Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktorit Mirush Kabashi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani iu ka shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe komunitetit kulturor për ndarjen nga jeta të aktorit Mirush Kabashi. Ngushëllimi i plotë i Presidentes Osmani:   Sot, kinematografia shqiptare mbeti pa aktorin e madh, ikonën Mirush Kabashi. Ai kombinoi për mrekulli karizmin, mjeshtërinë dhe përkushtimin, duke prekur thelbin e emocioneve njerëzore me një finesë të pashembullt dhe duke lënë gjurmë të pashlyeshme në krijimtarinë kinematografike. Secila paraqitje e tij ishte mishërim i angazhimit pasionant dhe të palëkundur ndaj artit. Ai ishte zëri artistik edhe i Kosovës me vargjet kushtuar sakrificës dhe luftës për liri e pavarësi. Trashëgimia nga magjia skenike e paraqitjeve të tij do të jetë kujtesë e jona e përhershme! Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor! I përhershëm qoftë kujtimi për Mirush Kabashin!

Presidentja Osmani takoi presidentin e Kenias, William Ruto

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Dubai, ku po mbahet COP28, konferenca kryesore globale për ndryshime klimatike, ka zhvilluar një takim me presidentin e Republikës së Kenias, William Ruto. Në takim u diskutua për raportet dypalëshe Kosovë-Kenia si dhe zhvillimin e mëtejmë të tyre. Presidentja Osmani ka theksuar se thellimi i raporteve në mes të dy shteteve është në të mirë të qytetarëve tanë dhe do ta nxisë shkëmbimin ekonomik e tregtar në mes të vendeve tona. Ajo e njoftoi Presidentin e Kenias për sfidat në të cilat ka kaluar Kosova si dhe për të arriturat e shtetit tonë. Presidentja Osmani dhe Presidenti Ruto rikonfirmuan përkushtimin e përbashkët për të punuar drejt thellimit raporteve në mes të Kosovës dhe Kenias.

Presidentja Osmani u prit në takim nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartmadhëria e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartmadhëria e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan në Dubai, ku po zhvillon punimet e COP28, konferenca kryesore globale. Në takim, Presidentja Osmani ka vlerësuar lartë mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe në kohën më të vështirë për popullin tonë. Ajo në veçanti vlerësoi mbështetjen në sektorin e shëndetësisë, përmes ndërtimit të spitaleve, të cilat kontribuojnë dukshëm në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ofruara, në veçanti për nëna dhe fëmijë. Në këtë drejtim, Presidentja theksoi se kjo mbështetje është dëshmi e lidhjes së fortë në mes të dy shteteve tona. Ndër të tjera, në takim u diskutua edhe për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, rritjes së investimeve në energji, shëndetësi, turizëm dhe sektorë të tjerë strategjik, si dhe për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Presidentja Osmani përgëzoi Lartmadhërinë e Tij për organizimin e suksesshëm të COP28, në të cilën konferencë Kosova po merr pjesë për herë të parë në nivelin më të lartë shtetëror, me ftesë të Lartmadhërisë së Tij.

Presidentja Osmani u takua me kryeministrin e Çekisë, Petr Fiala, në COP28

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u takua me kryeministrin e Çekisë, Petr Fiala, në COP28 në Dubai. “Çekia është një aleate e rëndësishme e Kosovës dhe një mbështetëse e rrugës euroatlantike të vendit tonë. Gjatë #COP28 falënderova Kryeministrin Petr Fiala për mbështetjen e Çekisë dhe shpreha vendosmërinë tonë për të vazhduar forcimin e lidhjeve tona dypalëshe”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani u takua me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, në COP28

Presidentja Osmani u takua me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, në COP28 Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani  u takua me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen,  në COP28 në Dubai. “Kënaqësi të bisedoj me Kryeministren daneze Mette Frederiksen gjatë #COP28. Një mundësi e mirë për të diskutuar zhvillimet e fundit në vendin tonë dhe në rajon. Danimarka është një mik i vlefshëm për Kosovën,dhe i gëzohemi punës së përbashkët për të përballuar sfidat e dyanëshme”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Vjosa Osmani u takua me ish- Sekretarin John Kerry, në COP28

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u takua me ish- Sekretarin John Kerry, të dërguarin e posaçëm presidencial të Shteteve të Bashkuara për Klimën, në COP28 në Dubai, të cilin e ka informuar rreth zhvillimeve të fundit të sigurisë në Kosovë. “Në COP28 u takova me Sekretarin John Kerry të cilin e informova rreth zhvillimeve të fundit të sigurisë në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e lidershipit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm”, ka shkruar Presidentja Osmani. Presidentja ka përgëzuar ish- Sekretarin Kerry për lidershipin e tij në çështjet klimatike. “Përgëzuam për lidershipin e tij në çështjet klimatike dhe shprehëm gatishmërinë tonë për të punuar së bashku për të trajtuar sfidat e përbashkëta”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani kujton Presidentin Rugova në përvjetorin e lindjes së tij

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar Presidentin Rugova në përvjetorin e lindjes së tij.Kujtimi i plotë i Presidentes Osmani:“Sot e kujtojmë ditëlindjen e ideatorit e arkitektit të Kosovës së pavarur, presidentit historik, dr. Ibrahim Rugovës.2 dhjetori na e kujton rrugëtimin tonë drejt lirisë e pavarësisë dhe na e forcon bindjen për fuqizimin e përditshëm të saj, ngase ajo ndër të tjera, është e lidhur edhe me jetën e një njeriu, i cili i dha kuptim asaj, njëherë si shkrimtar e intelektual, e pastaj si prijës politik i popullit të vet, duke u bërë model për gjithë njerëzimin.I përjetshëm kujtimi për prijësin tonë historik!”

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Turqisë, Sabri Tunç Angılı

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.Në takim u diskutua për raportet Kosovë-Turqi, intensifikimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, me theks të veçantë në fushën e sigurisë, si dhe raportet tregtare në mes të dy vendeve. Në këtë drejtim, Presidentja ritheksoi përkushtimin e Kosovës për thellim të raporteve të shkëlqyera bilaterale dhe bashkëpunimit me Turqinë.

Presidentja Osmani takoi ambasadorin e ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier me të cilin bisedoi për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend e rajon, procesin e dialogut Kosovë-Serbi, si dhe anëtarësimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare. Në këtë frymë, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të, për ta fuqizuar më tej pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

This site is registered on wpml.org as a development site.