Lipjan, 18 mars 2024-Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së sotme ka vizituar komunën e Lipjanit, me ç’rast ka pasur një sërë aktivitetesh.
Fillimisht, Presidentja Osmani është pritur në takim nga kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti.
Presidentja Osmani dhe kryetari Ahmeti kanë takuar edhe fëmijët në kopsht, të rinjtë e të rejat e kësaj komune, bizneset si dhe komunitetet jo shumicë që jetojnë komunën e Lipjanit.
Ndërkaq, në deklarimin për media Presidentja Osmani ka thënë se me Lipjanin po i vazhdon vizitat nëpër komunat e Kosovës.
“Kam kënaqësinë që sot të pritem nga kryetari Imri Ahmeti, një prej kryetarëve prej të cilëve njihemi për mëse 20 vite dhe kemi bashkëpunuar edhe në cilësi të ndryshme. Kështu që, nga puna e tij e deritanishme jam e bindur që qytetarët e Lipjanit kanë me çka të krenohen, dhe se edhe projektet e tjera, për të cilat më informoi sot kryetari Ahmeti do të vazhdojnë dhe do të përmbyllen me sukses”, ka thënë Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani dhe kryetari Ahmeti kanë diskutuar për fusha të ndryshme, të cilat janë në interes të qytetarëve të Lipjanit.
“Ka fusha të ndryshme, të cilat janë natyrisht të interesit të qytetarëve të kësaj komune, për të cilat diskutuam, nga fusha e arsimit tek fusha e zhvillimit ekonomik, diskutuam për rëndësinë e krijimit të mundësive të reja, sidomos për rininë, në mënyrë që ata të rrinë në Kosovë, ta zhvillojnë potencialin e tyre në Kosovë, t’i realizojnë ëndrrat e tyre në profesionet e tyre brenda Kosovës dhe mos ta shohin si mundësi vetëm si të largohen nga këtu. Kjo, natyrshëm se lidhet me zhvillimin ekonomik të kësaj komune, e cila siç e kam përmendur edhe më herët është komunë që ka ofruar një mundësi të jashtëzakonshme për bizneset, janë mbi dy mijë biznese që operojnë këtu, disa prej të cilave do t’i vizitojmë sot gjatë ditës”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani dhe kryetari Ahmeti, gjithashtu kanë diskutuar edhe për mundësitë për tërheqjen e investitorëve të huaj në komunën e Lipjanit.
“Diskutuam edhe për mundësitë se si investitorë të jashtëm do të mund të investonin, qofshin ata shtetëror, qofshin investime të huaja direkte në komunën e Lipjanit, dhe natyrisht për shkak se në shumicën dërmuese të udhëtimeve të mia jashtë vendit kam komunikim me këto shtete që janë të interesuara të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre tregtar-ekonomik me Kosovën, disa prej projekteve të komunës së Lipjanit do t’i shtyjmë përpara, natyrisht në përputhje të plotë siç e thash me interesat e qytetarëve”, ka pohuar Presidentja.