DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Osmani në Tech Park, në përurimin e projektit inovativ të shitblerjes së veturave Carvago, të krijuar nga kompania “Gjirafa”

I nderuar Kryeministër Kurti,

I nderuar ambasador Mazanek,

I nderuar z.Cahani,

Të nderuar të pranishëm nga Kosova dhe nga Çekia,

 

Vërtetë kënaqësi që të ndodhem në mesin tuaj për të promovuar një produkt inovativ të kompanisë “Gjirafa”, e cila tashmë është shndërruar në shenjë identifikuese të shtetit tonë në shumë vende evropiane dhe përtej.

Kjo shpërfaqë Kosovën reale, e cila dominohet nga të rinj e të reja inovativ, të cilët çdo ditë e më shumë po bëhen imazhi i shtetit tonë dhe të cilët po na përfaqësojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Gjirafa” është një ndër ato rrëfime të suksesit, e cila tashmë nuk është vetëm e jona.  Është një kompani evropiane. Kjo tregon se Kosova mund t`i ofrojë Evropës më shumë se kaq, ndaj edhe ambicia jonë siç ka qenë gjithnjë është që të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, aty ku e kemi vendin.

Inovacioni ka një rol përmbajtësor për zhvillimin e ekonomisë sonë dhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Tregu inovativ për blerjen e makinave Carvago, do t`i sjell përfitim jo vetëm shtetit tonë, por gjithashtu do të ndikojë direkt edhe në jetën e qytetarëve tanë.

Carvago përbën  një inovacion  për tregun e veturave. Është përfitim në kohë, përmirësim në cilësi dhe në efikasitet.

Kosova është e interesuar që të lidhet sa më shumë me tregun evropian, ndaj Carvago është vetëm njëra nga plaformat që e mundëson një gjë të tillë.

Kjo platformë zgjeron mundësitë për konsumatorët, por gjithashtu hap mundësi të reja për bizneset që të zhvillohen në një ekonomi gjithnjë e më të globalizuar.

Kjo është fuqia transformuese e inovacionit, e cila padyshim nxitë ndryshime pozitive në ekonominë dhe në shoqërinë tonë.

 

Si një shtet që aspiron të thellojë lidhjet e tij ekonomike me Evropën, për Kosovën është i domosdoshëm përdorimi i inovacionit dhe dixhitalizimi në funksion të rritjes së konkurrencës.

Ndikimi i ideve dhe ndërmarrjeve inovative shtrihet përtej ndikimit ekonomik, ngase ato shërbejnë si katalizatorë edhe për ndryshimet sociale.

Këto ndërmarrje dhe nisma janë shtytësit kryesorë për krijimin e vendeve të reja të punës dhe fuqizimit ekonomik, duke ofruar mundësi për individët dhe për kompanitë që të realizojnë potencialin e tyre të plotë dhe pastaj të kontribuojnë për rritjen ekonomike domethënëse të vendit tonë.

Ne kemi nevojë për një Kosovë sa më të fuqishme ekonomikisht dhe sa më ndërvepruese me tregun evropian. Prandaj e shohim edhe biznesin privat, të gjitha bizneset të cilat ndërveprojnë në Kosovë si katalizatorë të këtij fuqizimi ekonomik.

Shteti ynë, siç e dini ka infrastrukturë, e cila lehtëson  qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe njerëzve ndërmjet rajonit tonë dhe gjithë kontinentit evropian. Nga modernizimi i korridoreve të transportit te përmirësimi i infrastrukturës dixhitale. Investimet e tilla kanë ndihmuar në eliminimin e barrierave në tregti dhe hapjen e rrugëve të reja për bashkëpunim dhe shkëmbim ekonomik.

Është kënaqësi e jashtëzakonshme që sot ky bashkëpunim po e thellon edhe partneritetin tonë me një shtet që gjithnjë ka qëndruar pranë Republikës së Kosovës, pra me Çekinë, e cila jo vetëm që është katalizator i bashkëpunimit ekonomik, por ka qenë katalizatori kryesor që sot të rinjtë tanë të ecin lirshëm edhe në shtete tjera të Evropës nëpërmjet liberalizimit të vizave për çka dua t’i falënderoj edhe njëherë për atë kontribut të jashtëzakonshëm.

Kompanisë “Gjirafa”, i uroj suksese me projektin më të ri inovativ dhe i inkurajoj të gjitha bizneset kosovare që ta ndjekin këtë rrugë, duke zënë sa më shumë hapësirë në tregun evropian duke treguar imazhin e vërtetë të Republikës sonë që është imazhi juaj. Pra, ju jeni pasqyra më e mirë dhe më brilante e Republikës sonë.

 

Ju faleminderit shumë për ftesën!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.