I nderuar President Begaj,
E nderuar Zonja e Parë, Armanda Begaj,
I nderuar kryetar i Kuvendit, z.Konjufca
I nderuar kryeministër Kurti dhe anëtarë të kabinetit qeveritarë,
I nderuar zëvendëskryeministër Gjeloshaj,
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë, përfaqësues të shteteve mike,
I nderuar ish-President Sejdiu,
Të dashur përfaqësues nga e gjithë Kosova, përfshirë përfaqësues të pushtetit lokal,
Të nderuar motra e vëllezër nga Shqipëria, nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, nga Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi e përtej,
Zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi e veçantë t’ju shoh në një prezencë kaq madhështore me rastin e kremtimit të 16 vjetorit të pavarësisë së Republikës sonë!
Jam vërtetë e lumtur që ndodhem para jush në këtë ceremoni festive në një ditë e një moment kur zemrat tona janë mbushur me krenari dhe mirënjohje.
Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, ne hodhëm një hap historik drejt forcimit të lirisë sonë, duke hapur një kapitull të ri që u kurorëzua me shpalljen e Kosovës Republikë.
17 shkurti do të mbahet mend përherë si një pikë kthese historike dhe një kapitull gëzimi në historinë moderne të vendit tonë, por është po ashtu një përkujtim i çdovitshëm i barrës së lartë të përgjegjësisë që peshon mbi supet tona, një përgjegjësi për ta ndërtuar dhe kultivuar një shtet, të bazuar në parimet e lirisë, demokracisë dhe të drejtësisë.
Rrugëtimi ynë gjer më sot ishte shumëçka, por assesi i lehtë. Rezistenca paqësore ndër vite e udhëhequr nga arkitekti i shtetit tonë, presidenti historik Ibrahim Rugova e pasuar nga rezistenca e armatosur nga kryekomandanti Adem Jashari me familje dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës është rrjedhojë e rezistencës së trashëguar ndër breza, por edhe e vetëdijes së lartë se çmimi i lirisë është më i shtrenjti, por edhe më i çmuari.
Prandaj, sot, ne nderojmë kujtimin, veprën dhe trashëgiminë e heroinave dhe heronjve tanë, sepse sakrifica e tyre sublime i dha jetë Kosovës së ditëve tona.
Ne jemi poashtu krenarë që në këtë rrugëtim tonin për shtet të pavarur patëm mbështetjen e vazhdueshme të aleatëve tanë ndërkombëtarë e veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve të Evropës. Ashtu si në ditët tona më të errëta, ata qëndruan pranë nesh edhe në rrugëtimin me sfida plot të shtetndërtimit.
Suksesi i Kosovës është edhe sukses i partnerëve dhe i aleatëve tanë. Andaj, gjersa ecim përpara me vizion të qartë për të ardhmen euro-atlantike, aleancat mbeten kyçe, partneritetet thellësisht të rëndësishme, e bashkëpunimi është çelësi që na sjell më afër së ardhmes më të denjë e më premtuese.
Faleminderit Shteteve të Bashkuara të Amerikës, faleminderit NATO dhe faleminderit të gjitha shteteve mike, të cilat më 1999 ishin në anën tonë, në anën e drejtë të historisë, duke na mbrojtur nga shfarosja, nga regjimi gjenocidal i Serbisë!
Po aq sa ishin të rëndësishëm aleatët kur ne përmbushëm ëndrrën tonë për liri e shtet, po kaq të rëndësishëm janë edhe sot gjersa angazhohemi e punojmë fort për ta mbrojtur lirinë tonë, shtetin tonë dhe të ardhmen tonë.
Në këto kohë sfiduese për Evropën dhe për mbarë globin, vetëm së bashku mund t`u dalim në ballë të gjitha sfidave.
Zonja dhe zotërinj,
Miq të nderuar,
Themelet e Republikës së Kosovës qëndrojnë mbi përkushtimin ndaj parimeve demokratike dhe shtetit të së drejtës. Ne kemi punuar fort e me ngulm për të ndërtuar institucione që pasqyrojnë këto vlera, institucione që janë të përgjegjshme para qytetarëve pa dallim dhe që u shërbejnë interesave të tyre mbi të gjitha.
Përkundër sfidave, bindja jonë është e palëkundur: Kosova është e denjë dhe e meriton vendin e saj në gjirin e familjes euro-atlantike. Gjersa jo çdo herë mund të shihet qartë, çdo ditë e jona është një hap më afër së bërit këtë ëndërr të kamotshme të popullit tonë një realitet.
Shteti ynë mishëron aspiratat, betejat dhe triumfin tonë të përbashkët. Është një testament i heroizmit të atyre që guxuan ta sfidojnë tiraninë dhe ta hapin rrugën për të sotmen tonë të lirë e për të nesërmen tonë më të ndritshme.
Le ta festojmë këtë ditë me krenari, me bindjen se rrugëtimi ynë drejt pavarësisë është një dëshmi e qëndrueshmërisë së shpirtit të qytetarëve tanë. Teksa synimin e kemi që lirinë ta mbrojmë me çdo kusht, që shtetin ta bëjmë edhe më të fuqishëm e të integruar në strukturat euro-atlantike le ta bëjmë këtë me përkushtim të pashoq e krah për krah me miqtë dhe aleatët tanë.
Kosova është mbi të gjitha!
Urime 16-vjetorin, shteti ynë!
Zoti e bekoftë Republikën tonë dhe miqtë e saj!