka qenë që nga ditët e para, përpjekje e përbashkët e grave të Kosovës dhe e partnerëve
tanë ndërkombëtar, në veçanti NDI.
Faleminderit nga zemra për gjithçka që bëni drejt fuqizimit të vajzave dhe grave në
Kosovë, e rrjedhimisht fuqizimit të vetë Kosovës dhe faleminderit për kthimin e Javës së
Gruas në një platformë që na bashkon të gjithave në ambicien tonë të përbashkët, për të
integruar pjesëmarrjen e barabartë gjinore dhe gjithëpërfshirjen në vetë thelbin e secilës
ndërmarrjeje, secilit veprim dhe gjithë politikbërjes sonë, qoftë në nivel qendror, po ashtu
edhe në nivel lokal.
Përgjatë historisë së njerëzimit, shoqëritë kanë bërë përparim vetëm atëherë kur kanë
përqafuar plotësisht diversitetin dhe kanë fuqizuar gjithsecilin zë. Pra, kanë fuqizuar
të gjithë zërat për të kontribuar për të mirën e përbashkët.
Udhëheqja gjithëpërfshirëse është një burim force. Është një mjet që mundëson
transformimin pozitiv të shoqërive tona.
Kudo që ka udhëheqje gjithëpërfshirëse, aty ka përparim, ka mirëqenie dhe demokracia
lulëzon në mënyrën më të mirë.
Të gjithë e dimë se sfidat pra nesh janë të mëdha dhe komplekse. Ne jetojmë në një kohë
të jashtëzakonshme, në një periudhë të transformimit global dhe periudhë po ashtu të
sfidave të paprecedenta.
Nga ndryshimet klimatike tek inteligjenca artificiale, nga konfliktet e armatosura tek
luftërat hibride, e po ashtu nga pabarazitë ekonomike tek pandemitë globale. Problemet
me të cilat përballemi secili shtet, sado i vogël apo i madh, kërkojnë zgjidhje të
guximshme dhe kërkojnë qasje ndryshe nga ajo se si është paramenduar në të kaluarën.
Përballja me sfidat e shekullit XXI kërkon një ndryshim të botëkuptimit, se si i
organizojmë shoqëritë tona.
Nuk mund të vazhdojmë më të mbështetemi në modele të vjetra të mendimit dhe të
veprimit, të cilat kanë prodhuar vazhdimisht pabarazi.
Në vend të kësaj, duhet të angazhohemi për ndërtimin e shoqërive dhe të një bote e cila
vlerëson dhe e cila shfrytëzon plotësisht kontributin e secilit individ, dhe kjo është e
pamundur, e pamundur pa përfshirë në tërësi kontributin e vajzave dhe grave.
Dita e ditës kuptojmë gjithnjë e më shumë, se ne do të mund të kemi sukses të garantuar,
qoftë në udhëheqjen e shtetit, qoftë në udhëheqjen e një kompanie, apo në organizime në
komunitet, atëherë kur vajzat dhe gratë janë prezente. Atëherë kur ato përfshihen,
atëherë kur ato kanë rol aktiv, atëherë kur atyre u dëgjohet zëri dhe atëherë kur edhe ato
marrin vendime në një platformë të barabartë.
Kur i përjashtojmë vajzat dhe gratë, komunitete të tëra dështojnë.
Kur i përjashtojmë ato nga procesi i vendimmarrjes, kur margjinalizojmë grupe të
caktuara duke u bazuar në racë, gjini, fe ose karakteristika të tjera, ne e kufizojmë aftësinë
tonë kolektive, e kufizojmë shoqërinë tonë në tërësi, i vendosim kufij edhe vet shtetit
tonë dhe potencialit të tij.
Pra, kufizojmë aftësitë tona të përbashkëta për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme, të cilat
i reflektojnë nevojat e vërteta të shoqërisë sonë dhe të cilat i zgjidhin problemet e
nevojat tona më urgjente.
Kjo është edhe arsyeja pse promovimi dhe përfaqësimi i udhëheqjes gjithëpërfshirëse,
duhet të jetë në krye të përpjekjeve tona për adresimin e sfidave të shekullit XXI.
Nuk mjafton t’i kushtojmë fjalë diversitetit dhe gjithëpërfshirjes. Ne duhet të punojmë pa
reshtur e çdo ditë, për të larguar barrierat që i pengojnë të gjithë individët që të marrin
pjesë plotësisht në demokracinë dhe në ekonominë tonë.
Përtej fjalëve, dua të flas edhe për barrën e përgjegjësisë. Ndryshimi fillon nga ne, nga
gjithsecili prej nesh.
Ndryshimin e fillojmë me një vepër, me një kauzë, me një projekt, e me raste qoftë edhe
me një fjalim.
Është e jashtëzakonshme se çfarë mund të arrimë e të bëjmë me të ashtuquajturat vepra
të vogla.
Realisht unë nuk besoj që ka vepra të vogla. Ka vepra të vogla me impakt të
madh, sepse çdo vepër sado që në fillim mund të duket e vogël, na ofron më afër
gjithëpërfshirjes si synim.
Ajo që duhet të kuptojmë është se për të ndryshuar pozitivisht, ne duhet të veprojmë së
pari, andaj ju them mos hezitoni. Mos hezitoni sado që mund të duket vështirë në fillim,
mos ngurroni ta ngrisni zërin, mos ngurroni të reagoni, mos ngurroni të kundërshtoni
dhe vazhdimisht të kërkoni të drejtat tuaja.
Në rrugëtimin tuaj mos pranoni kurë të ju ulin, të ju dekurajojnë, të ju bëjnë të ndryshoni
kahun. Nuk e di askush më mirë se sa vet ju, aftësinë dhe potencialin tuaj për të
kontribuar drejt ndryshimit pozitiv.
Në secilin dhe secilën nga ju, ka diçka që nuk mund të ketë tek tjetri. Andaj, ashtu siç jemi
unik në atë që përfaqësojmë, po aq unike janë edhe kontributet tona në drejtim të
zgjidhjes së sfidave të shekullit tonë.
Në këtë rrugëtim, edukimi dhe ndërgjegjësimi janë çelësi. Andaj, lidershipi
gjithëpërfshirës nuk ka të bëj vetëm me politikat dhe programet. Ka të bëjë me një
mentalitet të tërë, ka të bëjë me një mënyrë së edukuari dhe mirë informuari se si t’iqasemi botës.
Ne duhet përfundimisht të kuptojmë, se të gjithë jemi të ndërlidhur me njëri tjetrin, se
sfidat me të cilat përballemi janë të përbashkëta dhe se duhet të punojmë bashkë, sepse
vetëm ashtu mund t’i kapërcejmë ato.
Andaj, në këtë rrugëtim mos harroni t’ia zgjatni dorën atyre që sot nuk janë këtu në mesin tonë, që nuk e kanë pasur këtë mundësi sot. Mos harroni se kjo mundësi që ju keni sot, ju duket ende një realitet i largët një vajze apo një djali diku në një cep të Kosovës sonë.
Pra, zgjatni duart atyre, u ndihmoni sikurse u ka ndihmuar edhe juve dikush dhe sa më shumë që të bëhemi, aq më të fuqishëm do të jemi dhe aq më lehtë do t’i zgjedhim sfidat me të cilat përballemi.
Mos harroni po ashtu kurrë, se sa e rëndësishme është që ta zgjerojmë çdo ditë rrethin tonë, që nga rrethi ynë i ngushtë të shndërrohemi në një avalanzh ndryshimi.
Andaj, në përballje me sfidat e shekullit XXI, le të angazhohemi për gjithëpërfshirje dhe barazi gjinore. Le t’i bëjmë këto parime jo vetëm pjesë të retorikës sonë, por pjesë jetike të praktikave tona të përditshme, e mbi të gjitha pjesë të vendimeve strategjike.
Vetëm atëherë mund të shpresojmë të ndërtojmë një të ardhme, që jo vetëm i del ballë sfidave, por edhe i kalon ato me sukses, duke kapitalizuar plotësisht potencialin që ofron shoqëria jonë, një shoqëri e barabartë.
Në vitet në vijim, ne duhet të shumëfishojmë përpjekjet tona për të avancuar lidershipin gjithëpërfshirës në çdo nivel të shoqërisë dhe nuk duhet të harrojmë kurrë faktin se diversiteti është forca dhe pasuria jonë më e madhe.
Për fund, më lejoni t’ju uroj të gjithë juve që jeni sot prezent. Ju mund të jeni zanafilla e një ndryshimi që do të mbetet i shënuar në kapitujt e lavdishëm të historisë së shtetit tonë.
Uroj t’ju shoh lart e më lart, mirë e më mirë e gjithnjë më afër përmbushjes së ëndrrave dhe aspiratave tuaja!
Ndërsa NDI dhe Javës së Gruas iu uroj suksese në vazhdimësi, siç nuk kanë munguar këto suksese që nga bërthama e idesë së organizuari një javë të tillë, që ishte përpjekje e përbashkët e Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës dhe National Democratic Institute (NDI) dhe më lejoni që bashkërisht me ju ta përkujtojë edhe një herë një yll që ende ndriçon në mesin tonë, e që qysh atëherë ishte pjesë e këtyre përpjekjeve, ish-sekretaren e shtetit Madeleine Albright.
Ju faleminderit!
