Presidentja Vjosa Osmani, dhe Zotëria i Parë Prindon Sadriu morën pjesë në edicionin e tretë të Forumit të Diplomacisë së Antalisë

Me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, morën pjesë në edicionin e tretë të Forumit të Diplomacisë së Antalisë. Gjatë qëndrimit në Turqi, Presidentja Osmani dhe Zotëria i Parë ishin pjesë e ceremonisë inaguruese të Forumit të Diplomacisë së Antalisë dhe darkës së këtij edicioni të shtruar nga Presidenti Erdoğan ku paten rastin të takohen me krerë të delegacioneve dhe një numër të zonjave të para të shteteve pjesëmarrëse. Në ditën e dytë të punimeve të Forumit të Diplomacisë së Antalisë, Zoteria i Parë me ftesë të Zonjës së Parë të Republikës së Turqisë, Emine Erdoğan, mori pjesë në drekën e shtruar nga ajo me motive autentike turke. Krahas diskutimeve me Zonjën e Parë Erdoğan, Zotëria i Parë zhvilloi biseda të afërta mbi çështje të ndryshme edhe me Ministren e Punëve të Jashtme të Mozambikut, ish- Presidenten e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović, Zonjën e Parë të Bosnës dhe Hercegovinës si dhe me Zonja të Para e përfaqësuese të tjera nga shtete të ndryshme.
Presidentja: Kosova shembull suksesi i angazhimit diplomatik në dobi të lirisë e demokracisë

Me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë. Gjatë Forumit, Presidentja Osmani ka folur në panelin kryesor të liderëve, me temën e forumit të sivjetëm: “Avancimi i diplomacisë në kohë trazirash”. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Fuqia e aleancave, angazhimi për dialog dhe koordinimi i vazhdueshëm me partnerë në çdo etapë të historisë së Republikës sonë janë boshti i suksesit dhe arritjeve kulminante të Kosovës. Në panelin e liderëve në Forumin Diplomatik në Antalya fola për Kosovën si shembull suksesi i angazhimit diplomatik në dobi të lirisë e demokracisë.
Presidentja Osmani në Turqi për Forumin Diplomatik të Antalisë

Me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Turqi, ku do të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë. Gjatë Forumit, Presidentja Osmani do të jetë folëse në panelin kryesor të liderëve, me temën e forumit të sivjetëm: “Avancimi i diplomacisë në kohë trazirash”. Përgjatë punimeve të Forumit, Presidentja Osmani do të takohet edhe me homologë nga disa vende të botës, pjesëmarrës të forumit. Forumi Diplomatik i Antalisë është takim i nivelit të lartë, në të cilin adresohen sfidat ndërkombëtare dhe në të cilin marrin pjesë liderë shtetesh, diplomatë dhe akademikë. Forumi i sivjetëm do t’i zhvillojë punimet prej 1deri më 3 mars.
Fjalimi i Presidentes Osmani në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore, i mbajtur më 28 shkurt në Tiranë

Presidentja Osmani takohet me kryeministrin Rama

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të kryeministrit Edi Rama të Shqipërisë, ka përfaqësuar Kosovën në Samitin Ukrainë- Evropa Juglindore, në Tiranë. Presidentja Osmani në kuadër të këtij Samiti, është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. “Sot në Tiranë në takim me Kryeministrin Rama! Diskutime e koordinim në të mirë të Kosovës e të Shqipërisë!”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja: Kosova do të qëndrojë me Ukrainën deri në fitore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me ftesë të kryeministrit Edi Rama të Shqipërisë, krahas presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe liderëve të tjerë nga Evropa Juglindore, po përfaqëson Kosovën në Samitin Ukrainë- Evropa Juglindore, i cili u mbajt në Tiranë. Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani: Fitorja e Ukrainës është fitore e Evropës! Është fitore ndaj atyre që duan ta destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe të rikthejnë mendësinë e dhunës e shkatërrimit! Është fitore e lirisë! Prandaj Kosova do të qëndrojë me Ukrainën deri në fitore.
Presidentja Osmani: Më 28 shkurt 1998, regjimi gjenocidal i Millosheviqit kreu mizori të papërshkrueshme, duke marrë jetën e 24 shqiptarëve të pafajshëm në Likoshan dhe Qirez të Drenicës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar masakrën në Likoshan dhe Qirez të Drenicës. Në vijim gjeni të plotë përkujtimin e Presidentes Osmani: Më 28 shkurt 1998, regjimi gjenocidal i Millosheviqit kreu mizori të papërshkrueshme, duke marrë jetën e 24 shqiptarëve të pafajshëm në Likoshan dhe Qirez të Drenicës. Kjo ditë tragjike është një dëshmi e brutalitetit të ushtruar mbi popullin tonë nga regjimi kriminal i Serbisë në zemrën e rezistencës, në Drenicë. Përballë një tmerri të tillë, vendosmëria për të luftuar për çlirim vetëm sa u forcua. Vajzat dhe djemtë e UÇK-së, sakrifikuan gjithçka për lirinë e vendit tonë. Në këtë 26 vjetor, nderojmë kujtimin e atyre që humbëm. Trashëgimia e tyre jeton në zemrat tona, ndërkaq sakrifica e tyre na nxit për të vazhduar kërkimin e drejtësisë. Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët në masakrat në Likoshan e Qirez!
Presidentja Osmani përfaqëson Kosovën në Samitin Ukrainë- Evropa Juglindore në Tiranë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të kryeministrit Edi Rama të Shqipërisë, ka udhëtuar për Tiranë për ta përfaqësuar Kosovën në Samitin Ukrainë- Evropa Juglindore. Në këtë Samit, Presidentja Osmani do të jetë krahas presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe liderëve të tjerë nga Evropa Juglindore. Në dy vjetorin e fillimit të luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, Samiti synon të riafirmojë angazhimin e përbashkët të shteteve të Evropës Juglindore për mbështetje ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Nga ky samit, parashihet t`i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta rrisë fuqishëm mbështetjen për Ukrainën, si dhe të diskutohet ndihma konkrete e shteteve të EJL-së për Ukrainën.
Presidentja Osmani u prit në takim nga Emiri i Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në Katar, është pritur në takim nga Emiri i Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani. Në takim u diskutua për thellimin e mëtejshëm të raporteve dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme siç janë: shëndetësia, turizmi malor, infrastruktura, si dhe projekte të tjera me rëndësi për Kosovën. Në veçanti u diskutuan një sërë projektesh investive në sektorë strategjik për të cilat do të vazhdojnë diskutimet përmes ekipeve përkatëse në ditët në vijim. Presidentja Osmani gjatë takimit ka shtruar edhe çështjen e trajtimit të invalidëve të luftës nga radhët e UÇK-së, të cilët kanë nevojë për shërbime protetike. Gjatë takimit u diskutua edhe për rritjen e mbështetjes në fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Presidentja ka falënderuar Emirin e Katarit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe popullit të saj.
Presidentja Osmani në tryezën ekonomike Kosovë – Katar: Kosova me potencial të jashtëzakonshëm për investime

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në Katar, ka marrë pjesë në tryezën ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Katarit që po mbahet në Doha ku po diskutohet për potencialin investues në vendin tonë. Në këtë tryezë ekonomike me pjesëmarrje të Odës Ekonomike të Katarit dhe bizneseve anëtare katariane, kryetarit të Prishtinës z. Përparim Rama edhe disa nga bizneset më të suksesshme nga Kosova, u diskutua për mundësitë e shumta për parnteritete biznesore dhe investime në sektorë strategjik. Duke folur për potencialin zhvillimor të Kosovës, Presidentja Osmani potencoi faktin se Kosova ka tashmë një infrastrukturë ligjore të përafruar me ligjet e BE-së, një sistem të standardizuar të taksave me standardet më të mira ndërkombëtare, një ambient miqësor për investitorët e huaj dhe potencial të jashtëzakonshëm për investim në fusha të ndryshme. Presidentja Osmani ndër të tjera, veçoi mundësitë e shumta për bashkëpunim në industrinë e ushqimit dhe sigurisë ushqimore, energjisë, hotelerisë dhe turizmit malor, industrisë së drurit dhe asaj metalike. Ndërkaq, Kryetari Rama prezantoi planin për zhvillimin e Prishtinës, me fokus te një sërë projektesh kapitale e infrastrukturore nga fusha e sportit, artit, transportit e më gjerë. Kjo tryezë shërbeu edhe si platformë për bizneset kosovare për të promovuar bizneset e tyre dhe për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit të drejtpërdrejt me bizneset katariane. Gjatë tryezës ekonomike u vunë në pah mundësitë e shumta për parneritete e projekte të përbashkëta dhe pritet që së shpejti një delegacion i bizneseve të Katarit ta vizitojë Kosovën me qëllim të konkretizimit të bashkëpunimit. Gjatë kësaj vizite në Katar, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë shtetëror të Katarit ku do të diskutohen mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve si dhe do të mbajë fjalim në Web Summit, i cili sivjet po mbahet në Doha.